Saturday, 26 September 2015

Kohë tryezash të rrumbullakëta...


Tryeza e rrumbullakët është ndoshta një nga objektet më të mira që ka zbuluar njerëzimi për të treguar barazinë midis njerëzve që marrin pjesë në një institucion apo organizim shoqëror. Të ulur të gjithë rreth saj, asnjëri nuk mund të pretendojë se është udhëheqësi apo se ka përparësi mbi të tjerët, pasi vetë objekti ku ulen e përjashton një gjë e tillë. Kjo ndoshta ka qenë dhe arsyeja që ky objekt ka kohë që ka hyrë në fjalorin politik si ekuivalent i bashkëpunimeve frutdhënëse midis njerëzve. Në Shqipëri, ky koncept, për shkak dhe të së kaluarës diktatoriale, ka hyrë vonë, së bashku me triumfin e demokracisë liberale dhe shpeshherë është bërë dhe sinonim i zgjidhjes së dëshiruar të krizave politike, pasi ka ulur në një tryezë të gjitha palët. Nisur nga kjo eksperiencë, nuk mund të fshihet kontributi që këto tryeza kanë dhënë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme gjatë periudhës së vështirë të tranzicionit shqiptar, por parë në një sens më të përgjithshëm, sidomos në shfrytëzimin që u bëhet për imazh nga partitë politike në situatat parazgjedhore, por edhe nga shoqëria civile për të përfituar imazh politik, rezultojnë se shpeshherë janë një shfaqje butaforie propagande sesa kërkojnë të zgjidhin probleme të vërteta mbi bazën e të cilave organizohen. Përveç këtij aspekti butaforie që përshkruan pothuajse të gjitha punët pompoze që bëhen në Shqipëri, organizimi selektiv dhe jo transparent i tyre krijon dy probleme themelore për mbarëvajtjen dhe gjithëpërfshirjen në jetën publike në Shqipëri.
Së pari, cilido organizëm intelektual apo forum që aspiron të fitojë besimin e shqiptarëve duhet të përfaqësojë një vullnet se do të përmirësojë vërtet qeverisjen qendrore dhe lokale, bazuar në një rreth sa më të gjerë ekspertësh e teknokratësh dhe jo thjesht njerëz të afiluar pranë partive politike që synojnë imazh për t’u katapultuar në politikë. Për fat të keq, këta të fundit, duke qenë pehlivanët e tranzicionit shqiptar, i shikon t’i mbushin këto tryeza të rrumbullakëta prej të cilave vetëm zgjidhje racionale nuk po dalin. Për më tepër, në to nuk ka as edhe një analizë të shëndoshë të situatës, por vetëm rekomandime që mendohen të zbatohen në të ardhmen. Po a mundet të shërosh dikë që vuan nga astma vetëm me ilaçe për të ftohtin? Sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri si është pranuar nga ndërkombëtarët, por dhe nga klasa jonë politike, vuan nga një asfiksi e thellë dhe ajo që kërkohet për të rikthyer besimin e qytetarëve në të është shumë më tepër se disa rekomandime. Në tryezat e herëpashershme për drejtësinë është folur shumë për korrupsionin në drejtësi, për vendime të padrejta, për emërime nepotike, por nuk tregohen me gisht përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendjeje. Cilido qytetar mund të ngrejë pyetjen e thjeshtë se përse nuk nominohen me emër dhe mbiemër personat që kanë pasur në dorë emërimet e gjyqtarëve, si dhe masat disiplinore ndaj tyre nëpërmjet kontrollit të brendshëm. Mos vallë sepse interesat e lojës politike janë shumë më të rëndësishme sesa interesat e qytetarëve të thjeshtë? Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të sinqertë nga këto tryeza të rrumbullakëta, pasi nëse ato manifestojnë një vullnet të dobët, duke qenë shoqëri civile e teorikisht e pavarur, ç’mund të presim nga ekspertët politikanë që kanë më tepër se kushdo tjetër konflikt interesi për ta kryer këtë reformë.
Së dyti, këto tryeza të rrumbullakëta, përveçse rrahjes së mendimeve, duken se po shërbejnë si mjete për të ricikluar figura të së shkuarës në politikë apo për të ngjitur në politikën e madhe, përfaqësues të grupeve të veçanta të interesit që janë shumë larg nga interesat imediate të popullsisë. Është bërë e modës që sa herë ndërrohet pushteti zyrtar ish-qeverisjes i veshin kostumin e shoqërisë civile për të orientuar opinionin publik dhe për t’u përgatitur për të ardhur sërish në politikë në prag të zgjedhjeve. Shoqërisë civile i takon të ngrejë zërin për çdo gjë që nuk shkon mirë në këtë vend dhe për çdo lloj monopoli që dëmton xhepat e popullsisë dhe jo të bëhet palë me njërën palë thjesht për të fituar imazh e kapital politik, pasi ata që do e pësojnë do të jenë qytetarët shqiptarë që, edhe nëse do të ndërrohet pushteti, do ta gjejnë veten sërish në të njëjtën situatë, por tashmë me të tjerë përfitues në kurriz të tyre. Interesat e qytetarëve për shoqërinë civile duhet të jenë parësore dhe ato nuk duhen tradhtuar kurrsesi, për shkak të përftimit të imazhit apo lojës politike të çastit.
Tryezat e rrumbullakëta më tepër se dekore të riciklimit të figurave të lodhura të tranzicionit të stërmundshëm shqiptar duhet të jenë tryeza ku të rrihet debati i vërtetë profesional dhe teknik mbi problematikën e vërtetë, pasi ajo që na intereson të gjithëve si qytetarë nuk është të kemi një kohë tryezash, por tryeza të rrumbullakëta që ecin me hapin e kohës.


Gazeta Shqip, 26.09.2015, fq 9


No comments: