Wednesday 30 May 2012

Regretfully, we are bankrupt- Per fat te keq kemi falimentuar











Regretfully, we are bankrupt- Per fat te keq kemi falimentuar 

Harilas Trikupis(1832-1896) 

"Regretfully, we are bankrupt")(Greqisht: "Δυστυχώς επτωχεύσαμεν") Per fat te keq kemi falimentuar. Këto janë fjalët e kryeministrit grek Harilla Trikupit para parlamentit grek me 1893.Ky ishte kolapsi i dytë i shtetit grek që kish bërë shpenzime të mëdha në investime publike por mbi të gjitha me shpenzimet e fryra në administratë. Trikupi dha dorëheqjen dhe Fuqitë e Mëdha të kohës ,Anglia,Franca dhe Gjermania që ishin dhe kreditorët më të mëdhenj të saj vunë nën kontrollin e tyre doganat,portet si dhe morën disa monopole si ai shkrepëseve dhe kripës në vend. Të gjitha këto masa u morën që këto fuqi të siguronin pagesat e borxhit të tyre dhe monopolet vazhduan deri në vitet 50’ të shekullit të XX. Gjithsesi kjo gjë nuk e pengoi Greqinë që në 1897 të shkonte në luftë kundër Perandorisë Otomane,ta humbte atë por si shpërblim….mori autonominë e plotë të ishullit të Kretës. Ishte koha kur Perandoria Angleze e konsideronte Helenizmin si shtyllën kryesore të politikës së vet në Lindjen e Afërme. Filohelenizmi i përfaqësuar nga figura të mëdha të mendimit botëror si Bajroni, Shelli , Shatobriani etj u shfaq fuqishëm në hapësirën e mendimit evropian dhe kjo reymë mendimi ka hedhur rrënjë mirë në mentalitetin evropian aq sa herë përmendet Greqia të gjithë u shkon ndërmend demokracia dhe kultura e lashtë antike greke. Mirëpo lidhja midis asaj Greqie antike, idealet e së cilës përfaqësojnë dhe një nga kolonat e qytetërimit evropian të sotëm dhe Greqisë së sotme që ne shikojmë dhe përjetojmë janë me të vërtetë të largëta, po aq sa udhëheqësit e sotëm të “Mëngjesit të Artë” që fituan plot 21 vende në zgjedhjet e fundit ngjajnë me hirin e Akilit, Perikliut, Sokratit e Platonit që pretendojnë se do i ringjallin. Sot gjërat kanë ndryshuar shumë. Pesha specifike gjeopolitike e Greqisë ka rënë në rajon,shteti grek është drejt falimentimit dhe Bashkimi Evropian nuk po tregon ndonjë dëshirë të madhe për ta shpëtuar nga falimentimi dhe jo më ta shpërblejnë si në vitin e largët 1897. Megjithatë rezultatet e zgjedhjeve të reja që do të mbahen në Greqi duhet të jenë më inkurajuese për forcat pro evropiane sepse shfrytëzimi i retorikës nacionaliste dhe anti emigracioni mund të nxjerrë sërish në skenë hije të së shkuarës që Ballkani po mundohet ta lërë pas dhe natyrisht në këtë tension financiar që po jeton Greqia, kjo më gjë është më e pakta që mund ti duhet asaj vetë por dhe rajonit.



Sunday 27 May 2012

Kujtesa historike e një përvjetori



Memoria dhe kujtesa historike është një nga komponentët më të fuqishme në krijimin e një identiteti të qëndrueshëm kombëtar. Si i tillë ajo ka kohë që zënë një vend të veçantë në krijimin dhe forcimin e konceptit të shtetit-komb që përbën dhe formulën e njohur shtetformuese të mesit të shekullit të XIX dhe në vazhdimësi. Luajtja e këtij roli të rëndësishëm në krijimin e shtetit është dhe një nga arsyet që të gjithë shtetet modernë edhe pse kanë hyrë në epokën e Globalizmit ku nocione të tilla si kombi, identiteti e përkatësia kombëtare tentojnë të dobësohen, gjithsesi po përpiqen të mbijetojnë duke respektuar formulën klasike të formimit të tyre. Pyetja që shtrohet në këtë rast është nëse ky zhvillim është një zhvillim regresiv apo konservatorizëm i panevojshëm? Rasti i Francës, Gjermanisë dhe tani së fundmi i Anglisë që po e braktisin hapur multikulturializmin dhe po përpiqen të forcojnë rrënjët e identitetit të tyre kombëtar e ilustrojnë më së miri prirjen dhe tendencën në fillimet e shekullit të XXI.
Shqipëria si një nga shtet më të rinj në Evropë, nuk bën përjashtim nga kjo tendencë gjithëpërfshirëse që ashtu si ka përqafuar kohë më parë pothuajse të gjitha lëvizjet dhe rrymat e mendimit që kanë ardhur nga Evropa po përqafon dhe këtë tendencë pas një pështjellimi të panevojshëm mohues të identitetit kombëtar disa vjeçar në historinë e saj të afërt të tranzicionit. Përgatitjet për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë janë një dëshmi që kujtesa historike po rikthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik, tashmë jo më në formën e një kritike vetëshkatërruese e shprehur kjo dhe në debate shterpë të disa vite më parë nëpër mediet tona mbi identitetin kombëtar por si një domosdoshmëri e forcimit dhe të përgjegjësisë dhe ndërgjegjes shtetërore. Serioziteti dhe angazhimi i qeverisë dhe elitave shqiptare për ta shprehur këtë vullnet të ri nuk janë vetëm përgatitjet për festimet në Shqipëri  në kuadër të njëqindvjetorit të popullsisë por dhe organizmi dhe përkujtimi i ngjarjeve të tjera madhore si ishte ai i njëqindvjetorit të themelimit të Vatrës në SH.B.A. Shoqëria “Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizmit të shqiptarëve përgjatë këtij shekulli. E lindur dhe e organizuar si një kopje e shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar. Për më tepër Shoqëria “Vatra” është fiksuar në memorien shtet formuese shqiptare si shprehësja e parë e konceptit të vullnetarizmit pasi ishte pothuajse shoqëria e vetme shqiptare në botë që vazhdimisht u bë promotore e ngjarjeve në Shqipëri nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtë për së drejtë të vullnetarëve të saj në ngjarjet e mëdha të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, Luftës së Vlorës apo dhe ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në periudhën 1920-1924. Aq i madh, i njohur dhe i pranuar gjerësisht  ishte ky kontribut i “Vatrës” sa ajo ishte e vetmja shoqëri patriotike që u lejua të përfaqësohej me një deputet të saj në parlamentin shqiptar 1921-1924.
Ndaj duke parë këtë kontribut dhe vullnetarizëm të pashoq të shoqërisë “Vatra” në jetën politike dhe shoqërore shqiptare të tingëllojnë të çuditshme kundërvëniet e shprehura aty-këtu nëpër medie të ndryshme për keqpërdorim politik të festimeve të njëqind vjetorit të saj dhe akoma më tepër zënia në gojë e një fondi modest që qeveria shqiptare i akreditoi shoqërisë për të organizuar darkën përkujtimore të themelimit të saj. Në se shoqëria “Vatra” ndodhet sot e rrudhur dhe jo më gjithëpërfshirëse dhe aktive ashtu si ishte në fillimet e shekullit , kjo gjë nuk i dedikohet indiferentizmit të shqiptarëve për të qenë bashkë ashtu si shpesh herë përpiqen ta shpjegojnë eksponentë të ndryshëm të politikave të emigracionit, por një pune të mbrapshtë dhe përçarëse që ndoqën të gjitha përfaqësitë shqiptare gjatë kohës së diktaturës pranë misionit të Shqipërisë në O.K.B. Duke jetuar në SH.B.A një shtet tipik anti-komunist , popullsia me origjinë shqiptare e mbledhur rreth “Vatrës” u bë pjesë e intrigave dhe përçarjeve nga më të ndryshmet për të mos pasur më një zë të fuqishëm kritikues ndaj Tiranës zyrtare të asaj kohe, ndaj është në nderin e të gjitha qeverive shqiptare të pas viteve 90’ që të përpiqen të ndërtojnë sërish urat e bashkimit midis shqiptarëve në SH.B.A por dhe shqiptaro-amerikanëve me vendin amë.
Rreth katër vjet më parë në kuadër të festimeve të njëqindvjetorit të Kongresit të Manastirit, shteti shqiptar nuk ia doli mbanë të krijonte një atmosferë të tillë festuese dhe bashkimi të shqiptarëve si po e realizon këtë vit duke ia lënë pothuajse në mënyrë të veçantë në përgjegjësinë e shtetit maqedonas, i cili natyrisht që nuk e ndjente si pjesë të rëndësishme të identitetit të vet ndaj dhe organizmi ishte i dobët dhe kaloi pa lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve. Këtë vit gjërat duken shumë më ndryshe ndaj para se të fillojmë të kritikojmë çdo përpjekje në këtë drejtim, është mirë që të zhvishemi nga çdo pasion politik dhe përllogaritje elektorale për arsyen e thjeshtë se politikat dhe partitë politike mund të ikin dhe vijnë por identiteti kombëtar dhe Shqipëria gjithmonë do të mbeten. Themelimi i “Vatrës” ishte një ngjarje e shënuar për historinë e Shqipërisë dhe një provë gjenerale se ç’mund të bëjë vullneti i bashkuar i shqiptarëve qoftë dhe në një vend të largët si ishte Amerika. Njëqind vjet më vonë ceremonia e themelimit të saj vazhdon të jetë një provë gjenerale e ngjarjes më të madhe, të njëqindvjetorit të pavarësisë.

Gazeta Dielli 25.05.2012


Friday 25 May 2012

Ku po shkon Maqedonia?




Ku po shkon Maqedonia?

Marrëveshja e Ohrit konsiderohet si një nga marrëveshjet bazë diplomatike që shpëtoi Maqedoninë nga makthi etnik i luftërave në Ish-Jugosllavi dhe themeloi Maqedoninë shumë etnike. E përshëndetur që në nënshkrimin e saj nga komuniteti ndërkombëtar, ajo u duk se do fitonte një qytetari afatgjatë në ndërgjegjen shtetformuese maqedonase dhe do të kontribuonte shumë në paqen dhe stabilitetin e rajonit të trazuar të Ballkanit. Gjithsesi këto konstatime që përbëjnë dhe thelbin dhe qëllimin për të cilën u nënshkrua marrëveshja nuk janë gjithmonë të vërteta ose janë përgjysmë të vërtetë çka bën që të realizohet paradoksi se dy gjysmë të vërteta nuk përbëjnë një të vërtetë. Parë me një vështrim analizues mund të vëresh se ndërsa konstatimi dytë, tashmë ka zënë vend në fjalorin politik evropian dhe ishte dhe një nga arsyet që Maqedonisë iu dhurua statusi i vendit kandidat në 2001 sipas teorisë së njohur të “shkopit dhe karotës” që aplikon Bashkimi Evropian për të nxitur reforma në vende që aspirojnë të bëhen anëtarë të tij, konstatimi i parë nuk duket të ketë zënë mirë rrënjë në mentalitetin e popullsisë. Për ta ilustruar më tej më vinë ndërmend fjalët e udhëheqësit historik të shqiptarëve të Maqedonisë, Arbën Xhaferrit, një prej nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit i cili kujton se kur dëshiroi ta provonte sesa efektiv ishte konsensusi i arritur ne rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, përshëndeti në gjuhën shqipe ngjarjen e rëndësishme për mbijetesën e dialogut midis dy palëve në konflikt, mirëpo pala maqedonase e braktisi sallën duke shkelur një nga pikat e marrëveshjes që si ishe tharë akoma boja e që fliste për barazinë e gjuhëve në shtetin shumë etnik të Maqedonisë. Ky fakt i thjeshtë besoj mbetet një nga pikat e dobëta të kësaj marrëveshje të arrirë me vullnet të imponuar nga lart por më konsensus shumë të dobët poshtë në shtresat e popullsisë, maqedonase dhe shqiptare. Ngjarjet e fundit në Maqedoni e ilustrojnë më së miri këtë fakt, dhe pak a shumë tregon ekzistencën e një bashkëjetese të vështirë.
Sigurisht ata që ndihen në pozicionin më të vështirë janë shqiptarët të cilëve u është dashur që të bëjnë dhe kompromiset më të mëdha dhe të nënshtrohen një klime paragjykuese për  ta sikur janë ata fajtori për gjithçka që nuk ecën mirë në Maqedoni. Kjo klimë e trashëguar që nga koha e ish-Jugosllavisë ku çdo e drejtë e tyre legjitime e bazuar dhe në Kartat Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut është konsideruar nga pala maqedonase si kërkesa që i vënë "zjarrin" Maqedonisë po jonizohet së tepërmi ditët e fundit me ngjarjet dhe incidentet që kanë minuar së thelli besimin e ndërsjellët midis palëve. Arrestimet e 20 shtetasve maqedonas me kombësi shqiptare, mes tyre dhe një grua plakë, nën akuzën për terrorizëm dhe me fiaskon që pasoi pak këtyre arrestimeve, ku autoritetet nuk ishin në gjendje të faktonin asnjë akuzë tregoi dhe njëherë stereotipin që ekziston në mentalitetin e elitës sllavo-maqedonase për demonizimin e shqiptarëve për çdo krim dhe ngjarje të shëmtuar në Maqedoni. Mirëpo pavarësisht kësaj sjellje me reminishenca të theksuara nga periudha e Ish–Jugosllavisë  ajo që tërheq vëmendjen është fakti se duket sikur pala maqedonase me reagimin e saj të ngadaltë e aspak profesional që kur filluan incidentet e rrahjes së fëmijëve shqiptarë po tenton të krijojë një klimë shantazhi dhe aspak bashkëpunuese për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon pasi  ngjarjet që kanë shpërthyer nuk kanë shpërthyer papritur si një rrufe në qiell të pastër por janë korifeu i një sërë veprimeve të papërgjeshme të elitës maqedonase për të zhbërë marrëveshjen e Ohrit. Vonesat e pajustifikueshme në implementimin e të gjithë anekseve dhe neneve të Marrëveshjes së Ohrit si dhe nxitja dhe ringjallja e panevojshme e një nacionalizmi primitiv maqedonas që kërkon ndërtimin e një shteti-komb në Maqedoni, çka natyrisht bie ndesh jo vetëm me qëndrimin ndërkombëtar për Maqedoninë por dhe me vetë interesat e kombeve që e përbëjnë atë, kanë bërë të mundur që Maqedonia të mos gjejë paqen,harmoninë sociale dhe etnike por të humbasë shumë kohë në spirale konflikti të brendshëm të panevojshëm.
Kjo humbje kohe është vërejtur dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë, kryesisht me Greqinë ku mungesa e një konsensusi për emrin ka bërë të mundur që perspektiva e anëtarësimit të saj në NATO dhe B.E të sfumohet dhe të mos gjejë entuziazmin e duhur madje dhe vetë popullsisë. Në vend të kësaj perspektive integruese Euro-Atlantike, elita maqedonase ka zgjedhur ekzaltimin e ndjenjave nacionaliste të popullsisë nëpërmjet ndërtimit të monumenteve të figurave historike, identitetin e të cilave shpesh herë e ndajnë me fqinjët e vet. Ashtu si me të drejtë vërejnë dhe shumë analistë ndërkombëtarë të rajonit , kjo është një zgjedhje në një vend të  gabuar dhe kohë të gabuar. Maqedonia nuk është një vend mono etnik dhe me shumicë sllavo maqedonase , gjë që u vërejt dhe në censusin e anuluar nga qeveria për shkak se shifrat që e tregonin deri më tash predominante këtë popullsi ishin më të ulta se më parë. Po kështu momenti që zgjidhet për të nxitur nacionalizmin e sllavo maqedonasve është shumë i gabuar pasi të gjitha shtetet e Ballkanit po mundohen për tu integruar në Bashkimin Evropian ku nacionalizmat ë këtij lloji janë të papranueshëm dhe të dënueshëm.
Deri më tash shqiptarët i janë bindur dëshirës dhe vullnetit të komunitetit ndërkombëtar për të jetuar nën një çati të përbashkët sëbashku me popullsitë e tjera në Maqedoni duke mohuar në mënyrë vetëmohuese  çfarëdolloj opsioni për bashkim me Shqipërinë dhe Kosovën por kur ai që është zgjedhur për bashkë usta për ta mbajtur e riparuar sëbashku çatinë që vjen që nga koha e largët e ish Jugosllavisë, nuk e di se ku i pikon dhe aq më tepër kur është i interesuar për të mos e riparuar atë, atëherë dhe shqiptarët s’kanë pse i besojnë më këtij bashkë ustai por do të marrin situatën në duart e veta për të ndërtuar një çati tjetër të re të përbashkët me vëllezërit e tyre në Shqipëri e Kosovë. Për të mos arritur deri në këtë pikë që sipas ndërkombëtarëve krijon telashe të mëdha në rajon sigurisht e ka një zgjidhje. Ajo është zbatimi një për një i Marrëveshjes së Ohrit prej nga me siguri do të rrjedhë dhe paqja dhe harmonia etnike aq shumë e dëshiruar.

Gazeta Shqip 15.05.2012 


Wednesday 23 May 2012

Poli i tretë




Përafrimi i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale përndez gjithmonë politikat e koalicioneve që kërkojnë të ndërtojnë partitë e mëdha politike në vend. Ekzistenca e këtij kodi elektoral aktual kërkon bashkimin e sa më shumë votave për të bërë të mundur marrjen e sa më shumë mandateve përfaqësues në parlamentin e Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet që tregu politik aktual shqiptar më tepër sesa një alternativë shprehëse e platformave politike është kthyer në një konglomerat interesash të drejtë për së drejta të partive që marrin pjesë në koalicione. Kjo situatë mesa duket nuk pritet të ndryshojë përderisa partitë e mëdha e kanë vendosur që të hynë sërish në zgjedhje me këtë kod elektoral duke shmangur aleatë të bezdisshëm që jo radhë herë duke përfituar nga rasti u kanë vënë shkelmin në fyt për të siguruar maksimumin e mundshëm nga pjesëmarrja e tyre në koalicion. Mirëpo duke qenë se ballafaqimi politik e elektoral pritet sërish që të jetë shumë e ashpër ashtu si dhe në vitin 2009 e ku për fat të keq çdo votë merr një rëndësi të veçantë dhe përcaktuese përsa i përket rezultatit përfundimtar, loja politike për të përftuar sa më shumë vota pritet që të sofistikohen dhe të përmirësohet më tepër.
Partitë e vogla janë ato që do të jenë sërish në qendër të vëmendjes, të cilat do të ftohen për të qenë pjesë të koalicioneve por dhe do të margjinalizohen në të njëjtën kohë për të mos marrë hapësira më shumë sesa u takojnë apo përfaqësime politike që s’mund ti realizojnë me sukses. Kjo gjë do të ndodhë jo vetëm për faktin se pesha e tyre specifike është shumë e vogël, por edhe për faktin që koha e ka treguar se edhe kur kanë marrë pjesë në qeverisje përfaqësuesit e tyre shpesh herë kanë ndërruar partinë duke iu bashkangjitur partisë më të madhe që i ka ftuar në koalicion. Kjo paqëndrueshmëri platformash dhe individësh është kthyer në një sëmundje të vërtetë parlamentare, sidomos në legjislaturën 2005-2009 ku demokristianët me nga një deputet , në fund të legjislaturës numëronin tetë të tillë.
Për të shmangur këtë anomali demokratike por dhe për të realizuar një balancë më të mirë të jetës politike vend do të ishte e udhës që shumë i përfoluri poli i tretë të fillonte të merrte formë në prag të këtyre zgjedhjeve. Situata është mëse e favorshme për tu ndërmarrë një hap i tillë , pasi gjithandej nëpër partitë e vogla po ndihet fryma e dëshirimit për ti pasur aleatë por dhe e mënjanimit për ti detyruar që të hyjnë në këto koalicione me kushtet e diktuara nga partitë e mëdha. Kjo frymë mund të jetë një alkimia dhe kimia më e mirë që shumica e këtyre partive të grupohen në një pol të qendrës për të bërë të mundur që të ekzistojnë si një tra ekuilibri ku politika konfliktuale të arrijë të kapërcejë pengesat për të normalizuar jetën politike në vend. Përveç kësaj domosdoshmërie të nevojshme për të kontribuar në jetën politike të vendit, ky vendim diktohet dhe nga të dhënat teknike që mund ti bëhet leximit të kodit zgjedhor. Partitë e dyta që do të jenë në renditje pas partive të mëdha do të jenë ato që do të mbledhin dhe votat e partive të tjera duke krijuar kështu një mishmash përsa i përket përfaqësimit të vërtetë të zgjedhëse. Duke qenë se qëllimi i çdo force politike është pushteti, nuk besoj se do të ketë parti kaq altruiste sa të pranojnë kaq lehtë që votat e zgjedhësve të tyre të shkojnë në fuqizimin e partive të tjera. Kjo është dhe një nga arsyet që si djathtas dhe majtas po dëgjohen komente dhe shprehje pakënaqësie nga më të ndryshmet dhe tani së fundi nuk kanë munguar thirrjet për ndryshimin e këtij kodi elektoral. Përderisa për reformën  e shumëpritur elektorale po gjenden përditë alibi nga dy partitë e mëdha për të mos e ndryshuar kodin elektoral, partitë e vogla duken se do shtyhen vetvetiu në krijimin e këtij grupimi të tretë. Edhe pse mund të tingëllojë si tullumbace e fryrë nuk është çudi që në zhgënjimin e madh që ka pësuar elektorati shpesh herë nga politika të fillojë ti besojë një alternative tjetër të paprovuar më parë. Sigurisht nuk mund të flasim për një rezultat spektakular por për një rezultat të qëndrueshëm që do të fillonte të legalizonte idenë e alternativës së tretë shumë partiake në teatrin politik shqiptar.
Ekzistenca e kësaj alternative do ti bënte mirë shoqërisë shqiptare por dhe vetë jetës politike në vend. Një pol i tretë i ndërtuar mbi të tilla principe do të realizonte përfaqësimin politik të sa më shumë shtresave të popullsisë dhe do të kontribuonte në shuarjen e debateve sterilë e të panevojshëm që i kanë marrë frymën jetës politike në vend. E mesmja e artë është ideali që kërkohet të zbatohet gjithandej dhe për politikën shqiptare si shprehësen e të gjithë vlerave shoqërore ka ardhur koha që të gjejë veten e saj të shprehur në këtë kuptim.

Gazeta Shqip 22.05.2012 


Saturday 12 May 2012

Shqipëria e Edward Lear





Njohja dhe rizbulimi i Ballkanit në shekullin e XIX dhe fillimet e shekullit të XX  në Evropë është një proces i cili nuk u zhvillua vetëm si një rizbulim gjeografik por dhe si një zbulim kulturor. Ky konstatim është akoma dhe mëse e vërtetë sidomos kur flasim për territoret shqiptare në Ballkan  pasi në kuadër të Grand Tour-it destinacioni i zakonshëm ishte Greqia që krijonte një tërheqje të veçantë me kulturën e lashtë antike dhe pak a shumë këto territore ishin rrahur dhe më parë nga udhëtarë evropianë qoftë si diplomatë apo dhe si turistë kulturorë. Për publikun e atëhershëm britanik ashtu siç shkruante studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”[1] Mirëpo zbulimi kulturor nuk shërbeu vetëm si kënaqësi estetike e zbulimit të një kulture të re etnografike por në një farë mënyre me shkrimet ku u pasqyrua ky kontakt me këtë kulturë u bë përgjegjës dhe për njohjen dhe perceptimin e Ballkanit dhe popullsive të tij në Evropë. Një sërë ndryshimesh fondamentale në vetvete në Evropë,si Revolucioni Francez, fenomeni i udhëtimit, Romanticizmi,Ekzotizmi,Orientalizmi e  Filohelenizmi e shoqëruan këtë njohje duke lënë pak a shumë gjurmët e tyre në këtë rinjohje dhe ritakim të Ballkanit me Evropën pas  ndarjes së pariparueshme në dy kampe armiqësore që kish pësuar bota e Mesdheut pas daljes dhe protoganizmit të Islamit në këtë rajon. Ndërmjet burimeve më interesante dhe relativisht të pakta për studimin e historisë sociale të popujve të gadishullit ballkanik janë një varg veprash të udhëtarëve britanikë të cilët udhëtuan në rajon në kërkim të kënaqësisë apo kuriozitetit dhe dëshirës për të mësuar më shumë për rajonin[2] ose për ti shërbyer vendit të tyre si diplomatë.
Territoret shqiptare si pjesë e Ballkanit zgjojnë interesin e udhëtarëve të huaj kryesisht në fillim si territore fqinje me ato greke vende ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. I pari që e ndërmerr këtë rrugë i nisur thjesht për arsye diplomatike është oficeri anglez i zbulimit William Martin Leake më 1805 dhe pas tij është udhëtimi i njohur i Lord Byron dhe Hobhouse në 1809.  Sidomos ky udhëtim i dy aristokratëve të rinj anglezë hapi siparin e një sërë udhëtimesh të tjera nga mjekë, pastorë protestant,ushtarakë etj shtresa të popullsisë , të cilët shkruan një sërë veprash dhe shënimesh udhëtimi që bënë të mundur krijimin e një situate orientaliste dhe ekzotizmi në imagjinatën angleze. Mirëpo udhëtimeve të Leake në Shqipëri dhe Greqi dhe të Lord Byron dhe Hobhouse, përpos përshkrimeve shumë të sakta gjeografike, historike dhe kulturore apo dhe përshkrimeve poetike do tu mungonte paraqitja grafike dhe panoramike origjinale e viseve që ata vizituan. Vetë Leake mesa duket nuk ka patur talent për të pikturuar pasi kur ai skicon një hartë topografike të brigjeve shqiptare dhe ia dërgon Shtabit Britanik të Luftës,kërkon ndjesë “për ndonjë gabim apo pasaktësi, pasi siç e dini unë nuk jam një skicograf i mirëfilltë por rrethanat më kanë detyruar ta bëjë punën e tij.”[3]Gjithsesi kur u botuan veprat e tij dhe shënimet udhëtimit të Hobhouse dhe vepra poetike e Bajronit, ato u shoqëruan me skica dhe panorama që i korrespondonin më shumë imagjinatës sesa realitetit. Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të Leake ishte dhe Edëard Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani. [4]Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”[5], Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Leare ndërmori në Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey  through Albania and other European provinces of  Turkish Empire”  që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën. E veçanta e  Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit( porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”[6].
Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën  të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin.[7]Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe,ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.[8]Për 10 vjet Lear kish jetuar në Itali duke krijuar pamje të mrekullueshme nga provincat gjithë diell të Italisë, ndërsa një njohje e rastësishme me presidentin e universitetit të Korfuzit Mr. Bouen e bën atë fillimisht të vizitojë ishullin dhe pastaj Athinën e Kostandinopojën. Pasi kthehet në Greqi planifikon të vizitojë Malin e Shenjtë por në Selanik e njoftojnë se rrugët për të shkuar aty janë mbyllur për shkak të kolerës kështu që vendos të udhëtojë në të vetmin drejtim rruge të hapur, nëpër Maqedoni dhe Shqipëri.[9] Është pikërisht ky moment kur ai i shkruan së motrës së vet Anës “se më tepër jam i prirur ndaj një udhëtimi në Shqipëri e cila është përsosmërisht e qetë.”[10] “E qetë” është një mbiemër që tërheq vëmendjen në këtë frazë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri Lear do të përpiqet vazhdimisht që të gjejë sa më shumë kohë e qetësi për të përmbushur kauzën e vet dhe do të jetë indiferent ndaj zhvillimeve në rajon. Ai përmend, aty-këtu se në vend ka pasur një kryengritje nën prijësin Zuliki( Gjon Leka), çka i ka detyruar otomanët të ndërmarrin masa duke mos u lejuar më popullsinë e jugut të Shqipërisë të mbajnë armë, por është komplet indiferent të përshkruajë apo të japë detaje se cilat janë shkaqet e kësaj kryengritje. Si një profesionist skrupuloz që është, qëllimi i tij është e thënë me fjalët e veta në një letër që i dërgon mikut të tij Fortiskju në 1848 që të “aftësohem për të përkryer pamjet e ndjenjat e panoramave që e di se  janë brenda meje”.[11]
Lear ia del mbanë vërtetë që të krijojë panorama të mrekullueshme madje njëra nga to “The mount Tomor”inspiron dhe poetin e madh anglez Alfred Tennison që të shkruajë një poezi kushtuar Lear[12]. Por qoftë pikturat  apo dhe ditari i mëvonshëm shërbejnë për të përcjellë një perceptim të gabuar të Shqipërisë në publikun britanik. Shqipëria e asaj kohe madje dhe viset e Maqedonisë vuajnë nën degradimin e pushtetit perandorak otoman kurse këto piktura dhe stili tërheqës i ditarit përcjellin një  “peizazh idilik e vendas piktoresk(....) me të gjitha komfortet e aristokratëve”[13]. Për më tepër duke qenë një personalitet i formuar me poezinë e romantikëve dhe veçanërisht atë të Lord Byron, tek ditari i Lear gjenden gjurmë të sublimes që është e “bukur,e egër dhe frikëndjellëse”[14]. Mirëpo kjo formë e sublimes nuk shërben vetëm për pasqyruar peizazhet piktoreske të Shqipërisë por vesh me ngjyrim negativ vetë Shqipërinë si një “vend të një habie të egër”, i mbushur plot me “vende të çuditshme” dhe “të paqarta” dhe me grupe etnike të “ngatërruara” që rrisin “një racë të egër” të njerëzve[15]. Këto përcaktime të Lear që në fakt i ngjajnë një antropologu sesa një peizazhisti duken të çuditshme kur sjell ndërmend eksperiencën shumë sipërfaqësore vëzhguese ndaj shoqërisë  që kish demonstruar Lear në Shqipëri krahasuar kjo me shërbimin dhe zellin ndaj kauzës që kish zgjedhur që në fillim të udhëtimit. Për më tepër gjatë udhëtimit Lear pati shumë pak kontakt me popullsinë vendase, përveç atyre që i shërbyen atij. Kontaktin më të shumtë ai e pati me ‘shtresën e lartë’:doktorë të huaj, staf konsullatash, priftërinj dhe më së shumti qeveritarë Otomanë dhe pronarë tokash. Edhe pse ai ankohet se këta bejlerë dhe pashallarë (...) të humbin shumë kohë me ceremonira(faqe 60), ata i ofrojnë Lear-it jo vetëm rastin për të biseduar, ushqim dhe strehim të përshtatshëm- lukse jo shumë të vlerësuar në vende të egra si këto(faqe 69)- por gjithashtu dhe një mbrojtje të sigurtë duke e pajisur atë me letra rekomandimi dhe shoqërimin e një kafazi të armatosur.[16]Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Evropa, djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj”[17].Aq më tepër që përshkrimet e jashtme që ai u bën njerëzve të thjeshtë në Shqipëri duke i perifrazuar si “racë e egër” nuk janë as më shumë dhe as më pak në frymën e përshkrimeve dikensiane që mund ti gjeje në të gjitha rrethinat e Londrës e janë mbizotëruese kryesisht në romanin “Oliver Twist”.
Arsyeja që e shtyn Lear që të jetë kaq me paragjykime në përshkrimet e tij rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve është  se Lear ashtu si është profesionist skrupoloz në fushën e pikturës kërkon të bëhet i tillë dhe në atë të shkruarit të ditarit të udhëtimeve. Ai shkruan saktësisht çfarë publiku dëshiron të lexojë-imazhet e çuditshme, të egra dhe konfuze të një vendi të largët, por dhe të afërt sepse ndodhet në Evropë , me pak fjalë një zonë periferike barbarizmi dhe konflikti. Në gjysmën e shekullit të XIX Britania ishte në kulmin e fuqisë së saj koloniale, veçse imperializmi i shfaqur tek ditari i Lear nuk është ai klasiku i shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe shfrytëzimit ekonomik të një vendi, por është një imperializëm i imagjinatës i cili kërkon të shfrytëzojë burime sociale kulturore dhe imazhesh të huaja për të krijuar industrinë e zbavitjes-libra udhëtimi.[18]Udhëtimi në këtë rast nuk mund të gjykohet si shprehje e një forme të ndryshme kolonializmi, në të cilin historia dhe ideologjia, dhe jo territori i një vendi pretendoheshin,që pushtoheshin dhe aneksoheshin si është rasti i udhëtimeve në Greqi, por mund të gjykohet si një shprehje e nxitjes së imagjinatës ekzotike nëpërmjet imazheve fatkeqe dhe të ekzagjeruara të Shqipërisë. Prej këtij paragjykimi dhe imperializmi të imagjinatës ku ftohet lexuesi të marrë pjesë, në ditar mbizotërojnë skenat e qyteteve “të varfër dhe të shpifur”(faqe 60), “ndyrësia” e haneve(faqe 60) dhe “vështrimi i vrazhdë dhe i egër”(faqe 54) [19]i banorëve sesa  e gjendja e mjerueshme të drejtave të popullsisë Shqipërisë, arbitrariteti, dhuna e intolerenca fetare nën regjimin despotik otoman. Si rezultat i këtij përshkrimi lexuesi ashtu si dhe Lear e ka të lehtë të nxjerrë përfundimin se  Shqipëria është një vend i “çuditshëm dhe i frikshëm”.(faqe 145).Sigurisht nuk mund të pretendohet se Lear kish dijeni të plotë të për këtë prirje imperialiste në ditarin e vet. Kjo ndodhte thjesht se ai si gjithë udhëtarët britanikë të epokës Viktoriane e “ndjenin veten pjesë të një kulture superiore e të vërtetë, vlerat, traditat dhe vlerësimet  e së cilës ata natyrisht i mbronin kur përballeshin me atë –ç’ka ata-e nënkuptonin si një kulturë inferiore të shprehur të Ballkanit”.[20]
Ditari i Lear  “Journal of a Landscape Painter in Albania” është një libër udhëtimi klasik i cili la një gjurmë të veçantë në krijimin e imazhit dhe perceptimit të Shqipërisë në Angli. Si i tillë ai meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm për të identifikuar tablotë e mrekullueshme që e shoqëruan por dhe forcën e fjalës së shkruar që krijoi imazhe të caktuara dhe pati një impakt të madh në botën anglosaksone.


Bibliografi:
1-     Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004)
2-     Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997
3-     Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955)
4-     Edward Lear. “Journal of a Landscape Painter in Albania”. NewEdn,London,1988
5-     Oxford English Dictionary edited Bt Catherine Soanes, , Oxford University Press 2002
6-     Suzan Hyman(ed.) Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece and Turkey in Europe 1848-1849, London 1988
7-     Vesna Goldworthy , “Inventing Ruritania: The Imperialism of the Imagination” New Haven, Conn, 1998
8-     William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008

Suplementi Rilindesi 13.05.2012

[1] Afrim Q. Karagjozi. Byron in English and in Albanian. Scanderbeg Books. Tiranë:2010, faqe 10
[2] Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Revieë, Vol.33, No. 81(June.,1955) faqe 396
[3] William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008, faqe 312
[4] Shih për më tepër  Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 130
[5] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606
[6] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 20
[7] Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955) faqe 396
[8] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Ëriting, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606-607
[9] Për një përshkrim më të detajuar të udhëtimit të Lear në Shqipëri shih Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë:1997
[10] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 133
[11] Po aty, faqe 18
[12] Po aty faqe 139
[13] Suzan Hyman(ed.) Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece and Turkey in Europe 1848-1849, London 1988, faqe 37
[14] Oxford English Dictionary edited Bt Catherine Soanes, , Oxford University Press 2002, faqe 835
[15] Edward Lear. Journal of a Landscape Painter in Albania”. Neë Edn. ,London,1988.,faqe 51,21,11,11,38
[16] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 607-608
[17] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 28-29
[18] Shih për më tëpër Vesna Goldworthy , “Inventing Ruritania: The Imperialism of the Imagination” New Haven, Conn, 1998
[19] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 607
[20] Po aty , faqe 622





Thursday 10 May 2012

Shtegtimi i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.




Shtegtimi i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.

I

Udhëtimi
 The East is a career- Lindja është një  karrierë
Benjamin Disraeli, Tancred[1]

Fundi i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor, për afrimet midis Perëndimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit, e ndërmarrë nga gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe kulturat e saj.


Tuesday 1 May 2012

Melankoli e 1 Majit.




Kapelet dhe setrat e pambukta
të ardhura nga Kina e vëllazërisë,
janë zëvendësuar me kapele bejsbolli
dhe bluza me mbishkrime që mbartin
shënime që ata si kuptojnë
për fusha me golf dhe vende pushimesh të largëta
për prodhime bio dhe çokollata.
Të dërguara nga kush e di ç’vende të botës së parë
të blera lirë, shumë lirë në Pazar,
të veshura me ngut mbi njëra-tjetrën
si album fotografish i një bote që lëviz
globalizmin në trup të tyre ekspozojnë
e ndërsa në TV-të,
 që jetën mondane të qytetarëve
të kënaqur u tregojnë  
shfaqen dhe sivëllezërit e tyre  në kryeqytetet të botës
në përleshje të egra me policinë,
për të ruajtur pak dinjitet dhe jetesë të mirë
për të mos paguar gabimet e atyre që në banka
s’ditën ta mbanin “mirë” llogarinë.
Kujtohen se propaganda boshe e lirisë
nuk sjell as bukë në shtëpi as punë as shkollim
teksa nëpër miniera kërkojnë për  metale
u premtohet mirëqenie nga riciklim i fekaleve
u vjen rëndë që janë kaq të heshtur
skuqen që janë kaq të tredhur
.
Një televizor sot blihet më kollaj se më parë
rroba ka pafund në tregje të pistë
përmirësimi i jetesës vazhdon.....
melankoli e mërzitshme që çdo
1 Maj të trishton.