Sunday, 9 August 2015

Aleksandri i Madh



Buqefali u ngrit hov përpjetas me të dy këmbët. Turfulloi, hingëlliu ethshëm, ra poshtë dhe u kthye mbrapsht. Aleksandri e cyti lehtas që të kthehej drejt brigjeve të lumit, por Buqefali vazhdoi në të tijën. Matanë nëpër kodrat e buta të luginës së gjerë, nxinin kokat e zeshkëta e njerëzve që e kundërshtonin. Kishte kohë që e vriste mendjen sesi t’i quante ata njerëz. E dinte fort mirë që ata e quanin pushtues, por ai s’kish dashur asnjëherë t’i trajtonte si të mundur. Shumë bashkëkohës, përfshirë dhe filozofë të mëdhenj i kishin shprehur njëlloj si njerëzit matanë lumit, synimet dhe motivet e ngarendjes së tij drejt Hindit, madje duke përmendur të gjitha tundimet e kësaj bote: pushtet, femra dhe para.
Në fakt, nuk kishin asnjë faj. Të gjithë rendin drejt të mirave të prekshme, materiale dhe shpirtërore, ndoshta dhe ai e kish ndjerë këtë tërheqje në fillim, ndonëse më vonë në vetminë e tij, aty në çadër, fill pas fushimit të parë, ndërsa shfletonte Kryekëngën e këngëve Iliadën, që e mbante poshtë nënkresës, qe pushtuar nga mendime të tjera. Buqefali turfulloi sërish. E njihte prej kohësh kalin e vet, gat-gati i dukej sikur kishin lindur bashkë. I njihte çdo shenjë dhe ogur të kumtonte që nga jelet që në luftë i ndizeshin zjarr e deri tek patkonjtë që lëshonin xixa, ndërsa përplaseshin në armatura dhe helmeta. E pra, fati i tij qe paracaktuar kohë më parë. Udhëtimi i tij kish qenë deri këtu, në brigjet e këtij lumi. Më kot të dërgonte korrierët e shpejtë deri në Dodonë, Buqefali nuk mund të gabonte. Ndjeu papritur se po këputej, u lëshua poshtë dhe trupi iu mbush gjithë zjarrmi. Ndjeu që e futën në çadër, e vendosën mbi krevat dhe të gjithë komandantët e vet, i rrinin mbi kokë duke pëshpëritur pyetje të pafudme mbi fushatën, të ardhmen e mbretërisë, të vendeve dhe të popujve. Ai i dëgjonte dhe vetëm heshtte. Nuk i bëhej të fliste dhe në mendje i vinte dialogu me profesorin e vet, filozofin Aristotel, para se të niste fushatën.
- Po nisem, mësues për të shkatërruar e dërmuar persët. Do ta kap rob Darin dhe do ta rrënoj Persepolisin. Pas urnave të zjarrit do ta plugoj si Troja për të mos u ringritur më. Filozofi Aristotel ishte vrenjtur dhe e kish ndërprerë me një pyetje. - Kush është më i rëndësishëm, kush jep jetë Aleksandër? Shpata, zjarri apo libri?
Nxënësi Aleksandër ish mejtuar për një çast dhe sa qe matur të fliste, mësuesi e kish ndërprerë duke i thënë: - Mos ma jep tani përgjigjen, sepse kjo është një pyetje e përjetshme. Gjyko gjithë jetën dhe para se të ndjesh shenjat e Dodonës që do të këputet filli i jetës dhe përgjigjen lërua testament pasardhësve. Unë e di që nga kjo luftë t’i do të shndrrohesh në një hero, Dodona smund të gabojë në profecitë e veta...

Mjekët i rrinin gjithmonë mbi krye. Aleksandri u përmend, kërkoi pak ujë dhe u ngrit me dy duart mbrapsht në shtrat. U bëri me shenjë njerëzve të vet t’i vinin afër. Të gjithë u turrën për të mësuar fjalët e tij të fundit. Rojet me heshtat kërcënuese mundoheshin të mbanin sa më tepër rregull. Aleksandri mori frymë thellë, kujtoi bisedën që i ishte shfaqur pak çaste më parë në jerm, zgjati dorën poshtë nënkresë dhe nxorri Iliadën e Homerit. Ua dorëzoi në duar të tjerëve dhe aty nën peshën e përgjigjes së pyetjes së mësuesit dha shpirt. Njerëzit rreth e rrotull përloteshin, ngrinin supet dhe shikonin hartat e mëdha të mbretërisë nga Pelas në Persepolis. Pyesnin njëri-tjetrin se çdo të bëhej me gjithë ato territore, fise dhe vende, si do të ktheheshin në atdhe e çdo bënin me skllevërit e shumtë. Mes gjithë asaj potere dhe kaosi vetëm një njeri e kish ndalur përlotjen, kish marrë Iliadën nën sqetull dhe po ikte për te çadra e tij. Ku po shkon Ptoleme? Na jep një përgjigje për gjithë këto halle që na ranë mbi kokë. - E pyetën mikun besnik të Aleksandrit. - Po iki në Aleksandri të zbatoj testamentin...


Suplementi Milosao 9.08.2015, fq 19


No comments: