Saturday 26 September 2015

Kohë tryezash të rrumbullakëta...


Tryeza e rrumbullakët është ndoshta një nga objektet më të mira që ka zbuluar njerëzimi për të treguar barazinë midis njerëzve që marrin pjesë në një institucion apo organizim shoqëror. Të ulur të gjithë rreth saj, asnjëri nuk mund të pretendojë se është udhëheqësi apo se ka përparësi mbi të tjerët, pasi vetë objekti ku ulen e përjashton një gjë e tillë. Kjo ndoshta ka qenë dhe arsyeja që ky objekt ka kohë që ka hyrë në fjalorin politik si ekuivalent i bashkëpunimeve frutdhënëse midis njerëzve. Në Shqipëri, ky koncept, për shkak dhe të së kaluarës diktatoriale, ka hyrë vonë, së bashku me triumfin e demokracisë liberale dhe shpeshherë është bërë dhe sinonim i zgjidhjes së dëshiruar të krizave politike, pasi ka ulur në një tryezë të gjitha palët. Nisur nga kjo eksperiencë, nuk mund të fshihet kontributi që këto tryeza kanë dhënë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme gjatë periudhës së vështirë të tranzicionit shqiptar, por parë në një sens më të përgjithshëm, sidomos në shfrytëzimin që u bëhet për imazh nga partitë politike në situatat parazgjedhore, por edhe nga shoqëria civile për të përfituar imazh politik, rezultojnë se shpeshherë janë një shfaqje butaforie propagande sesa kërkojnë të zgjidhin probleme të vërteta mbi bazën e të cilave organizohen. Përveç këtij aspekti butaforie që përshkruan pothuajse të gjitha punët pompoze që bëhen në Shqipëri, organizimi selektiv dhe jo transparent i tyre krijon dy probleme themelore për mbarëvajtjen dhe gjithëpërfshirjen në jetën publike në Shqipëri.


Monday 14 September 2015

Kur Lin Delija pikturonte Baba Rexhepin...



Një nga veçoritë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar është se gjithmonë ka pasur dy Shqipëri,sigurisht jo në kuptimin territorial dhe fizik, por më tepër në atë shpirtëror. Duke qenë se herë pas here në brigjet e malet tona janë përplasur valë dyndje e pushtimi në forma të drejtë për së drejta ose dhe në forma ideologjish si ishin pushtimet bizantine e otomane apo murtajat e fundit të shekullit, fashizmi dhe komunizmi, shpesh herë shqiptarët kanë marrë udhën e  mërgimit politik dhe ndërtimin e një jete të lirë për të projektuar një Shqipëri tjetër. Në këtë mënyrë ka pasur gjithmonë projektimin e dy Shqipërive, të një Shqipërie eternale e të përjetshme në territoret e Ballkanit Perëndimor dhe të një tjetre virtuale por në të njëjtën kohë dhe të përjetshme në emigracion.