Wednesday 22 July 2015

KOALICIONI QEVERISËS DHE RIORGANIZIMI I PARTISË SOCIALISTE



Debati më i fundit në gjirin e Partisë Socialiste për riorganizimin e saj është një debat i shëndoshë që i shkon për shtat së majtës shqiptare, e cila në dallim nga e djathta, gjithmonë ka lejuar rryma mendimi dhe korrente të ndryshme nga ato që konsiderohen si linja zyrtare. Në këtë kontekst, cilido mendim për të përmirësuar më tepër jetën e brendshme të partisë besoj se është i mirëpritur derisa në fakt t’i shërbejë dhe të jetë koherent me zhvillimet më të fundit të organizmit të partive simotra në Europë.


Wednesday 15 July 2015

Kur shuheshin pena dhe pushka e shqiptarisë...


100 vjetori i vrasjes tragjike të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit.

 Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen”  sërish për ti shërbyer interesave kombëtare.  Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për ti mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve. Në Shqipëri për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e Ballkanit por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë , ndaj dhe njerëzit dhe shoqëria janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo përkujtimi ndaj atyre që janë pranuar prej kohësh si vlera të mirëfillta kombëtare dhe personazhe të rëndësishëm që kanë mbizotëruar historinë e vendit.
Në mes të verës, në datën 15 korrik , shqiptarët përkujtojnë ditën e vrasjes të heroit kombëtar Çerciz Topulli dhe aktivistit kulturor dhe gazetarit Muço Qulli në Shkodër nga forcat malazeze të pushtimit, të denoncuar si patriotë shqiptarë nga konsulli grek që ua njihte shumë mirë aktivitetin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.


Eshtrat e Çerciz Topullit u morën në vitin 1936 dhe u rivarrosën në Gjirokastër sëbashku me vëllain e tij Bajo Topullin në një kodër paksa jashtë qytetit, vend i cili u kthye në një vend peligranazhi për çdo shqiptar që vizitonte Gjirokastrën dhe e ndjente veten të lidhur me idenë kombëtare. Ja se c'shkruante e lexonte ne mes te Sheshit qendror te Shkodres ne 1936 Pater Anton Harapi me rastin e percjelljes se eshtrave te Cerciz Topullit dhe te Muco Qullit: “Ndaluni! Ku veni burra?! Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!
…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
….T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.
Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”
Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh mbi shumëkombësinë, një modeli që Evropa po e braktis për veten e saj, ndaj për këtë arsye dhe për qindra arsye të tjera të ekzistencës së idesë kombëtare të shqiptarëve vlerat dhe idealet e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit duhen përjetësuar në djalërinë shqiptare.

Gazeta Java News 




Monday 13 July 2015

Srebrenica-ndërgjegjia e martirizuar e Europës.



Bllokimi nga ana e Rusisë në Këshillin e Sigurimit në OKB të një rezolute që do të dënonte Serbinë dhe serbët e Bosnjës për gjenocid të ushtruar ndaj boshnjakëve myslimanë më 11 korrik 1995, në masakrën më të madhe njerëzore të Pasluftës së Dytë Botërore mund të jetë shembulli më i mirë për të kuptuar se gjeopolitika në rajon nuk ka ndryshuar shumë që prej një shekulli. Ballkanit perëndimor i është kërkuar për më se 20 vjet të vazhdojë të demokratizohet, të mos shikojë pas nga e kaluara por në fakt kjo gjë ka tingëlluar si paradoks, për të vetmen arsye se njerëzit që organizuan Srebrenicën vazhduan të mbijetojnë në kulturën politike të rajonit.


Sunday 12 July 2015

Diplomati i harruar Rauf Fico...



Rauf  Fico lindi në Sana të Jemenit, më 13 mars të vitit 1881, në një familje me origjinë nga GjirokastraAi kreu arsimin fillor në mejtepin e Shkodrës dhe më pas vazhdoi shkollën Volksschule të Vjenës, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Stamboll. Në kryeqytetin osman, Rauf Fico kreu studimet e larta për shkenca politike e administrim në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore në Stamboll, që në atë kohë njihej me emrin “Mülkiye-i-Sehahané”. Ai përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe hyri në librin e artë të asaj shkolle.  


Tuesday 7 July 2015

Nevoja për një kod të ri moral dhe etik



Emri i një vendthi apo toponimi nuk mund të mbetet përjetësisht në memorie përmes ngjarjeve më të bukura që ndodhin aty, por edhe me ngjarje që godasin fort e të bëhen të shënuara në rrjedhën e kohës për ndërgjegjen e qytetarëve të të gjithë vendit. E tillë ishte ngjarja e vrasjes në pritë të dy turistëve çekë në fshatin Prekal në Dukagjin. Ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që emri i krahinës së Dukagjinit është kthyer në një makth për turistët çekë, pasi aty ka gjasa që u përsërit sërish një histori ende e pazbuluar e tre turistëve çekë që u deklaruan të humbur në vitin 2001.