Wednesday 22 July 2020

Qyteti mesjetar i Krujës përmes artit pamor





Kruja është zemra e botës.
Zef  Skiro’ Di Maxho
  • Kruja si kryqendra e rezistencës arbëre
Kruja si kryeqendra e qendresës arbëre në shekullin e XV ka qenë në vëmendjen e humanizmit evropian. Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut , përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit,  Arbërinë dhe kryeqendrën e shtetit të tij Krujën. Ky shtim i veçantë i vëmendjes politike e kulturore u arrit nëpërmjet thirrjeve për ndihmë në krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e mbrojtjes së Evropës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër të ‘pabesëve” .Nga ana tjetër kjo përpjekje e tyre pasqyron realitetin që gjejnë në Arbëri dhe kryeqendrën e saj Krujën. Vetë, udhëheqësi shqiptar, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi anglez John of Neëport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali.