Sunday 26 October 2014

Futboll, politikë dhe marrëdhëniet serbo-shqiptare.



Vendimi më i fundit i UEFA-s për të dhënë fitore në tavolinë Serbisë 3-0 por edhe për ti hequr tre pikë në renditje, ngjan më tepër një vendim për t’i shërbyer interesave të politikës sesa sportit. Nuk është hera e parë kur ngjarje të tilla sportive si organizmi i një ndeshje i paraprijnë politikave të afrimit mes popujve. Nëse edhe hedhja e shortit ka qenë një gjë e tillë, të paktën UEFA duhet të ishte më e sinqertë dhe të kish deklaruar më parë se po bëhej nëpërmjet shortit të vet, një urë komunikimi në një konflikt. Në këtë rast paragjykimet do të ishin më të pakta pasi fundi fundit në politikën e ngurtë ballkanike nuk gjendet aq kollaj tuneli i dritës, por  kur vendos të sillet si një organizatë sportive ndërkombëtare dhe vendimin e jep si organizatë politike duhet ta kuptojë dhe të mbajë dhe koston morale të këtyre vendimeve.


Sunday 12 October 2014

Rekrutimi i errësirës – ISIS dhe realiteti social shqiptar



Një luftë e largët dhe një betejë pa ideal për shqiptarët, papritur nga të përditshmet dhe lajmet televizive, hyri në fillim në bisedat e zakonshme derisa u artikulua si shqetësim edhe në diskursin publik. ISIS dhe etniteti shtetëror i kalifatit islamik, një emër i nxjerrë nga arkivat e fillimit të shekullit të kaluar kur po jepte shpirt pas rënies së Sulltanit të fundit në Stamboll, ka ngërthyer botën mbarë me monstruozitetet dhe intolerancën, duke na kujtuar se vërtet kemi kohë që po mundohemi dhe themi që bota është bërë më e mirë, por në të, ka ende xhepa dhe skuta ku urrejtja ndaj Tjetrit dhe dhuna shihen si të vetmet mjete për të promovuar idetë dhe dogmat e ndryshme. Po çlidhje mund të ketë mes një Shqipërie të shpallur prej kohësh që prej themelimit të saj si shtet i pavarur kombëtar si sekularist dhe një xhihadi fondamentalist shumë km larg nesh?