Konsilidimi i pashallëkut të Janinës do t’i
kushtonte shumë energji Ali Pashë Tepelenës, e për më tepër kur krahina e
Çamërisë e sidomos krahina malore e Sulit, në fillimet e shekullit të XVIII u u
trysnua nën presionin centralizues të pushtetit të tij. Në planet ambicioze të optikës
gjeopolitike, një nga kolonat kyçe që Pashai i Janinës e përdorte me mjeshtëri ishte
dhe diplomacia e përdorur prej tij si ndaj Portës së Lartë ashtu dhe me Republikën Franceze, gjë që do t’i shërbente në konsolidimin e pashallëkut.
Kush ishin Suliotët
Në këtë
tërësinë territoriale të Çamërisë, përfshihej dhe krahina e Sulit, në të cilën
banonin shqiptarë të krishterë, që
flisnin dialektin çam , të cilët kishin krijuar një bashkësi të pavarur
fillimisht midis katër fshatrave Suli, Qafa, Avariku dhe Samoniva dhe që
qeveriseshin në bazë të venomeve. Banorët e Sulit në fillim ishin vendosur në
këto katër fshatra shkëmborë afër njëri-tjetrit. Në fshatin Suli banonin
nëntëmbëdhjetë fise ose fara të përbëra nga 450 familje me rreth 2000 anëtarë
nga i njëjti gjak. Fist më të rëndësishme ishin ata të Xhavellajve, Boçarëve,
Drakove, Dangëllive, Kuconikëve, Karabinëve, Malemejve, Buzëve, Kallogjerëve,
Zarbenjëve, Papajanëve, Shahinëve. Në Qafa ishin katër fise që kishin 90
familje me afro 360-400 anëtarë. Këta ishin: Zervat, Pantazenjtë , Nikajt,
Fotenjtë; në Smonivë ishin tre fise: Bejkot, Dangëllenjtë dhe Irajt me 50
familje dhe rreth 200-250 anëtarë; në Avarik ishin tre fise: Salarenjtë, Bufajt
dhe Xhorazët. Në kohë të katër fshatrat morën emrin e përgjithshëm Suli. (Koli Xoxi.
Marko Boçari: fq,6). Më vonë në beteja
me osmanët për të ruajtur vetqeverisjen e tyre, këtyre fshatrave iu bashkangjitën
edhe 60 të tjerë të krishterë dhe myslimanë, të cilët u paguanin suliotëve
detyrimet. Më kryesorët ishin: Zavruho, Gliqi, Potamia, Nemica, Kocanohori,
Januzi, Zavarina, Gorica, Koritiani, Koroni, Koronopuli, Qeli, Turkopulako,
Spathari, Skandali, Shalësi, Kulluri, Cangari, Stanovo, Mukovina, Dragoveci,
Ardoshi, Sistruni, Romano, Alpohori, Vila, Sericani, Dervizani, Golemi, Lipa,
Toskësi, Çifliku, Zhermi etj të cilët gjendeshin 7 km larg Sulit. (Koli Xoxi.
Marko Boçari: fq 6 )
Krahina e
Çamërisë dhe bashkë me të dhe krahina malore e Sulit, në fillimet e shekullit
të XVIII u gjet nën presionin dhe tendencën centralizuese të pushtetit të Ali
Pashë Tepelenës që zotëronte kryeqendrën e pashallëkut Janinën që nga viti
1788. Njohjet dhe kontaktet e para të Pashait Tepelenas me Çamërinë kanë qenë që
më herët qoftë nëpërmejt kujtimeve të tij familiare pasi të paktën një kushuri
i parë i bababit të tij, Islam Beu dhe vet i ati, Veli Beu kishin qenë
pashallarë me dy tuje të Pashallëkut të Delvinës gjatë viteve 1759-1762,
pashallëk që kishte në zotërim edhe disa territore çame por edhe gjatë
aktivitetit të tij si Kryruajtës i rrugëve të Rumelisë, ku një pjesë e madhe e
rrugëve tregtare që lidhnin kontinentin me tregtinë me Korfuzin dhe Ishujt
Jonianë kalonin mes për mes territoreve të Çamërisë. Kjo politikë centralizuese
e Ali Pashë Tepelenës dhe përpjekjeve të tij për të fuqizuar pushtetin e vet do
do të binin në kundërshti me tendencat për një
autonomi lokale të konsiderueshme që gëzonte në radhë të parë krahina e Sulit,
autonomi të fituar prej shumë kohësh në konfliktet që kishte pasur me
pashallarë të shumtë që kishin qeverisur sanxhakun e Delvinës dhe atë të
Janinës por edhe bejlerët e Çamërisë.
Bashkësia e lirë e Sulit , jo më
larg se 50 km në jugperëndim të Janinës
ishte një vatër qendrese me të cilët kundërshtarët e Ali Pashë Tepelenës përpiqeshin gjithmonë t’i minonin pushtetin.
Ali Pashë Tepelena e dinte edhe që Janina ishte vetëm një parapost nga nuk mund
të sundohej Epiri po të mos shtihej në dorë Suli. Pukëvili shënon në veprën e
vet “Historia e ringjalljes së Greqisë” për rolin e suliotëve në koaliconet e feudalëve vendas në luftë kundër
Ali Pashës, se përdoreshin si shkëndijë e parë e një lëvizje të pergjithshme, kundër
tij. (François
Pouqueville:fq,65)
Konflikti i parë i Ali Pashës me Suliotët
I tillë ishte konflikti i parë i
tyre i vitit 1788 ku Ali Pashës iu desh të ndeshej me një beslidhje të
kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve të sanxhakëve të Delvinës e të Vlorës,
të cilën e përkrahën edhe autoritetet osmane për të ruajtur anarkinë në
Shqipërinë Jugore.Të shqetsuar prej ardhjes në fuqi të Ali Pashë Tepelenës në
sanxhakun e Janinës, sunduesit osmanë mbajtën një qendrim armiqësor ndaj tij.
Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga
sundimtari i Janinës; nxitën dhe ndihmuan me armë , me municione e me ushqime
suliotët e himariotët, i premtuan ndihmë kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që
paria çame dhe pashallarët e Delvinës e
të Beratit të lidheshin kundër tij. Të inkuruajuara në këtë mënyrë, të gjithë këto
forca filluan të lëvizin. Sidomos Suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër
trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania e malësisë së panënshtruar e të
vetqeverisur të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të saj përbënin një rrezik të
madh për pushtetin e Ali Pashë Tepelenës. Për të mënjanuar rrezikshmërinë e
suliotëve, për Ali Pashën kishte vetëm dy zgjidhje: ose t’i afronte që t’u
shërbenin interesave të tij, ose t’i nënshtronte me forcë. Duke i mbetur
besnikë lidhjeve të tyre me Republikën e Venedikut, suliotët nuk i pranuan
propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu filloi lufta e gjatë dhe e
vështirë që ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale brenda vendit. Kjo luftë
u gërshetua edhe me orvatjet e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë Jugore
nën një pushtet të vetëm politik, dhe për ti dhënë fund anarkisë. Në shkurt të
vitit 1789 ushtria e Janinës, që u nis kundër malësisë së panënshtruar të Sulit
, u detyrua të tërhiqej për shkak të kundërsulmit të malësorëve trima, por edhe
për shkak të komplotit të madh të mytesarifit të Janinës, që u përgatit nga
feudalët kundërshtarë brenda pashallëkut. Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen
me suliotët , të cilëve u pagoi shuma të konsiderueshme dhe iu vu punës për të
mënjanuar ngatërresat që ishin kurdisur prapa krahëve të tij(Historia e Popullit
Shqiptar:fq 640)
Lojërat politike midis oxhaqeve feudale
shqiptare
Popullsia malësore suliote duke i qendruar besnikë traditës së hershme të
mercenarizmit nuk e kuptonte se po përdorej në lojën politike dhe konfliktin e
hapur midis oxhaqeve feudale shqiptare
për zotërimin e Shqipërisë Jugore. Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve
kishte favorizuar lidhjen e një marrëveshje midis agallarëve të Çamërisë dhe
sundimtarëve të sanxhakëve të Delvinës dhe të Vlorës. Këta nuk e shihnin me një
sy të mirë ardhjen në fuqi të Ali Pashë Tepelenës dhe përforcimin e pushtetit
të tij për shkak të pasojave ekonomike e ushtarake ë do të sillnin ato në
sanxhakët e tyre. (Historia e Popullit Shqiptar:fq, 640)
Ndërkohë që pushteti i Ali Pashë Tepelenës përforcohej në Shqipërinë Jugore dhe
në Çamëri, pushteti perandorak osman pësonte një goditje të rëndë pas paqes së
imponuar në luftën Ruso-Turke 1787-1792. Ali Pasha Tepelena, i cili iu bind
thirrjes së Sulltanit për të shkuar në luftë, në të njëjtën kohë hyri në
letërkëmbim me Princin Potjomkin, pasi duke parë disfatat osmane në front ishte
shumë i interesuar për fatin e Pashallëkut të vet, nëse do të kishte një
disfatë të mundshme osmane. Princi Potjomkin i premtoi një marrëveshje të
favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte dërgimin e forcave ushtarake të
pashallarëve shqiptarë në luftë kundër Rusisë. Në shkurt të vitit 1791, Ali
Pasha zhvilloi bisedime të reja me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se
ishte gati të merrte anën e Rusisë në qoftë se i jepeshin garanci se pas luftës
do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të
flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e
veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të
pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali
Pasha premtoi të merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe
grekëve. Për këtë qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues
i pashallëkut, për njohjen e kufijve të territorit që do të zotëronte dhe për
ushtrimin e fesë nga myslimanët. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj
si myslimanët ashtu dhe të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte
që Rusia të kishte të drejtën e mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij.
Ali Pasha kërkoi gjithashtu që , në rast se kryengritja do të dështonte, Rusia
ta merrte në nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar nërshkimit të sulltanit. Më
në fund ai pranoi që si garanci të dërgonte peng në Petërburg njërin na djemtë
e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus. (Historia e Popullit Shqiptar:fq, 641) Si shikohet qartë nga teksti i propozimeve Ali
pasha Tepelena i dërgonte Petërburgut, synonte konsilidimin e pashallëkut të
tij edhe në formë trashëgimtare, njohjen e kufijve të pashallëkut të tij dhe
një tolerancë të admirueshme fetare për kohën. Ky pashallëk do të përfshinte brenda edhe
territoret çame që administroheshin nga bejlerët e Çamërisë dhe pjesa tjetër
malore nga suliotët. Mirëpo propozimet e tij nuk u pranuan, së pari sepse ato
nuk përkonin me rolin meseanik që kish ndërmarrë Rusia për të krishterët
ortodoksë në Ballkan por edhe pse në 3 janar 1792 u nënshkrua paqja në Jash
midis Perandorisë Otomane dhe Rusisë dhe politika ruse nuk ishte më e
interesuar për diversione të tilla politike brenda Perandorisë Otomane. Në të
njëjtën kohë situata politike dhe rendi nuk kishin qenë të qeta brenda
Pashallëkut të Janinës. Popullsia suliote në vazhdën e traditës së hershme të
mercenarizmit e banditizmit që lëvronte gjithandej në Ballkan, por ndoshta edhe
si një zbatues te politikave
destabilizuese brenda Perandorisë
Otomane të nxitur nga Rusia, kishin filluar një fushatë plaçkitëse që zgjati
nga pranvera e vitit 1791 deri në mbarim të saj. Përveç fshatrave dhe rrugëve
tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëlliçit dhe
Artës. Këto veprime i shtrinë deri në fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën
zëmërimin jo vetëm të çifligarëve, por ede të fshatarësisë së dëmtuar rëndë dhe
të zejtarëve e të tregtarëve të Janinës, të Artës, të Paramithisë, të
Margëlliçit etj dhe të qyteteve të lidhura ekonomikisht me to. Veprimet e
suliotëve nxitën e dhe aksion politik çka solli edhe bashkimin e kundërshtarëve
të Ali Pashë Tepelenës si Ibrahim Pasha i Vlorës dhe të bejlerëve çamë për tu
organizuar në një besëlidhje ushtarake kundër suliotëve. Në këtë beslidhje
morën pjesë dhe krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara. Por edhe këtë
herë sulmi i pashës së Janinës dështoi mbasi nën nxitjen e agjentit rus në
Korfuz L.Benaqi , u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhakëve fqinjë
dhe kapedanëve suliotë. Ali Pasha mënjanoi më parë suliotët. Besëlidhja nuk
arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi në ndihmë edhe Porta e Lartë , e
cila ndërhyri për t’i paktuar, duke vendosur marrëdhënie krushqie midis
qeveritarëve të Janinës dhe Beratit. Historia e Popullit Shqiptar:fq, 642)
Konsulli i mëvonshëm francez Pouqueville e përshkruan kështu sulmin e
forcave të Ali Pashës ndaj suliotëve: Ishte buzëpranvera e vitit 1792, kur Aliu
i përforcuar me kompanitë e armatolive , me trupat e bejlerëve të Çamërisë dhe
me një njësi ndihmëse që ia kishte shkëputur vezirit Ibrahim, u bë gati t’u
binte suliotëve. U nis nga Janina më 1 korrik dhe në krye të hordhive të veta
ngriti fushimin në afërsi të Paramithisë , prej nga do t’i niste sulmet, ndërsa
pesëmbëdhjetë ditë më vonë do t’i ngrinte flamujt pranë urës së Akeoronit, lumë
që sot e quajnë Gliqis.Suljotët ishin duke kremtuar Eurosantinë, festë e moçme
që është ruajtur në Thesproti qysh prej kohërave të pellazgëve, që nuk kishin
zot tjetër veç Qiellit dhe elementëve të tij, të cilëve u bënin therrori në
majat më të larta. Sipas zakonit të tyre, me afrimin e armikut suljotët i
kishin braktisur fshatrat e fushës dhe kishin bashkuar forcat që lart nga 1300
vetë në grykat e maleve të tyre. Aliu i mbajti armatolitë si gardë personale
dhe më 20 korrik u dha shenjën e betejës shqiptarëve myslimanë. Këta të fryrë
nga disapak fitore të pararojës dhe kryelartë që i kishin parë suliotët të
zbytheshin me avitjen e tyre, i mësynë me një sulm të përgjithshëm. Arritën
kështu , me pallë në dorë t’i zmbrapsnin suliotët e të depërtonin në grykat e
Tripës dhe të Shën Premtes. Kurrë nuk kishin mundur të shtyheshin kaq thellë;
suljotët, kur panë këtë skenë, ia dhanë një vikame që ushtoi deri në skutat më
të largëta të maleve të tyre. Sa u ndje kjo klithmë që lajmëronte rrezikun e
përbashkët , gratë e prira nga Moskua, gruaja e kapedan Xhavellës dhe nga
Kaidua , luftëtare po aq me famë sa Penteiseleja, endën që të merrnin pjesë në
betejë , dhe zunë të rrokullinin mollokë shkëmbi që , me trandjen e tyre ,
ngritën rrungaja të vërteta gurësh , që ranë dhe e shëmbën mu në mes kolonën mësymëse. Në këtë
gjendje koka e bandave që kishte depërtuar në grykë mbeti e shkëputur nga pjesa
tjetër , pa arritur të zërë pozione , dhe aty u thye; kurse praparoja arriti
t’ia mbathë pasi la në vend 740 të vrarë , të cilëve iu prenë kokat për të bërë
trofetë. Të tmerruara trupat u shpërndanë nga sytë këmbët, kurse vet Aliu u
vesh me petkat e Paleopulit , të cilit i ngjasonte shumë , dhe morri arratinë
në krye të 1000 vetëve, pjesa më e madhe armatolinj. (François Pouqueville. Ali Tepelena: 64-65)
Paqja e brishtë
Pas kësaj humbje të dytë, Ali pashë Tepelena
u mundua që të arrinte një paqe me suliotët dhe të konsilidonte pushtetin e vet
në territoret që zotëronte në rripin e ngushtë tokësor që kapte krahun e
djathtë te lumit Vjosa deri në krahun veripërëndimor të vargmalit të Pindit,
d.m.th hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë si dhe krahinat e Artës. Synimet e tij
shtriheshin drejt bregdetit dhe krahinës së Çamërisë , pasi ajo shërbente si
një hambar furnizimi për Korfuzin dhe ishujt e tjerë por prej andej mund të
siguronte dhe daljen në det, aq të rëndësishme për tregtinë e tij. Ali Pasha Tepelena i përkiste klasës së
ajanëve myslimanë, pushteti i të cilëve bazohej në mbrothësinë e tyre si
pronarë tokash apo tregtie dhe marrëdhëniet e veta me qeverinë qendrore.Në
vitet e qeverisjes së tij ishte shumë evidente dhe ngritja e shtresës së
tregtarëve të krishterë. Ky realitet i ri u pasqyrua dhe në një nga shtyllat e
politikës së tij të brendshme, e cila ishte mbështetja e tregtisë me vepra
zhvillimi. Tregtia me Evropën siguronte shpërblime të barabarta për tregtarin e
krishterë dhe ajanin mysliman. Ky i fundit furnizonte produktet bujqësore dhe
mbronte tregtarin. Të dy grupet donin një sistem të lirë e të hapur tregtie
brenda perandorisë dhe i kundërviheshin kontrollit dhe rregullave të qeverisë.(Charles&Barbara
Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920:faqe 22)
Këto synime do të plotësoheshin
shumë shpejt kur në horizont ndodhën ngjarje të mëdha ndërkombëtare. Në vitin
1796 filloi fushata Napoloniane në Itali dhe si rezultat i betejave të fituara
ndaj shteteve italiane, nënshtroi dhe Reublikën e Venedikut e cila zotërontë
Korfuzin, Ishujt Jonianë dhe katër qytete në stere përballë tyre: Prevezën,
Butrintin, Vonicën dhe Pargën. Me nënshkrimin e Traktatit të Kampio Formios
midis Republikës Francezë dhe Peranodrisë së Shenjtë Austriake iu dha fund në
vitin 1797 sundimit në këtë trevë të shtetit venedikas , zotërimet e të cilit
në ishuj dhe stere u vendosën nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u
shtrinë deri në kufijtë e pashallëkut të Janinës.(Historia e Popullit Shqiptar.
Toena :fq 642)
Këto qytete sëbashku me Ishujt Jonianë ishin
qeverisur për një kohë të gjatë nga Republika e Venedikut duke i parë si brez i
ngushtë mbrotjeje për zotërimet e tyre në Korfuz dhe ishuj , ndërsa Konispolin
dhe Filatin, qytete fqinjë të tyre i garantonte si qytete të lira, me një lloj
autonomie të brendshme. (Veli Veliu. Relacione
diplomatike ndërmjet Ali Pashës dhe Napoelonit (1797-1814). Vatra: fq 34)
Statusi dhe administrimi i tyre ishte njëlloj
si i zotërimeve të tjera të Venedikut në Dalmaci, Peleponez dhe Kretë. Përsa i
përket politikave që ndiqte ndaj faktorit shqiptar që ishte fqinj me të,
Republika e Venedikut pasi kish vërejtur tendencën kah anarkia të bujarëve
shqiptarë, venedikasit kishin organizuar një lidhje bejlerësh të bregdetit dhe
të gjithë popullatave të pavarura , të cilat të ndara për shkak të interesave
personale , nuk ngelnin pa u bashkuar kundër uzurpimeve të pashallarëve.
Venediku i mbronte zotërimet e tij kontinentale me me konfederatat joformale të
Çamërisë, Konispolit dhe Filatit, të cilat i mbante nën fre , Pashai i
Delvinës, kufitari më i afërt. (Veli Veliu.
Relacione diplomatike ndërmjet Ali Pashës dhe Napoelonit (1797-1814). Vatra: fq
47)
Republika e Venedikut ndiqte devizën e njohur
latine “përça dhe sundo” pasi nuk lejonte anjë faktor lokal të fuqizohej më
tepër se të tjerët dhe në këtë mënyrë të rivalizonte pushtetin e Republikës në
stere, pasi humbja e atyre territoreve sillte një vështirësi shumë të madhe për
furnizimin me drithë e lëndë të para të Korfuzit dhe ishujve të tjerë Jonianë.
Kështu me ndihmën e bejlerëve të Margaritit dhe Paramithisë, pengonte (pa
shkrepur asnjëherë), sulmet e pashait të Janinës. Kurse për të frenuar bejlerët
myslimanë dhe për të mbisunduar plotësisht çështjet e Shqipërisë, me dëshirën e
tyre, ai angazhonte popullatat e krishtera të Sulit dhe Himarës. Aq më tepër
nga viti 1788, Republika e Venedikut kishte sjellë ligjin , i cili i ndalonte
Pashait të Epirit të mbante bateri ushtarësh në distancë prej një milje
italiane nga deti dhe të fortifikonte godinën e doganës në Sallomonë, në
thellësi të gjirit të Ambrazisë. Kjo dispozitë u mbroj edhe me armë derisa
Venediku ishte fuqi. (Veli Veliu. Relacione
diplomatike ndërmjet Ali Pashës dhe Napoelonit (1797-1814). Vatra: fq 47)
Fqinjësia
e papritur me Republikën Franceze, një faktori të ri politik në Dalmaci dhe në
ishujt Jonianë solli dhe ndryshime në politikat e ndërsjellta midis dy palëve.
Sukseset e armatave franceze në Itali, i dhanë dorë Napoelonit që të përgatiste
fushatën e lindjes, ku një rol depërtues dhe kryesor do të luante pushtimi i
Egjiptit. Ky aksion do të ndërmerrej për të dëmtuar interesat ekonomike dhe
tregtare të Anglisë, ndaj dhe Direktorati dha miratimin e duhur pavarësisht
faktit se do ta armiqësonte Francën me Perandorinë Osmane. Për të lehtësuar fushatën
ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe
prirjet e tyre vetqeverisëse në dëm tëe pushtetit qendror të Sulltanit.
Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua të përkrahte Ali Pashë Tepelenën dhe
forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi i
këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte në interes të Republikës.
(Historia e Popullit Shqiptar. Toena: fq 642)
Ali Pasha Tepelena e shfrytëzoi shumë mirë
këtë miqësi dhe përkrahje për të realizuar synimet e tij territoriale drejt
Çamërisë dhe bregdetit të Jonit. Ai mundi t’u shkëpuste francezëve lejen për të
pasur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit dhe në këtë mënyrë bëri të mundur
që në gusht të vitit 1797 të ndërmerrte një sulm të befasishëm kundër bregdetit
shqiptar të Himarës. Si rrjedhim Ali Pasha shtiu në dorë pjesën kryesore të
këtij bregdeti nga Butrinit deri në Porto Palermo. (Historia e Popullit Shqiptar.
Toena: fq 642)
Ndërkohë
pas fushatës franceze në Egjipt, ishte krijuar një aleancë e re politike
ushtarake, ku Perandoria Otomane iu bashkangjit Anglisë dhe Rusisë. Francezët u munduan ta neutralizonin Ali
pashë Tepelenën duke i premtuar lavdinë nën përkrahjen e Francës, ose të paktën
të ruante neutralitetin po duke mos marrë pjesë në fushatën kundër rebelimit të
Paasvan Ogllusë, që po i shkaktonte shqetsime Potës së Lartë. Mirëpo Ali Pasha
Tepelena, iu bind urdhrit të Sulltanit për të marrë pjesë në fushatën kundër
Pasvan Ogllusë dhe në të njëjtën kohë la porosi të qarta bijve të tij për të
qenë të kujdesshëm ndaj kundërshtarëve politikë në pashallëk. Shpallja e
aleancës anglo-ruso-osmane i percipitoi ngjarjet më shpejt sesa mund të
mendonte Ali Pasha Tepelena për të siguruar synimet e tij terriotoriale drejt
bregdetit jonian. Kështu , pa pritur që të mbrrinte flota e aleancës së re që
do të dëbonte trupat franceze nga Ishujt Jonianë , trupat e tij sulmuan
garnizonet franceze në Butrint të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin
dhe më vonë Prevezën dhe Vonicën. Qytetin e Pargës nuk arriti ta merrte dot për
shkak të kundërshtimit të banorëve por edhe sepse arritën forcat ruse të cilat
e vunë nën zotërimin e tyre. Pukëvili njofton për një betejë të pabarabartë
midis forcave shqiptare dhe franceze, por impakti i këtyre ngjarjeve ishte
shumë më tepër ekonomik, politik e gjeostrategjik për Ali Pashë Tepelenën, që
në këtë mënyrë arritit të siguronte një port-skelë të rëndësishëm në bregdetin
Jon, si qyteti i prevezës dhe dy skela më të vogla si Vonica dhe Sajadha. Për fitoret e arritura Porta e Lartë e
shpërbleu më 1799 me gradën e vezirit, por kjo gradë ishte vetëm një akt
ngushullimi sepse me këmbënguljen e rusëve të cilët e shihnin Ali pashë
Tepelenën si një pengesë ndaj synimeve të tyre për të sunduar në Gadishullin
Ballkanik, qytetet bregdetare iu hoqën nga dora dhe iu dhanë portës së Lartë
për administrim. Porta e lartë caktoi një nëpunës të saj Abdullah Beun , i cili
qendrën e vet rezidenciale e kishte në Prevezë.
Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë
Ishujve dhe me këtë sanksinoi vendosjen e rusëve në Ishujt Jonianë. Kjo
konventë sanksionoi që edhe qytetet e bregdetit të pushtuara nga forcat e Ali
Pashë Tepelenës, të konsideroheshin si prona të Sulltanit, por Ali Pasha
Tepelena edhe pse largoi forcat e veta nga këto qytete, arriti ta manipulonte
të dërguarin e sulltanit. Prania e
rusëve në Ishujt jonainë, ndërhyrja e
mëparshme e tyre në Pargë si dhe përpilimi i konventës i ashpërsoi marrëdheniet
diplomatike midis dy palëve. Diplomatët rusë filluan të ndjekin politikën e
mëparshme të venedikasave, duke nxitur e përkrahur elementi e krishterë
shqiptar si suliotët dhe himariotët si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së
Jugut të udhëhequr nga Veziri Ibrahim Pasha i Vlorës dhe Mustafa Pashë Koka i Delvinës
dhe bejlerët e Çamërisë. Mustafa Pashë Koka, që në vitin 1798 kërkoi ndihmë nga
rusët për të rifituar Pashallëkun e Delvinës, mirëpo Ali Pasha Tepelena e
detyroi në tetor 1799 t’i nënshtrohej me forcën e armëve. Por rusët, pasi e
detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, kërkuan
sundimin e sanxhakut të Delvinës, t’ia jepnin agjentit të tyre, Mustafa Pashës.
(Historia e Popullit Shqiptar.
Toena: fq 643)
Konflikti përfundimtar
Të gjitha këto ndërhyrje të rusëve në
Pashallëkun e Janinës si dhe përkrahja e hapur ndaj kundërshtarëve të Ali pashë
Tepelenës, u dha zemër suliotëve, pavarësisht faktit se kishin një farë
marrëveshje me Ali Pashë Tepelenën për të mos e trazuar, ata e shkelën ujdinë
dhe të ndihmuar prej rusëve, filluan veprimet plaçkitëse brenda Pashallëkut. Në
të njëjtën kohë Ali pasha Tepelena arriti që të mësonte me eksaktësi nga
policia sekrete e tij se pas rezistencës së organizuar suliote dhe lëvizjeve
himariote qendronin misionarë rusë që zbarkonin në mënyrë të fshehtë dhe të
palighshme, prisnin kapedanë të rezistëencës suliote, kundërshtarë të Aliut në
bazat e tyre në Korfuz, Lefkadhë, Zaqintho, Santa Maura dhe i nxisnin për
komplotuar dhe përmbysur pashanë e Janinës.(Irakli Kocollari. Policia
sekrete e Ali Pashës: fq 24-25)
Në
këto kushte Ali Pasha Tepelena intesifikoi përpjekjet e tij për të eliminuar
qendresën suliote ndaj në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e
agallarëve kryesorë çamë, filloi ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë duke
përdorur një taktikë të re, atë të një rrethimi të fortifikuar që sa vinte dhe
ngushtohej. Qendresa e suliotëve sa erdhi dhe u dobësua pas këtij rrethimi dhe
as përpjekja e rusëve për t’in ndihmuar dhe as organizmi i një besëlidhje të re
nuk bënë të mundur që Suli të ruante lirinë e vet. Këto tendenca ekspansionuese
të Pashait Tepelenas do të binin në kundërshti me tendencat për një autonomi
lokale të konsiderueshme që gëzonin bejlerët e Çamërisë, të cilët për ti bërë
ballë pushtetit në rritje të Ali Pashës u organizuan në një besëlidhje sëbashku
me Suliotët në vitin 1802 kundër tij. Në
këtë lidhje morën pjesë Islam Pronjoja i Paramithisë, Dematët dhe Sejkatët e
Filatit, Çeparenjtë e Luaratit, Daljanenjtë e Konispolit, bejlerët e
Margëllicit, bejlerët e Delvinës dhe të Beratit. (Hajredin Isufi. Musa Demi dhe qendresa çame 1800-1947: fq,
13)
Gjithësesi në datën 25 dhjetor 1803 ,
malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli pashës, i
cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Në
këtë pikë të marrëveshjes nisi dhe një nga keqkuptimet më të mëdha, mids Ali
Pashës dhe suliotëve , pasi ky dëshironte që ata të vendoseshin brenda kufijve
të pashallëkut , pasi e dinte që nëse do të largoheshin , suliotët do të ishin
kundërshtarë të përjetshëm të tij. Ali Pasha premtoi se do t’u krijonte kushte
jetese, pune dhe shërbimi , ndërsa suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe
filluan luftimet me repartet e Vezirit. Në këto luftime ndodhi dhe heroizmi
grave të Sulit, të cialt sakrifikuan veten e tyre sëbashku me gjithë fëmijë
duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Zalongut. Pjesa tjetër e suliotëve u
vendos në Ishujt Jonianë dhe në Pargë, ku themeluan dhe regjimentin shqiptar
dhe ashtu si kishte parashikuar Ali pasha Tepelena do të vazhdonin luftën
kundër tij, duke marrë pjesë në inskursione të herë pas hershme plaçkitëse në
Pashallëk. Marrëdheniet e tyre do të vazhdonin të ishin të tendosura deri në
vitin 1820 kur fillon rebelimi i Ali Pashë Tepelenës ndaj Portës së Lartë.
Suplementi "Rilindësi", 12.06.2016, fq 19-20-21
Suplementi "Rilindësi", 12.06.2016, fq 19-20-21
2 comments:
sipas gojedhenave popullore, gruaja qe udhehoqi qendresen e grave suljote e qe ne fund bashke me te tjerat u hodhen nga shkembinjte per te mos rene ne dore te ushtrise se Ali pashait, quhej Tigrena dhe me gjasa ishte krushqi e vellait te Marco Bocarit, njerit prej atyre qe tradhetoi Kapedanin me aleancen e fshehte me Aliun.
Post a Comment