Historia mund të rrëfehet
më së miri jo vetëm përmes dokumenteve por edhe objekteve. Periudhat më të
hershme historike shpeshherë flasin me objekte, monumente dhe artefakte të
ngjarjeve apo dhe personave të rëndësishëm historikë. Historisë së Ali Pashë Tepelenës,
edhe pse e dokumentuar mirë përmes udhëpërshkrimeve apo tanimë së fundi edhe
nga dokumentacioni i botuar, i mungojnë objekte të veçanta të Pashait Tepelenas
që do të mund të përshkruanin dhe rrëfenin më mirë epokën kur ai jetoi dhe
veproi.
Në këtë drejtim Muzeu i
Ali Pashës në ishullin e Janinës, ku ndodhen disa objekte origjinale të epokës
së Pashallëkut të Janinës, por edhe të Ali Pashës, është një muze i rëndësishëm
i trashëgimisë kulturore, politike e sociale të pranisë së shqiptarëve në Epir.
Në tetor 2015, Muzeu i
Ali Pashës në ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali
Pashë Tepelenës, e cila është e larë në ar dhe ka të gdhendur, emrin e Ali
Pashës dhe vitin 1804. Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të vjetër
fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë. Në fund të
jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia dhuronte
Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të kishte marrë
oferta nga shumë muze të botës. Arma e ekspozuar tashmë në muzeun e Ali Pashës
në Janinë është e tipit karajfile. Pushka karajfil/e, është një dyfek i gjatë,
që mbushej nga gryka dhe shkrehej me strall. (Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe.
Akademia e Shkencave të R.P.S.SH., Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë,
Tiranë: 1980, fq. 789). Ajo kishte një tytë të gjatë dhe të hollë, shkrehej
vetëm një herë dhe pjesën e pasme e kishte në formën e një koni. Kishte një
namlli (tytë) 1,20-1.50 cm të gjatë, brenda e jashtë të lëmuar dhe një çark që në
pamjen e jashtme paraqet një grehës me strall (gurë xixash), përballë ngrehësit
ndodhet një masat çeliku dhe nën të ndodhej kupëza e barutit. Qyta që
mbështetej në sup të krahut në rast qitjeje quhej dipçik. Namllia mbërthehej në
kondak me rripa teneqeje të verdhë. Nëpërmjet tytës dhe drurit futej harbia, e
cila është një shufër hekuri e gjatë sa tyta dhe shërben për të mbushur
pushkën. Pushka karajfile përdorej gjerësisht në kohët e vjetra, por sidomos
gjatë kohës së pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës dhe në momentet e shpërthimit
të Revolucionit Grek në vitin 1821.
Dyfeku karajfile dallohet
për stolisjet e shumta të bronzit por në armët që ishin në zotërim të elitës
ushtarake dhe fisnike vendase, zbukurimet i kanë edhe me ar. Dyfeku karajfili
ishte me origjinë dhe prodhim venecian dhe u përdor në Perëndim, kryesisht në
fillimet e shekullit XVII deri nga mesi i shekullit XVIII. Preferohej për tytat
e gjera, të cilat mbusheshin kollaj nga të quajturat “plumba” ose “fishekët”.
Megjithëse arma karajfile, ishte e panevojshme në ushtritë e rregullta të
Perëndimit, në duart e gjuajtësve dhe nishanllive të Lindjes, ishte shumë e
çmuar. Pjesa e saj e pasme, kondaku, përdorej me efikasitet si çomange në raste
nevoje. Pushka e krahut (karajfilja) ka qenë një nga llojet më të përdorura të
armëve të zjarrit të shqiptarit. Në dallim nga qendrat e tjera të prodhimit të
pushkëve, si Berati, Elbasani dhe Janina në qytetin e Shkodrës, janë prodhuar
karajfile me shumicë dhe të zbukuruara në teknikën e filigranit. Armët e zbukuruara
në argjend, kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht prej shtresave të
pasura. Në vitin 1875, në Shkodër filloi të prodhohej edhe martina. Motivet e
zbukurimit në armët e krahut janë në reliev dhe spikasin mbi sipërfaqen e
armës. Teknika e realizimit është e ndryshme, si: e derdhjes, e rrahjes dhe e
filigranit. Karajfilet shpeshherë janë zbukuruar edhe me sedef. Armët e gjata
takohen të zbukuruara në material argjendi, bronzi, si dhe thjesht prej
llamarine, duke shprehur kështu pozitën ekonomike të bartësit. Ka raste që këto
zbukurime bëheshin edhe prej ari. Fundi i tytës së armës është realizuar me
teknikën e derdhjes. Zbukurimet në argjend pasuroheshin edhe me fildish, në
formë drejtkëndëshi, me sedef ose me savat. Në zbukurimin e armëve të krahut me
material bronzi është përdorur zakonisht teknika e rrahjes dhe pak mbipunim,
ndërsa në armët me zbukurime të thjeshta llamarine, ku veshja realizonte vetëm
ruajtjen e drurit janë përdorur skalitje.
Veshja e karajfileve
është realizuar me paftë argjendi të rrahur, vende-vende të skalitur dhe të
zbukuruar me copa në formë drejtkëndëshi, shpeshherë sedefi, ndarja e copëzave
të të cilit kryhej nëpërmjet një puje. Në faqet anësore të dorezës ishin të
vendosura pesë puja të mëdha, ndërsa punimi në paftë realizohej në tërë
gjatësinë e saj, që prej fundit të dorezës e deri në majën e tytës. Lidhja e
pjesës së drunjtë me tytën kryhej nëpërmjet fashetave, të cilat në pjesën
ballore të zbukuruara me incizime motivesh vegjetale.
Për prejardhjen e emrit
të pushkës karajfile ekzistojnë tre versione. Varianti i parë
është se e kishte marrë këtë emër ngaqë tyta e saj kishte formë karafili, si
trombonet e mëvonshme. Varianti i dytë është se sipas zakonit të kohës, ngaqë
kishte si emblemë e dyqanit të armëve një karafil, dhe varianti i tretë ngaqë
kishte të gdhendur, ngjitur me ujkun si shenjë dalluese firmën e prodhuesit nga
shtëpia veneciane e Carlo e Fili. (Karli dhe të bijtë), çka ishte shtrembëruar
në kariofili në greqisht ose karajfile në
shqip. Raste të tilla të shtrembërimit të emrave të firmave prodhuese kanë
ekzistuar deri vonë në gjuhën shqipe. Kujtojmë këtu fjalën “mauzer”, për një
lloj pushke që përdorte ushtria e rregullt greke, çka në të vërtetë ishte
mauzer, emri i firmës në Gjermani apo fjala “belgjik” sërish për pushkë që
korrespondonin me pushkët prodhuar në Belgjikë.
Përveç karajfiles së
prodhuar në Venecia, kishte dhe armë të këtij tipi prodhuar në vende të tjera
të Europës, të quajtura, si karafili prift dhe karafili
maxhar. Emri i këtyre armëve të krahut mendohet se lidhet me emrin e
fabrikantit apo firmës Carlo Figlio. Ato kishin të njëjtin konstruksion njësoj
si kërraballiu por të parat kishin namlliat më të shkurtra dhe me nga një
stemë. Karafili prift kushtonte afro 700-900 grosh. Ai që kishte stemën si
kurorë, që ngjasonte me mitrën e një episkopi quhej karafil prift dhe ai që
mbante një stemë tjetër që ka ardhur nga Hungaria quhej karafil maxhar.
Ali Pashë Tepelena ishte
një adhurues i madh i armëve dhe nga shënimet e udhëtimit që kanë lënë shumë
udhëtarë dhe diplomatë që vizituan pashallëkun e Janinës, njohim se ai mbante
shumë prej tyre të varura në mur si objekte zbukurimi, si duket në tablonë e
Joseph Cartëright (1789-1829), pikturuar në mars 1819 dhe publikuar në 1822
(CARTWRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece,
including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822). Pukëvili në
veprën e vet “Historia e ringjalljes së Greqisë” (1825) kur rrëfen rrethimin e
Ali Pashës në Janinë, përmend armët që Pashai Tepelenas përdori në një rast kur
kundërsulmoi ndaj ushtrisë së Pasho Beut.Avxhibashi i solli armët e
nishanit, me famë në Epir ku shqiptarët luftëtarë u kanë ngritur dhe këngë siç
këndonin dikur grekët në shekujt homerikë, mburojës së Akilit. E para armë
ishte një pushkë gjatoshe fabrikuar në Versajë, e veshur me damask blu dhe e
qëndisur me yje ari, të cilën ia pati dërguar dikur Xhezarit në Shën Gjon të
Akrës nganjëllyesi i piramidave. Si vdiq ky pasha, arma i kaloi fatziut Selim
III që ia dha si shpërblim trimërie Jusuf Qorr Pashës, tri herë vezir-azem sajë
fatit; ky kur ishte në Negropont në fund të karrierës së tij të gjatë, ia la me
testament Ali Tepelenës. Ky ia besoi më pas Akatit të tij gjakatar, Thanas
Vajës; njërit prej shatërve i kaloi pastaj një karabinë që ia kishin dhuruar më
1806 me emrin e Napoelonit; në qemeret e shalës vari mushqetën e Karlit XII të
Suedisë, armë me vlerë të paçmuar kundrejt personit që e mbante. E kish pas
marrë dikur dhuratë nga Gustav Adolfi, në kohën kur ky monark i tradhtuar prej
fatit preku tokën në Prevezë, rrugës që pat ndërmarrë për në Varrin e Shenjtë,
shtegtim që i dështoi nga një intrigë diplomatike (Francois Pouqueville.
Ali Tepelena. K&B: Tiranë, 2009, fq. 399)
Që në fillim kur u bë i
njohur dorëzimi i armës u shkrua se mbishkrimi mbi armë është në greqisht, por
një vështrim më i saktë duket se germa S në fjalën Pasha nuk është e alfabetit
grek, por një C, që nënkupton germën sigma në greqisht. Prania e kësaj shkronje
në pushkë, na shtyn të mendojmë se gdhendësi është një njohës i greqishtes që
është shkruar Bibla. Germa C përdoret për Σ në epigrafi dhe në shkrimin
majuscule biblik deri në shek. VI dhe përdorimi i saj në tekste në kohën e
pashallëkut të Ali pashë Tepelenës do të ishte diçka e pazakontë, por nëpër
epigrafi apo vula ajo gjendet edhe gjatë kësaj kohe, çka na shtyn të mendojmë
se mjeshtri skalitës dhe zbukurues i pushkës duhet të jetë nga Janina, ku gjuha
greke shërbente si pikë kontakti kulturor midis popullsive të ndryshme që
banonin në Pashallëkun e Janinës.
Identifikimi i sa më
tepër objekteve që lidhen me historinë e shqiptarëve, qoftë dhe në muze jashtë
Shqipërisë, shpjegimi dhe saktësimi i të dhënave rreth tyre, e pasuron kulturën
shqiptare dhe i jep mundësi historisë të shkruhet më mirë, për vendin dhe rolin
e shqiptarëve në rajon.
Bibliografi:
·
CARTWRIGHT, Joseph.
[Eleven colored costume plates of northwestern Greece, including a portrait of
Ali Pasha], London, R. Havell, 1822
·
Fjalor i Gjuhës së Sotme
Shqipe. Akademia e Shkencave të R.P.S.SH., Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë, Tiranë: 1980.
·
Francois Pouqueville. Ali
Tepelena. K&B:Tiranë, 2009
Gazeta
Shqip. 7.06.2016
No comments:
Post a Comment