Wednesday 5 November 2008

“Berberët e Ballkanit” dhe Demokracia Liberale





Diku në shkrimet e tij Konica kur do të vërë në lojë njerëzit që pretendojnë se kanë pushtet mbi qeveritarët na dëften për berberët e urës së Gallatës në Perandorinë Otomane. Këta të fundit duke përfituar nga rasti që mehmurët ( zyrtarët) e rëndësishëm të perandorisë qetheshin tek ta, pretendonin se përftonin informacion “konfidencal” rreth zhvillimit të ngjarjeve në perandori. Këtë informacion berberët ua interpretonin njerëzve të thjeshtë si mendime personale, duke fituar në këtë mënyrë adhurimin e klientëve si njerëz të besueshëm të qeverisë.


Në fakt influenca e tyre nuk mbaronte këtu. Sipas Konicës tek të njëjtët berberë qetheshin e rruheshin dhe konsujt evropianë të Stambollit, prej të cilëve berberët sërish përftonin informacion “konfidencal” kësaj radhe rreth politikës së madhe botërore.


Shpesh herë berberët pretendonin se vepronin si ndërmjetës midis konsujve evropianë dhe mehmurëve për hartimin e kontratave tregtare midis Portës dhe fuqive evropiane, ose allishverisheve siç i quanin në zhargonin e tyre të përditshëm. Në fakt përftuesit më të mëdhenj nga këto kontrata apo allishverishe ishin mehmurët, të cilët për tu mbaruar punë sa më shpejt kompanive tregtare evropiane nuk mënonin të kërkonin një ryshfet të madh apo favore të tjera të ngjashme. Por edhe berberët nuk dilnin pa gjë pasi si ndërmjetës apo sekserë përftonin nga një ryshfet të majmë.


Siç mund të shikohet nga prezenca e shumë fjalëve turke në gjuhët ballkanike, mund të kuptohet lehtë se një pjesë e madhe e berberëve të urës së Gallatës ishin nga Ballkani. Nuk di nëse këta berberë lanë ndonjë trashëgimi politike në Stamboll apo diku gjetkë në Ballkan por si na dëshmon rasti i fundit Fazllic në realitetin shqiptar, kjo specie jo vetëm që nuk ka humbur por dhe ka lulëzuar tashmë pranë qendrave të mëdha të biznesit si Londra dhe Uashingtoni. Berberët ballkanikë sërish kanë dalë në skenë duke ofruar shërbime me leverdi mehmurëve të vendeve ballkanike, duke ripërtëritur me këtë rast zakonin e hershëm të paraardhësve të tyre të urës së Gallatës.


Ajo që të trishton më tepër në gjithë këtë allishverish dallkaukësh dhe mehmurësh është se nën zë këto pazare të pista nuk prezantohen ashtu siç janë, por na pëshpëritet se ky është “haraçi” që Shqipëria duhet të paguajë për integrimet e saj në organizatat Euro-Atlantike. Me demek influenca e njohjeve të X apo Y “berberi” në rrethinat e Londrës apo Uashingtonit, do të zhbëjë dhe fshijë si me magji problemet e mëdha që ka vendi drejt integrimit!


Në rastin më të mirë ky argumentim është qesharak dhe sigurisht i dalë nga mendje të lehta dhe në rastin më të keq është i rrezikshëm,pasi krijon precedentin e keq të trafikut të influencës që gjithfarë berberësh dhe mehmurësh të gatshëm për përftime do të na i shesin nesër si arritje te demokracisë liberale.


Shqiptarët kanë një eksperiencë të hidhur me sistemet e tyre qeverisëse. Kështu p.sh në kohën e mbretërisë edhe pse në Kushtetutë ishte e shkruar se mbretëria shqiptare ishte një mbretëri kushtetuese nuk ishin të paktë kalemxhinj e politikëbërës që përpiqeshin ti mbushnin mendjen opinionit se absolutizmi ishte i nevojshëm. Shumë veprime arbitrare gjatë mbretërisë u ndërmorën në emër të “prosperitetit” dhe të bazuar në këtë frymë absolutiste që qarkullonte.


Gjatë kohës së të “famshmes” diktaturë të proletariatit edhe pse motori i luftës së klasave ishte shuar prej kohësh në vendet që e kishin lindur, në Shqipëri zhvillohej shumë e egër duke mos u dhënë mundësinë shqiptarëve të përjetonin një “socializëm me fytyrë njeriu”, por formën më të egër të tij.


Tashmë së fundi në tregun e ideve në Shqipëri qarkullon sërish nën zë opinioni se “korrupsioni është grasua e demokracisë liberale” duke dhënë përshtypjen se korrupsioni dhe evazioni fiskal mund të bashkëjetojnë me demokracinë dhe për më tepër ta ndihmojnë atë !


Një analogji e thjeshtë në kohë na çon në përfundimin se si duhej të ishte i papranueshëm absolutizmi për mbretërinë dhe lufta e klasave për socializmin, i tillë duhet të jetë dhe korrupsioni për demokracinë liberale. Shqiptarët nuk kanë nevojë për “berberë ballkanikë” për tu integruar në organizatat euro-atlantike as për “graso” të tilla për të ndërtuar mirëqenien dhe prosperitetin, por për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe respektimin e shtetit ligjor. Këta dy faktorë janë mushkëritë që sjellin një frymëmarrje të rregullt të demokracisë liberale që së bashku me prosperitetin ekonomik do na çojnë në një integrim më të shpejtë drejt institucioneve euro-atlantike.


Trajtimi i çështjes Fazllic do të jetë një gur prove i evoluimit tonë shtet formues dhe kuptimit të demokracisë liberale duke sqaruar saktë nëse jemi akoma “homos ballkanicus” që me ryshfete dhe bakshishe e lëmë në dorë të “berberëve” fatet tona apo do të dimë të marrim përgjegjësitë që na përkasin duke ndërtuar institucionin e individualizmit të suksesshëm që është në të vërtetë një nga vlerat e atij sistemi që duam të integrohemi. “Koha është gjykatësi më i mirë” dhe natyrisht ajo do ta tregojë.


Friday 26 September 2008

Kritika e munguar…





Intelektualët shqiptarë kanë pasur gjithmonë fatin e keq a të mirë (kjo mbetet për tu gjykuar) që në raportet e tyre me artin shpesh here te gjykohen nga raportet që ata kanë pasur me politikën. Me politikë këtu kuptohet jo vetëm pjesëmarrja e drejtë për së drejtë ne formacione politike, por dhe angazhimi i tyre ne ndërgjegjen kombëtare, raportet e tyre me elitat e vendeve fqinje dhe kontributi që kanë dhëne në formësimin e Nacionalizmit te shprehur aq mirë në formulën e kombit-shtet qe kemi ne Shqipëri.


Këtij gjykimi nuk i ka shpëtuar as Migjeni i cili njihet si shkrimtari me i paangazhuar shqiptar ne historinë e letërsisë shqipe. Kritikët e tij nuk harrojnë te theksojnë faktin se ai ishte me origjine malazeze (ka një pjese tjetër kritikësh qe e kundërshtojnë këtë), a thua se ky tipar përcakton krijimtarinë e tij. Shembulli i Migjenit është rasti tipik, kur kritika letrare nuk e thotë fjalën e vet dhe një sërë të tjerë studiuesish të shkencave të tjera shoqërore përpiqen t'i përshtatin faktet historike dhe krijimtarinë e një autori sipas dëshirave te tyre.


Në ballafaqimin midis Kadaresë, Camajt dhe Pipës ka 17 vjet që i mëshohet këtij faktori. Arratisja e këtyre dy te fundit dhe veprimtaria anti-komuniste ne Perëndim vazhdon te cilësohet si medaljoni me i çmuar ne gjerdanin e krijimtarisë se tyre. Nëse flasim për veprimtarë politike, po është e vërtetë qe vepra e tyre është me e madhe krahasuar me atë te Kadaresë për vitet 60-90, por te tre personalitetet e mësipërme njihen ne rrallë te pare si shkrimtare dhe si te tille ma do mendja çdo njeri përpiqet ti gjykoje ne fillim. Në këtë ballafaqim vepra letrare e Kadaresë është unikale ne historinë e letërsisë shqipe, të paktën për 3 faktorë qe shoqëria shqiptare i detyrohet asaj.


Së pari vepra e Kadaresë është emancipuese. Të gjithë mbajmë mend tipat dhe karakteret moderne te krijuar ne veprat e tij, problemet dhe tematikat qe sillnin një fllad tjetër ne marrëdhëniet midis gjinive, marrëdhëniet prindër - fëmije dhe deri te perifrazimi i famshëm i Socializmit si "një lufte e të paaftëve me të aftët".


Së dyti Kadare ka krijuar eposin e tij te veçante mbështetur ne legjendat dhe histori, duke na dhënë një pamje tjetër te një Shqipërie që nuk e njihnim. Dy breza shqiptaresh kane mësuar për Eposin e tyre të Veriut, për familjen e Qyprillinjve,për intrigat e pushtetit nëpërmjet veprës së Kadaresë.


Së fundi Kadare mbetet një shkrimtar modern qe ka ndikuar dhe vazhdon te ndikoje ne stilistiken shqiptare. Edhe ne veprën e vet me mediokre si "Dasma" ai është tejet modern duke e bere një vepër që vazhdon te lexohet. Pyetja qe mund te ngrihet është shume lehtë. Nëse liria e te shprehurit përben një komponent te rëndësishëm për te shkruar vepra gjeniale, atëherë si shpjegohet fakti se Kadare duke mos e pasur atë (te gjithë e dimë se ç’fare ferri ishte Shqipëria Komuniste) ka shkruar vepra kaq te arrira artistikisht dhe me një mesazh te madh dhe për njerëzimin si "Nëpunësi i Pallatit te Ëndrrave" apo "Koncert ne Fund te Dimrit" dhe Pipa e Camaj kane mbetur ne nivele dytësore edhe pse ishin ne Perëndim?


Sa kane influencuar dhe vazhdojnë te influencojnë veprat e këtyre dy te fundit ne realitetin shqiptar? Romanin "Rrathët" pasi ke lexuar "PROCESIN" e Kafkës të duket i vonuar për letërsinë shqipe. Libri i Pipës për vuajtjet ne burg përveç se vlerës dokumentare nuk arrin te zgjoje emocionet e një vepre te arrire artistike. Të tilla janë botuar plot ne Shqipërinë pas komuniste. Atëherë perse ky adhurim i veçantë deri në idiolatri i veprave te tyre?


Shkurt mungojnë kritikët e vërtetë dhe se disa prej tyre kapen pas një vepre te re letrare për te ndërtuar profilin e anti-komunistit. Kadare ka meritën që e ka përshkruar qarte këtë proces te kritikëve në personazhin C.V të "Dimri i Vetmisë se Madhe", ku kritiku sa ndjen qe fillon prishja me B.S i braktis principet e zhdavonizmit dhe përqafon ato të Revolucionit Kulturor Kinez. Sa për përrallen e zakonshme te subvencioneve te librave tij me vjen keq qe akoma gjenden intelektuale qe e besojnë. Librat e Kadaresë botoheshin së bashku me një seri të tjerë librash te autoreve shqiptare si Musaraj, Sako, Xoxa, Agolli, Shuteriqi etj. Përse veprat e tjera te përkthyera nuk patën te njëjtin impakt si ato të Kadaresë? Shumë thjesht. Bota perëndimore dinte te vlerësonte vlerat e mirëfillta artistike te cilat gjenden me bollëk ne veprat e Kadaresë.


Sa për pjesëmarrjen e Kadaresë ne nomenklaturën e "kuqe" ajo ishte shume e sforcuar dhe e yshtur nga PPSH. Kadare është pranuar komunist jashtë rregullave te statutit mbi moshën 30 vjeçare dhe pa asnjë kërkese formale nga ana e tij. Qenia deputet dhe nënkryetar i FDSH ishin poste honorifike sepse nuk luanin asnjë rol ne vendimmarrje. Të pretendosh nga Kadare se kur është miratuar Kushtetuta komuniste e 1976 nuk ka votuar kundër është jashtë çdo gjykimi normal dhe është e mjaftueshme te kujtohet se ç’u ndodhte atyre qe 'digjnin" votën (nuk votonin për deputetet e vendosur nga PPSH). Pyetja shtrohet ç’farë kërkohet? Të kishim një shkrimtar disident dhe te pushkatuar apo një talent te gjalle qe te rrëfente dramat social-psikike te shqiptarëve ne shekullin e XX. Këtë lloj heroizmi qe i kërkojnë Kadaresë është njëlloj si qe propagandonte morali komunist, "mos e përfill vdekjen por shërbej idealit". Unë besoj se ne si Forum krahas nismës për shkrime rreth Kosovës qe është kërkuar para disa ditësh te fillojmë te themelojmë studimet e vërteta Kadareiane.


Le te bëhemi një faktor me shume qe shkrimtari ynë i madh të mare çmimin Nobel për letërsinë se në këtë mënyre dhe gjuha jonë shqipe fiton një status më të veçantë si gjuhë ku shkruan një nobelist.


Tuesday 2 September 2008

Katharsisi i pritur….



Në kujtimet e patriotit Bajo Topulli, lexojmë se në kohët e vështira të përhapjes së gjuhës dhe alfabetit shqip një nga nxënësit e tij në Manastir u arrestua dhe bëri pesë vjet burg sepse iu gjendën libra dhe abetare shqip. Studenti i shkollës së mesme u spiunua nga “një student tjetër shqiptar, një bej nga të Zavalanit”, i cili duke kujtuar se gjeti një komplot të vërtetë ndaj qeverisë dëshironte të takohej vetë me Sulltanin dhe të “shpëtonte” në këtë mënyrë shtetin otoman. Ironia e historisë që lexojmë në kujtimet e patriotit nuk mbaron këtu. Bajo Topulli thotë në kujtimet e tij se studenti për shkak të burgut nuk mundi të diplomohej dhe në kohën e mbretërisë shqiptare ishte një mësues i thjeshtë në një shkollë fshati në Delvinë, kurse “tradhëtori ...pa pasur diplomë as nga shkolla primare, i mbrojtur dhe i përkrahur nga njerëz me influencë, lulëzon të jetë nënprefekt i asaj Shqipërie, të cilën e kish tradhtuar poshtërisht”.




Përshkrimi i mësipërm mund të ilustrojë shumë mirë,duke hequr datat, vendet dhe emrat një situatë të ngjashme që mund të ketë ndodhur në Shqipërinë e socializmit real kësaj radhe jo më për përhapjen e gjuhës shqipe por për të drejtën e fjalës së lirë, dhe viktima sërish në kohët e sotme mund t’i njihet kontributi për lirinë e mendimit kurse hafija mund të ketë një post të lartë në administratë dhe të shes moral për demokracinë. Akoma më i komplikuar mund të jetë problemi kur ndonjë nga pasardhësit e ‘beut të Zavalanit” mund të jetë persekutuar në vitet e diktaturës komuniste si përfaqësues i “klasave të përmbysura” dhe pasardhësi i mësuesit të fshatit mund të ketë qenë në organet famëkeqe të sigurimit të shtetit. Siç shikohet tabloja e shoqërisë shqiptare është shumë më e “larmishme” se e çdo vendi tjetër të lindjes komuniste pasi këtu asnjëherë dhe për asnjë rast ne nuk kemi bërë një katharsis të plotë, gjë më se e nevojshme sa herë që regjimet politike shtypëse ndërrohen.


Në të kundërt, kemi parapëlqyer të mbajmë “situata të ngrira” ku sërish figura të dyshimta që i kanë shërbyer regjimeve të mëparshëm shtypës janë ricikluar në politikë jo vetëm “të përkrahur nga njerëzit e tyre me influencë” por dhe për tu përdorur për qëllime të mbrapshta. Mjaftojmë të përmendim këtu politikanët e tipit të “beut të Zavalanit” që në vitet 20-30 pengonin reformat, fuqizonin pushtetin personal të Zogut dhe ndaj të cilëve Noli shpërthente në panegjirikë zemërimi duke i quajtur “bejlurçina”.


Edhe regjimi komunist i cili konsiderohej si më i ashpri ndaj atyre që kishin “bashkëpunuar me armikun”, përdori shumë nga ish-xhandarët , njerëz me precedentë penalë apo dhe ish-anëtarë të Këshillit të lartë Fashist për të zbatuar politikat e tij të “reja” ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Flagrant mbetet këtu rasti i të pushkatuarve pa gjyq i 22 personave të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike më 1951,ku brenda natës u miratua dekreti që lejonte dënimet pa u bërë më parë gjykimet.


Një nga nënshkruesit e këtij dekreti të zi dhe të pashembullt në drejtësinë botërore kish qenë anëtar i Këshillit të Lartë Fashist, dhe ndërsa ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen për të mos e firmosur,ky i pari e dekretoi në funksionin e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
Por në qoftë se regjimet e mëparshme duke mos qenë demokratike kanë një justifikim për metodat që kanë përdorur nuk mund të kuptohet se përse në demokracinë që ne kemi ndërtuar për 17 vjet kemi kopjuar riciklimin e figurave të dyshimta në politike nga këto sisteme të kaluara apo akoma më keq ua kemi kaluar atyre në keqpërdorimin e elementëve të tillë në drejtimin e shtetit. Sot nuk janë të pakta rastet ku viktimat takohen me xhelatët në administratën e shtetit dhe kur këta të fundit pretendojnë se kanë kryer vetëm detyrën kur kanë dhënë vendime që kanë shkatërruar jetë njerëzish.


Shqipëria si asnjë vend tjetër i ish-lindjes komuniste nuk ka bërë dekomunstifikimin e shoqërisë së vet por nëpërmjet formulave të tipit “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” ka toleruar infiltrimin në politikë dhe në jetën shoqërore të njerëzve të kompromentuar me ancient regime. Kanë mjaftuar vetëm disa deklarata të egra se e dënojnë komunizmin dhe praktikat e tij dhe brenda natës demonët e jetës shoqërore janë kthyer në engjëj. Hapja përfundimtare e dosjeve pa mbrojtjen më të vogël për personat që janë në politikë do ta rreshtonte Shqipërinë në vendet që respekton qytetarët e vet dhe të ardhmen e tyre. Rezoluta e Këshillit të Evropës është shumë e qartë në këtë drejtim dhe është e pakonceptueshme që ajo nuk po fillon të zbatohet në Shqipëri.


Në historinë shtet-formuese shqiptare gjithnjë është tentuar që të mbyllen plagë të së kaluarës, një veprim sa human aq dhe domethënës për të nisur rrugën e pajtimit kombëtar. Gjithsesi kjo tendencë mirësie fatkeqësisht është shoqëruar dhe me arrivizmin e pa principtë të njerëzve që kishin shkaktuar këto plagë duke shkaktuar me prezencën e tyre në administratën e shtetit plagë të reja. Në tragjeditë e vjetra greke heronjtë kryesorë edhe pse janë njerëz të mirë vdesin për të dhënë një purifikim të shpirtit njerëzor. Në mënyrë analoge këta njerëz të lidhur me ancient regime edhe pse nuk kanë përmasat e heronjve tragjikë duhet të dalin nga skena politike për të lejuar katharsisin e shumëpritur në shoqërinë shqiptare. “Askush nuk mund ta blejë të kaluarën e vet” thotë Oskar Wilde, përfshi këtu dhe pelihvanët e politikës shqiptare që brenda një nate nga demonë dhe bashkëpunëtorë të djallit u kthyen në engjëj.


Thursday 28 August 2008

Njohja e pavarësisë së Kosovës dhe bota arabe




     
     Në datën 17 Gusht, shteti i ri i Kosovës mbushi plot gjashtë muaj nga data e shpalljes së pavarësisë. Në harkun kohor të këtyre jashtë muajve, shteti më i ri në Evropë i paraqitur dhe simbolikisht nga statuja në qendër të Prishtinës “Newborn” u njoh nga 45 shtete. Në pamje të parë ky numër shtetesh mund të përkthehet si një sukses por kur shikon se lista e shteteve të pavarura në O.K.B është 192, atëherë konstaton se ky numër nuk është as një e katërta e tyre. Megjithëse numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë mbetet thelbësor pasi shteti më i ri i Evropës është njohur nga shtetet më të rëndësishëm të atyre që quhen faktorë ndërkombëtarë, ky numër mund të kishte qenë më i madh nëse të 57 shtetet e Konferencës Islamike do të kishin njohur “en block” pavarësinë e Kosovës. Vetëm katër vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga kjo organizatë ku spikat Turqia për nga pesha diplomatike, kurse 53 të tjera i janë përgjigjur ose negativisht ose në mënyrë evazive.
Konferenca e zhvilluar para disa ditësh në Prishtinë me vendet arabe të cilat përbëjnë pothuajse gjysmën e Konferencës Islamike dhe vendet me peshën më të madhe specifike në të , përveçse shprehjes së dëshirës së mirë për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike-kulturore nuk solli asnjë gjë të re në horizont. Edhe kësaj radhe vendet arabe zhgënjyen shpresat e shumta të shtetit më të ri të Evropës dhe shtuan skepticizmin rreth politikave të tyre.Komente të ndryshme janë shkruar këto ditë në faqet e shtypit të përditshëm ku kritikohet diplomacia e shtetit shqiptar dhe atij kosovar si mëveshëta dhe të paafta për të lobuar dhe marrë votat e kësaj organizate të tillë fuqishme. Deri në një farë vendi këto gjykime janë të drejta, por zakonisht kritikat kanë nisur nga një premisë e gabuar.
     Është besuar gjithnjë se meqenëse Kosova ka nga përqindjet më të larta të popullsisë myslimane në rajon, shtetet arabe do të ishin nga të parat që do njihnin pavarësinë e saj. Duke besuar kështu, diplomacia shqiptare ka rënë në kurthin e zakonshëm të imazhit universialist islam që këto shtete kanë krijuar për veten e tyre në arenën e politikës botërore.Shtetet arabe janë përgjithësisht shtete të reja të krijuara në valën e nacionalizmit që shpërtheu në Evropë në fillimet e shekullit të kaluar. Aktin e tyre të parë të shtetformimit vendet e Gjirit Persik e kanë filluar pikërisht me një revoltë kundër universalizmit islam duke goditur mbrapa krahëve ushtrinë turke që ishte përfshirë në luftën e parë botërore në Evropë.Si të gjitha shtetet komb, shtetet arabe kanë zhvilluar një ndjenjë të lartë të patriotizmit lokal dhe zhvillimet globale i kanë parë në optikën e interesave të tyre kombëtare. Kjo gjë vërehet lehtë në konfliktet territoriale që kanë me njëra-tjetrën si dhe në qëndrimin e tyre ndaj problemit çeçen. Duke qenë sërish një popullsi myslimane por jo arabe, Çeçenia është braktisur në fatin e vet nga vendet arabe, të cilat miqësinë me Rusinë e konsiderojnë të një rëndësie të veçantë për të zgjidhur problemet e tyre territoriale dhe problemin e Palestinës.Gjatë gjithë konfliktit Ruso-Çeçen në asnjë kryeqytet të vendeve arabe nuk janë zhvilluar protesta masive siç janë zhvilluar p.sh ndaj ndërhyrjes amerikane në Irak edhe pse skenat e dhunës ruse kanë qenë aq të ashpra saqë mund të tronditnin çdo qytetar të botës.
     Në këtë kontekst këmbëngulja për ti thërritur sërish universalizmit islam si instrument dobiprurës për njohjen e pavarësisë së Kosovës tingëllon i pakuptimtë dhe diplomacia shqiptare duhet të gjejë mënyra të tjera për të afruar këto shtete me qëndrimin tonë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës.Një mënyrë e dobishme do të ishte rritja e prezencës dhe profilit diplomatik të Shqipërisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku fatkeqësisht Shqipëria përfaqësohet vetëm me dy ambasada, një në Kajro dhe tjetra në Riad. Shqipëria duke qenë së shpejti një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për të hyrë në B.E do të mund të luante rolin e një “ure diplomatike” midis dy qytetërimeve duke qenë se ka lidhje të forta historiko-kulturore me vendet arabe dhe mund ta kuptoje Orientin më mirë se çdo tjetër aleat tjetër i strukturave euro-atlantike.Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe qoftë dhe me vizita të nivelit të lartë ku do të kërkohej një mbështetje politike më e madhe, të paktën e krahasueshme me atë ekonomike që herë pas here vendet arabe i kanë dhënë Kosovës do të krijonte kuadrin e nevojshëm për hapa të tillë decizivë nga ana e botës arabe. Është për të ardhur keq që kredencialet e Shqipërisë dhe Kosovës në botën arabe janë të një niveli më të ulët se të Serbisë dhe kjo jo vetëm për faj të nostalgjive të vendeve të paangazhuara ku Jugosllavia e Titos ishte një vend udhëheqës dhe ku aderonin shumica e vendeve arabe por edhe për shkak të drojës politike që Shqipëria dhe Kosova kanë pasur për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta diplomatike me këto vende.
   A besojmë vallë se duke “injoruar” marrëdhëniet me botën arabe, ne i shpëtojmë paragjykimit që një sërë qarqesh evropiane kanë për Shqipërinë dhe Kosovën si vende me një popullsi myslimane? Jo, kurrsesi jo pasi shpeshherë është parë se këto paragjykime janë përdorur si instrumente politike sesa i përgjigjen realitetit. Shqipëria duke pasur tolerancën e vet fetare si një thesar në botën e vet shpirtërore nuk duhet të ketë kompleks për të zhvilluar marrëdhënie me cilindo vend të botës që i shërben interesave të saj kombëtare dhe në të njëjtën kohë nuk mund të pranojë asnjë rekomandim për të ndryshuar këtë fiziomoni të çmuar të saj në arenën ndërkombëtare. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe aderimi i Shqipërisë në organizatë 10 vjet më vonë tregojnë se qendrat e politikbërjes botërore i kanë kapërcyer prej kohësh të tilla paragjykime për shqiptarët dhe ne nuk kemi se të jemi robër të tyre. “Politika është arti i së pamundurës” thotë diku Bismarku dhe tash është koha që diplomacia shqiptare e të dyja shteteve shqiptare në rajon të bëjë të pamundurën për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe me votat e botës arabe që natyrisht janë të çmuara dhe jo të pakta.

Gazeta Standart 29.08.2009


Sunday 24 August 2008

Lindja dhe Perëndimi






Nëse para disa vjetësh do të pyesje një qytetar të thjeshtë rus se ku bie Osetia e Jugut, pa vënë në dyshim formimin e përgjithshëm të marrë gjatë regjimit të kaluar ndoshta do të ngrinte supet. Sot, Osetia e Jugut është kthyer në kalin e betejës për të drejtat e njeriut së Rusisë së Madhe ndaj Gjeorgjisë së vogël dhe padyshim zë vendin e parë në gjithë diskursin politik ne Rusi. Madje jo me pak se disa ditë me parë, Rusia hapi një proces gjyqësor ndaj Gjeorgjisë për gjenocid ndaj qytetarëve të vet,duke vazhduar të mbrojë në këtë mënyrë ndërhyrjen e saj “të drejtë” në shtetin fqinj.



Jo shumë larg nga vendi i zhvillimit të ngjarjeve, ndodhet Çeçenia-një vend martir pothuajse komplet i harruar nga komuniteti botëror. Edhe aty, banorët vendas ashtu si ata të Osetisë Jugore kërkonin pavarësi nga Moska, dhe si përgjigje morën rrebeshin e bombave ruse. Pastaj forcat ruse , marshuan drejt Groznit duke zëvendësuar qeverinë e ligjshme çeçene me një qeveri besnike ndaj tyre. Një atmosferë terrori dhe pasigurie zotëron qysh atëherë për popullsinë vendase, e cila duhet t’i bindet kapricove dhe tekave të një presidenti të ri, merita e vetme politike që kish kur u zgjodh president , ishte qenia bir i presidentit kukull të vrarë në një atentat nga luftëtarët çeçenë.


Krejt ndryshe paraqitet gjendja për qarqet oligarko-financiare te Moskës. Me nënshtrimin e Çeçenisë , ato siguruan një stacion të rëndësishëm të rrugëve energjetike dhe u dhanë një sinjal të fortë popullsive të tjera kaukaziane brenda territorit të Federatës ruse se nuk do të toleronin asnjë lëvizje të këtij lloji.


Rusia mbetet e vetmja fuqi ish-koloniale që vazhdon të sundojë edhe politikisht kolonitë e saj. Përdorim termin koloni, sepse gazi natyror që nxirret nga Kaukazi eksportohet dhe shitet në Evropën Perëndimore dhe fitimet kolosale investohen në Moskë dhe rrethinat e saj, kurse rajoni i Kaukazit vazhdon të mbetet një nga rajonet më të varfra në Rusi. Kaukazi u pushtua në shekullin e XIX-të me zjarr e hekur dhe qysh atëherë rusët nuk u larguan më. Ndërsa Britania dhe Franca i dhanë fund sundimit të tyre kolonial në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, Rusia nën petkun e Bashkimit Sovjetik i mbajti nën thundrën e vet popullsitë çeçene, çerkeze, ingushetase, dagestane etj.


Kjo është një pjesë jo shumë e njohur e historisë dhe që rusët gjithmonë janë përpjekur ta fshehin në mënyrë të kujdesshme duke lënë jashtë çdo zgjidhje diplomatike popullsitë e rajonit, të cilat qysh prej shekullit të XIX i janë nënshtruar një procesi të gjatë asimilimi dhe rusifikimi. Sot popullsitë e këtyre vendeve megjithëse flasin gjuhët e tyre kombëtare e shkruajnë atë me alfabet cirilik, festojnë festat kombëtare të Rusisë dhe adhurojnë si heronj gjeneralët e trupave cariste që i pushtuan. Rasti më flagrant mbetet emri i kryeqytetit të Çeçenisë-Grozni, që rusisht do të thotë i “frikshëm” dhe që ishte emri i fortesës ushtarake që forcat ruse ndërtuan më 1818 kur vunë këmbën për herë të parë në territorin e Çeçenisë.


Të vetmet vende të rajonit që gëzojnë një pavarësi nga Moska janë tre ish-republikat sovjetike:Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani, ndaj të cilave Moska ka ndjekur politikën e sentencës së vjetër “Përça e sundo” .Duke qenë në dijeni të konflikteve etnike, Rusia si një fuqi rajonale jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për t’i zgjidhur ato, por ka bërë të pamundurën për ti mbajtur konflikte të ngrira me një statusquo si i vjen përshtat dhe për t’i përdorur kur i mendon të arsyeshme siç ishte rasti i Osetisë së Jugut dhe Abkahazisë.


Skenari i zotërimit të Kaukazit dhe zgjidhjes së kontradiktave që Rusia ka me shtetet në rajon sipas “modelit çeçen” është skenari që Moska do të dëshironte të ndjek dhe në Gjeorgji. Eksportimi i mënyrës së vet të “kuptuarit” të demokracisë liberale është kthyer në një objektiv të diplomacisë ruse, qysh kur ajo u rikthye fuqishëm në arenën ndërkombëtare në saj të burimeve energjetike që vendi disponon dhe indiferencës së Perëndimit përkarshi zgjimit të “ariut rus”. Që nga Bjellorusia e në republikat e Azisë Qendrore mbizotëron i njëjti model shtrembërimi i demokracisë ku elitat politike nuk ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve të lira por çimentohen nëpërmjet farsave elektorale si zgjedhjet e fundit parlamentare në Rusi.


Perëndimi është gjetur i papërgatitur përballë këtij agresioni të ri,duke iu kundërvënë shpesh me idealizmin e gjithfarë ekspertësh për triumfin e ekonomisë së tregut dhe fitores të së mirës ndaj së keqes. Dhënia e ndihmave ekonomike dhe retorika për të mos rënë në mentalitetin e “Luftës së Ftohtë” kanë rezultuar boshe sepse në fakt Lufta e Ftohtë mund të jetë zbehur por kurrë nuk është shuar. A mund të kujtojë njeri se kur Rusia ka dhënë konsensusin për zgjerimin e NATO-s ,kur ka ndaluar së prodhuari armë të shkatërrimit në masë apo kur ka përkrahur iniciativa për paqe afatgjata në rajone si Ballkani?


Politika e uljes së tensioneve dhe detantës ndoshta ishte efikase në mesin e shekullit të kaluar,por në realitetin e sotëm ajo ka rezultuar e padobishme sepse pas çdo krize politike që Moska ka nxitur, ka dalë më e fortë dhe nuk ka ndryshuar qëndrim. Sot askush nuk kujtohet më për Çeçeninë, dhe ndoshta nesër nuk do të kujtohen më dhe për Gjeorgjinë nëse Perëndimi vazhdon të jetë i përçarë siç ishte dje në Samitin e ministrave të jashtëm të NATO-s. “U mbars mali dhe polli një mi” u shpreh ambasadori rus pranë NATO-s për takimin e djeshëm, një fjali cinike që nuk e fshehu përçmimin dhe talljen për pafuqishmërinë e aleancës për të dalë me një vendim të përbashkët.


Rusia ka kohë që nuk e ka fshehur qëndrimin e saj për zëvendësimin e NATO-s si instrument paqe dhe stabiliteti në Evropë me OSBE-n ku Rusia është anëtar themelues i saj, marrëdhëniet me B.E-n preferon ti trajtojë si marrëdhënie dypalëshe me shtetet evropiane sesa si entitet përmbledhës që është B.E, nuk njeh kufijtë e saj me një seri vendesh fqinjë duke i mbajtur peng integrimin Euro-Atlantik të tyre siç është rasti i Ukrainës, Gjeorgjisë dhe duke mbajtur pezull konflikte siç është ai i Transdnistries në republikën e Moldavisë.


Propozimet e vazhdueshme të saj për të zgjidhur krizat rajonale janë që këto shtete të shpallin neutralitetin nga NATO dhe B.E në këmbim të zgjidhjes së statusit të provincave të diskutuara, por që fare lehtë ky neutralitet i tyre më vonë mund të përkthehet në influencë ruse siç është rasti i Bjellorusisë. Të njëjtin skenar dëshiron të ndjekë dhe në Ballkan ku dëshiron ta mbajë peng njohjen ndërkombëtare të Kosovës apo dhe me qëndrimin amfib ndaj çështjes së njohjes së emrit të Maqedonisë për të përfituar influencë dhe destabilitet në rajon.


A do të vazhdojë Perëndimi të vazhdojë të veprojë si struci në rërë që fsheh kokën për të mos parë rrezikun apo do të kundërveprojë denjësisht për ti treguar carëve të rinj të gazit dhe kërcënimeve se deri ku mund të vazhdojnë të dhunojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të ndërmarrin agresione si ai ndaj Gjeorgjisë?


Promovimi i vlerave demokratike dhe ndërtimi i ekonomisë së tregut nuk mund të bëhet vetëm duke shpresuar se efektet e tyre do të japin rezultat dhe do të ndryshojnë shoqërinë në vende me traditë autoritariste si Rusia, por duke ditur sesi t’i mbrosh ato nga shtrembërimi i pashembullt dhe sesi të reagosh kur këto vlera kërcënohen. Rusia nuk ndihmohet duke vazhduar t’i hapësh dyert e dialogut për të dalë fitimtare ndaj krizave të tilla ndërkombëtare, por duke bërë të ditur se hegjemonizmi është një vlerë e papranueshme në botën e sotme demokratike.




Monday 11 August 2008

Emërtimet dhe Marketingu









Në mesin e viteve 30’ në shtypin shqiptar pati një polemikë përreth një artikulli të Konicës për Naim Frashërin-poetin kombëtar të shqiptarëve. Artikulli u botua ne fletoren “Dielli” të shqiptarëve te Amerikës dhe paraqiste një Naim tjetër nga ata që njihnin shqiptarët. Konica me guximin intelektual që e karakterizonte kërkonte të vendoste në peshoren e kritikës letrare Naimin duke mos u influencuar më nga zjarri patriotik i fillimeve të Rilindjes Kombëtare në gjykimin artistik të veprës së tij, por thjesht nga kritika e kulluar letrare. Artikulli natyrisht që nuk u prit mirë, pasi Shqipëria dhe shoqëria shqiptare e asaj kohe ndodheshin akoma në mesin e krijimit të kombit-shtet dhe në gjithë atë vorbull idesh dhe mendimesh për të ardhmen e shtetit shqiptar, Naimi dhe vepra e tij ishin një gur themeltar.




Gjithsesi ishte e kuptueshme që qoftë Naim Frashëri apo Fishta , Mjeda e De Rada me kalimin e viteve dhe konsolidimin e letrave shqipe do të kalonin nëpërmjet këtij procesi pasi sa më shumë që vitet shkonin aq më të pastra e të kthjellta do të bëheshin kriteret për të gjykuar veprat e tyre duke bëre të qartë se cilat nga ato ishin panagjerike politike dhe cilat mbartnin vlera të mirëfillta letrare.


Disa nga tezat e Konicës, kritika e sotme letrare i ka bërë të sajat por kjo gjë nuk e ka zbehur admirimin për Naimin. Kjo gjë ka ndodhur jo vetëm se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë akoma nën influencën modelit shtetëror shtet-komb,por sepse figura të tilla si Skënderbeu, Naim Frashëri e Ismail Qemali vazhdojnë të rrezatojnë idealet e papërmbushura të shqiptarëve në rajon.


Nëse për figura të tilla letraro-politike siç është Naimi, kritika letrare mund të gjykojë sot gjakftohtë për sa i përket veprës së tyre letrare ,për figura krejtësisht politike dhe shtetformuese siç është ajo e Ismail Qemalit nuk mund të ndërmerret një hap i tillë i barabartë për trashëgiminë e tyre politike së paku për dy arsye.


Së pari, shoqëritë shqiptare në Ballkan ndodhen akoma në mesin e rrugës së aspiratave të tyre, gjë që për ata që s’e duan apo dhe ata që e duan quhet Shqipëri natyrale.“Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” thotë një fjalë e urtë latine dhe trajektoret e hequra sot në politikat rajonale çojnë domosdoshmërisht në bashkimin e pjesëzave të Shqipërisë natyrale në gjirin e Evropës së bashkuar.


Për elitat politike të Tiranës, Prishtinës e Shkupit figura e Ismail Qemalit mbetet artikuluesi dhe profeti i kësaj të vërtete të madhe qysh më 1913 kur kërkonte një Shqipëri natyrale dhe neutrale të mbështetur nga Evropa. Në këtë kontekst debati i disa ditëve më parë për emrin e Universitetit të Vlorës, përtej një debati onomastik “marketingu” , ishte një debat substancial se çfarë përfaqëson figura e Ismail Qemalit në shoqëritë e sotme mbarëshqiptare në rajon.


Po kështu të pakuptimta mbeten dhe përpjekjet për të justifikuar emrin e Universitetit të Vlorës nëpërmjet veprimtarisë arsimore të Ismail Qemalit, pasi figura të tilla poliedrike si e “Babait të Pavarësisë” shqiptare nuk ka nevojë të ketë dhenë një kontribut të jashtëzakonshëm në arsim që emrin e tij ta mbaj një universitet, as të ketë qenë një inxhinier i përkryer që emrin e tij ta mbaj një vepër arkitekturore. Në fillim ishte fjala thuhet në Bibël ,dhe figura e tij është “fjala” dhe premisa e fillimit të shtetit modern shqiptar.


Së dyti shqiptarët nuk kanë se në çdo 50 vjet të rrugëtimit të tyre shtetformues të pasionohen aq shumë ndaj ndryshimeve jo të qenësishme dhe aspak frutdhënëse. Një vështrim rreth e përqark në rajon na dëshmon se edhe pse shtetet fqinjë e kanë përqafuar Globalizmin dhe shpirtin e tij marketingun, nuk ndodhin dukuri të tilla.


Është ende e freskët në kujtesën e shqiptarëve ku në emër të internacionalizmit socialist 50 vjet më parë, rrugët dhe sheshet shqiptare u mbushën me gjithfarë emrash e bustesh heronjsh të revolucioneve botërore, kurse figurave nacionaliste shqiptare ju mungonin bustet nga kryeqyteti i shtetit të tyre.


Për gjeneratën e re, të lindur në dekadën e fundit të socializmit real ose asaj të dekadës e sotme të demokracisë tingëllojnë të çuditshëm emra të tillë si “Komuna e Parisit” apo bulevardi Zhan D’Ark të trashëguar nga ajo kohë. Në vend që të mbushim piedestalet me bustet e apostujve tanë të shqiptarizmës, tani së fundmi po mundohemi t’ iu fshimë dhe emrat nga institucionet.


Nëse arritëm njëherë të rritet një brez që ishe i shqetësuar për fatin e revolucionit botëror, mos vallë tani duam të rrisim breza pa memorie historike? Është e vërtetë që në kohën tonë nuk ka vend për modele të ngushta shtet-komb, por përse gjithmonë ne shqiptarët duhet të rendim të parët për të adoptuar ndryshime, që fqinjët tanë edhe pse kanë një eksperiencë më të madhe se ne shtetformuese nuk i ndërmarrin. Shikoni se c’ ndodh me emrin e vendit fqinj dhe sesa këmbëngulëse është Greqia për të respektuar memorien e vet historike.


“Le coeur a des raisons que la raison ne connait point” –“Zemra ka arsye që arsyeja nuk i shpjegon dot” thotë filozofi francez Paskal për të shpjeguar veprime të pamatura si propozimi për heqjen e emrit universitetit të Vlorës por lumturisht arsyeja gjen mënyra për të triumfuar dhe me reagimin e menjëhershëm të gjithë botës shqiptare ndaj propozimit absurd, fatmirësisht treguam se e kemi përqafuar atë.


Friday 25 April 2008

Pështjellimi anakronik “nacionalist”i Himarës




Një nga shijet më të hidhura që mund të kenë lenë zgjedhjet lokale të 18 Shkurtit, ishte vallja dropullite e hequr nga kryetari i porsazgjedhur i bashkise së Himarës për të festuar fitoren e tij. Nuk ka asnjë gjë të keqe që një fitore elektorale të festohet me valle, madje të këndohet dhe këngë sepse në Ballkan jetojmë, atje ku sipas udhëtarëve anglezë të shekullit të XIX “gazi dhe hareja marrin jetë”. Vetëm ajo që do i linte pa mend këta udhëtarë po të kishin mundësi ta vizitonin Himarën në ditët e sotme dhe neve aktualisht na lë një shije të keqe estetike, do të ishte fustanella e shkurtër e valltarëve me të cilët kryetari i porsazgjedhur pretendon se është një kombësi. Po kështu do të habiteshin që polifonia e vjetër dhe e mrekullueshme “pirrike” nuk shoqëronte “fitoren”,por në vend të saj ishte melodia e sazeve dhe dajreve të ahengjeve feudale që ata mund ti kishin dëgjuar në oborret e Ali Pashë Tepelenës apo bejlerëve gjirokastrite kur kishin bujtur në to.
Megjithatë udhëtarëve anglezë mund t’u falet të habiten pasi si çdo udhëtarë që mund zgjohen pas një gjumi të gjatë ashtu si ne rrëfenjat biblike patjetër që do të mund të shohin ndryshime, por neve që për vite me radhë kemi toleruar dhe lejuar që fustanella labe të shkurtohet, që polifonia labe të mbytet, që flamuri ynë të mos valojë, që valët televizive të kanaleve tona të mos arrijnë në Himarë, që qytetarët shqiptarë të paguhen me pensione nga një shtet tjetër dhe të tjera ndodhira të çuditshme si këto, nuk duhet të habitemi pasi ky është imazhi që “kryetaruci” i zgjedhur i Himarës për të dytin mandat rresht kërkon të ndërtojë për bregun e detit. Të tëra veprimet e tij kanë qenë kronika e tensioneve të paralajmëruara dhe s’ka asnjë arsye që shteti dhe shoqëria shqiptare të kapej në befasi. Do të ishte hipokrizia e rrallës nëse shprehemi po nga na doli ky Bollano?     Qëllimi i tij dihej , dhe është i shpallur shumë herë në deklarata të ndryshme, ku ky zyrtar i shtetit shqiptar merr përsipër të zhbëjë atë çka të gjitha konventat ndërkombëtare e kanë sanksionuar në marrëdhëniet e shtetit tonë me shtetin fqinj. Ajo çka ka qenë vërtete e patolerueshme dhe mbetet pengu i gjithë shqiptarëve të përfshirë me dashje apo pa dashje në këtë shtrembërim monstruoz të kombësisë së tyre ka qenë sjellja prej Ponç Pilati e shtetit shqiptar që kurrë nuk ka ditur ti tregojë vendin këtij shkelësi të kushtetutës por përkundrazi ka vazhduar ta ledhatojë, duke hedhur kështu hije dyshimi mbi seriozitetin e vet për të përmbushur detyrat kushtetuese ndaj shtetasve të vet.
Një dush i ftohtë për të gjithë “evropianistët” tanë e “Evropës së nesërme pa kufij” është roli i shtetit grek , një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s , i cili në mënyrë të njëpasnjëshme dhe konsistente vazhdon të mëkojë kufomën e vdekur të “Megali Idesë”. Do të ishte një naivitet dhe marrje e vetes me të mirë nëse akoma vazhdojmë të besojmë se e gjithë zhurma nacionaliste për të ashtuquajturin “Vorio-Epir” është produkt i disa qarqeve nacionaliste greke dhe jo politikë zyrtare e shtetit
grek, pasi vizita më e fundit e zëvendësministrit të jashtëm grek jo vetëm që e vërteton këtë gjë por hedh dritë dhe për planet afatgjata të politikës greke në përgjithësi. Me insistimin për zgjedhjen e Bollanos si kryetar i “Omonias” në Shqipëri, shteti grek jo vetëm që po kërkon të luajë fort kartën e vjetër të nacionalizmave por dhe të ndërtojë politika të caktuara mbi bazën e tyre. Pajisja e disa qytetareve shqiptarë me karta homogjeniteti, në bazë të cilave ata mund të lëvizin lirshëm në Evropë si ti përkasin një kombësie të privilegjuar është një shkelje e hapur e konventave ndërkombëtare dhe nuk kontribuon aspak në imazhin evropianist të Greqisë.
Përqasja e moderne në mendimin politik evropian për sa i përket nacionalizmit është se tashmë ai i përket së kaluarës, dhe se në këtë shekull integrimesh dhe Globalizmi, nuk ka vend për modele të ngushta shtete-komb. E artikuluar nga goja e zyrtarëve grekë dhe e krahasuar me realitetin e aplikimit të saj nga politika greke në rajonin e Ballkanit, kjo sentencë i ngjan paradoksit të Zenonit. Në këtë rast “Akil Këmbëshpejti” janë kombet e tjera ballkanike të cilat tregojnë një shkallë më të lartë emancipimi duke lenë pas hijet e së kaluarës dhe duke parë përpara për të ndërtuar një të ardhme brenda Bashkimit Evropian , ndërsa “breshka” është politika e jashtme greke, e cila me realitete të deformuara dhe identitete të vjedhura kërkon ti integrojë disa popullsi periferike vetëm në bazë të kriterit fetar.
Mballomat e politikës greke të tipit Bollano nuk mund “andrrojnë” politikën e vjetër greke, duke e shitur si integrim, qëndrimet e tyre për sa i përket minoriteteve të sajuara . Greqia duhet të respektojë vendimet e Konferencës së Paqes në Paris më 1919 të cilët njohin vetëm 99 fshatra si minoritet grek në Shqipëri, ashtu si dhe në të njëjtën mënyrë ajo vazhdon të këmbëngule se Turqia nuk duhet të pretendojë se minoriteti “mysliman” në Trakë është minoritet turk pasi kështu është sanksionuar në Konferencën e Lozanës më 1923. Përderisa respektim i së drejtës ndërkombëtare mbetet një “merak” i Greqisë me të cilën po justifikon dhe mosnjohjen e republikës së Kosovës, atëherë të drejtën ndërkombëtare duhet ta respektojë dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Inkurajimi i individëve të caktuar për të cenuar territorin e një shteti tjetër duke mos i kundërshtuar kërkesat e tyre dhe akoma më keq duke i aprovuar në heshtje, nuk i shërbejnë stabilitetit ne rajon dhe për më keq krijojnë një precedent të keq për të gjithë grupet i individëve që fare bukur një ditë me diell mund të pretendojnë se i përkasin një grupi tjetër etnik. Integrimet e bazuara mbi baza etnike dhe fetare janë një reminishencë e vjetër modelin e të cilave bota e ka dënuar në Nuremberg dhe Hagë, dhe nëse Greqia nuk ka shkuar ende në ato tribunale për të dhënë llogari për spastrimin etnik të popullatës çame, kjo s’do të thotë se nuk do të shkojë kurrë aty. “E vërteta vonon, por s’harron” thotë një shprehje e vjetër popullore dhe Greqia si vendi i miteve dhe mençurisë popullore e di shumë mirë se brenda këtyre thënieve ka një vërtetësi të madhe.




Sunday 13 April 2008

Gërdeci - një histori e trishtë




Në vitin 1924 , dy udhëtare amerikanë që udhëtonin në Shqipërinë e veriut për të gjurmuar zanafillën e eposit të kreshnikëve, u vranë barbarisht në afërsi të Mamurrasit, një lokaliteti pothuajse i panjohur në Shqipërinë e asaj kohe. Emri i fshatit dhe i rrethinës përqark papritur filloi të bëhej i njohur. Shtypi i kohës kritikoi ashpër qeverinë që nuk mund të prodhonte stabilitet dhe akuzoi drejtë për së drejtë ministrin e brendshëm, mbretin e më vonshëm të shqiptarëve Ahmed Zogun për implikim në ngjarje. Pati zëra që këtë vrasje iu faturuan shërbimeve të fshehta të mbretërisë serbe-kroate-sllovene. Mesa duket endja folklorike e dy turistëve amerikanë në 2 dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX në malet e Shqipërisë së veriut kishte ngjallur xhelozinë e fqinjëve të nëmur dhe nga vetë Eposi i Kreshnikëve. Ngjarja u përjetësua dhe në romanin e mjerisht të pambaruar të Konicës “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e tragjedisë së Mamurrasit”. Motive të ngjarjes u rikthyen serish në realitetin shqiptar në përmjet romanit të Kadaresë “Dosja H” duke zgjuar vëmendjen e shqiptarëve drejt katundthit të dikurshëm Mamurras që socializmi e kishte kthyer në një qyteze punëtorësh.


E bëmë gjithë këtë parantezë për të treguar sesa vështire është që emri i një vendthi apo toponimi të humbasë lidhjen me ngjarjen që godet të bëhet më e shënuara në rrjedhën e kohës për një vend. Një gjë e ngjashme do të ndoll dhe me Gërdecin , fshatin e vogël midis Tiranës dhe Durrësit që do të hyjë në histori dhe do të mbahet mend si vendi ku ndolli tragjedia më e madhe për sa i përket historisë së armatimit në Shqipëri.Shpërthimi i atyshëm ia kaloi dhe fantazisë së regjisoreve shqiptarë që trajtonin filma me tema nga rezistenca kundër fashistëve italianë gjatë luftës së dytë botërore. Natyrisht që ekspertiza akoma nuk e ka thënë fjalën e vet dhe të spekulosh për shkaqet e shpërthimit mund ti përngjajë një sinopsi të një romani fantastik-shkencor, por ajo që të lë një shije të keqe në gjithë këtë histori të dhimbshme janë reagimet sesi është u trajtua kjo ngjarje.


Reagimet e qeveritare ndaj shpërthimit vazhduan me të njëjtën trajtim skematik si te filmave të mëparshëm, ku një grusht burrash të mirë (kupto qeverinë) ishin përpjekur të bënin të pamundurën për të realizuar sa më transparent dhe me siguri të lartë çmontimin e municioneve në kuadër së hyrjes së Shqipërisë në NATO, por fati keq trokiti papritur dhe shkaktoi tragjedinë!


Kjo lloj mënyre të analizuarit të ngjarjes dhe shkaqeve që çuan aty nuk i bën mirë asnjërit, nuk shkarkon asnjërin nga përgjegjësia dhe aq më tepër nuk mund të pretendohet se e meriton opinioni publik shqiptar i shekullit të XXI.


As në ngjarjen e Mamurrasit i cila dëmtoi rëndë imazhin e Shqipërisë së asaj kohe nuk pati një trajtim të tillë skematik, atëherë kur shteti shqiptar ishte akoma në pelena.


Ngjarja e rëndë tregon sesi të ashtuquajturat reforma të ndërmarra në kuadër të sigurisë kombëtare, në të vërtetë nuk kanë qenë reforma por më tepër mballoma në kuvertën e grisur të rrëzimit të shtetit më 1997. Tronditja më e vogël në aparatin e sigurisë jo vetëm që nuk evitohet lehtë por shkakton rrathë centrikë si guri i hedhur në liqen.


Në fakt e tërë historia e Gërdecit më tepër se historia e trishtë e një shteti që kërkon të modernizohet për të hyrë në mekanizmat euro-atlantikë duke shkatërruar armatimet e vjetra dhe të dëmshme për popullatën, është saga e një elite politike të kalbur që suksesin e vet e garanton me një martesë të shpifur me një klasë pseudo-biznesmenësh, me një të kaluar të dyshimtë dhe informale. Kjo simbiozë e rrezikshme është kryqi që i është vënë në krah Shqipërisë për ta ngritur në këta 17 vjet dhe ka bërë që integrimi i saj në Evropë ti ngjajë një Golgote të dhimbshme.


Nëse imazhi i Shqipërisë në vitet 20’ mund të prishej lehtë nga një grup burrash që pjesërisht të influencuar nga tradita e tyre e të jetuarit në anarki në malësitë shqiptare, apo pjesërisht të shtyrë nga varfëria (raste të tilla gjejmë dhe sot,vrasja e qytetarit anglez ne Lezhe), imazhi i Shqipërisë në shekullin e XXI nuk mund të lejohet më të përbaltet nga grykësia dhe pangopësia e një grushti burrash që rasti ti sjell të drejtojnë dikastere të rëndësishëm të shtetit. Fill pas ngjarjes së Mamurrasit qeveria e asaj kohe ndërmori aksionin e madh për çarmatimin e popullsisë dhe vendosjen e rregullit në Shqipëri. I tillë duhet të jetë dhe reagimi i qeverisë së sotme me çarmatimin e strukturave korruptive që mundësojnë ngjarje të tilla të dhimbshme deri në humbjen e jetëve te njerëzve.


Përtej llogarive të ndryshme elektorale, mbrojtjes së personave të ndryshëm duhet të sundoj arsyeja e ligjit për të dhënë drejtësi dhe për të çuar para gjyqit fajtorët e vërtetë kushdo qofshin ata. Ky është misioni për të cilin kjo mazhorancë pretendon se ka ardhur në pushtet dhe reagimi ndaj kësaj ngjarje do të jetë guri i provës për besimin që kjo mazhorancë kërkon ta fitojë sërish dhe për zgjedhjet e ardhshme.


Historia e Pinokut që i rritet hunda sa herë që gënjente nuk do të ishte e përshtatshme për qeverinë në këtë rast, sepse nëse sot lexojmë me endje librin e Bernd J. Fischer “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”,brezat e ardhshëm do të lexojnë me trishtim librin “Qeveria Berisha dhe përpjeka për të fshehur krimin”.





Tuesday 8 January 2008

Gjakmarrja dhe Shteti





Diplomati italian Pietro Kuaroni në librin e vet “Valixhja Diplomatike” përshkruan se kur ra në kontakt për herë të parë me malësorët e Veriut në qytetin e Shkodrës, iu dukën si përfaqësues të shoqërisë mesjetare të viteve 1000. Kjo bindje iu përforcua dhe më tepër kur mësoi për zakonin e gjakmarrjes. Përtej kuriozitetit evropian që çdo huaj e ka pasi bie në kontakt me topografinë dhe demografinë e Ballkanit, gjë të cilës nuk mund ti shpëtonte dhe diplomati italian, situata e gjakmarrjes e përshkruar aty duket sikur është e njëjta me atë të ditëve të sotme. Situata e rindezur kohët e fundit me këtë fenomen është vërtetë për tu shqetësuar dhe kërkon aksion të drejtë për së drejtë për ta ndaluar.

Shqiptarët nuk janë të parët që kanë mes tyre, fenomenin e gjakmarrjes. Ky fenomen ka pasur një shpërndarje gjeografike të gjerë në Evropë duke filluar nga Skocia në Britaninë e Madhe, Korsika në Francë, Kreta e Mani në Greqi etj. Gjithsesi shqiptarët mbeten të vetmit që vazhdojnë ta praktikojnë dhe kjo mbetet “thembra e Akilit” në profilin psikologjik tonin. Nëse zhvillimet e ndryshme kulturo-politike kanë bërë të mundur që fenomeni në vendet e tjera të zhduket, në Shqipëri ,”kulshedra e gjakut ka mbijetuar”. Ndonëse për një kohë të gjatë ka mbizotëruar një ndërgjegjësim i mjaftueshëm i shprehur nëpërmjet medies dhe shoqërisë civile për ta frenuar këtë fenomen, gjithsesi ai s’është ndalur dhe ka marrë përmasa të frikshme. Nuk kanë munguar dhe akuzat e forta ndaj shtetit,i cili nuk ka ditur ta menaxhojë situatën dhe me masa gjysmake është munduar ti vë fre gjakmarrjes, por nëse përgjegjësia e shtetit do të shkonte në mbrojtjen e çdo familje të kërcënuar atëherë do të krijohej një “shtet i ngujuar”. Askush s’besoj se dëshiron të ketë një shtet të gjysmë-policor në Malësitë e veriut duke dhunuar ndoshta dhe liritë e të drejtat e njeriut të qytetarëve të tjerë të pafajshëm. As rishikimi i rivendosjes të dënimit me vdekje nuk është “çelësi magjik “ si besojnë një pjesë e popullsisë. Perspektiva evropiane e Shqipërisë nuk lejon rivendosjen e dënimit me vdekje dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Ashtu si nuk na pëlqen të shikojmë prerjesh duarsh apo vdekje me gurë “live” nga vendet islamike që i praktikojnë këto dënime, ashtu dhe ikonat që mund të vinë nga Shqipëria me njerëz të ekzekutuar nuk do të mirëpriteshin aspak jo vetëm në opinionin evropian por edhe në atë të brendshëm. Gjithsesi para se kjo të jetë një masë jo e këshillueshme nga të huajt, mendoj se ekziston tashmë një opinion i shëndoshë nga ana shoqërisë shqiptare për pranimin e kësaj pjese të legjislacionit evropian.

Akuzat e ndërmarra ndaj shtetit (pa dashur të bëj avokatin e tij) shpesh herë e kanë çuar debatin në rrugë të gabuar sepse më shumë i mëshohet rolit të tij paternalist i cili edhe nëse arrin të bëj diçka në zhdukjen e fenomenit do të kishte rrethana prapavepruese. Gjithkush e di se pas lëvizjes për barazi raciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 60,në vitet që pasuan shteti u afroi politikën e affirmative action. Kjo politikë konsistonte në përkrahjen dhe trajtimin me përparësi të individëve me ngjyrë në konkurse për vende pune, dhënie bursash universitare, njohja e së drejtës për abort dhe rritjes së ndërhyrjes së shtetit dhe institucioneve në jetën private, sidomos duke i larguar fëmijët nga mjedise abuzive dhe të dhunshme.

Megjithëse politika paternaliste pati efekte pozitive,gjithsesi ajo lindi fenomenin e “titullimit”, ose bindjes se padronët e bardhë të Amerikës janë në borxh ndaj popullsisë zezake për shkak të tmerreve të diskriminimit racor që erdhi më pas, dhe për këtë arsye duhet t’u sigurojnë dhe garantojnë privilegje të ndryshme. Paralelet mund të hiqen njëlloj me ndërhyrjen e shtetit në rastin tonë dhe askush nuk besoj se do të dëshironte të krijonte një kulturë të tillë persekutimi,për një pjesë të rëndësishme të popullsisë tonë.

Anglia dhe Franca të cilat u hasën me këtë fenomen me dy krahinat e koptuara brenda shteteve të tyre, u munduan ta zgjidhin nëpërmjet gjithpërfshirjes së elitave të Skocisë dhe Korsikës përkatësisht në qeverisjen e shtetit dhe promovimit të kulturës së përgjishme. Këto masa patën efekt, të paktën për rastin e Skocisë e cila bas bashkimit u zhvillua kulturialisht duke prodhuar dhe Ilimunizmin skocez, që kontriboi shumë në kulturën botërore. Një fije drite mund të vijë në këtë rast në trajtimin e problemit në vendin tonë. Natyrisht në krijimin dhe promovimin e kulturës së përgjithshme mund të luajë një rol të madh shoqëria civile e cila fatkeqësisht në Shqipëri vuan nga “elitizmi” (përqëndrimi i saj në Tiranë) dhe korrupsioni moral dhe ekonomik. Krahinat tona malore janë nga më të varfrat, me një mungesë totale të qelizave të domosdoshme për një zhvillim kulturor normal si është shkolla dhe të paktën vatrat kulture. Shkodra si kryeqendra e veriut nuk është në gjendje të rrezatojë kulturë dhe të shërbejë si forcë graviteti për malësitë tona. Shoqatat jo qeveritare në vend që të sponsorizojnë krijimin e këtyre qelizave të domosdoshme për një jetë normale, (dmth fuksionimin e plotë të tyre me mësues dhe veprimtarë kulturorë me të ardhura të kënaqshme), sponsorizojnë projekte informimi shterpë, të sugjeruara nga çakenjtë-intelektualë të Tiranës të babëzitur për para. Duke qenë se duam të ndërtojmë një shoqëri liberale,larg të qenit etatiste, atëherë shfrytëzimi i kapaciteteve intelektuale të vetë zonave, me krijimin e kushteve të domosdoshëm për të jetuar dhe pasur një jetë normale do të ishte nje një hap i rëndësishëm i organizatave joqeveritare dashamirëse për të kontribuar.Po kështu ç’mitizimi i kulturës së dhunës nëpërmjet ç’himnizimit të traditave të gjakmarrjes të malësisë duke promovuar ato integruese dhe europiane,do të kontribonin dukshëm në reduktimin e fenomenit.

Një përvojë interesante vjen vetë nga zhvillimi i zonave jugore të Shqipërisë ku fenomeni është i rradhë. Në librin e profesor Ismet Elezit “Kanuni i Labërisë”, përshkruhen qartë të njëjtat doke zakonore për gjakmarrjen ashtu si dhe tek Kanuni i Lek Dukagjinit,gjë që dëshmon për egzistencën e fortë të këtij fenomeni. Një studim i hollësishëm i tij sesi ka qenë, si është zbutur dhe gradualisht është zhdukur do të ishte me shumë vlerë për tu finacuar dhe më vonë për të zbatuar në malësitë e Veriut. Historia est magistra vitae - historia është mësuesja e jetës, thotë një fjalë e urtë latine dhe ajo mund të jetë e vleshme në këtë rast.


Sunday 6 January 2008

Rusia e madhe dhe Ballkani imagjinar





          Shkrimtari i madh rus Nikollai Gogol e përfundon romanin e vet të famshëm Shpirtëra të Vdekur me një përshkrim poetik për fatin e Rusise së madhe që sipas tij ishte “një trojkë që rendte pafundësisht përpara” ne stepat e pafundme të botës dhe kësaj trojke që “derdhte zilka përreth e fluturonte mbi gjithçka që ndodhej mbi tokë” tek e , “shikojnë vëngër, popuj dhe shtete tërhiqen mënjanë dhe i hapin udhë.” Në fakt më tepër se një përshkrim poetik, faqet e fundit të romanit, duket se janë një panegjerik politik për të ardhmen e Rusisë dhe vendin e saj në botë. Që nga dalja e Rusisë në skenën e politikës botërore ky shqetësim ka qenë një nga ankthet e klasës drejtuese të saj dhe një nga shtysat më të mëdha për të krijuar platforma nacionaliste agresive ndaj shteteve të tjera. Në vigjilje të ndryshimit të sistemeve politike, apo epokave të ndryshme Rusia e gjendur përballë sfidave për të kënaqur statusin e saj si fuqi e madhe dhe arsyes së drejtë për tu rimëkëmbur ekonomikisht, politikisht dhe kulturialisht gjithmonë ka zgjedhur sfidën e parë. Keshtu psh askush nuk priste që Rusia pas disfatës së madhe me Japoninë në luftën Ruso-Japoneze më 1905 dhe problemeve të brendshme që kishte me lëvizjët e popujve të shtypur dhe ato të karakterit revolucionar,të ishte fuqia e parë që do të provokonte Luftën e Parë Botërore.Hegjemonizmi dhe propetenca kanë qenë dy tipare që kanë ravijëzuar politikën e jashtme ruse qysh nga testamenti i Pjetrit të Madh e deri në ditët e sotme. Këto dy tipare kanë gjetur në Ballkan një terren të përshtatshëm për tu aplikuar. Në përfytyrimin e përgjithshëm të Ballkanit nga Rusia, ai është parë më tepër si një truall ku Teoria e Romës së tretë dhe ortodoksisë së drejtë mund të eksperimentonin sesa një mozaik popujsh që pas çlirimit të mundshëm nga Turqia duhet të krijonin marrëdhënie të sinqerta midis tyre.
          Ekspansioni i parë rus në Ballkan ishte ekspedita ushtarake e Orlovit në Mesdhe për të çliruar popujt ortodoksë të Ballkanit. Ekspedita ishte një dështim i vërtetë por ajo ishte e rëndësishme për të se e rreshtoi Rusinë për herë të parë si fuqi mesdhetare.Shpresat e popujve të Ballkanit për tu çliruar gjetën kështu edhe një përkrahës më tepër në skakierën botërore, por kombinimet politike që do të kryente ky faktor politik në skenën e Ballkanit do ishin me një efekt prapaveprues edhe pas një shekulli.
Pa dashur të biem në retorikën nacionaliste,këmbëngulja e vazhdueshme e Rusisë për të përkrahur popujt sllavë të Ballkanit për të përfituar territore dhe pushtet i ka kushtuar rëndë veçanrisht shqiptarve, të cilët në agun e zgjimit të tyre nacionalist gjetën një kundërshtar të fortë dhe këmbëngulës ndaj aspiratave shtetformuese të tyre. Gjëndja e sotme në Ballkan është pasojë e drejtpërsëdrejtë e politikës ruse të fillimit të shekullit XX, dhe nëse ka nyje gordiane akoma të pazgjidhura këto vazhdojnë të jenë efektet e kësaj politike. Në këtë sens përgjegjësia ruse ndaj Ballkanit fiton një peshë të veçantë për të kontribuar në zgjidhje afatgjata dhe realiste dhe jo më në zgjidhje të imponuara. Ajo nuk mund të vazhdojë ta trajtojë Ballkanin si pjesë e fantazisë së vet imagjinare për një Ballkan sllav dhe prej nga ka marrë shugurimin e vet bizantin, por si një pjesë e rëndësishme e Evropës dhe si i tillë edhe si pjesë e rëndësishme e stabilitetit evropian. Mëdyshjet e veta për të marrë apo marrë pjesë në sigurimin kolektiv evropian nuk ka pse i kthen në një “gozhdë Nastradini” siç është rasti çështjes së Kosovës.
   Propozimet ruse për shtyrjen e bizedimeve janë jo realiste dhe për më tepër destabilizuese. A është e vërtetë se rasti i Kosovës do shërbejë si një precedent i rrezikshëm për paqen në botë? Krahasimet me krahinat e tjera të Kaukazit janë jashtë realitetit pasi vetë historia e Kosovës,përbërja etnike si dhe statuset e ndryshme administrative që krahina ka pasur në kohë nuk lejojnë të hiqen paralele të ngjashme. Nëse Rusia këmbëngul ti mbushë mendjen komunitetit botëror se Kosova është e ngjashme me ‘xhepat antikushtetues” që ka krijuar në prag të shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik në vitet 90’ atëherë do i përngjajë vërtetë personazhit të Çiçikovit që mblidhte “shpirtëra të vdekur” për ti shitur si të gjallë. Shtetet e interesuara evropiane për raste të ngjashme si ai i Kosovës kanë marrë garancitë e duhura se ai është një rast unikal, dhe kanë dhënë konsesusin e tyre duke kuptuar se rasti i Kosovës është para së gjithash një sfidë e sigurimit dhe të ardhmes evropiane.
   Rusia dëshiron te rikthehet në rendin e vjetër botëror të vendimarrjes të koncerteve të diplomacisë evropiane të fillimit të shekullit të XX, ku vota e saj kishte të drejtën e vetos dhe kërcënimit. Situata politike post-komuniste në Rusinë e sotme, është më tepër një parodi e demokracisë liberale sesa një shoqëri e hapur që aspiron për prosperitet. Promovimi i koncepteve demokratike si zgjedhjet, liritë dhe të drejtat e njeriut krijojnë premisat e një shoqërie në dukje demokratike por deformimi i tyre në një farsë elektorale si ishin zgjedhjet e fundit në Rusi i japin tonet e një shoqërie autoritariste.Askush nuk është i sigurtë nëse në Kremlinin e sotëm ka më tepër liri, duke venë në dyshim se liria dhe demokracia mund të korruptohen duke u paraqitur si fasadë e një rregjimi autoritar. Këtë lloj modeli të financuar dhe nga burimet e gazit dhe energjisë si dhe nga oligarkitë e shumta që kontrollojnë tregjet financiare të Rusisë dhe Azisë Qëndrore, Rusia dëshiron ta importojë në Ballkan dhe në vendet fqinjë duke dashur të afirmojë pozitat e veta si superfuqi. Është për të ardhur keq që ky qëndrim i saj nuk po has në një kritikë të fortë të komunitetit ndërkombëtar për ta detyruar atë që parimet e demokracisë liberale të cilat pretendon se i ka përqafuar ti respektojë dhe në jetën politike të saj.
   Ndryshimi i madh duhet të vijë nga qëndrimi ndaj çështjes së Kosovës, të cilën Rusia e ka kthyer në një bumerang të vërtetë. Mos inkurajimi i qarqeve nacionaliste të Beogradit të cilat janë një nga përgjegjësit kryesorë për kasapanën e ndodhur në rajon, do çlironte vet Serbinë nga demoni i nacionalizmit ekstrem dhe do të hapte perspektivën europiane të saj.Vetë Rusia,inteligjenca e së cilës gjithmonë e ka identifikuar veten si evropiane dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në mendimin evropian të paktën që nga Iluminizmi dhe këndej nuk duhet të vazhdojë ta imagjinojë Ballkanin si ‘tokën e premtuar” të aspiratave të veta hegjemoniste por si një etnitet përbërës të Evropës, integrimi i të cilit tashmë është një fakt.Integrimi dhe gjithpërfshirja janë alternativat e reja të mendimit evolucionist evropian dhe Rusia nëse dëshiron të hyjë në rradhën e shteteve te “ilimunuara” si shprehej Ekaterina e I, mbretëresha e dikurshme që korospondonte me Volterin, duhet të zgjedhë sfidën e duhur.