Monday, 24 August 2015

Frika e kotë nga Perëndimi...


Idetë linden në Lindje dhe u maturuan në Perëndim. Shqipëria dhe territori i saj si një vend ku janë ndeshur idetë, dogmat por dhe ushtritë e të dyja palëve, ka sendërtuar prej shekujsh një identitet te veçantë që në momentet e zgjimit nacionalist tingëlloi fatlume per të. Shqiptarët, pa e njohur në detaje Iluminizmin dhe frymën e tij, kishin bërë për vete një nga parimet bazë të tij, vendosjen në qendër të gjithësisë të njeriut dhe moslejimin e asnjë dogme fetare për të ndërhyrë në qelizat e funksionimit të tyre si etni e shoqëri.
Përkufizimi i mësipërm vlen përsa i përket funksionimit të tyre si shoqëri dhe jo se ishin ateistë per të mohuar Zotin, si gabimisht është menduar deri më tash. Për këtë arsye çdo moment, lëvizje, aksion politik që ka lidhje me identitetin e tyre është i vlefshëm dhe i pranueshëm nga shqiptarët që gjithnjë kanë ngurruar të jene universalistë të bindur ndaj vetem një besimi fetar apo akoma më keq shtojca të një uniformiteti fetar të ndonjë shteti fqinj. 
Nilo Catalano dhe vepra e tij ka rëndësi për kombin shqiptar, sepse është dëshmi e një përpjekje titanike për tu arsimuar në shqip e akoma me tepër një dëshmi gjuhesore e radhë nga shqipja mesjetare. Ç'punë mund t’iu prish banorëve te Dhërmiut një memorial përkujtimor për të, ashtu si egziston prej kohësh manastiri i Shën Kozmait në zemër të Myzeqesë, një shenjtori që sa ka qenë ekumenik  dhe ka përhapur ortodoksinë, po aq ka qenë dhe përhapës i gjuhës dhe kulturës greke.

Shqiptarët e sotëm s’mund të veprojnë si Sinodi i Shenjtë i Konstandinopojës që në shumicë bërtiste më mirë "callma turke se kamillafi latin" në maj të 1453, kur Kostandinopoja idhte duke rënë në duar të osmanëve, duke dëshmuar qartë frikën nga Perendimi. Respektimi dhe toleranca në besime, simbole dhe ide janë trinia e shenjtë që mbijeton shqiptarizmi, prandaj çdo mbivendosje mbi këto parime tingëllon e huaj dhe nuk mund të jetë e sukseshme...


Gazeta Java 24.08.2015


No comments: