Monday, 26 December 2016

Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër


Më ndodh shpesh që njerëz simbole të kulturës sonë t’i takoj nëpër rrugët dhe aktivitetet kulturore të Metropolit shqiptar. Nuk është se me të gjithë kam njohje të afërt, por për të gjithë pa përjashtim ndjej një respekt të madh për emocionet që na kanë dhuruar si dhe vlerat kulturore që kanë promovuar. Në Shqipëri nuk është e lehtë të mbetesh njeri, e aq më pak njeri artist.


Sunday, 25 December 2016

Këngë arbëreshe për Krishtlindjet



Ç’mrekulli është vallë kjo?

 ‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi
Erdh pranvera, dimri shkoi.
Ljeu Krishti në një skutë,
Ljeu i varfër e i butë.
Ljeu aty, e s’ljeu në Horë,
Në një shpellë e nën dëborë,
Ljeu, e qielli u bë  dritë
Nata u shndërrua në ditë.
Jeta u mbush plot me gëzim,
pemët, me fletëza në bulim.
Na pru Zoti në këtë dhe
Gaz të madh, paqe e hare!

Ninulla në arbërishte:

Çë thavmasmë isht kjo?
Çë edhe nata ditë u bë.
të ghzon zemërën
dimri shkoi e s’ ishtë më
gjithë jeta bën hare
ljulje e peme për në dhe
Ljeu jashtë e jo në Horë
në një shpellë, në një gërromim
ljeu në tsin, ljeu në sborë
ljidhur klje te një skutin
mbet në kashtë e në sanùa
si i vapkëth për mua
E si ljeu n’ ata malje
n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim
Parraisi u psaljë gazin
m’ i madh njeriut i qièlli
paqe, gaz, haré
yn’ Zot pru në ktë dhe


Kjo ninullë është shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe” të Lionardo Vigo (1805-1888).Ai ishte një poet, filolog e politikan Italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, në të cilën përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Sicilisë. Vigo ishte një dishepull i Romantizmit, dhe besonte se këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor. 




Wednesday, 21 December 2016

Labirinthi i panjohur i ushtrimit të pushtetit…

Marrëdhëniet e pushtetit me qytetarët janë trajtuar shumë herë në romanet historike, gjysmë dokumentarë të bazuar në histori. Kjo është një temë e mirënjohur ndërballkanike,  meqenëse shpesh herë këtyre anëve tona lakmia për pushtet dhe abuzimi me të kanë qenë mekanizmat që kanë rregulluar parametrat e pushtetit me qytetarët. Mirëpo duke qenë  një dukuri e zakonshme dhe e përsëritshme në shoqëritë ballkanike, jo radhë herë shkrimtarët dhe studiuesit  që janë bashkëkohorë duket sikur kanë shkruar për të sotmen.


Shën Mërkuri i Arbërve të Greqisë.



Shumë pak vetë e dinë sot mes arvanitasve të rinj, thotë Aristidh Kolia se para se luftëtarët e 1821 të kishin si Shenjtin e tyre mbrojtës Shën Gjergjin që pas revolucionit u kthye dhe në Shenjtin mbrojtës të Greqisë se popullsia arvanitasve, Shenjtorin e tyre mbrojtës dhe më të përhapur kishin Shën Mërkurin. Emri Mërkur ishte shumë i përhapur mes tyre, më i shquari luftëtari stratiot, Mërkur Bua. Sot shkruan Kolia, për fat të keq gjen shumë pak kisha në Greqi dedikuar këtij shënjtori që dikur ishte mbrojtësi i luftëtarëve arbër stratiotë në Itali, Dalmaci, Francë, Austri, Flandër, Spanjë, Prusi etj. Gjeneral Merkur Bua, (Lidhjet gjenealogjike me Familjet Shpata, Topia, Meksi, Zenevishaj, Zguro), Konti i Akuinos dhe Rokasekas, Komandanti i 300 Stradioteve shqipetar qe luftoi kundra ushtrive dhe mbreterve me te fuqishme te kohes dhe fitorja shkonte gjithmone ne kampin e tij.Historiani grek Koroneo thotë për Mërkur Buan se “ai është pasardhës i vërtetë i Pirros, i Akilit, i Eneas dhe i Aleksandrit të Madh”.Mërkur Bua luftoi në ushtrinë e perandorit gjerman, Maksimiliani I, që prej vitit 1490, si komandant i përgjithshëm i kalorësisë së lehtë. Ai u njoh si aleat i Luigjit XII të Francës duke mundur spanjollët. Pas fitores venedikase të vitit 1513, Merkur Bua pranoi te luftonte per venedikasit dhe u propozoi të tërheqë me vete dhe shqiptarët që i kishin mbetur besnikë perandorit.Në vitin 1506 i ngarkuar nga francezët, ai e shpëtoi Papën Julius II, duke i thyer keqas forcat e tiranit të Bolonjës, Xhovani Ventivolio.Ne vitin 1515 pranë Milanos është zhvilluar beteja e madhe e Marinjanit, duke hyrë në histori si “beteja e gjigantëve”, pasi merrnin pjesë ushtritë më të rëndësishme të Evropës.Mërkur Bua Shpata, drejtuesi i kalorësisë shqiptare në shërbim të Venedikut, arriti të tronditë udhëheqjen ushtarake të 40 mijë ushtarëve zvicerane, duke u gjendur në krah të Francës. Kjo është beteja e famshme, për të cilën konikanet thone se zviceranët menduan se kishin të bënin me një numer shume te madh kaloresish, duke marrë vendimin e tërheqjes dhe pranimin e humbjes.Në të vërtetë aty kishin hyrë vetëm 300 kalorës shqiptarë. Mërkur Bua ndonëse i plagosur arriti të kapë 6 flamuj dhe katër topa të ushtrisë zvicerane. Beteja u fitua nga ai.Historianët thonë që u mund ushtria zvicerane që për 1500 vjet, që nga koha e Jul Cezarit nuk kishte njohur dështime. Prej asaj kohe Zvicra ka mbi 500 vjen ne neutralitet.Mbreti Françesku i parë i Francës, e paraqiti Mërkur Bua Shpatën e plagosur si shpëtimtarin e jetë së tij.Dhjete vjet më vonë, në betejën e Pavias, Mbreti Françesku i parë, aleatin Mërkur Bua Shpata e kish kundërshtar. Mbreti u mund, ra rob lufte dhe po mos të kishte qenë autoriteti i Mërkur Bua Shpatës edhe do ishte vrarë nga mercenarët katalanas. Mërkur Bua Shpata ua mori mbretin Françesk katalanasave dhe i bëri këtij nderimet si mbret. Flamuri i tij dhuruar nga Perandori Austriak, Maksimalian I, në 1510, përfaqësonte  një shqiponjë të zezë dykrenare, kryqin e Dukatit të Burgonjës dhe rreth kryqit katër B, që simbolizonin gërmën e parë të familjes

 

 




Sunday, 18 December 2016

Varri i Ali Pashë Tepelenës në Stamboll



“Një nga shokët e vjetër të Ali Pashës, i quajtur Dervish Sulejmani që i kishte shërbyer Ali Pashës si agjent besnik, pati një projekt më fisnik. Meqenëse ishte shfaqur mes tyre grindje mendimesh, Sulejmani ishte shtrënguar në teqe nga Ali Pasha dhe u bë dervish. Kur mori vesh vdekjen e mikut të tij të vjetër ndjeu hidhërim të madh dhe e bleu. Dha një çmim më të lartë nga ajo që ofronte tregtari. Më vonë Sulejmani mori kokat e tre bijve dhe nipit, të cilëve pas vdekjes së Ali Pashës, ua prenë kokat me pretekste të ndryshme, i vuri përballë portës së Silivrisë dhe u vuri nga një gur varri.  Kjo portë ka qenë në hyrjen e Stambollit të vitit 1822. 
Mbi gurët e varreve skaliti shënimet e mëposhtme: Këtu shtrihet koka e shumë të famshmit Ali Pashë Tepelena, qeveritar i Sanxhakut të Janinës, i cili gjatë 50 vjetëve u përpoq për indipendencën e Shqipërisë”, shkruan nga raporti që atasheu i Ambasadës së Anglisë në Stamboll, Robert Walsh, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Angleze. Në atë vend, gjendem kokat e tre djemve të tij, Veliut, Myftarit, Saliut dhe nipit, Mehmet Pashës, i biri i Veliut. Të gjitha mbajnë datën shkurt 1822. 



Tuesday, 13 December 2016

“Sutor, ne ultra crepidam!” (O këpucar, rri tek këpuca!)



Në Greqinë e lashtë teksa këqyrte një pikturë, një këpucar i afrohet autorit dhe i bën vërejtje për sandalet në vepër. Piktori ia vë veshin dhe i ndreq të metat me penel. Atëhere këpucari merr zemër dhe nis të hapërdahet edhe në zeje të tjera e të bëj ku vërejtje për tegelin , ku për gjalmët e ku për shpatat derisa artisti i kthen përgjigjen e mesiperme që mbeti proverbë.Interneti duket se ka sjelle nje zhvillim te madh gjithandej por ka dhene dhe lirine shume vetave te shprehen si u vjen per mbare pa respektuar etiken apo argumentin llogjik. Ky proverb mund t'iu vijë ndihmë shumë vetave që ngatërrohen në debate publike pa njohur mirë temën.





Sunday, 11 December 2016

Si ishte në pamje Ali Pasha Tepelena


Periudha e fundit të shekullit të XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX, periudhë që fillon me interesimin e Fuqive të Mëdha për rajonin e Ballkanit, çka korrospondon përveç pranisë diplomatike dhe ushtarake të Francës, Rusisë dhe Anglisë në këto territore edhe me një rritje të numrit të udhëtarëve të huaj kryesisht anglezë dhe francezë që vizitojnë Pashallëkun e Janinës. Në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor.


Wednesday, 7 December 2016

Muza poetike e Kostis Palamas



Kjo është një gravurë e Eleni Korçës, muza poetike e poetit grek Kostis Palamas(1859–1943). Ajo ishte mbesa e Emin Beut nga Korça të vendosur ne Greqi ne vitet 50' te shekullit te XIX. Emin Beu , si një pjesë e elitës shqiptare besonte në një shtet te përbashkët shqiptaro-grek, shtet që ishte i pamundur për tu krijuar për shkak të nacionalizmit agresiv të Megali Idesë.
Portreti është i vitit 1922, kur Palamas u njoh me të, gjatë një pritje mondane. Për 14 vjet ata vazhduan një korrospodencë në frëngjisht që u botua si libër në vitet 60’ në Greqi. Nuk u morr vesh kurrë natyra e lidhjes së tyre, por të gjithë kritikët bien dakort se ajo pati një ndikim të madh tek ai.
Eleni Korca ishte një kozmopolite pasi në kundershtim me dëshirën e nënës së saj kishte zgjedhur besimin katolik. Ndoshta ishte influencuar nga fati i familjes së saj që në Greqi ishte konvertuar në ortodokse. Do ishte me interes përkthimi i korospodencës së saj me Palamas, për të parë se çmendonte një qytetare kozmopolite e viteve 20-30 ' në Ballkanin e sunduar nga diskursi i nacionalizmit kulturor.




Tuesday, 6 December 2016

Pavarësia e cunguar e 1917




Në 3 qershor 1917, italianët shpallën proklamatën e tyre në Gjirokastër ku shqiptarëve u jepeshin disa të drejta.
Gjithë popullit shqiptar!
Sot më 3 qershor 1917, në ditën e përvjetorit të lirive kushtetuese italiane, ne, gjeneral kolonel Xhiacinto Ferrero, komandati i korparmatës XV, me urdhër të qeverisë së mbretit Viktor Emanuelit III, shpallim solemnisht unitetin dhe pavarësinë e gjithë shqipërisë nën egjidën dhe mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë. 
Shqipëtarë! Me këtë akt ju, shqiptarë do të keni institucione të lira, milici gjyqe, shkolla të drejtuara nga qytetarë shqiptar; do të mund t’i administroni vetë pasuritë tuaja, në të mirën tuaj profesionale dhe për mirqënien gjithnjë  më të madhe të vendit tuaj.5-Eqerem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, IDK, fq. 432.     
Ai ju bënte thirje shqiptarëve të mernin armët dhe të kujtonin traditat e lidhjeve të dy brigjeve të Adriatikut gjatë Perandorisë Romake, ku dhe u kujtonte shqiptarëve se veç një det i ndante me Italinë. Në proklamatë ritheksohej sërish miqësia me Italinë dhe se Shqipëria do të kishte mbrojtjen e Italisë për t’i garantuar  pavarësinë. Mirëpo gjatë kësaj kohe kemi edhe një notë kundër proklamatës për protektoratin italian në Shqipëri. Establishmenti ushtarako-politik i Italisë nuk mund të binte dakord me lëshimin e Vlorës dhe kujdestarinë ndaj shtetit të cunguar shqiptar. 



Friday, 2 December 2016

Aliu i Tepelenës

                         
Monumenti i Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë. Vepër e skulptorit të njohur Muntaz Dhrami

Ne frikën s'e njohim, s'e njohim mëshirën,
Këto nuk i njeh kush lufton për Vezirin;
Që kur leu Profeti, s'ka parë Gjysmëhëna
Një trim kaq të madh sa Ali Tepelena.

I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!

Silihtar! zhveshe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male, që shihni si zbresin në zall,
Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë.

Lord Byron. "Shtegtimet e Childe Harold", përkthyer nga Skënder Luarasi


Monday, 28 November 2016

Atdheu


Çfarë është atdheu? Në ç’formë vjen ai te kujtesa jonë kombëtare? Sa i madh është atdheu? Pyetje që ia bëjmë vetes vazhdimisht kur meditojmë për vendin tonë por që u duhet tu japim përgjigje kur na pyesin pafajësisht më të vegjlit, fëmijët tanë. Çdo vit, duke rrëmuar në kulturën e vendit tënd  mund të gjesh motive dhe simbole, kordinata dhe drejtime për të përkufizuar atdheun por besoj se një nga përkufizimet dhe përshkrimet më të mira na e ka dhënë poeti kombëtar, Naim Frashëri të vepra e vet madhore “Bagëti e Bujqësi” në 1886.


Friday, 25 November 2016

Kongresi i Manastirit: Evropianizimi i kulturës shqiptare në fillim të shekullit të XX



Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes  kulturore  pas vitit 1908,  sillte si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes. Nismën për thirrjen e tij e mori klubi "Bashkimi" i Manastirit. Në një thirrje të klubit "Bashkimi" thuhej: " Ora e  Lumtur erdhi, kur ne fillojmë punojmë të lirë dhe të papenguar pë lumturinë e kombit tonë, jo me armë dhe barut, por me penë dhe me letër. Ne duhet të fillojmë me çështjen e alfabetit- sepse ndryshe nuk do të arrijmë qëllimin e lartë-përparimin e gjuhës sonë." (Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201.)


Wednesday, 23 November 2016

Antifashizmi shqiptar.



Rezistenca shqiptare nuk është më e rëndësishmja në Europë, por as e vogël në raport me numrin e popullsisë ndaj me të drejtë nëse e pranojmë antifashizmin si një vlerë të konfirmuar edhe nga Këshilli i Europës herë pas here, ne duhet të ndihemi krenarë që vendi u radhit në koalicionin antifashist. Luftë civile, luftë shoqërore, luftë nacionalçlirimtare apo luftë antifashiste? Pasioni duhet të pushojë të jetë mbizotërues në gjykimin e kësaj lufte dhe gjykimi i shëndoshë duhet të marrë udhë, jo si një tendencë apo rreshtim politik, as si përfitim elektoral i së sotmes, por si një e vërtetë që vjen përmes dokumentacionit të shumtë të shfletuar dhe të paraqitur me skrupulizitet akademik.
Lufta jonë kundër nazifashizmit përfshiu shumë njerëz, fate njerëzore e personazhe që do të shenjonin historinë e mëvonshme 50-vjeçare së Shqipërisë, por në asnjë rast korruptimi i idealeve të atyre që morën pjesë në luftë nga ata që volën frutat e fitores duke u shndërruar në udhëheqës që shkelën mbi idealet e ëndrrat e shokëve të tyre në luftë, nuk duhet ngatërruar duke përbaltur protagonistët dhe njerëzit e thjeshtë që vunë gjakun dhe sakrificat e tyre në shërbim të atdheut. Lufta jonë, përveçse një luftë çlirimtare, është dhe një sfidë për shqiptarët e sotëm për të parë të vërtetën dhe të shkuarën drejtpërdrejtë në sy, pa komplekse për të shkuarën dhe me një tharm dinjiteti njerëzor për të shkruar historinë moderne të Shqipërisë, larg llogoreve të hapura që në frontin e luftës dhe me një gjithëpërfshirje dhe përfaqësim të të gjithë atyre që kontribuuan sado pak në mbarëvajtjen dhe fitoren mbi fashizmin.


Tuesday, 22 November 2016

Ceremonia e turpit kombëtar...



Në të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste, një vend i cili sipas marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1921 (pararendëses së OKB së sotme) ishte vendi garant për pavarësinë e Shqipërisë. Si rezultat, Shqipëria humbi pavarësinë e saj dhe nëpërmjet një akti djallëzor të quajtur "Bashkim Personal" vetëm pesë ditë më vonë u bë një apendiks i Mbretërisë Italiane.


Sunday, 13 November 2016

“Alipashaida”, eposi i harruar i Ali Pashë Tepelenës



Nuk ka dyshim që në gjallje të Ali Pashë Tepelenës, ka pasur përpjekje për të shkruar jetën dhe bëmat e vezirit karizmatik të Janinës, përpjekje që dëshmohen nga “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit, poetit homerik delvinjot, që me një poemë të gjatë dhe origjinale përshkruante origjinën, jetën, ngjarjet dhe vdekjen e pashait. Një përpjekje të tillë e dëshmon Dr. Henry Holland në veprën e vet “Travels in the Ionian Islands, Albania, Thessaly, Macedonia etc”, kur përshkruan ngjarjet e Kardhiqit dhe nënvizon faktin se ato ishin përshkruar  të plota në historinë poetike të Ali Pashës, të cilën i kishte dhënë miratim për botim (-Holand. H (2009) Mjek te Ali Pasha. Tiranë Migjeni, fq 206). Po kështu te Pukëvili gjejmë informacionin se në Vjenë kishin shtypur për nder të Ali Tepelenës një poemë (Puoqueville. F (2011). Ali Tepelena . K& B:Tiranë, faqe 299). Të dy autorët, Dr Holand dhe Pukëvili, edhe pse nuk e përmendin titullin e veprës poetike, mund të kuptohet dhe arrihet në një përfundim paraprak, përmes analizës së fakteve se bëhet fjalë për “Ali Pashaidën” e Shehretit.


Saturday, 5 November 2016

Lumnimi i martirëve



1-Klerikët e pushkatuar kanë pasur moshën mesatare 47 vjeç dhe kanë bërë 258 muaj në hetuesi. 2-Klerikët që kanë vdekur në tortura kanë pasur moshën mesatare 50 vjeç dhe kanë kryer 68 muaj hetuesi. 3-Kleikët e zhdukur pa gjyq kanë pasur moshën mesatare 56 vjeç dhe kanë bërë 56 muaj hetuesi. 4-Klerikët që vdiqën pak kohë pas torturave e kanë pasur moshën mesatare 52 vjeç dhe kanë bërë 3 vjet hetuesi. 5-Klerikët e vdekur në burgje ose në kampe kanë pasur moshën mesatare 56 vjeç dhe  kanë kryer 156 vjet  burg. 6-Kleikët që kanë vdekur pasi kanë kryer dënimin, kanë bërë gjithsej 315 vjet burg. 7- Klerikët që kanë vuajtur dënimin dhe kanë mbijetuar, kanë kryer 363 vjet burg. Po të mbledhim gjitë vitet që përmendëm mësipër arrijmë në konkluzioni që gjithë vitet e burgimit të klerit katolik shqiptar janë 881 vjet ose 9 shekuj. Të gjithë qenë klerikë të shkolluar dhe intelektualë të zotë. Ata kanë kryer sëbashku rreth 450 vjet studime në 24 universitete të Evropës.

Dom Noc Noga, “Humbje dhe fitore”, Shkodër 1999, faqe 132


Wednesday, 2 November 2016

Sfidat letrare dhe kulturore të “Selam Alejkum baba!"


Nëse do të analizojmë me një sy të thjeshtë dhe kritik gjithë literaturën  e udhëtimit të udhëtarëve evropianë përgjatë shekullit të XIX dhenë vazhdim rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve do të shohim se ajo rreth rrotullohet përgjatë disa fjalëve kyç e kryesore si:  islam, krishtërim lindor, katolicizëm,tolerancë, kanun i Lek Dukagjinit, primitivizëm, natyrë e egër.


Sunday, 30 October 2016

Rrugëtim drejt Evropës përmes librit.





Ndër qytetërimet e lashta shquan qytetërimi antik greko-romak, trashëgimia e të cilit është një nga faktorët bashkues të Evropës së sotme. Pikërisht në këtë adhurim të vetive dhe cilësive të qytetërimit greko-romak,  i ka rrënjët dhe mendimi evropian i Rilindjes dhe Iluminizmit gjatë së cilit u konceptua dhe artikulua ideja e Evropës së Bashkuar.


Friday, 28 October 2016

Oxhaku i ri i Vrionasve



Konsulli francez Pouqeuville pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës, në veprën e vet, e portretizon Omer bej Vrionin, si pasardhës të Paleologëve, princërve të sprasmë të Myzeqesë, të cilët kishin ndërruar fenë në fillim të shekullit XVI. Ibrahim Pasha Vlora e pat syrgjynosur dhe ia pat zaptuar pronat. Gjatë periudhës së mërgimit në Egjipt, Vrioni ishte shquar në betejën e Abu-Mënefit, kundër anglezëve dhe më vonë i martuar me një princeshë të ve mamluke, kishte lënë Egjiptin dhe shërbimet ndaj Mehmet Ali Pashës dhe ishte futur në shërbim të Ali Pasha Tepelenës.196 -Puoqueville. F (2011). Ali Tepelena . K& B: Tiranë, 193.


Saturday, 22 October 2016

Tipari fatkeq i shqiptarëve sipas Konicës



Nje tipar padyshim fatkeq i shqiptareve dhe tipar mjaft i dukshem  eshte mungesa e plote e idealizmit. Ne nje vend ku njerezit vdesin aq kollaj per hiçgjë, nuk eshte degjuar qe te vdese dikush per nje ideal ose ceshtje.

Do te kerkonte shume kohe per te shpjeguar se perse Shqiperia nuk e ka fituar lirine me heret dhe ka nje liste te shkurter te deshmoreve per lirine kombetare. Akte te devotshmerise qe kane shkaktuar vdekjen e mijera njerezve, mund ta benin te duket i rreme pretendimi im per mungesen e idealizmit.

Por besnikeria e ndaj traditave te ngulitura dhe nje kanuni qibar per nderin jane pothuajse akte mekanike qe nuk nenkuptojne se dikush e rrezikon jeten per nje ideal te zgjedhur lirisht.

Faik Konica.Shqiperia:kopshti shkembor i Evropes Juglindore



Wednesday, 19 October 2016

Kur ju buzëqeshni...






Kur ju buzëqeshni
Dëgjoj muzikën e buzëqeshjes suaj

Mësoni të jëni të shenjtë
Shenjtëria qendron në një buzëqeshje

Doni ta ndryshoni rrënjësisht jetën tuaj
I buzëqeshni njëri-tjetrit. 



Thursday, 13 October 2016

Sundimi i Ali Pasha Tepelenës




Në studim të jetës së Aliut nuk do mbajtur larg sysh gjendja e ahershme e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të cilët gjithë shkronjësit e vjetër janë të njëzëshëm të na i rrëfejnë si njerëz të rreptë, të pabindur dhe fort pak të qytetëruar. Aliu, kishte të bëjë me adversarë (kundërshtarë – red), këmbëngulës, që s’e dëgjonin dhe s’donin ta dëgjojnë.
Thonë se një ditë i rrëfenin pashait të Janinës punët që kishte bërë një tjatër shqiptar anë Nilit, Mehmet Aliu. Tepelenasi si dëgjoi historinë e veprave të çudiçme të Misirit, paska thënë: :”Hajde o Mehmet Ali, si lum ti që ke gjetur fellahët dhe i bën si i do vetë, unë këtu vras nëntëdhjetë e nëntë shqiptarë dhe nuk i mbush dot kokën të njëqindit!”
Është një gjë e treguar se në vendet që sundonte Aliu mbretëronte një siguri dhe qetësi e plotë. Vallë, zbutjen e vetijave dhe përparimin relativ që vërejmë sot në anët jugore të vendit tonë, a  nuk ja kemi hua rreptësisë dhe keqësisë që ekzersoi (ushtrojë-  red) veziri nga Tepelena?

Mithat Frashëri, alias Lumo Skëndo. Dituria, 1926, nr.1.f.19-22





Tuesday, 11 October 2016

Fillesat e teatrit ndër shqiptarë...




Fillesat e teatrit në Shqipëri ka të ngjarë të jenë në shfaqjet e “Karagjozit”, një lloj teatri me kukulla që fillesat i ka në oborrin e Ali pashë Tepelenës. Udhëtari anglez J.C.Hobhouse në librin e tij “Një udhëtim në në Shqipëri dhe në provincat e tjera tëTurqisë në Europë dhe Azi drejt Konstandinopojës” (1813)  përmend faktin që në Janinë pa një shfaqje të tillë, ku personazhe ishin figura të njohur të oborrit të Ali Pashë Tepelenës.


Monday, 10 October 2016

Një portret imagjinar i Shanisha Tepelenës, motrës së Ali Pashë Tepelenës



Ky portret është një portret i panjohur i Shanishës, motrës së  Ali Pashe Tepelenes nga një  autor anonim. Portreti eshte bazuar ne imagjinate dhe në të mund te konstatosh lehte, influencat e orientalizmit, duke e perfyturuar ate te shemtuar, me veshtrim te eger gati si shtrige. Shumica e piktoreve europiane u ndikuan nga rrefimet e Pouqeuville dhe mbi motivet e tyre pikturuan portrete abuzive te personazheve historike...


Thursday, 6 October 2016

Europa Mbretëreshë dhe Arbëria



Kjo është një hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, e cila është vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë)dhe simbas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë. Ne fakt në mitologji Europa paraqitet  si një vajzë e re, një princeshë, bijë e mbretit mitik Agenor, e cila u rrëmbye nga Zeusi i shndrruar në dem dhe që humbi gjurmët e saja diku ne atë që quhet sot Evropë.

Harta e Buntingut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.  Kjo hartë ndodhet ne hollin e Parlamentit Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfishirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë. Një nga vëllezërit e Europës  ishte Kadmi, themeluesi i Tebës( Thiva  e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti , u ndal duke themeluar qytetin e Thives. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit. Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim  shekullit të II pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe sëbashku me Harmoninë, duke u shndrruar në gjarpërinj,  u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës( liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa e tyre lindi një djalë Illyrion që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.
Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike e qytetërimit europian, ndaj Arbëria , imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë. Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan,  ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, vazhdon të gjallojë në idenë europiane të kontinentit.




Tuesday, 4 October 2016

Origjina e fjalës “Shqipëri” dhe pse bota na quan “Albania”




Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike të saj.


Friday, 30 September 2016

Truprojat shqiptare.




Me vështirësi ne ikëm, u zhvendosëm jashtë Artës, me truproja shqiptare që na mbronin me eskortë. Gjithsej ishin gjashtë e në krye dy shqiptarë që e drejtonin eskortën. Të gjithë këta shqiptarë janë të armatosur deri në dhëmbë, me pistoleta dhe armë, me zbukurime luksi dhe ndonjëherë krejtësisht të lara me argjend.

Benjamin Disraeli për shqiptarët kur vizitonte Janinën në 1832


Wednesday, 28 September 2016

Tamburxhi! Tamburxhi!




Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton;
U ngjall trimave shpresën; për luftë na fton
Gjithë djemt' e malsisë i thërret anëmbanë
Himariotët, Ilirët, Suliotët zeshkanë,

E kush është aqë trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan?
Ja le tufën shqiponjës e bishës e zbret
Poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det.

Të bijt' e Himarës që s'falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s'markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj' më të bukur se zemra armike?

Maqedhoni dërgon bijt' e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe, t'i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rjedh posi lumë.

Kusarët e Pargës i ka deti shokë;
I zënë rob frëngjtë, i zbresin në tokë,
I shpien në burg, atje të kuptojnë
Se ç'janë vargonjt' e sa rëndë rëndojnë.

Të dobëtit blejnë, u duhen paratë;
Fitoj, çdo gëzim që dua, me shpatë;
Prej s'ëmës rrëmbej të bijën truphedhur,
Mar nusen e re, me flokët e derdhur.

E dua fytyrën e bukur si lule.
Që shpirtin ma deh me këngë e pekule,
Pa silljani lirën prej odës së vet
E këngës t'ia thotë për vdekjen e tet.

Kujtoni Prevezën, në dorë kur shtimë,
Armiqtë vajtuan por ne brohorimë;
Shtëpira që dogjëm, e plaçkë që ndamë-
Zengjinët i therrëm, të bukrat s'i ngamë.

Ne frikën s'e njohim, s'e njohim mëshirën,
Këto nuk i njeh kush lufton për Vezirin;
Që kur leu Profeti, s'ka parë Gjysmëhëna
Një trim kaq të madh sa Ali Tepelena.

I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!

Silihtar! zhveshe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male, që shihni si zbresin në zall,

Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë.

Lord Byron. Shtegtimet e Childe Harold. Përktheu nga origjinali Skënder Luarasi


Tuesday, 27 September 2016

Pallati i Ali Pashë Tepelenës në Artë.



Gjatë kohës kur krahina e Çamërisë hyri brenda kufijve administrativë të Pashallëkut të Janinës, edhe aty si në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative. Ali Pasha Tepelena, pothuajse në çdo qytet të rëndësishëm të Pashallëkut të tij, kishte nga një pallat të vetin të ndërtuar, që në shumë raste u vizituan edhe nga udhëtarët e huaj.


Friday, 23 September 2016

Ktheni ploret o detarë...



Këto janë vargjet që  i mungojne kështjellës së Porto Palermos . Ato ishin të gdhendura në hyrje të kështjellës, mbi  portën kryesore . Autori i tyre është i panjohur por mendohet se janë të shkruara ndoshta nga Jani Vilarai apo Psalidha ne greqisht per Ali Pashë Tepelenën dhe te sjella kaq bukur ne shqip nga mesuesi Jani Pali nga Qeparoi ne vitet 30'.


Monday, 19 September 2016

Rëndësia e kulturës së Komanit për etnosin shqiptar




Kultura  e Komanit, është një hallkë elokuente e kontinuitetit midis banorëve të lashtë dhe vazhduesve arbër; një kulturë meshtrirje kohore që nga shekulli i VII  deri në shekullin e IX dhe me një shtrirje territoriale mjaft të gjerë nga alpet shqiptare deri në brigjet jugore të detit Adriatik e në luginën e Vjosës. Kultura e Komanit ishte kjo një kulturë e një popullsie qytetare e fshatare, bregdetare e malore, më rrënjë  në traditën antike dhe me novacione, me elementë të trashëguara nga kultura ilire halshatiane e hekurit dhe nga kultura provinciale romake e paleobizantine, ku elementët sllave nuk figurojnë veçse si elementë të izoluara dhe jo si një kulturë kompakte. 


Sunday, 18 September 2016

Letërsia e gjuhës së ndaluar



Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa“, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor.Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë. Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.


Thursday, 15 September 2016

Takimi dhe biseda e Ali Pasha Tepelenës dhe Lord Bajronit



...Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast.


Pengu nga Ilirian Zhupa





Ti vazhdon të jesh Liqeni i Janinës, përbri një kështjelle
Dhe unë Ali Pasha në ishull, që s’dal dot më prej teje.


Nga libri “Të gjallë dhe të vdekur”, Botimet Toena




Monday, 12 September 2016

95-vjetori i gazetës “DRITA” e Gjirokastrës (1920-1924) nga Flutura Hashorva



Më 27 mars të vitit 1920 patrioti Veli Hashorva, 28-vjeçar, botoi në Gjirokastër të parën gazetë në gjuhën shqipe me emrin “DRITA”. Kjo ishte gazeta popullore, politike, kombëtare që botohej një herë në javë, nën censurën e rrepte të ushtrisë italiane, e cila akoma nuk ishte larguar nga Gjirokastra. Numri i parë i gazetës doli dy muaj mbas përfundimit të Kongresit të Lushnjës, ku dy muaj para se të fillonte lufta e Vlorës. Po atë ditë në Tiranë u mblodh Këshilli Kombëtar i vendosur nga Kongresi i Lushnjes.


Sunday, 11 September 2016

Të kontribuosh në mirëqenien e të ngjashmëve- Intervista për Revistën Psikologjia




1- Kreativiteti, a është për ju një dhunti e lindur apo e keni zhvilluar atë në bazë të njohurive, interesave për jetën dhe plotësimit të figurës tuaj?

Besoj se është një dhunti e lindur si interes për letërsinë, historinë dhe artet dhe sigurisht e ushtruar në mënyrë të pavetdijshme që në moshë të vogël. Më kujtohet se që në shkollë të mesme , gjatë orëve të mësimit shpesh herë shkruaja në letra të vogla, sinopse idesh, rrëfimesh e poezish , një pjesë e madhe e të cilave kanë mbijetuar si subjekte në memorjen time dhe kur kam pasur kohë më vonë i jam rikthyer, kurse një pjesë tjetër sigurisht që ka humbur në hojet e kujtesës. 

2- Si historian dhe studies sa ju ka shërbyer të krijuarit në plotësimin dhe sjelljen e dokumenteve apo fakteve historikë pranë lexuesit?

Historia është një shkencë që nuk lejon të krijosh sepse në vetvete kërkon që t’i përgjigjet sa më tepër realitetit. Që nga Herodoti, i pari historian serioz i përmendur në historinë e njerzimit, në momentin kur ata nuk njohin një ngjarje apo territor me saktësi gjithmonë janë përgjigjur në mënyrë lakonike “thuhet se”, ‘besohet se” etj. Mirëpo , pavarësisht këtij fakti dhe ngurtësie të shkencës së historisë, në fakt si dhe rrëfimet e Herodotit, ajo mund të shkruhet mbi bazën e një narrative që lejon të intepretosh dhe të shpjegosh faktet historikë dhe jo vetëm tëtë dokumetosh thatë historinë. Mendoj, se kjo është sfida e brezit të ri të historianëve për të rishkruar një histori sa më afër së vërtetës por në të njëjtën kohë edhe më të përceptueshme nga publiku.

3- Njerëzit që krijojnë padyshim kanë edhe momentet e veta të bllokimit. Në psikologji njihen si “vrasësit” e kreativitetit, që janë: Kontrolli i tepruar, Frika dhe ankthi, Adrenalina dhe tensioni i tepruar, Izolimi, Mungesa e motivimit dhe pasionit, Pesimizmi. Ju kaplon kjo gjendje dhe çfarë ndodh me ju?

Besoj se përmes gjendjeve të cituara më lart, kalojnë pothuajse të gjithë njerëzit që  ushtojnë aktivittin e tyre me muzat artistike. Personalisht, ndjehem keq nga mungesa e motivimit dhe e pasionit të të tjerëve për të mësuar më shumë rreth identitetit, historisë dhe së shkuarës së vendit të vet. “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon dhe të sotmen’ është një shprehje e njohur nga shkrimtari britanik George Orwell, çka nënvizon rëndësinë e njohjes së historisë dhe implikimet e saj në të sotmen. Për të tejkaluar këtë gjendje, e rëndësishme është që njerzit të ndërgjegjësohen duke u kujtuar se historitë personale të suksesit apo mossuksesit, identitetet e së shkuarës dhe sotmes, përbëjnë tërësinë e historisë dhe identiteteve të një popullsie dhe të orientimit të saj drejt progresit. Nëse dëshirojnë që të ndërtojnë një të ardhme solide, atëherë këtë proces duhet ta fillojnë duke njohur të shkuarën. 

4- Psikologët thonë: Ndryshimi është padyshim një forcë e fuqishme. Hap prespektivën, zgjeron vizionin, na vë në pozita ku vendosim të braktisnim frikërat dhe dyshimet tona. Një pikë e mirë nisjeje sipas tyre është edhe edukimi ndaj mendimit negativ. Sa ju ka ndihmuar përgjatës vijës studimore që keni ndjekur dhe a mund të më rrëfeni ndonjë rast?

Negativizmi në shkrimine historisë së shqiptarëve është kthyer në një modë. Për fat të keq kjo gjë nuk po ndodh nga profesionistët po kryesisht prej studiues të fushave të tjera që i bien në qafë historisë. Dekonstruktimi i të ashtëquajturave mite në historinë shqiptare prek zakonisht palcën e identitetit të shqiptarëve duke tentuar t’i paraqesin ata si më pak të zhvilluarit nga ana kulturore, më të vonuarit në zgjimin kombëtar etj. Personalisht, këtë gjë e kam hasur në studimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës, dhe vetëm kur e vendosa në një rrafsh krahasues me figura të tjera në Ballkan dhe me ngjarje të ngjashme me rebelimin e tij, besoj se arrita ta kuptoj më mirë figurën e tij dhe rëndësinë e aksionit të tij politik. 

5- Për disa, ky lloj ndryshimi shoqërohet me paragjykim. Ju ka privuar kjo gjë apo përkundrazi ju ka ngacmuar të çoni më tej pritshmëritë tuaja?

Përgjithësisht, paragjykimet që kam hasur në shkrimin e historisë së shqiptarëve, kryesisht prej mosnjohjes por edhe shpesh herë prej dashakeqësisë, më kanë ngacmuar që të bëj të mundur përmes dokumentave dhe shtjellimit të fakteve të pasqyroj drejtë fenomenet historikë përmes të cilave ka kaluar kombi ynë. Shqiptarët, kanë as më shumë dhe as më pak një histori të përbashkët metë gjithë popullatat në Ballkan, ndaj paragjykimet e ndërtuara ndaj tyre për zgjim të mëvonshëm kombëtar apo mungesë instikti qeverisës, para se të jenë fakte historikë më së shumti janë paragjykime të tipit orientalist të mosnjohjes së Tjetrit. Sëbashku me kolegë të tjerë të brezit të ri të historianëve , gjithseli në fushat e veta të studimit jemi duke u munduar të plotësojmë mozaikun e tërësisë së historisë së shqiptarëve, të një historie multidisiplinare ku nuk studohet historia vetëm si sagë e narrativë por si kombini edhe me fushat e tjera të dijes. 

6- Të qenit kreativë, na lejon të kapim mundësitë në çdo situatë, favorizon mendimin pozitiv, zhvillon dhe fuqizon ndjesinë e kënaqësisë personale dhe vetërealizimit. Sa i plotësuar ndiheni në këtë drejtim dhe sa keni ndikuar në mirëqenien e atyre që janë pjesë e fushës ku ju jepni kontribut?

Këtë pjesë, sigurisht që nuk më takon mua të flas, pasi janë lexuesit, studentët e kolegët që do të mund t’i përgjigjeshin më mirë. Sigurisht, që jam ndjerë mirë kur miq e kolegë kanë cituar shkrimet e librat e mia në veprat e tyre apo në doktoraturat e studimit dhe përveçse kënaqësisë së njohur të studiuesit kam përfituar dhe ndjenjën mikluese të vlerësimit, çka për hir të së vërtetës është e pakët në shoqërinë tonë. A kam ndikuar në mirëqenien e tyre? Besoj se intelektualisht dhe shpirtërisht , çdo koleg lë gjurmë me personalitetin e tij, ndaj besoj se në mënyrë të vetdijshme e të pavetdijshme, në këtë mënyrë ne kontriubojmë në mbarëvajtjejn dhe mirëqenien e të ngjashme si ne. 

Revista Psikologjia. Nr 6. 2016



Saturday, 10 September 2016

Motrat Qiriazi



Gratë shqiptare në fundin e shekullit të XIX,  do të ndiheshin më të habitura por në të njëjtën kohë do të ndjeheshin dhe krenare nëse do merrnin vesh se një princeshë që gjithandej tregonte me krenari rrënjët e origjinës së vet shqiptare, Elena Gjika, alias Dora d’Istria ishte në katër gratë kryesore në Europë që promovonin feminizmin dhe të drejtat e grave përmes fjalës së shkruar dhe pendës.


Saturday, 3 September 2016

Dy harta të rëndësishme të periudhës së Ali Pashë Tepelenës në Londër



Përshkrimi dhe dokumentimi me harta i bregdetit shqiptar dhe grek është nga dokumentimet më të hershme në historinë e hartografisë. Zakonisht është skicuar bregdeti pasi ai bënte pjesë në zotërimet e Republikës së Shën Markut, Venedikut dhe më pak brendësia kontinentale e zonave të brendshme të Shqipërisë. Gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës(1788-1822), pashallëku i tij dhe një pjesë e madhe e territoreve shqiptare u vizituan, pikturuan dhe skicuan nga një pjesë e madhe udhëtarësh, diplomatësh dhe agjentëve diplomatikë që rizbuluan Lindjen e Afërme dhe e pasqyruan atë në botime të shumta në Perëndim.


Wednesday, 31 August 2016

Faik Konica për Ali Pasha Tepelenën



Faik Konica, në shkrimin e tij të titulluar "Ali Pasha i Tepelenës", në muajin Shkurt 1902 në gazetën "Albania", duke qortuar shqiptarët që shanin Ali Pashën, thekson:

"E pse të zemërohemi me zaptijet e mjerë që nuk e kanë kuptuar Ali Pashën? Për të njohur mirë jetën dhe punët e Ali Pashës duhen studjuar nja dhjetë libra inglisht, nja pesë a gjashtë greqisht dhe nja tre a katër frëngjisht, të cilat flasin për të... Vetëm një gjë duam t'u themi këtyre poturakëve: - Nuk themi se ju jeni shqiptarë të liq, por për emër të Perëndisë pse doni të gjykoni punëra që s'i dini?!"




Monday, 29 August 2016

Ali Pasha Tepelena në botën arbëreshe



Janina qe vatra , ku mblidheshin gjithë burrat e urtë të Arbërisë, të Maqedonisë dhe Elladës e atje, midis studimeve, bënin plane për të çliruar atdheun e tyre. Që andej u ngrit Aliu i Tepelenës, burrë i urtë e i madh, ndonëse i pafat, i cili tregoi i pari kalbësirën, që bren mbretërinë e turqve e u dëfteu helenëve si ta mundnin atë dhe si të çliroheshin. 

Gavril Dara i Riu. Kënga e Sprasme e Balës, Parathënie.Vepra:Toena, Tiranë:2010, fq 97