Monday, 14 September 2015

Kur Lin Delija pikturonte Baba Rexhepin...



Një nga veçoritë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar është se gjithmonë ka pasur dy Shqipëri,sigurisht jo në kuptimin territorial dhe fizik, por më tepër në atë shpirtëror. Duke qenë se herë pas here në brigjet e malet tona janë përplasur valë dyndje e pushtimi në forma të drejtë për së drejta ose dhe në forma ideologjish si ishin pushtimet bizantine e otomane apo murtajat e fundit të shekullit, fashizmi dhe komunizmi, shpesh herë shqiptarët kanë marrë udhën e  mërgimit politik dhe ndërtimin e një jete të lirë për të projektuar një Shqipëri tjetër. Në këtë mënyrë ka pasur gjithmonë projektimin e dy Shqipërive, të një Shqipërie eternale e të përjetshme në territoret e Ballkanit Perëndimor dhe të një tjetre virtuale por në të njëjtën kohë dhe të përjetshme në emigracion.
Sa herë lexojmë këtë përcaktim mendja na vete në diasporat historike si ato të arvanitasve në Greqi dhe arbëreshëve në Itali që kanë kontribuar shumë në sendërtimin e identitetit tonë kombëtar. Por në fakt, përveç tyre ka dhe një Shqipëri tjetër të krijuar nga emigracioni i fundit politik i shqiptarëve pas vendosjes së komunizmit, historia e të cilëve në emigracion na ka ardhur përmes fashikujve të gazetave, kujtimeve apo dhe ndonjë botimi modest dhe si e tillë shpesh herëështë e panjohur dhe për rrjedhojë dhe e paragjykuar. Në këtë kontekst , ajo po qendron ende në hije edhe pse mbart në vetvete jo vetëm vlera historike por edhe vlera të rëndësishme e të patjetërsueshme kulturore të identitetit shqiptar. Dy figura intersante që përfaqësojnë dhe dy identitete të ndryshme kulturore por në të njëjtën kohë mbartin brenda vetes tharmin bashkues të shqiptarizmit të kësaj diaspore janë Baba Rexhepi i Teqesë së Detroitit në SH.B.A dhe piktori Lin Delija nga Dukagjini që aktivitetin e tij e ushtroi kryesisht në Romë, Itali. Ata të dy përveçse bindjeve politike antikomuniste i bashkon edhe një portret si rallëherë në kulturën shqiptare.
Baba Rexhepi, është themeluesi i Teqese se Detroitit dhe nje nga intelektualet me te mëdhenj bektashi. Patriot nacionalist me shumë influencë në Shqiperinë e Jugut. Në Teqenë e Zallit në Gjirokaster, ishin myhypë, si komunistët dhe nacionalistët. Vepra e tij kryesore "Misticizma Islame", botuar ne SH.B.A. është një nga veprat kryesore për të kuptuar Sufizmin, Bektashizmin dhe rolin e sektit bektashi në letërsinë dhe Rilindjen Kombëtare. Pasi dënohet me vdekje nga komunistët në 1943, emigron jashtë atdheut. Së bashku me udhëheqësin e “Ballit Kombëtar”, Mithat Frasheri vendoset në Bari të Italisë në zonën qe kontrollohej nga forcat Aleate Anglo-Amerikane. Në vitin 1948 Ai largohet në Egjypt ku vendoset në Teqene e Kajgusëz Sulltanit pranë Kajros ku qëndron katër vjet. Në vitin 1952 emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikes. Pas disa takimeve me emigracionin shqiptar anembanë Amerikës dhe me ndihmën e Fan S. Nolit,  Dervish Rexhepi themelon në Detroit të shtetit të Michiganit, Teqene e parë Bektashiane ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo Teqe i çeli dyert e saj në 14 maj te vitit 1954. Po ate vit Dervish Rexhepit i jepet grada Baba me dekret të Baba Siriut të Kajros ku  kishte sherbyer si dervish.Pak me vonë Baba Rexhepi filloi të botojë revistën "Zëri i Bektashizmit" dhe në vitin 1970 boton veprën e Tij "Misticizma Islame dhe Bektashizma". Hapja e Teqese Bektashiane në Shtetet e Bashkuara ishte një kontribut i rëndësishëm për emigracionin shqiptar dhe një strehë e rëndësishme, e quajtur nga shqiptarët si “fole të shqiptarizmës”, për të gjithë duke vazhduar në gjurmët e teqeve në Shqipëri.
Portreti gravurë është realizuar nga Lin Delija, piktor i famshwm shqiptar nga Dukagjini qe ka jetuar ne Itali. Lin Delija u lind ne Shkodër. Ai u rrit dhe u edukua në shkollën e Fretënve Françeskanë, ku edhe mori hov së pari talenti i tij artistik. Studjoi në fillim në Herceg Novi dhe pastaj në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura. Më vonë, me ndihmën e Ernest Koliqit siguroi nji bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrat e tij të mëdhenj ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik.  Lin Delija shquhet për koloritin dhe modernitetin e tij, por mesa duket figura intelektuale e Baba Rexhepit i ka bërë përshtypje të thellë duke na dhuruar këtë portret në vitin 1958, kur Baba Rexhepi ka qenë në moshën 50 vjeçare. Si duket tolerenca fetare mes shqiptarwsh nuk eshte vetem mit, por edhe një realitet qëështë përcjellë vazhdimisht në kulturën e mbijetesës së përbashkët të shqiptarëve kudo që kanë qenë nëpër botë.
Para pak ditësh u përurua Odeoni, kryeqendra e bektashinjve në Shqipëri, një godinë ku arti sublim i përsosmërisë së figurave gjeometrike harmonizohet me qetësinë dhe përpjekjen për përsosmëri shpirtërore të njeriut. Brenda godinës është dhe një muze i Bektashizmit, ku portreti i Baba Rexhepit pikturuar nga Lind Delija do ta hijeshonte më tepër këtë muze që nuk është ndërtuar e konceptuar për të pasqyruar vetëm historinë e një sekti fetar por edhe për të pasqyruar bashkëjetesën fetare të shqiptarëve. Ndërtimi i Odeoni, në fakt ka plotësuar dhe një amanet të hershëm të Baballarëve Bektashinj që pas vendosjes së tyre përfundimtare gati 90 vjet më parë në Tiranë kanë pasur si ëndërr që një godinë dinjitoze që t’i përshtataj  dhe statusit të tyre si kryqendër e Bektashizmës botërore. Financimi dhe përfundimi vetëm me ndihma të besimtarëve dhe nga buxheti i shtetit, dhe refuzimi i çfarëdolloj ndihme nga burime të huaja financiare është një mesazh tjetër i kësaj godine se shëlbimi shpirtëror shqiptar duhet t’i përkasë shpirtit autentik kombëtar shqiptar. Portreti i Baba Rexhepit nga Lin Delija dhe i ekspozuar në Muzeun e Bektashinjve do të  grish edhe për një testament tjetër të paplotësuar.

 Koleksioni i piktorit Lin Delija pret që të ndërtohet njëmuze modern arti ku veprat e tijtë ekspozohen dhe të rrëfejnë koloritin e modernizmin e një Shqipërie tjetër të mërguar. Një muze arti është një hap tjetër drejt së bukurës, e vetmja vlerë morale që bën bashkë të gjithë dhe që na shpëton nga zvenitja. Një muze arti në të cilin sërish nuk do të jetë vetëm historia e një piktori por edhe një vend tubimi dhe organizimi për piktorët e rinj, në mënyrë që arti të përcjellë mesazhet e pavdekshme të tij. Gjeografia shpirtëore e kombit do i duhet të nënshtrohet një rivelimeve të reja për të bërë të mundur përfshirjen në të dhe të thesareve të disaporës.  Kështu pak nga pak mund tëfillojë të rindërtohet si një mozaik historia e diasporës shqiptare e bashkë me të e Shqipërisë tjetër që gjallonte si trup në mërgim por zemra dhe mendja i pulsonte shqip.

Gazeta Shekulli fq 20, 14.09.2015


No comments: