Monday 30 April 2012

Fundërrinat



Skeç



Ai(pasi e ka parë atë me një tjetër, dhe i zhgënjyer ): Po paske qenë një plehrë e vërtetë.
Ajo(gjysëmgaz) Ndaj vije gjithmonë mbrapa meje dhe më merrje era
Ai(gjysëm serioz) Gjithsesi tani u kujtova. Ti nuk e meriton të quhesh plehrë
Ajo(gjysëm me të tallur ) E përse?
Ai(serioz): Plehrat janë të mira se riciklohen dhe sjellin zhvillim në vendin tonë, kurse ti je e gjitha një degradim
Ajo(gjysëm me të tallur ) Ohu, po ku e di ti kaq mirë gjërat për plehrat?
Ai(serioz):E dëgjova në televizor nga njerëz kompetentë që thonë se Shqipëria do importojë plehra për tu zhvilluar.
Ajo(me ton sarkastik) Po mirë atëherë meqenëse ty të pëlqejnë dhe i vlerëson ato, atëherë unë po të them që ti je një plehrë.
Ai:(i menduar, nuk guxon të thotë faleminderit)
Ajo: (pa pritur ai të flas, shton përgjigjen që e falënderimit të tij të heshtur) Me nder qofsh!




Saturday 28 April 2012

Me syrin e një Klouni




A.K që iku në një ditë të trishtë
e trishtoi gjithë botën intelektuale shqiptare.


Maskat po bien
si gjethe peme në vjeshtë
drurët kanë mbetur
të thatë të shkretë
kanë humbur gjelbërimin
shkëlqimin dhe njerëzinë
qiriri është shuar
ka marrë arratinë.
Maska të reja janë vënë
me buzëqeshje të thata
s’di njeriu si të dallojë
gazin nga mandata
si hyjnë në punë,
as gugatjet e pafajshme
prej pëllumbi
së largu bota vazhdon
të duket njëlloj, 
projektuar
me syrin e një Klouni


Tiranë 28.20.2012





Friday 27 April 2012

Një President për të gjithë




Shtatori shënon hapjen e sesionit të ri të Parlamentit, dhe për rrjedhojë pritet që dhe konflikti politik të rikthehet sërish me forcën dhe shtrirjen që ka pasur gjatë gjithë këtyre dy vjetëve marrëdhënieje krize midis palëve. Duke mos dashur që të jemi pesimist për dialogun politik ndërmjet palëve, ky konstatim vjen më shumë si një pritshmëri e atyre çka është bërë publike në media dhe jo se është një parashikim profan i asaj se ç’mund të ndodhë me të vërtetë. Partia Socialiste ka deklaruar se do të rikthehet në Parlament dhe se atje do ta ketë tashmë fushën e betejës për gjithë problematikën që atë e shqetëson në lidhje me zgjedhjet, por dhe me një sërë problemesh që ajo mendon se duhen debatuar. Për të thënë të vërtetën, ky është një hap shumë i mirë, pasi Parlamenti mbetet tribuna e vetme ku mund të debatohet dhe jepen ide të ndryshme për çështje kryesore që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Shqipërisë në  Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste mund ta rifitojë kohën e humbur me bojkot përreth dy vjet dhe të kontribuojë drejtpërsëdrejti në jetën politike të vendit. Në fakt, ky hap i ndërmarrë, duke pasur parasysh që të dyja palët vijnë pas një “armëpushimi” të vendosur si rezultat i pushimeve, dhe toni relativisht të butë të deklaratave të shpërndara më tepër për çështje dytësore sesa për çështje themelore, do të qetësonte në masë dhe jetën politike në vend, duke i dhënë prioritet reformave elektorale dhe ekonomike të cilat janë të nevojshëm për ecjen përpara drejt planit me 12 pika që Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë për t’u plotësuar. Ky aksion politik bëhet dhe më imediat po të kihet parasysh se vendi, popullsia, biznesi dhe gjithë jeta shoqërore në vend janë të lodhur nga konflikti i vazhdueshëm e bllokues i reformave dhe në fund të fundit, jorezultativ për asnjë palë. Ndaj, ashtu si na është këshilluar edhe nga miqtë ndërkombëtarë, por dhe si nevojë e brendshme e shoqërisë shqiptare, e mira do të ishte që të dyja palët të hynin në stinën e re parlamentare me një axhendë bashkëpunimi për çështjet më imediate që i nevojitet stabilitetit makro-financiar të vendit dhe integrimit të tij në Europë.
Një pikë nevralgjike ku bashkohen, por dhe cenohen interesat e të dyja palëve është zgjedhja e Presidentit të Republikës në vitin 2012. Ndryshimet kushtetuese të miratuara në konsensus midis dy palëve më 2009 bëjnë të mundur që ai mund të zgjidhet me 70+1 vota, duke mos dashur më një shumicë të cilësuar. Kjo gjë bën të mundur që Presidenti mund të jetë një emër i propozuar nga mazhoranca, pasi edhe pse që nga fitorja e zgjedhjeve në 2009 mund të ketë pasur zëra që ta kenë cilësuar mazhorancën si të brishtë, votimet e shumta e të njëpasnjëshme në Parlament kanë treguar se ajo, në të kundërt, ka qenë shumë solide. Ndërkohë, një opinion i përhapur në media nga njerëz afër opozitës këmbëngulin se Bashkimi Europian me negociatorët e tij të krizës nuk do të lejojë kësaj radhe që Presidentin ta ketë sërish pozita, por ai do të zgjidhet edhe me vullnetin e opozitës. Nuk di se sa i vërtetë mund të jetë ky lajm, por që opozita po mendon seriozisht për të pasur mundësinë që të zgjedhë nga radhët e saj Presidentin, mund të analizohet edhe nga komentet e ndryshme që ka bërë kreu i opozitës për këtë çështje, i cili kur ka kërkuar sërish ndryshimin e Kushtetutës, ka përfshirë në këto ndryshime edhe zgjedhjen delikate të Presidentit nga 70+1 vota në një shumicë të cilësuar 84 vota.
Natyrisht që është e drejtë politike e gjithë partive politike që të dëshirojnë përfaqësimin në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, por eksperienca e treguar deri më tani në zgjedhjet e tyre ka rezultuar jo pozitive. Vlen të kujtojmë këtu se të gjithë presidentët e zgjedhur që nga viti 1997, qoftë kandidatë nga pozita, Mejdani 1997 dhe Topi 2007 apo konsensualë, Moisiu 2002 kanë pasur konflikte me ata që i zgjodhën. Kjo gjë, natyrisht, nuk ka ardhur vetëm sepse presidentët kanë dëshiruar që të zbatojnë shtetin ligjor duke mos iu bindur urdhrave politikë, siç mund t’i dëgjosh në intervista të ndryshme apo të lexosh në kujtimet e tyre, por sepse duke qenë pjesë të sistemeve dhe partive politike kur janë zgjedhur, ka rezultuar shumë herë që ata kanë vazhduar lojërat e tyre personale politike edhe kur janë zgjedhur presidentë. Këto realitete kanë sjellë një zhgënjim si për mazhorancat që i kanë zgjedhur, por dhe për elektoratin e thjeshtë, i cili papritur ka zbuluar “heroin” e vet negativ dhe pozitiv në atë që më parë kanë adhuruar apo nëmur. Po kështu, politizimi i skajshëm i jetës në vend duke zgjedhur sërish një person politik partiak nuk do të hiqte mënjanë renë e tensionit, por do të shkarkonte shumë më tepër elektricitet politik duke na e rritur dozën së tepërmi.
Në këto kushte, zgjedhja si President e një figure civile nga diaspora shqiptare në botë, që mbart në vetvete kulturën e dialogut të fituar në Perëndim dhe nuk është ingranazh i lojërave politike në vend dhe me autoritetin e tij influencon në ecjen përpara të reformave, do të ishte një zgjidhje që do i çlironte politikës shqiptare energji të reja dhe do influenconte drejtpërsëdrejti në çtensionimin e situatës. Shqipëria nuk do të ishte vendi i parë që do i drejtohej diasporës për të pasur një zgjedhje të tillë. Në momente kritike, edhe kombe të tjerë të Ballkanit i janë drejtuar diasporave të tyre për të emëruar funksionarë të lartë, siç ishte rasti i biznesmenit serb në SHBA, Milan Panic më 1993 në postin e kryeministrit, që brenda një kohe të shkurtër arriti të ndryshojë imazhin e Serbisë, pavarësisht faktit se klika e Millosheviçit nuk mund ta duronte këtë fakt dhe bëri ç’është e mundur për ta shkarkuar apo zgjedhja e ish-mbretit Simon si kryeministër në Bullgari në 2001, gjë që bëri të mundur që Bullgaria të realizonte pjesën më të madhe të reformave për t’u anëtarësuar më 2004 në NATO dhe tre vjet më vonë, më 2007, në Bashkimin Europian. Diaspora shqiptare ka shumë emra të tillë që mund të afrojë dhe që mund realisht të kontribuojnë për të bërë hapat e mëdhenj drejt integrimit të vendit. Në fund të fundit, atë që po kërkojmë është një president për të gjithë, larg pasioneve politike dhe interesave ekonomike tona dhe një pikë bashkuese në unitetin e kombit. Aq më tepër që zgjedhja e një personi të tillë do të inkuadronte dhe diasporën shqiptare për të kontribuar në problemet e vendit e në të njëjtën kohë, do të shërbente si një pikë e mirë referimi për gjithë brezat e diasporës. Për sa i përket Kushtetutës, që nënvizon se Presidenti duhet të jetë një shtetas shqiptar, kjo gjë besoj se është zgjidhur prej kohësh me mundësinë e dynënshtetësisë që gëzojnë prej kohësh shqiptarët e diasporës. Në mitologjinë e lashtë greke ka një mit, që kur qytetarët e një vendi nuk zgjidhnin dot mbretin, perënditë u dërgonin një të tillë me një shenjë që orakujt e lexonin dhe pastaj të gjithë e pranonin apriori. Ne nuk jemi në gjendje që të zgjedhim një president të paanshëm këtu në Shqipëri, por dhe në të njëjtën kohë s’mundemi vazhdimisht të pranojmë kandidatura të mbështetura nga orakujt modern – ambasadorët e akredituar në Tiranë - ndaj për të dëshmuar një pjekuri politike kombëtare, përderisa nuk e zgjedhim dot këtu brenda, le ta zgjedhim sërish një njeriun tonë, kësaj radhe nga jashtë, por shqiptar nga diaspora për të na përfaqësuar të tërëve. Konsensusi për një emër dhe një personalitet të tillë do të ishte fillimi më i mirë i legjislaturës së re të Parlamentit shqiptar.
Gazeta Shqip 30.08.2011


Wednesday 25 April 2012

Krusmë






Krusma.
Kërcëllima  kërcënuese
që vijnë nga përtej mesit të natës,
atje kur fillojnë këndojnë gjelat e parë
dhe sjellin kureshtarët e paftuar
që tregojnë gjithë historitë e botës
dashuritë, komplotet, incestet e botës së harbuar.
Ndal!Thoni  parullën tu lejojmë të kaloni
pa filluar ende të shkaktoni
 goditjen e pabesë midis ijës dhe zemrës
aty diku tek brinja e shtatë
duke shkaktuar krusmën më të vjetër në botë,
ku duhet të durosh lemerinë e krijimit
mes klithmash të ethshme të vajtimit,
ku duhet të përmbash veten për të mos  kafshuar
frytin e ndaluar nga pema e dijes
ku duhet të mësosh veten me të dhjetë urdhëresat
ku duhet ti ndjekësh e të bësh të gjitha shërbesat.
Por , çuditërisht  gaz dhe hare  të sjellë e ndaluara
që vjen nga brenda krusmës tënde
liria që të bësh atë që dëshiron,
qoftë duke e paguar shtrenjtë më vonë.....



Sunday 22 April 2012

Vdekja e Lotit





Zemra e pikëlluar
nuk ma fali më...
shpirti u tha
si bokërimë në mal të borëruar,
i mbetur qyq
si tempull i harruar.
Kish ndodhur gjëma
gaz në nëma.
Kish vdekur
ai i vogli
i trishti
loti.


Friday 20 April 2012

Shi i imët





Ky shi i imët
në palcë të prillit
 shqetëson pemët.
I zhvesh si beduinë
në mes të shkretëtirës,
lag pa mëshirë
skeletet e stinëve,
prish këngën e bulkthave të mjerë,
rrëzon yjet nga kupa qiellore
i bën komça të
kostumit të përzhitshim
të trishtimit.


Tuesday 17 April 2012

Në Antigone




Më prushon
ende në duar një gur
nga të Antigonesë së lashtë
ankthi i pashuajtur,
statujat e pambaruara
sarkofagët gjysmakë, 
ullinjtë e shkrumbuar
çerdhet e pëllumbave të djegur
ikja e ikanakëve të përndjekur
Më prushon
ende në duar një gur
nga të Antigonesë së lashtë...

Antigone 1994


Rrugëtimi i Idesë Evropiane


Ideja evropiane ka kohë që gjallon në Shqipëri. Në mendimin politik dhe kulturor shqiptar ai vjen i shprehur që nga fillesat rizgjimit të tij në  Rilindjen Evropiane, ku humanistë shqiptarë si Barleti e Marin Beçikemi promovonin Evropën dhe vlerat e saj e deri tek brezi i Rilindësve si Naim dhe Sami Frashëri që e shihnin të ardhmen e vendit të tyre në Evropë. Kjo dëshirë e elitës politike të shqiptare të të gjitha kohërave rezulton të jetë një trajektore në ngritje, që në mënyrë konstante përvijohet pothuajse gjatë gjithë etapave historike nëpërmjet të cilave ka kaluar Shqipëria. Gjithsesi historia e përafrimit të Shqipërisë në Evropë nuk rezulton të jetë vetëm një histori “dashurie” nga të dyja palët por në të ka dhe një sërë keqkuptimesh që kanë errësuar këtë marrëdhënie. Konferenca e Londrës në vitin 1913 dhe vendimet e saj kanë lënë një shije shumë të hidhur te shqiptarët, ngjarje që ka lënë gjurmët e saj në kulturën politike të vendit. Por pavarësisht këtyre keqkuptimeve  ia vlen të theksohet fakti se fryma pro evropiane ka vazhduar të gjallojë në Shqipëri dhe kushtet e reja të pas viteve 90’ kur Shqipëria iu bashkëngjit botës demokratike një nga parullat që ishte dominante në atë kohë ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Nisja e procesit integrues të Shqipërisë ka pasur një efekt të veçantë për të përqasur institucionet dhe jetën politike në vend me ato të Evropës. Për më tepër disa ngjarje që shënojnë dhe kanë një ngarkesë të veçantë historike përsa i përket përafrimit të Shqipërisë drejt Evropës e kanë përforcuar idenë evropiane në Shqipëri. Një ngjarje e tillë p.sh është vendimi për të liberalizuar vizat me Shqipërinë nga ana e Bashkimit Evropian, më 8 nëntor 2010, vendim që shënoi fundin e një kalvari të dhimbshëm të rrugëtimit të shqiptarëve drejt Evropës si dhe fundin e një politike nga ana e Bashkimit Evropian që mund ta kthente Shqipërinë në një nga getot e Evropës. Ky vendim i dha fund jo vetëm një odiseje të gjatë përpjekjeve të qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar në Evropë por ishte dhe një sinjal i mirë për Shqipërinë që tregonte se ajo shumë shpejt do të mund t’i bashkëngjitej  familjes evropiane. Vendimit të Bashkimit Evropian i korrospodonte një shifër shumë e lartë dhe entuziaste e qytetarëve shqiptarë që ishin pro hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shifër kjo shumë e ndryshme se e gjithë vendeve të tjera të ish Evropës Lindore kur kanë hyrë në Bashkimin Evropian. Në mendjen dhe penën e disa analistëve ky entuziazëm i qytetarëve shqiptarë është jo racional dhe vjen nga padija pasi në logjikën e tyre mendojnë se qytetarët shqiptarë rendin emocionalisht drejt idesë evropiane sepse kujtojnë sepse “kështu do bëhen të pasur”, kurse në të vërtetë ajo që ndodh është një mishërim i eksperiencës së mijërave e mijërave shqiptarëve që në kushte shumë të vështira kanë mundur të emigrojnë në Evropë dhe kanë arritur të kuptojnë mirë mekanizmin solidarizues dhe financues evropian.
Mirëpo kësaj pjekurie dhe orientimi të drejtë të qytetarëve shqiptarë përsa i përket idesë së tyre evropiane nuk po i përgjigjet jo vetëm sensi i gabuar i kritikës të disa analistëve në kritikat e tyre rreth dëshirës së qytetarëve shqiptarë për ta parë vendin e tyre në Evropë, por mbi të gjitha po e zhgënjen dhe klasa e vet politike, e cila që nga viti 2009 vazhdon të jetë në një konflikt të hapur me vetveten. Kjo situatë është ndoshta nga më paradoksalet krahasuar me ato të  vendeve të ish lindjes komuniste në momentin kur ato kanë qenë në prag të hyrjes së tyre në Bashkimin Evropian, pasi mbështetja  e qytetarëve të tyre nuk kanë pasur këto kuota të larta mbështetje sa ka aderimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nga qytetarët shqiptarë ,por mbi të gjitha dhe për kushtet dhe konditat që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë një vend kandidat nuk janë të njëjtat me ato të vendeve të tjera. Për cilindo që merret me studimin e Bashkimit Evropian si organizëm në transformim e sipër e ka të lehtë të kuptoj se shumë nga kriteret ekonomike që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë vend anëtar janë të vështira krahasuar me kapacitet ekonomike që vendi zotëron dhe po zhvillon. Teoritë e integrimit evropian në përgjithësi janë teori evoluimi përsa i përket dhe përmirësimit të standardeve hyrëse në komunitet. Kështu perfomanca ekonomike e Shqipërisë në momentin që do aderojë në komunitet nuk do të matet me ekonominë e vendit më të dobët në të por me një të mesme të përpjesshme të tre vendeve që kanë një zhvillim mesatar. Për shkak se ekonomitë e vendeve të tjera nuk qëndrojnë në vend, por përkundrazi duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian ato janë bërë dhe pjesë e zhvillimit dinamik të ekonomisë evropiane, Shqipërisë i duhet një perfomancë shumë më e mirë ekonomike dhe administrative për ta arritur nivelin e dëshiruar. Në këtë kuptim klasa politike shqiptare ka humbur shumë kohë në konfliktet e veta shkatërruese përsa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
 E vetmja “arritje” e politikes shqiptare ka qenë në mbjelljen e një fryme pro evropiane në vend. Ndoshta këtu ka vend për kritikë pasi që nga rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2002 e deri më tash qytetari shqiptar është “bombarduar” mediatikisht nga klasa politike se integrimi i vendit është çështje shumë e afërt. Kurse në të vërtetë , klasa politike  është nga të parët  që e di më mirë se të gjithë, se vendi nuk ishte i përgatitur as në 2002, as në 2005,2009 dhe për më tepër tani. Kjo mosgatishmëri e vendit, natyrisht nuk ka lidhje me vullnetin e qytetarëve për tu integruar , vullnet i cili në shifra mund të jetë nga më të mëdhenjtë në rajon, por me mungesën e infrastrukturës funksionale të demokracisë. Ndaj dhe Komisioni dhe Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian  duke parë këtë mosfunksionim të vërtetë të demokracisë në Shqipëri i kanë vendosur asaj një plan prej 12 pikash për tu plotësuar, plan që në thelb nuk është aspak një mënyrë për të larë duart nga çështja e integrimit të  Shqipërisë por përforcimi i disa tipareve të demokracisë liberale, një kusht i domosdoshëm për të plotësuar, po të kemi parasysh këtu rëndësinë që zë respektimi i demokracisë liberale në kriteret e Kopenhagenit.
Nga ana tjetër kjo ngecje e Shqipërisë drejt integrimit krahasuar me vendet e tjera ka një rrezikshmëri përsa i përket frymës pro evropiane në vend pasi aty-këtu ndihet tashmë në opinion një farë viktimizimi i fatit të Shqipërisë që lidhet ngushtë dhe me të shkuarën historike që zë fill që nga Konferenca e Londrës më 1913. E thënë ndryshe një pjesë e opinionit e sheh me dyshim afrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian pasi mendon se për disa vende ka standarde të tjera dhe qëndrime të tjera nga ato që zbatohen drejt Shqipërisë. Shqipëria për hir të së vërtetës ka një perfomancë të mirë ekonomike pothuajse si e atyre të  vendeve të tjera në rajon dhe si e tregon eksperienca e mëparshme e vendeve të tjera të pranuar në B.E , një pjesë të kritereve ekonomike janë anashkaluar nga Bashkimi Evropian duke u dhënë më shumë rëndësi  kritereve politike. Në 12 pikat që i kërkohen Shqipërisë të përmbushë , dy prej tyre kanë një peshë specifike të veçantë, reforma elektorale dhe reforma parlamentare pasi të tjerat mund të plotësohen me një vullnet të përbashkët brenda një seance votimi. Ky vullnet i përbashkët për të bashkëpunuar është një pikë më vete ku Shqipërisë i kërkohet që klasa e vet politike të nisë dialogun politik për të arritur në një konsensus mes vetes.
Por a mundet që këto kushte dhe kondita politike të mbajnë peng dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve për t’iu bashkangjitur familjes evropiane? Eksperienca dhe përvoja e ka treguar se Bashkimi Evropian është konsistent në kërkesat e tij, ashtu si ka treguar se kur ka një konsensus politik në vend, Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë vendime të kënaqshme për Shqipërinë. Një i tillë ishte vendimi i liberalizmit të vizave, ku si pasojë e tij brenda vitit të parë rreth 400.000 shqiptarë udhëtuan në hapësirën Shengen. Ata u treguan qytetarë të denjë evropianë duke mos shkaktuar as dhe një incident të vetëm apo kërkesa masive për azil politik, duke “zhgënjyer” në këtë mënyrë për fat të mirë dhe disa politikanë apo analistë që profetizuan se ky vend do të zbrazej i tëri. Qytetarët shqiptarë i kanë dëshmuar në këtë farë mënyre Bashkimit Evropian se janë seriozë në angazhimet e tyre dhe të njëjtën gjë presin që të tregojë dhe klasa e tyre politike ndaj tyre. Rikthimi i opozitës në parlament dhe fjalët e shprehura nëpërmjet liderit të saj se do të punohet për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë një votim të cilësuar janë sinjale të mira që gjërat më në fund po fillojnë të ecin mirë.
Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, përveçse anës estetike fsheh dhe një të vërtetë praktike brenda tij . Evropa diti të mbahej në kurrizin e demit sepse përveçse dashurisë dinte ta kapte “demin prej brirësh” si thotë një fjalë e urtë shqiptare. Po Shqipëria a do ta dijë tashmë të udhëtojë drejt “tokës së premtuar” ashtu si Evropa në mitin e vjetër? Dymbëdhjetë  rekomandimet e Bashkimit Evropian janë një busull e mirë drejtimi dhe aq më tepër në këtë rrugë nuk jemi të parët.

Gazeta Shqip 17.04.2012


Sunday 15 April 2012

Kthimi nga Golgota (Rënkimet e një idealisti)




Oh Zot!
Sa i vështirë
është kthimi
nga Golgota
i humbur , pa zë
si gur  varri
Monoton e i përzishëm, pa fjalë e ankth,
pa kurorë gjembash, kamxhik e kryq
Përbuzës, shklyes
i vetëm, qyq
Të qenit profet
vetëm dhe njëherë
Oh Zot, oh Zot!
Sa dhimbje sjell!
Dhimbje për ata
që të besuan,
gëzim për ata
që të urryen,
shpresë për Judët
përbuzje nga farisenjtë.
Oh Zot! Më jep e njëherë
mundimet , ankthin
gjembat, kryqin
në këmbim,
në ndërrim
të kësaj shurdhërie
që po çmend
Oh Zot!
Oh!
!








Friday 13 April 2012

Kërmijtë






Kërmijtë zvarriten
lënë pas jargët e neveritura
e fisi i tyre mburret e thotë
se ajo është “Rruga e qumështit”

Yjet mbajnë vesh si të shushatur
e zënë e këputen hapësirave kozmike
si hingëllima kuajsh të egër
nga dhimbja

Njerëzit,
një nga një i numërojnë
e zënë e thonë nga një dëshirë

Fisi i neveritur i kërmijve
padashur ngërthehet
në ëndrrat pa krye të njerëzimit




Sunday 8 April 2012

Skena partiake paraelektorale



Kodi Elektoral i  hartuar dhe i miratuar brenda pak ditësh në 2009 midis dy partive kryesore u duk në fillim se u drejtua kundër partive të vogla. Kjo ide u përforcua më shumë dhe nga revoltat deri në grevë urie që LSI dhe PDK ndërmorën në mjediset brenda parlamentit por dhe nga pragu elektoral që u ngrit duke bërë të pamundur për disa parti të vogla që të kishin rezultate inkurajuese në të gjitha qarqet e vendit. Mirëpo rezultatet e prodhuara nga zgjedhjet e përgjithshme më qershor 2009 ku asnjë nga partitë e mëdha nuk mundi që të merrte shumicën e mundshme për të krijuar qeverinë dhe aleanca e pashembullt e krijuar mes PD dhe LSI pikërisht për të bërë të mundur që të krijohej qeveria ngjallën debate në vend jo vetëm për moralin e këtyre bashkëpunimeve por dhe për mundësitë e veçanta që fiton një parti që arrin të futet në parlament në këtë sistem elektoral. Kur flasim për mundësira të veçanta na vjen ndërmend sistemi elektoral gjerman ku një parti si ishte ajo Liberal Demokrate bënte të mundur që të vendoste se kush do ta krijonte qeverinë , Bashkimi Kristian Demokrat apo Partia Socialdemokrate përgjatë viteve 70’-80’dhe pastaj si shkëmbim merrte poste të rëndësishme në çdo qeveri gjermane që krijohej. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi dhe këtu në Shqipëri ku LSI vetëm me 4 deputetë mori 20% të pushtetit duke përfshirë disa nga ministritë kryesore. Ky fakt i ditur tashmë duke parë dhe palëvizshmërinë e dy partive të mëdha për të bërë ndryshime thelbësore në kodin elektoral, ka ngjallur orekse të mëdha në figura publike që besojnë se duke krijuar parti të ndryshme politike dhe duke bërë një përpjekje maksimale për të fituar vota do të jenë në gjendje që ti imponohen partive të mëdha në momentin final të krijimit të qeverisë. Sigurisht  që nuk ka asnjë gjë të keqe që në vend të krijohen alternativa dhe parti të reja politike pasi një vend që është në konsolidim e sipër të demokracisë ka nevojë që ketë sa më shumë alternativa për të realizuar reformat e mëdha që kërkon vendi por kur këto parti të reja politike synojnë pushtetin si qëllim dhe manipulimin e zgjedhësve si mjet atëherë situata komplotet më shumë dhe bëhet pengesë për qeverisjen e mirë në Shqipëri.
Duke qenë se mesazhet kryesore për ndërtimin e një qeverie të qëndrueshme janë pasqyruar prej kohësh në programin e dy partive të mëdha apo dhe atyre të vogla aktuale,partitë apo e reja që kanë sinjalizuar se do krijohen po mundohen që të gjejnë mesazhe që nuk i shkojnë shumë për shtat shoqërisë shqiptare ose që nuk përfaqësojnë qëndrime të qëndrueshme ndaj elektoratit por mundohen që t’i mbledhin nën një çati të gjithë ata që quhen të “pakënaqur” nga të dy krahët e politikës. Kështu Aleanca Kuq e Zi ka gjetur nacionalizmin si ideologji frymëzuese dhe nuk po e mohon ambicien që kjo lëvizje mund të kthehet në një parti politike masive mbizotëruese në skenën politike shqiptare. Sigurisht që nuk ka asnjë gjë të keqe në këtë ambicie të saj pasi fundi, fundit të gjithë partitë politike synojnë pushtetin, por lloji i nacionalizmit që po ndjek lëvizja Kuq e Zi me aktivistë që kërkojnë të përleshen me doemos me armiq imagjinarë brenda truallit të Shqipërisë, aksione “hackerash” të site-ve të vendeve fqinjë apo propozime të çuditshme për njësimin e kampionateve të futbollit, propozime që duhet shumë mirë që s’janë në duar të shqiptarëve por të organizmave të lartë si FIFA që janë shumë rigoroz ndaj kërkesave të tilla, është një nacionalizëm që del përtej kornizave të zakonshme të nacionalizmit shqiptar. Ky tip nacionalizmi i Aleancës Kuq e Zi, e i mbartur për mëse një shekull nga fqinjët tanë  ka qenë përgjegjës për sjelljen e kaq shumë fatkeqësive në Ballkan dhe tashmë që shqiptarët që gëzojnë lirinë më të madhe politike se përpara nuk kanë pse bien viktima të ambicieve të mëdha politike të njerëzve të vegjël. Integrimi evropian i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë,Malit të Zi është zgjidhja më e mirë që shqiptarët mund ti japin dhe bashkimit të tyre kombëtar sesa kultivimi i urrejtjes etnike ndaj kombësive të tjera të Ballkanit. Të luash me zjarrin dhe sentimentet e një popullsie të ndrydhur për kaq e kaq vite sa nga represionet e fqinjëve sa nga izolimi komunist është e pandershme dhe manipuluese.
Në të njëjtën valë qëndrojnë dhe lëvizjet e disa figurave të tjerë që synojnë të mbledhin të pakënaqurit nga partitë politike të cilët zakonisht kanë qenë ish funksionarë të lartë qeveritarë dhe partiakë. Pikësëpari këtu lind një pyetje a e njohin dhe e pranojnë këta njerëz teorinë e qarkullimit të elitave? Përse qenka e thënë se dikush që hyn në politikë në një moment të caktuar u dashka të qëndrojë aty deri në pension? Fundi,fundit të gjithë këta janë provuar njëherë në poste drejtuese dhe nëse tranzicioni shqiptar ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë sigurisht që dhe ata kanë një pjesë të përgjegjësisë. Dëshira e ethshme për të fituar një apo dy deputet dhe pastaj të luajnë rolin vendimtar për formulimin e qeverisë mund të realizojë vdekjeprurëse për demokracinë shqiptare pasi në këtë rrugëtim të tyre drejt pushtetit kanë mbrapa një armatë të tërë militantësh që presin të shpërblehen dhe në aspektin moral sërish ka një manipulim të synimit së vërtetë dhe nevojës për reforma që ka shoqëria shqiptare.
Një reformë e menjëhershme dhe serioze elektorale sipas rekomandimeve të ODIR-it dhe OSBE-së do ti japë fund kësaj maskarade paraelektorale në të cilën pasionet dhe etja për riciklim të pamerituar në politikë po mbizotëron përditë në opinionin publik. Ky ndryshim në fakt do japë dhe një provë më tepër sesa të përkushtuar janë këta “personalitete” ndaj idesë së tyre fikse për ndryshim të Shqipërisë apo për ardhjen e tyre në pushtet me çdo kusht. Zgjedhjet e vitit 2013 duhet të jenë vendimtare jo vetëm për konsolidimin e demokracisë liberale në Shqipëri por dhe për lënien pas të mentaliteteve dhe ambicieve të vogla personale për të bërë të mundur që të realizohet ëndrra shekullore e shqiptarëve për të tu integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. 


Gazeta Shqip 9.04.2012


Kënga e Mërgim Evropianit*


Prilli është më i egri i muajve,
lind zambakët nga toka e vdekur
  T.S.Eliot 

Prilli ngarend si i egër
fushave të brishta të qenies sime,
çel si sythe ndjenjat e qashtra
nën një qiell të pikëlluar, të vrerët
Mbaj mend pranverën e shkuar
tonelatat e saj që feksnin
në të mbathurat e dimrit që ka veshur pranvera
kërkoj më kot një të verdhë të çiltërt,
por ngado llamburit një e kuqe e shndritshme
si ajo veneciane që çmendi Ticianin,
me të dëshiroj të bëj autoportretin e shpirtit
e të trupit tim të pakët e të mpakët
flokëve që kanë filluar të  zbardhen
duke kujtuar me mall kohën e largët
të xhinseve të zbardhura në vetëdije harrimi
bluzave të strëngura nga djersa e pikëllimi
kështu dëshiroj ti bredh sërish trotuaret
në kërkim të asaj që më ka ligështuar nga padurimi
në gjumë më shfaqen gjithmonë shoqet e mia
si bukuroshet e Kavabatës së mjerë
udhëtoj me to në sfilita mode
zyra shtetërore të dekoruara si seksshope
që buzë rrugëve ngjajnë si strehëza varfërore
për të mbledhur gjithë racën e dobët njerëzore
avioni i bukurosheve të fjetura
gjithmonë tek unë e ka gjetur një pistë
një aeroport të këndshëm , të ndriçuar, fluid
Gjithmonë kam dashur të gdhend në memorie
dëshira të flakta që s’di nga vinin
ndërsa lexoja “Jetë Paralele”
dëshira tu përngjaja heronjve , rritej, rritej
Qortoj kohën, fatin se radhë herë ëndrrën realizoj
sepse të drejtën me ngulm gjithandej kërkoj
s’di të gënjej për asgjë, naiv te Zoti
në apogjetë e stinëve që ndërrohen
vazhdoj të iki larg matanë detit e maleve
jetoj thjesht e  pa tronditje,
avangarda të mërzitshme e futurizmi të shpëlara
Përpiqem të kap momentin e jetoj kohën e humbur
që në atdhe të tjerë po e vjedhin
orën se shikoj kurrë e gjithmonë koha që vrapon
më bezdis , tmerrësisht më bezdis
i kam thënë ose më merr me vete
ose fiksohu e vdis
Por nuk trishtohem se mbi të gjitha
nuk harroj se  jam njëri
që përpiqem të përjetoj gjënë më të thjeshtë,
njerëzoren e kohërave të mia
edhe kur lindi dielli në mëngjes,
edhe kur çel një trëndafil
edhe kur shkëmbej një puthje
edhe kur vajtoj një humbje
nën parzme të lehta e stuhi të egra
të ledhatisë së jetës.
E kjo më besoni më bën më të fortë
e kjo nuk ju gënjej është gjëja më e lumtur në botë.  



Mërgim Evropiani është personazh i krijuar për të përfaqësuar gjithë emigrantët dhe njerëzit e tjerë shqiptarë të larguar në gjithë këto vite nga vendi i vet dhe që asnjëherë nuk e kanë gjetur veten,  sa herë kanë dashur të rikthehen sepse për fat të keq vendi i tyre s’u ka afruar asnjëherë dhe në asnjë moment asnjë gjë. Më shumë se 1.000.000 shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe japin kontributin e tyre modest në vendet ku jetojnë pa mundur të kthehen në atdheun e vet që e kanë gjithmonë në zemër.