Friday 31 August 2012

Dialogu dhe konsensusi i vjeshtës




Në javët e para të shtatorit mund të shikojmë arritjen e një konsensusi politik midis dy palëve brenda një seance parlamenti për çështjen shumë të debatueshme të heqjes së imunitetit të deputetëve.. Për të folur me tema më konkretë, Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet kryetarit të vet, Ilir Metës ka propozuar dhe ofruar ndihmën e vet për arritjen e një marrëveshje midis palëve pa i hyrë rrugës së gjatë, të stër mundimshme nga ana ligjore dhe me shumë shpenzime të referendumit. Si mund të vërehet lehtë politika shqiptare i ka mjetet dhe mundësitë për të dalë nga kriza artificiale pasi kur është mëse e qartë që të dyja palët janë dakord në parim për të njëjtën gjë, modalitetet dhe mjetet mund të gjenden kollaj. Në këtë kontekst roli moderator i LSI, një rol që pak u mendua kur u arrit marrëveshja qeveritare në 2009, por që koha përtej retorikës së dy partive të mëdha po tregon që është  pozitiv , mund të fillojë të rritet e të japë sinjalet e para se një politikë dialogu dhe konsensusi po troket në pragun e jetës sonë politike. E gjithë kjo përpjekje pozitive po bëhet për të pasur një mundësi më tepër që Shqipëria në këtë 100 vjetor të pavarësisë të ketë një shans më tepër për të fituar statusin e vendit kandidat, ndaj përpara se politika të fillojë sërish të ngatërrojë  togfjalëshat e Integrimit  me interesat e zgjedhjeve të ardhshme , mesazhi i këtyre përpjekjeve duhet të jetë i qartë jo vetëm për politikanët por dhe për masat më të gjera. Mirëpo edhe nëse ky realitet mund të shfaqet i ngatërruar për publikun e gjerë, në të njëjtën kohë ai  është shumë qartë i dukshëm për lojën politike që në vetvete mbart.
Që nga zgjedhjet e vitit 2009, kur u bë i qartë se pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese, sërish disa ligje kishin nevojë për një shumicë të cilësuar të përbërë nga tre të pestat për tu miratuar në parlament, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një loje elektorale në fillim apo dhe në fund të legjislaturave, ku shumica ka futur në rendin e ditës këto ligje për tu miratuar dhe opozita duke qenë gjithmonë vigjilente ka deklaruar se nuk do ti votojë. Pastaj ka pasur deklarata të forta nga të dy grupet parlamentarë në të cilat si zakonisht në kontekstin e shoqërive shqiptare, “faji mbetet jetim”, dhe akoma dhe më keq situata ka agravuar në sharje dhe fyerje të ndërsjella duke tensionuar më shumë klimën politike në vend. Për fat të mirë kjo pjesë e mundimshme e politikës është kapërcyer  me votimin e këtyre ligjeve por ka lënë pas kulturën e shkatërruar të dialogut që e shikojmë të zbatohet për çdo çështje të debatueshme midis pozitës dhe opozitës si është rasti i tanishëm i heqjes së imuniteteve.
Ky film me ngjyra, zë dhe figurë që opinioni publik po e sheh pothuajse gjithmonë në prag të dhënieve të opinionit të komisionit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë, i ka lodhur strukturat administrative ndërkombëtare  që merren me Shqipërinë por dhe ka krijuar një klimë mosbesimi brenda vetë popullsisë shqiptare përsa i përket arritjes së një marrëveshje politike mes palëve. Ajo që me të vërtetë duhet të na shqetësojë në këtë lodhje të tyre ndaj nesh nuk duhet të jetë ndonjë shpresë e vakët se për hir të mosmarrjes më me ne, do të ketë ndonjë “dhuratë” statusi sepse kështu ndoshta e kanë marrë dhe të tjerët, por si mendojmë ne se do të zgjidhim nga mënyra politike dhe administrative ngecjen në vend në procesin e integrimit. Se ku të çojnë statuset e pamerituara dhe të dhëna sa për inkurajim e tregon rasti i Greqisë që ndoshta ia doli mbanë për një periudhë kohe të hyjë në klubin e eurozonës dhe të quhet një shtet prestigjioz në arenën ndërkombëtare përsa i përket reputacionit të vet financiar, por tashmë po poshtërohet përditë në një krizë që e ka kapluar të tërën dhe që është bërë shpesh herë dhe objekt talljeje dhe cinizmi nga aleatët e vet të eurozonës. Ndaj kandili i shpresës së vakët për të përftuar një status me reforma mballomë duke votuar vetëm ligje me tre të pestat dhe duke hequr imunitetet por duke mos ndryshuar mentalitet përsa i përket zgjidhjes së problemit të ngecjes në vend të reformave duhet të fiket sepse në të ardhmen s’do të jetë në gjendje që të lëshojë qoftë dhe një shkëndijë drite në qiellin e jetës dhe politikës sociale shqiptare.
Po kështu duhet të fillojë të ndryshojë dhe deontologjia i konceptit  konsensus duke mos u përqendruar më tek fjala “jap” por duke u fokusuar tek folja lëshoj. Të hysh në një marrëdhënie konsensusi midis dy palëve do të thotë që të jesh gati të lëshosh dhe të ndryshosh disa nga qëndrimet e mëparshme për hir të interesit të përgjithshëm e publik. Po çfarë është gati të ndryshojë nga kërkesat  veta Partia Demokratike? Po ajo Socialiste çfarë është gati të ndryshojë nga pikat e saj? Këtu filli i problemit shqiptar fillon dhe ngatërrohet dhe nga një lojë e ndershme politike kthehet në një teatër kukullash ku personazhet e mirë dhe të këqij ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe pothuajse në të gjitha raste ngjallin simpati. Mirëpo nëse integrimi vazhdon të mbetet paradigma kryesore e teorisë së tyre politike, të dyja palët ka ardhur koha që të adaptojnë atë dhe në marrëdhëniet midis tyre ose të kenë kurajën dhe të shpallin një agjendë tjetër të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të Shqipërisë. Bota evropiane që mbart në vetvete dhe trashëgiminë e demokracisë antike greke e ka dialogun dhe konsensusin pjesë integrale të kulturës së vet demokratike prandaj është e patolerueshme që vendi ka ngecur institucionalisht sepse nuk është në gjendje të ketë një dialog të shëndoshë politik në vend. “Gur, gur bëhet mur” ishte përgjigja e një pyetje që një nga ambasadorët e huaj bëri kur u pyet se çmendonte rreth dialogut politik që duhet të fillonte në bazë të paktit të propozuar. Më hapur , më bukur dhe më shqip nuk ka se ku të shkojë. Të shpresojmë se vjeshta e lagësht është i përshtatshme për metaforat e ndërtimeve konstruktive në politikën shqiptare.

Gazeta Shqip 31.08.2012


Saturday 25 August 2012

Hardhia





                                      Hardhia është tharë
                                      Hardhia është plakur.
                                      Në dejet e saj ka shumë pak gjak,
                                      sa nuk ka mundësi të ma veremosë
                                       filxhanin e kafesë.
                                       Hardhia është mpakur,
                                        flokët i kanë rënë
                                        sa nuk mund të më japë  më gjethe,
                                         të bëj japrakë me ëndrrat-musht të saj.
                                         Hardhia është dobësuar
                                         s’mbahet dot në këmbë
                                         sa smund të më mësojë më
                                          si të përqafojë
                                         Por hardhia e mban mendjen në kokë,
                                         hardhia nuk është çmendur,
                                         sa të besojë fjalët e njërzëve që më urojnë
                                         çdo gusht
                                          Ta gëzosh pjergullën plot me rrush! 

Tiranë: 25.08.2012


Friday 24 August 2012

Gjenia poetike e amëshuar në emrin BORGES







Sot është një ditë për tu mbajtur mend, sepse më 24 gusht 1899 lindi Jorge Luis Borges, poeti i madh të cilit fati dhe yjet , i dhanë një trup që s'lë pas bij dhe verbimin që është hije-burg dhe pleqërinë -aurorë e vdekjes dhe famën që kërkush se meriton-për të cilin të gjithë (antologjitë , Enciklopeditë,studiuesit, lektorët), madje edhe "antikrishti" i vet, argjentinasi tjetër Sabato thonë se ishte figura më e rëndësishme e letërsisë së shekullit XX. Paradoksialisht Borhes nuk e fitoi asnjëherë çmimin Nobel por ai ka hyrë thellë në kulturën botërore si poeti dhe shkrimtari që i këndoi shumë natyrshëm çdo gjë që ishte njerëzore edhe pse shpesh herë përmes një skeptitizmi human që  rikrijon sipas trilleve të fantazisë së pashtershme sërish kozmosin.Sidoqoftë në gjithë këtë botë imagjinare e metafizike që ai u rrek të krijojë, nuk bën për vete teorinë e relativitetit të një mendje tjetër të madhe, Ajnshtanjit për ti konsideruar të gjitha vlerat njerëzore në ndryshim por shfaqet sa konservator po aq dhe modern, sa predikues dhe biblik po aq i revoltuar dhe futurist si në poezinë e mëposhtëme:

 Të drejtët

 Një burrë që ujdis kopshtin e vet ashtu si dëshironte Volteri.
 Kush kënaqet se në tokë egziston muzika.
 Kush me gazmend zbulon një etimologji.
 Dy nëpunës që në kafenë e Jugut luajnë shahun qetësisht.
 Poçari që paramendon një ngjyrë, një formë.
 Tipografi që faqos bukur radhët me të cilat mbase
  s'është njimend
  Një burrë e grua që lëçisin tercinat e fundme të një kënge.
  Ai që përkëledh kafshëzën tek fle.
  Kush përligj a do të shfajësojë të keqen që i kanë bërë.
  Kush është mirënjohës që në tokë lindi Stivensoni
  Kush pëlqen që e drejta tu takojë të tjerëve.
  Njërëz të tillë, që i shpërfillim, po shelbojnë botën.

Te Borhesi e përditshmja kthehet në hyjnore dhe e shenjta në përditshmëri që sakrifikon në të dy rastet në të mirë të njerëzimit. Brenda një sendi shoh të gjitha sendet-thotë diku tjetër në një poezi të tjetër të tij, pa e ditur se na ka dhënë vetë çelësin që ta kuptojmë atë më mirë por  dhe ne të njohim veten më mirë. Brenda veprës së tij-ne shohim veten dhe kështu vazhdojnë këta rrathë njohje deri në amëshim si një proces i pandalshëm që i përngjan ëndrrës që ai shkrojti për njeriun që shkruante një poemë të gjatë për njeriun.....

Burimet: Parathënie e përmbledhjes poetike nga Arian Leka
               



Thursday 23 August 2012

Prapaskenat e një vrasje politike



Në datën 13 gusht 1933 agjencitë telegrafike të Ballkanit përcollën lajmin se në Selanik ishte qëlluar për vdekje ish Kryeministri i Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina. Lajmi ashtu si pritej shkaktoi pështjellim në gjithë kancelaritë e Ballkanit, por reagimi më i  madh natyrisht ishte nga opinioni publik shqiptar këndej e andej kufirit.


Thursday 16 August 2012

Përmirësimi i rendit publik





Një nga aspektet kryesore të treguesve të mbarëvajtjes dhe qeverisjes së mirë të një vendi është siguria publike e shtetasve të vet. E konsideruar si një aset kombëtar që kërkon çdo ditë e më tepër përmirësim , ajo është gjendur e shprehur dhe në doktrinën kryesore të NATO-s  për të vlerësuar masën e stabilitetit të një vendi. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s që nga prilli 2009 është një nga vendet që ka nënshkruar hartimin e doktrinës më të fundit të NATO-s më 2010 në Lisbonë dhe rrjedhimisht është munduar që rendi dhe siguria publike të ketë vëmendjen e duhur nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Mirëpo, pavarësisht masave që është munduar të marrë Shqipëria në këtë drejtim duke filluar nga reformat moderne të ndërmarra në polici me asistimin dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë apo dhe ngritjes së një rrjeti më të mirë informimi për qytetarët, ngjarjet e ditëve të fundit , ku mbi të gjitha spikatin ngjarja në Poliçan dhe ajo e grabitjes dhe vrasjes së një qytetareje në mes të ditës në Tiranë ka tronditur gjithë opinionin publik. Edhe pse nuk mund të vihet në dyshim që këto ngjarje  nuk mund të hedhin poshtë gjithë atë punë fisnike të policisë në shërbim të qytetarëve, prapëseprapë shija e hidhur dhe tronditja që lanë pas këto ngjarje duket sikur e katërfishuan efektin negativ të këtyre krimeve te publiku.
Nuk e di se kujt mund ti shërbenin  skenat e transmetimit gjithë gjak të vendeve të krimit por shfaqja e tyre në ekran hedh dritë mbi një marrëdhënie të çuditshme midis medies dhe kriminalitetit. E quaj një marrëdhënie të çuditshme pasi ka një ndikim negativ në përgjithësi nga ajo çka pritet të përfitohet. Ndërsa me të drejtë ndoshta pritet që publiku të ngjethet nga tmerri  dhe të bëjë presion pozitiv ndaj organeve përgjegjëse sesi një sërë krimesh të mbetura pa autor tashmë të zgjidhen, publiku në fakt percepton një ndjenjë pasigurie kur shikon se skenat e krimit janë shumë afër qendrës së tij ku banon. Ideja se çdo person kalimtar që mund të jetë  fqinji i derës tjetër përballë apo një klient i rregullt i dyqanit tënd mund të jetë krimineli, është akoma më rrëqethëse ndaj dhe reagimi i popullsisë në të tilla raste nuk është admirues ndaj policisë por në të kundërt mund të kthehet në një bumerang. Sigurisht që nuk është hera e parë që ka transmetime të tilla apo pasqyrim të kronikës së zezë në faqet e para të gazetave dhe titujt kryesorë të edicioneve të lajmeve por këmbëngulja nga ana e tyre për ti pasur pasqyruar vazhdimisht në ballinë edhe pas kritikave të shumta që ka pasur ky fenomen, vlen shumë për të dëshiruar. Është e kuptueshme që në një treg agresiv ku secila media mundohet të mbijetojë kërkohen gjithmonë tituj që mund të nxisin kureshtjen e lexuesve dhe shikuesve por pas një maturimi të vazhdueshëm të shoqërisë shqiptare në fushat e konfidencialitetit dhe ruajtjes së privatësisë nuk mund të lihet tregu të vazhdojë të diktojë kushtet e veta. Përhapja e panikut dhe e pasigurisë nuk mund të vlejë për asnjë gjë, ndaj një trajtim më i vëmendshëm nga ana e medieve e këtyre ngjarjeve është i domosdoshëm.
Ne si shoqëri vazhdimisht jemi në kërkim të modeleve pozitive për rrezatuar në opinionin publik prandaj evidentimi i ngjarjeve të tilla krijon një problematikë të madhe te perceptimi i qytetarëve për rolin e shtetit dhe të policisë dhe te dëshira e tyre për t’iu bashkëpunuar me policinë. Ky aspekt i fundit është shumë domethënës dhe pothuajse tërësisht i munguar nga na e qytetarëve për shkak dhe të paragjykimeve që krijohen por dhe të kulturës së vakët politike në këtë aspekt. Ndërsa në Perëndim krimineli zakonisht gjendet si ishull i vetmuar në detin e informacionit që qytetarë të ndryshëm që dyshojnë për sjellje kriminale të tij raportojnë në polici, këtu tek ne në fakt krimineli është ishull i vetmuar në detin e indiferentizmit dhe “moskokëçarjes” së përzierjes me policinë. Një bashkëpunim më i mirë i qytetarëve me forcat e policisë dhe një ndërgjegjësim më i madh i tyre për të kuptuar se shteti nuk është assesi “armiku”, por miku më i mirë që të mbron jetën dhe pasurinë do ta ulte ndjeshëm shkallën e kriminalitetit në vend dhe do të siguronte një rend më të qëndrueshëm të sigurisë publike. Ndonjëherë ndryshimet e mëdha që i presim të vijnë si nga qielli mund të jenë një hap më larg nesh. Trajtimi më profesional i kronikës së zezë dhe rritja e rolit të qytetarit në ruajtjen dhe mbarëvajtjen e rendit publik mund të jenë dy hapa që mund të duken të vegjël por që në realitet janë dy shtylla kryesore prej nga ku mund ta fillojmë ta riparojmë godinën e dëmtuar të rendit publik pas këtyre ngjarjeve të fundit.

Gazeta Shqip 16.08.2012


Tuesday 7 August 2012

Shoqëria e panginjur…




Shoqëria jonë periferike ka shumë probleme të cilat sado që të mundohemi ti fshehim me një tis modernizimi urban e shoqëror,  nxjerrin kokën here pas here si në Poliçan apo sot në Tiranë. Në thelb të këtyre ngjarjeve të dhimbshme nuk fshihen as mungesa tradicionale e një jete sociale dhe as ndonjë tipar gjenetik i egërsisë si mundohen shpesh herë të na faturojnë të huajt, por braktisja e e njeriut tërësisht në kushte mizerable si papunësia dhe rendja drejt një pasurimi e karriere të shpejtë të pamerituar . Punësimin e kemi kthyer tërësisht në shërbim të politikës, ndërsa përfitimin e padrejtë në të gjitha nivelet qoftë në qeveri, qoftë në jetën sociale e kemi kthyer në një vlerë të qëndrueshme morale. Tronditemi kur marrim vesh lajme makabre për humbjen e bashkëqytetarëve tanë. Dikush nxiton të na ngushëllojë se kjo gjë ndodh gjithandej dhe se fajin e ka kronika e zezë e gazetarisë, dhe mesa duket kjo gjë mjafton sepse shumë shpejt mbyllemi në guackën tonë ku të qarkuar nga ngjarjet si në një rreth vicioz reagimin e vetëm e kemi të “harrojmë” dhe të lutemi në heshtje  se ndoshta nuk do të na ndodh ne fatkeqësia që ka pllakosur të tjerët. Në fakt, ky nuk është reagim, por vdekje e ngadaltë si akrepi që ngordh nga pickimi i bishtit të vet kur nuk ka rrugëdalje tjetër i rrezikuar nga zjarri. Helmi në bishtin tonë që Darvini dikur këmbënguli se ne e kishin pjesë të trupit tonë, është padyshim  indiferenca. Ne jemi indiferentë të tejskajshëm që për të arritur të realizojmë përfytyrimet tona për një jetë më të mirë ose të atyre që quhen "ëndrra me sy hapur" nuk prishim asnjë komfort apo kod shoqëror por përkundrazi i përshtatemi sa më shumë që të jetë e mundur atë që e quajmë realitet, që në fakt është një moçal ku rriten kallamishtet e mëkateve tona. Për fat të keq , kjo është kontrata jonë sociale, shumë larg nga ajo që përshkroi Russoe , të cilën mund ta quani si të doni duke i vënë emra nga më të ndryshëm që shumë sociologë mund ti gjejnë, por në thelb smund ta fshehin faktin që është një shoqëri e panginjur makavieliste me vlera të vërteta humane. 


Thursday 2 August 2012

Çfarë ishte diktatura në Shqipëri? Dorian Koçi, Koço Danaj dhe Pëllumb Xhufi





Dorian Koçi

Historian

Proklamohet se Shqipëria ka pasur diktaturën më të ashpër në të gjithë Bllokun Lindor. Mbi çfarë kriteresh është dalë në këtë konkluzion?

Përsa i përket diktaturës në Shqipëri, ky është një përcaktim që është ndier që herët si perceptim, fillimisht nga përshtypjet dhe mbresat e atyre që mundeshin të arratiseshin gjatë sistemit monist dhe pastaj menjëherë pas ndryshimeve demokratike kur filluan të zbulohen një nga një shkallët e arkitekturës të së keqes.