Thursday, 2 August 2012

Çfarë ishte diktatura në Shqipëri? Dorian Koçi, Koço Danaj dhe Pëllumb Xhufi





Dorian Koçi

Historian

Proklamohet se Shqipëria ka pasur diktaturën më të ashpër në të gjithë Bllokun Lindor. Mbi çfarë kriteresh është dalë në këtë konkluzion?

Përsa i përket diktaturës në Shqipëri, ky është një përcaktim që është ndier që herët si perceptim, fillimisht nga përshtypjet dhe mbresat e atyre që mundeshin të arratiseshin gjatë sistemit monist dhe pastaj menjëherë pas ndryshimeve demokratike kur filluan të zbulohen një nga një shkallët e arkitekturës të së keqes.
Disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë perceptim është lufta shumë e ashpër e klasave e zhvilluar si në asnjë vend tjetër të ish Lindjes Komuniste, luftë që shkonte në mohimin e disa të drejtave elementare të njeriut si e drejta për të votuar, arsimuar, liria fetare etj. Mbi të gjitha rasti shqiptar në këtë drejtim është i veçantë pasi përgjegjësia kërkohej kolektive, pra në të gjithë rrethin shoqëror të atij që dënohej si kundërshtar i regjimit dhe jo mbi baza personale. Ndalimi dhe nxjerrja jashtë ligjit e fesë është një faktor tjetër që ndikon në këtë drejtim pasi Shqipëria përherë të parë në botë e shkruar në kushtetutë u bë vendi i parë ateist në botë. Së fundi, shkalla e izolimit të Shqipërisë ishte nga më të lartat në botë, ku Shqipëria u bë më pak e njohur për të huajt në botë pasi kish shumë vështirësi për ta vizituar por dhe liria e lëvizjes për shqiptarët ishte minimalisht zero, çka çoi në perceptime dhe vështirësi të mëdha të qytetarëve shqiptarë kur u ballafaquan për herë të parë me Perëndimin.
Çfarë do të veçonit si veprimin me pozitiv dhe më absurd të diktaturës?

Një nga veprimet më pozitive të regjimit të kaluar ishte nxitja për t’u arsimuar dhe shtrirja e një rrjeti arsimor të konsiderueshëm në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që arsimimi ofrohej brenda të ashtuquajturit trekëndësh revolucionar “Mësim-Punë-Kalitje” por kur mendon se në vitin 1945 Shqipëria ishte në masën 90% analfabet dhe brenda një 20-vjeçari kjo shkallë analfabetizmi u ul shumë ndjeshëm, mund ta klasifikosh si një veprim pozitiv. Arsimimi i popullsisë dhe nxitja për të pasur një jetë sa më sociale krijoi premisa të mjaftueshme për të krijuar elita intelektuale që bënë të mundur tranzicionin politik në Shqipëri. Për sa i përket veprimeve më absurde besoj se është izolimi i vendit, ku qysh prej kohëve shumë më të vjetra shqiptarët s’kishin parë një ndërprerje kaq drastike me Evropën, por dhe me zhvillimet kulturore të kohës. Shqipëria në fillimet e viteve 90’ ishte po aq e panjohur sa dy shekuj më parë kur studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), shkruante “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”.


A mund të themi sot se Shqipëria ka kaluar nga diktatura në një demokraci bolshevike?

Nuk besoj se kemi të bëjmë me një demokraci bolshevike pasi mendoj se janë dy terma që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Bolshevizmi, varianti i komunizmit rus e pranon hapur diktaturën e proletariatit si armë në duar të masave për të vendosur drejtësi e në këtë kontekst s’mund të ketë demokraci që mbijeton me diktaturën. Ajo që mund të vërejmë është një përshkallëzim drejt variantit Putin të demokracisë ku situata politike post komuniste është më tepër një parodi e demokracisë liberale sesa një shoqëri e hapur që aspiron për prosperitet. Promovimi i koncepteve demokratike si zgjedhjet, liritë dhe të drejtat e njeriut krijojnë premisat e një shoqërie në dukje demokratike por deformimi i tyre në një farsa elektorale i japin tonet e një shoqërie autoritariste. Askush nuk është i sigurtë nëse në Kremlinin e sotëm ka më tepër liri, duke venë në dyshim se liria dhe demokracia mund të korruptohen duke u paraqitur si fasadë e një regjimi autoritar. Këtë lloj modeli të financuar dhe nga burimet e gazit dhe energjisë si dhe nga oligarkitë e shumta që kontrollojnë tregjet financiare të Rusisë dhe Azisë Qendrore, për fat të keq ngjan shpesh herë se përpiqet të implementohet në Shqipëri nëpërmjet të njëjtave tipareve, ndaj është shumë e nevojshme që 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian që përbëjnë në thelb dhe një paketë të tipareve themelore të demokracisë liberale të bëhen pjesë e diskursit dhe vullnetit politik të politikës shqiptare për të realizuar integrimin e plotë në BE ku rreziku i shkarjes së vendit drejt autoritarizmit është shumë herë më i vogël.

Koço Danaj

Z. Danaj, si do ta përcaktonit regjimin e para viteve `90?

Në Shqipëri nuk ka pasur diktaturë. Ata që flasin për diktaturë duket se nuk e dinë kuptimin ose nuk e njohin gjendjen e Shqipërisë të asaj kohe. Pse? Sepse në diktaturë gjithmonë ka rezistencë ndaj regjimit. Në Shqipëri nuk ka pasur rezistencë. Atëherë, çfarë ka pasur? Regjimi që ka qenë në Shqipëri deri në vitin 1990 ishte totalitarizëm. Pra më shumë se diktaturë. Thelbi i totalitarizmit është frika, jo forca. Kur krishterimi u shndërrua në doktrinë politike, lindi inkuizicioni. Kur komunizmi i shndërrua në doktrinë politike, lindi totalitarizmi. Pra kemi të bëjmë me dy fe që shndërrohen në doktrina politike. E para zgjati 300 vjet, e dyta 100 vjet.
Mendoni se ka qenë udhëheqja e asaj kohe e rrezikuar në atë moment? Çfarë mendoni se janë kontributet dhe të metat e atij sistemi?

Si rregull diktaturat kanë frikë nga populli, ndërsa në kaluarën, populli jonë u armatos dhe armët i mbajti në shtëpi në kuadër të konceptit të popullit ushtar. Pra diktatura dhe diktatori siç thoni ju, ia dha popullit armët në shtëpi dhe ai nuk i përdori kundër. Është një problem që duhet analizuar. Tjetër, dekorata më e lartë në atë kohë ishte dekorata "Hero i Popullit". Në Shqipëri me këtë dekoratë, u dekoruan 134 të rënë në luftë që nga Lidhja e Prizrenit deri në vitin 1960. Nga këta, vetëm 47 ishin komunistë, të tjerët ishin komitë, bejlerë, agallarë etj. Për shembull: Abdyl Bej Frashëri, Ismail Bej Qemali, Dedë Gjo Luli, Bajram beg Curri, Luigj Gurakuqi, Sulë agë Vokshi, Sado Koshena, Selam Musai, Qerime Shote Galica. Një pjesë e atyre që u dekoruan me këtë dekoratë ishin nga Kosova, duke filluar nga Isa Beg Boletini, Hasan bej Prishtina, Hajdar beg Dushi, Xhevdet Doda, Shote Galica, Ymer bej Prizreni, etj. Ju e dini se kriteret për monumentet ishin shumë të rrepta. Lartësia e monumentit varej nga rëndësia e individit. Kthejuni pas me kujtesën tuaj. 100 metra larg monumentit të Skënderbeut ishte monumenti i Leninit dhe përballë tij ishte i Stalinit. Nëse do të hipnit Leninin mbi Stalinin dhe do t’i çonit tek monumenti i Skënderbeut, do të shikoni se koka e Leninit mbi Stalinin arrin vetëm tek bishti i kalit të Skënderbeut. Me ndryshimin e sistemit, flamurit kombëtar të regjimit totalitar të asaj kohe iu ndryshua vetëm 5 për qind të sipërfaqes, thjesht iu hoq një yll, ndërsa flamujt e të gjitha vendeve të tjera të lindjes ndryshuan nga 100 për qind deri në 70 për qind. Udhëheqja komuniste e Shqipërisë është e vetmja udhëheqje që mbajti dy pleniume për dashurinë. Këtë nuk e hasim në asnjë vend të lindjes. Regjimi i kohës së Enver Hoxhës, ishte nacional-komunist.
Mendoni se sot jetojmë në një diktaturë demokratike...

Shqipëria aktuale në thelb nuk është shtet, por një vilajet neo-otoman. Ajo më shumë se gjysmën e saj e ka jashtë kufijve të saj shtetërorë. Thelbi i vilajetit është ose totalitarizmi ose autoritarizmi. E duke qenë kështu, pas viteve 90 kemi pasur dhe kemi të bëjmë me autoritarizëm, herë brutal e herë të maskuar. Parakushti i demokracisë është shteti-komb. Sa kohë që shqiptarët nuk do të kenë atë, do të kenë ose totalitarizëm ose autoritarizëm.

Pëllumb Xhufi

Pse diktatura komuniste në Shqipëri njihet si më e forta ndër vendet e Lindjes?

Me siguri që Shqipëria ka patur diktaturën më të egër mes vendeve të Lindjes. Këtu nuk përjashtohet aspak faktori individual, pra karakteri dhe personaliteti i E. Hoxhës, i cili ishte më i ashpër se çdo diktator i Lindjes, edhe pse ishte ndër udhëheqësit komunistë më të mësuar e të edukuar të Lindjes. Vetë pasardhësi i tij, R. Alia, nuk e pati ashpërsinë e tij. Por konsideroj po aq të rëndësishëm disa faktorë objektivë, që përcaktuan komunizmin e ashpër shqiptar. Shqipëria ishte një vend homogjen nga pikëpamja etnike, por i ndarë nga pikëpamja krahinore, fetare, kulturore. Për rrjedhojë, logjika e “homogjenizimit” shoqëror e ndjekur nga regjimi komunist materializohej nëpërmjet shtypjes e sheshimit me dhunë të veçorive të tilla specifike. Gjithashtu, nuk mund të le pa përmendur edhe një lloj kulture varësie, që ishte krijuar në Shqipëri para dhe pas shpalljes së shtetit shqiptar, në 1912: historia na ofron shembuj të shumtë që provojnë se politikanë shqiptarë shpesh herë kishin lidhje të natyrave të ndryshme: materiale, kulturore, afektive apo edhe agjenturore me shtetet e huaja. Dihet tashmë, se E. Hoxha e kishte obsesion këtë “varësi të dyfishtë” të bashkëpunëtorëve të tij, shumë prej të cilëve i eliminoi pikërisht si “agjentë” e “poliagjentë” të të huajve. Më në fund mos harrojmë, që në xhepa të caktuara të shoqërisë shqiptare ishin krijuar celula historikisht të lidhura e të paguara nga shërbimet e huaja. Ky është rasti i krerëve të ndryshëm në Dibër e në Malësi, i familjeve të ndryshme në Korçë apo në Himarë, të cilat gjatë regjimit komunist u goditën edhe për këtë arsye. 
A mund të veçoni arritjet dhe të metat e regjimit?

Në planin e brendshëm ishin vërtet mbresëlënëse hapat për zhdukjen e analfabetizmit, për zhvillimin e arsimit e të shkencës, për zhvillimin e shëndetësisë, emancipimin e femrës shqiptare, për sheshimin e dallimeve ekonomik, sociale e kulturore mes krahinave të ndryshme të vendit, masat për elektrifikimin e  për zhvillimin e industrisë e në veçanti të asaj ushqimore e të minierave, masat për modernizimin e bujqësisë. Natyrisht, hapat pozitive në këto drejtime kombinohen edhe me fenomene negative, siç ishin ai i kolektivizimit ekstrem të bujqësisë (kujtoni tufëzimin katastrofik të bagëtisë në 1980), ngritja e disa degëve të industrisë së rëndë, që rezultoi jo ekonomike dhe e dëmshme për mjedisin, etj. Në planin e jashtëm, gjithnjë duke qëndruar brenda logjikës së regjimit komunist, mund të konsideroj pozitive politikat që kishin në themel mbrojtjen e pavarësisë, integritetit territorial e dinjitetit të shtetit shqiptar, siç ishte rasti i largimit të bazave sovjetike nga Vlora, i qëndrimit të fortë ndaj kërcënimeve për luftë  të regjimit të kolonelëve të Athinës, në vitet 1967-1969, i daljes nga Traktati i Varshavës në 1968, i dënimit të agresionit sovjetik kundër Çekosllovakisë po në 1968. Vlerësoj gjithashtu si një akt politik pozitiv luftën e bërë në kuadrin e OKB për pranimin e Kinës në atë organizatë, në vitin 1971. Por mbetet një mister arsyeja ose arsyet që e shtynë në vitin 1977 E. Hoxhën të prishë marrëdhëniet e ngushta që kishte deri në atë kohë me Kinën. Dihet që ky hap ndikoi për të përkeqësuar shumë gjendjen ekonomike të sociale të vendit dhe për ta ashpërsuar edhe më tej regjimin diktatorial. 
A kemi të bëjmë sot me një demokraci bolshevike në vend?

Ose më mirë, në një paradiktaturë me simptoma bolshevike. Në fakt, jeta politike zhvillohet nën parullën bolshevike “gjithë pushteti PD-së”, gjë që kujton arketipin leninist “gjithë pushteti sovjetëve”. Është imponua një model demokracie, që nuk ka në themel meritokracinë, konkurrencën, barazinë e shanseve dhe të të drejtave, por që kuptohet si sundim i një pjese mbi një pjesë tjetër. Në këtë kuptim, është ndërtuar një administratë mbi baza të pastra partiake, e madje krahinore, gjë që ka rritur konfliktualitetin e brendshëm. Interesi i personit, i klanit dhe i partisë është vënë mbi interesat e vendit e të qytetarëve: mjafton të shihet se si po zhbëhen pasuritë e mëdha kombëtare të vëna me gjak e djersë nga gjithë shqiptarët, në emër të parullës antishqiptare “Shqipëria një euro”!


Gazeta Shekulli 02.08.2012


No comments: