Debati më
i fundit në gjirin e Partisë Socialiste për riorganizimin e saj është një debat
i shëndoshë që i shkon për shtat së majtës shqiptare, e cila në dallim nga e
djathta, gjithmonë ka lejuar rryma mendimi dhe korrente të ndryshme nga ato që
konsiderohen si linja zyrtare. Në këtë kontekst, cilido mendim për të
përmirësuar më tepër jetën e brendshme të partisë besoj se është i mirëpritur
derisa në fakt t’i shërbejë dhe të jetë koherent me zhvillimet më të fundit të
organizmit të partive simotra në Europë.
E rëndësishme është se përpara se të kërkohet respektimi strikt i statuteve të ngurtë, të shikohet dhe situata në terren, pasi ajo që vlen më tepër në sistemin partiak dhe përfaqësimit të tyre në Parlament është rezultati, vota, mandatet që bëjnë të mundur të realizosh përmes qeverisjes së mirë alternativën partiake.
E rëndësishme është se përpara se të kërkohet respektimi strikt i statuteve të ngurtë, të shikohet dhe situata në terren, pasi ajo që vlen më tepër në sistemin partiak dhe përfaqësimit të tyre në Parlament është rezultati, vota, mandatet që bëjnë të mundur të realizosh përmes qeverisjes së mirë alternativën partiake.
Pak
histori për zhvillimin e sistemeve partiake
Teoritë
mbi sistemet partiake mbështeten në platformën e pluralizmit partiak. Me
zgjerimin e pjesëmarrjes së kategorive të njerëzve në votim, edhe funksioni i
partive ndryshoi. Në këtë kontekst, partitë u shndërruan nga parti parlamentare
(elitare) në parti gjithëpërfshirëse dhe elektorale. Për të pasqyruar këtë
ndryshim, ndryshoi struktura organizative bazë e partive. Partitë kishin organe
drejtuese në qendër edhe në bazë. Anëtarët e partive që kandidonin në emër të
tyre për në Parlament duhej t’iu bindeshin disiplinës partiake. Ky rregull
zbatohej edhe për deputetët pjesëmarrës në Parlament. Mirëpo pas këtyre
ndryshimeve, partitë në përgjithësi dalloheshin për dy funksione kryesore të
cilat ishin. Së pari, funksioni i përmasave vertikale, e cila lidhet me faktin
e lidhjes vertikale midis partive parlamentare dhe qeverive partiake me
elektoratin që kishte kontribuar në marrjen e pushtetit nga partitë nëpërmjet
votës dhe së dyti, me funksionin e përmasave horizontale që lidhet me faktin e
misionit që kanë partitë në integrimin politik të shoqërisë. Për një kohë të
gjatë pas reformave të detyrueshme që ndërmori qeveria si kontrolli i
territorit, duke prishur ndërtimet pa leje, aksioni i mbledhjes së faturave të
papaguara të energjisë elektrike, reforma arsimore etj., u duk se pati një
shkëputje midis pritshmërisë së elektoratit dhe veprimeve të qeverisë. Votimi
masiv me po të njëjtën shumë votash në zgjedhjet e përgjithshme lokale, në fakt
tregoi të kundërtën, duke u lënë shumë Kasandrave analistë dhe politikanë vetëm
rolin e vajtocave, por jo të përçimit të drejtë të ndjesive popullore. Misioni
i Aleancës për Shqipërinë Europiane u konfirmua jo vetëm nga marrja e statusit
të vendit kandidat për në Bashkimin Europian por edhe nga një sërë
institucionesh të tjera ndërkombëtare që kanë vlerësuar performancën e qeverisë
shqiptare në këto kohë krizash ekonomike në Ballkan.
Funksionimi
i koalicionit qeverisës
Duke u
mbështetur në modelin qeverisës, edhe sistemet partiake ndahen në disa modele,
por modeli që është aktualisht qeverisës i njohur si Aleanca Europiane për
Shqipërinë konsiston në modelin e sistemit partiak dy plus një në modelin
konsensus (koalicioni qeverisës përbëhet nga dy parti që krijojnë shumicën
parlamentare (PS + LSI) pra është koalicion i një plus një partie (PDIU). Ky
model njihet si shembulli gjerman i qeverisjes dhe ka qenë shumë efektiv për
Gjermaninë gjatë zhvillimit dhe funksionalizmit të tij për modernizmin e
politikës së brendshme gjermane. Teoricieni i njohur i Demokracisë Liberale,
Xhovani Sartori, i ka klasifikuar sistemet partiake në dy grupe. Grupi i parë
quhet sisteme partiake të polarizuara ku partitë pjesëmarrëse në Parlament
shndërrohen në parti “shantazhi”. Ndarja e mandatave të deputetëve me diferenca
të vogla midis së majtës dhe së djathtës do të kishte rievoluar mandatet e
pakta të një partie, në mandate të arta për të siguruar shumicën e duhur, ndaj
votimi në mënyrë masive pro “Aleancës Europiane për Shqipërinë”, ishte një
mesazh që elektorati shqiptar i dha sistemit të mëparshëm të lodhur partiak.
Grupi i dytë quhet sisteme partiake të moderuara. Parti të tilla janë ato
parti, të cilat në programet e tyre elektorale si dhe në sjelljet e tyre
politike, karakterizohen nga cilësi të tilla si përfaqësimi, efektshmëria e
tyre në qeverisje, konsensusi (kompromisi) i parë si në prizmin e arritjes së
koalicionit në qeverisje, ashtu edhe para elektoratit gjatë marrjes së mandatit
qeverisës prej tij. Ky është shembulli tipik i funksionimit të Aleancë
Europiane për Shqipërinë, aleancë që ka rezultuar fituese në harkun kohor të dy
viteve 2013 dhe 2015. Një konsensus i gjerë ekziston në qeverinë e sotme
shqiptare si për sa i përket trajtimit të çështjeve urbano–rurale, të cilat
përfshihen si tema kryesore në programet e partive që përpiqen të rregullojnë
pabarazitë që ekzistojnë në ndërmjet zonave rurale dhe urbane përmes reformës
territoriale apo çështjeve etniko – kulturore, të cilat, në rastin shqiptar,
lidhen me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë së popullsisë
çame, të drejta të cilat ka dy vjet që janë bërë pjesë e ligjërimit publik të
qeverisë shqiptare.
Riorganizimi
i Partisë Socialiste
Parë në
këtë këndvështrim, organizimi më i ri i Partisë Socialiste do të jetë një vlerë
e shtuar për të majtën shqiptare, pasi do të bëjë të mundur përfshirjen e sa më
shumë shtresave, individëve dhe zërave të shquar të opinionit publik, në mënyrë
të tillë që kauzat politike dhe morale të shoqërisë të gjejnë prezantimin e
duhur dhe brenda strukturave partiake. Në këtë kontekst, përfshirja apo jo në
mbledhjen e radhës së Asamblesë së Partisë Socialiste të zgjedhjes së
kryetarit, përveçse mund të jetë një lajm ilustrues statutor, nuk përbën lajm,
përderisa koalicioni qeverisës dhe vetë Partia Socialiste doli fitues nga
zgjedhjet e radhës. Kauzat mbeten të njëjta, mirëqeverisje për të garantuar
prosperitet dhe mirëqenie, njerëzit që duhet t’i çojnë përpara këto kauza duhet
të jenë sa më të përgatitur. Hapja e negociatave për anëtarësim të plotë të
Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është më një ëndërr, por një realitet që
ka trokitur në dyert e qeverisë shqiptare. Sfidat politike dhe shoqërore të
këtyre negociatave kërkon parti elektorale të tipit të ri dhe Partia Socialiste
duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të ecë drejt kësaj rruge ashtu si
simotrat e veta europiane.
Gazeta Shqip 20.07.2015, fq 9
No comments:
Post a Comment