Monday 16 March 2020

Një përkujtimore për Faik Konicën.






Historia e kulturës shqiptare do të ishte e mangët pa personalitetin e Faik Konicës.  Personaliteti i tij kulturor është sa themelues po aq dhe kontributor në studimet shqiptare, në skicimin e imazhit të shqiptarëve në kulturën perëndimore apo dhe të imazhit të Tjetrit në kulturën shqiptare. Vërejtjet e tij të thukëta për karekterin shqiptar, konstantimet e tij gati proverbiale mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe raporteve që kanë shqiptarët me përparimin e prapambetjen apo dhe pasionet e verbërta politike që e radhitën disa herë pikërisht në kahun e kundërt për çka si rallëkush kish predikuar e bëjnë gjithmonë dhe më të vështirë skicimin e portretit të tij intelektual në hapësirat shqiptare.



Monday 9 March 2020

Poeti orientalist beratas Sulejman Naibi




Përhapja e islamit në Shqipëri vazhdon të mbetet një nga problemet historike, sociale, e fetare që tërheq vëmendjen e studiuesve. Debatet akademike ndahen në parashtrimin e problemit, nëse ka qenë një konvertim vullnetar apo i imponuar nga osmanët. Në varësi të përgjigjes së kësaj pyetjeje janë ngritur dhe paradigmat e shtjellimit të këtij problemi. Mirëpo pavarësisht, shkollave të mendimit, interesave politikë dhe kulturorë, pak a shumë studiuesit seriozë bien dakort se mungesa e një autoriteti dhe etniteti kishtar apo shtetëror të pavarur dhe centralizues te arbërit, emigrimi gati biblik i pjesës më elitare të etnisë shqiptare pas pushtimit otoman në Itali dhe zotërimi i luginës së Shkumbinit dhe qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Janinës,Vlorës, Elbasanit, Krujës dhe Shkodrës nga osmanët me garnizone ushtarake përcaktuan edhe rrjedhojën e ngjarjeve përsa i përket orientimit fetar të popullsisë. Islamizimi i popullsisë në Shqipëri, kryesisht u zhvillua në zonat urbane. Garnizonet osmane, që u vendosën në kështjella ndërtonin edhe xhami për të ushtruar fenë e tyre, ndërtonin treg dhe së bashku me të qendra kulti, që përhapnin qytetërimin e tyre. Indiferenca dhe braktisja në fatin e vet, sidomos të Shqipërisë së brendshme, Elbasanit, Beratit e Gjirokastrës nga fuqitë perëndimore, Republika e Venedikut dhe Mbretëria e Napolit bëri të mundur që influenca e besimit islam dhe mundësitë, që jepte përqafimi këtij besimi për ruajtjen e pronës dhe privilegjeve si dhe mundësia për të bërë karrierë brenda Perandorisë Otomane të rritej dhe të bëhej një nga besimet fetare të ushtruar në Shqipëri. Ky proces u vërejt në fillimin e shekullit të XVI. Megjithëse ky konvertim nuk ishte masiv në fillim sipas një raporti që dokumenton vizitën e Marino Bizzi, Islam, ky numër do të rritet në mënyrë të ndjeshme në shekujt e XVII dhe XVIII. Në të njëjtën kohë siç dëshmon udhëtari osman Evlija Çelebi, në librin e vet “Udhëtimet” në 1660-1670, në pothuajse çdo qytet të madh shqiptar ishin ngritur krahas institucionevetë kultit edhe biblioteka dhe medrese,  në të cilat studionin gjuhën arabe, persishte dhe osmane si dhe mësim feje.