Sunday, 12 July 2015

Diplomati i harruar Rauf Fico...



Rauf  Fico lindi në Sana të Jemenit, më 13 mars të vitit 1881, në një familje me origjinë nga GjirokastraAi kreu arsimin fillor në mejtepin e Shkodrës dhe më pas vazhdoi shkollën Volksschule të Vjenës, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Stamboll. Në kryeqytetin osman, Rauf Fico kreu studimet e larta për shkenca politike e administrim në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore në Stamboll, që në atë kohë njihej me emrin “Mülkiye-i-Sehahané”. Ai përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe hyri në librin e artë të asaj shkolle.  

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ra në kontakt me idetë e mjaft rilindasve dhe veçanërisht me ato të Naim Frashërit. Në tetor të vitit 1903, Rauf Fico u emërua nëpunës pranë valiut të Janinës. Në prill të vitit 1906, u emërua kajmekam në Konicë. Më pas, ai ushtroi detyra të rëndësishme në administratën osmane ku u shqua për aftësi dhe ndershmëri. Ndërkohë, Rauf Fico mbajti lidhje të ngushta me atdhetarë shqiptarë si Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butka e të tjerë, të cilët së bashku punonin në dobi të interesave të atdheut. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Fico ishte një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës në Kongresin e Manastirit.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ai braktisi detyrën në administratën osmane dhe së bashku me atdhetarë të tjerë shkoi në Vlorë. Në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali, u ngarkua me detyrën e këshilltarit të ministrit të Brendshëm, Myfit bej Libohovës. Ndërsa, në nëntor të vitit 1913 e deri në fund të janarit të vitit 1914, shërbeu si prefekt i Beratit. Në administratën e Princ Vidit, ai u ngarkua me detyrën e shefit të kabinetit të kryeministrit Turhan Pashë Përmetit. Me pushtimin ushtarak austro-hungarez, në shkurt të vitit 1916, Rauf Fico u emërua nënprefekt i Tiranës dhe shërbeu në këtë detyrë deri në Kongresin e Lushnjës. Gjatë kësaj periudhe, ai ndihmoi për hapjen e Strehës Vorfnore në Tiranë si dhe u përpoq që gjuha shqipe të përdorej në komunikimin zyrtar shkresor dhe verbal të nëpunësve të administratës vendore.
Rauf Fico hartoi dokumentet për organizimin e Kongresit të Durrësit të dhjetorit 1918. Pas Kongresit të Lushnjës të vitit 1920, Rauf Fico u emërua shef i seksionit të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në qeverinë e Sulejman Delvinës. Nga dhjetori i vitit 1923 e deri në janar të vitit 1926, ai u zgjodh deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese.
Në shkurt të vitit 1926, Rauf Fico hyri në shërbimin diplomatik shqiptar, pas dekretimit të tij si ministër fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë, me rezidencë në Ankara. Në vitet 1928-1929, ai u ngarkua me detyrën e ministrit fuqiplotë në Beograd. Më 14 janar 1929, Rauf Fico u dekretua ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe shërbeu në këtë detyrë deri më 6 mars 1930 kur ai dha dorëheqjen. Gazeta hungareze “Pester Lloyd” në datën 18 mars të atij viti shkruante: “Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i atij vendi, kur duhej të krijohej administrata e shtetit shqiptar, grumbulloi rreth tij njerëzit më të aftë që organizuan Shqipërinë e sotme. Ai është një nga diplomatët më të zotë”. Dorëheqja e tij nuk u pranua nga mbreti Zog, përkundrazi ai e ngarkoi atë me dy funksione: atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, deri më 20 prill të vitit 1931.
Rauf Fico ishte një poliglot, simpatizant i kulturës evropiane dhe i arsimit anglosakson. Ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, persishten dhe arabishten, greqishten dhe italishten. Nga viti 1936 deri në korrik të 1938, ishte ministër fuqiplotë në Athinë. Ai u përpoq të ndikonte tek qeveria greke, që ajo të merrte masa për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi duke ndjekur të njëjtën politikë që ndiqte qeveria shqiptare për arsimimin e minoritetit grek në Shqipëri.
Ai u ngarkua me detyrën e ministrit të Shqipërisë në Berlin, ku qëndroi deri kur u suprimuan përfaqësitë diplomatike shqiptare prej fashizmit, në qershor të vitit 1939. Rauf Fico kundërshtoi pushtimin italian të Shqipërisë.  Pas këtij akti, ai u internua në Itali. Pas shtatorit 1943, Rauf Ficos iu ofrua detyra e regjentit në Këshillin e Naltë, të cilën ai e refuzoi. Më 23 janar 1944, Rauf Fico vdiq në Tiranë duke i lënë familjes së tij dhe kombit tonë këtë përvojë dhe trashëgimi të pasur.

Vlerësime nga bashkëkohësit

Bashkëkohësit e tij e kanë vlerësuar dhe shprehur konsideratën e tyre për kontributin atdhetar të patriotit Rauf Fico. Më 1913, kur delegacioni shqiptar shkoi në Vjenë dhe Itali, Rauf Fico i ra në gjunjë ministrit të Jashtëm italian Scalea dhe i tha: “Shkëlqesi na ndihmoni të marrim tokën tonë Çamëri! … gjë e cila bëri përshtypje të madhe”.
(Eqrem bej Vlora, “Kujtime (1885-1925)”, (përkthyer nga Afrim Koçi), Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2003, fq. 325-326).

Gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Rauf Fico u ngarkua me detyrën e këshilltarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai shkoi në fshatrat e Skraparit, Vlorës, Mallakastrës dhe Tepelenës duke organizuar batalione vullnetarësh dhe armatosur ata me armët që dispononte Qeveriae Vlorës dhe së bashku me ta u vendos në mbrojtje të kufijve të atdheut. Në një telegram që Rauf Fico i dërgonte ministrit Mufid bej Libohova, mes të tjerave i shkruante: “Do të bëjmë çmos t’i hedhim grekët sa më poshtë e të lehtësojmë edhe çamërit tanë”.
(AQSH, Fondi 145, dosja 4).

Në diskutimet e Këshillit Kombëtar më 4 shkurt 1924, Rauf Fico i kërkoi kryetarit të parlamentit pa filluar të diskutohej rendi i ditës, të mbahej një minutë zi për vdekjen e presidentit të Amerikës Uillson, mik i madh i kombit shqiptar pasi shpëtoi shtetin shqiptar në ditët e tij më të vështira.
(PolitikaNr. 4, Vlorë, 28 shkurt 1924, fq. 2, “Dy vdekje” dhe “Historia e Popullit Shqiptar”, Vëll. III, Tiranë, 2007, fq. 218.)

Në seancën e pasditës të datës 20 qershor 1925 të paralamentit shqiptar, Rauf Fico do të betohej në mënyrë soleme: “Betohem në emër të perëndisë e mbi nderin tem, se kam për të ruajtur besnikërisht mëvehtësinë toksore të Shqipërisë, se kam për t’i ndenjur besnik atdheut e Republikës dhe për t’u dalun zot statutit e lëvizjeve të shtetit dhe se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithshme pa u penguem aspak prej interesash të veçanta, a krahine”.
(“Bisedimet e Dhomës së Deputetëve”, Legjislatura e Parë e vitit 1925).

Raufi ishte modeli i Administratës, ishte pasqyrë e atdhetarizmës së pastër. Ai jetës së tij nuk i dha ndonjë rëndësi, kurdoherë mendonte dhe qante për mjerimet e Atdheut.
(“Bashkimi i Kombit”, Tiranë, Janar 1944, shkrim i Hafiz Ali Korçës me rastin e vdekjes së Rauf Ficos)

Brenda dhe jashtë vendit ai ka mbrojtur të drejtat tona me gjithë fuqinë e shpirtit të tij burrëror.
(Gazeta “Bashkimi i Kombit”,Tiranë, 1944)

Raufi vuante kur vuante Shqipëria.
(Gazeta “Bashkimi i Kombit”)

Rauf Fico shqiptar nga origjina, por intelektual evropian nga kultura.
(Gazeta “Dielli”, Boston Mass.)

Faik Konica është shprehur se “Z.Rauf Fico, ishte ministri më i mirë i Punëve të Jashtme që ka pasur Shqipëria, njeriu që përmbushi idealin anglo-sakson. Mund të jap shumë prova por kënaqem vetëm me një. Zoti Fico është i vetmi që ka kuptuar se kryedetyra e një përfaqsuesi diplomatik është të ndritë mendjen e botshme në vendin e dërguar, duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me qarqet e shkrimtarëve, gazetave e shoqërisë. Para tij, përfaqsuesit diplomatik ngarkoheshin me punë të cilat u përkisnin konsujve. Z. Rauf Fico gjeti përqyes e çmonjës nder shum të huej, të paanshëm, që kanë vizituar shqipërinë, por veçanërisht ndër amerikanët”.
(Gazeta “Dielli”, Boston Mass., 14 nëndor 1930)


Gazeta Shekulli, 12.07.2015, fq 16-17




No comments: