Monday 26 October 2015

Sekretet e mbetura nga Ali Pasha në Janinë



Gjuha dhe kultura përbëjnë dy komponentë të rëndësishëm në farkëtimin e identiteteve kulturore dhe në afirmimin e identiteteve kombëtare. Në këtë drejtim, rolin e tyre të veçantë ato e fituan gjatë shekujve të nacionalizmave, ndërsa më parë nuk shërbenin akoma si një kriter bazë të ndarjes etnike të popullsive, pasi shpeshherë ato i kundërviheshin origjinës etnike në favor të komunikimit tregtar apo afërsisë kulturore dhe anasjelltas. Në fillimet e shekullit XIX në Pashallëkun e Janinës gjuha greke gëzonte statusin e një “lingua franka”, pasi ishte mjeti i vetëm që bashkonte në komunikim, komunitetet e ndryshme etnike që banonin, si shqiptarët, grekët, vllahët, hebrenjtë etj.
Ky aspekt i përdorimit të gjuhës greke nuk duhet marrë si shenjë e një turbullimi linguistik, por më së shumti hedh dritë edhe mbi karakterin “lingua franka” që luante gjuha greke në rajon, karakter që ajo e kish fituar si një trashëgimtare e qytetërimit bizantin. Botimi i Arkivit të Ali Pashës në vitin 2009 në Greqi, hedh më tepër dritë mbi kontaktet kulturore dhe me të drejtë vërejmë jo vetëm një supremaci të gjuhës greke mbi atë shqipe, por edhe ndikime të kësaj të fundit mbi greqishten. Përdorimi i gjuhës greke si gjuhë kontakti edhe me popullsitë e tjera në Pashallëkun e Janinës për shkak të rolit që ajo kishte trashëguar në rajon që nga koha e largët e Perandorisë Bizantine nuk do të thotë se nuk hyri në marrëdhënie marrje dhe dhënie me gjuhët e tjera e sidomos me shqipen që ishte edhe gjuha që fliste elita ushtarake e drejtuese e Pashallëkut dhe vet, Ali Pasha. Në këtë kohë, madje kemi të dhëna që pjesëtarë të elitës iluministe greke dinë të flasin shqip e madje bëjnë dhe përpjekje për të shkruar gramatikë të gjuhës shqipe si ishte rasti i Jani Vilaras, mjekut personal të Veli Pashës, djalit të Aliut, një figurë e shquar epirote e neoiluminizmit grek lindur me 1771 në Kithira në familjen e një mjeku dhe rritur në Janinë.

Vilara kreu studimet e veta në Padova dhe Venedik në Itali për Mjekësi, Botanikë dhe Shkenca të tjera Natyrore me përkushtim duke u bërë njëkohësisht njohës i thellë i shkencave matematikë-fizikë. Ai shkruante dhe fliste në frëngjisht, italisht dhe latinisht veç greqishtes. Jan Vilarai përmendet dhe për një fletore shënimesh gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t’u mësuar greqisht shqiptarëve, të cilët ishin të pranishëm në pashallëkun e Janinës me titull “Elemente të gramatikës greqisht-shqip” dhe dialogë (1801). Gjuhën shqipe ai e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 germash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes. Dorëshkrimi ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (supplément grec 251, f. 138-187). Në fund të shënimeve gjendet edhe një letër në gjuhën shqipe e shkruar me këtë alfabet nga Villarai vetë në fshatin Vokopolë i Beratit, më 30 tetor 1801, siç datohet sipas disa burimeve. Ai mendohet se është edhe autori i vargjeve që gjendeshin në mbishkrimin e kështjellës së Porto-Palermos ose Vasiliqisë si quhet kushtuar Ali Pasha Tepelenës.
“Ktheni ploret o detarë, hyni në liman pa frikë
Këtu në Panormë zhurma e stuhive është fikë
Dhe mua që më shihni në qiell të çaj retë
Jam e fitores një trofe kështjelle që shkrep rrufetë
Nuset e himariotëve më ngritën me kujdes
Armike për armiqtë, për miqtë besnike për besë!
 zili ma pat Faethoni dhe Pirrua nakar
i Tepelenës më sundoi hero Aliu i parë
I plotfuqishëm është zot në të Epirit vende
 Dhe gjeneral Assirian
i pakrahasueshëm me shpatë dhe me mënde
Plot pesëdhjetë mijëra nën urdhra ka ushtarë
Pa frikë dhe me plot guxim armiqve ju bën ballë
Tash në Janinë prehet Luani i pa frikë
Prej Athinasë lindur dhe prej Marsit rritë”.

Si mund të shikohet dhe në këto vargje edhe Villarai bënte pjesë në elitën greke të Pashallëkut të Janinës që admironte personalitetin e Ali Pasha Tepelenës duke i veshur atij epitete dhe krahasime nga mitologjia, por edhe duke e krahasuar me Pirron e Epirit, krahasim që më vonë do të ndeshet vetëm në popullsinë shqiptare, por jo më në atë greke. Vargu: “zili ma pat Faethoni dhe Pirrua nakar” i japin Aliut përmasa mitike. Në pjesën e dytë të vargut të mësipërm e vazhdon himnizimin e Aliut ku Pirrua do ta kishte zili po ta shihte këtë kala madhështore. Dhe së fundi, karakterizimi i këtij heroi si bir i Athinasë dhe i ushqyer me instinktet luftarake të Arit (Marsit) shpreh faktin që Ali Pasha i takon jo vetëm historisë shqiptare, por edhe greke si është e dëshmuar dhe nga shumë historianë të kohës për admirimin që kishte popullsia greke ndaj Pashait tepelenas[1].
Kjo situatë kulturore sigurisht që do të sillte edhe ndikim gjuhësor shqiptar mbi atë grek nisur nga fakti se si e kemi shpjeguar dhe më lart në Pashallëkun e Janinës filloi të merrte jetë transformimi gjuhësor nga varianti katherusa në dhimotiki. Administrimi i Pashallëkut nga elita ushtarake shqiptare do të sillte pashmangshmërisht edhe ndikimin e gjuhës shqip, pavarësisht se në komunikimin administrativ sipas Arkivit të Ali Pashës përdorej turqishtja si gjuhë komunikimi me administratën e Portës së Lartë dhe që nga viti 1803 fillon dhe përdorimi gjuhës greke. Qyteti i Janinës qysh në mesjetën e vonë, përbënte një pikë të rëndësishme tregtare dhe vendkryqëzimesh rrugësh që të çonin në Venedik, Vjenë e Moskë, por ishte dhe pikëtakim i arealeve të greqishtes, shqipes dhe sllavishtes[2].
Gjithsesi, krahas turqishtes dhe greqishtes haset dhe gjuha shqipe e përfaqësuar nga një numër i kufizuar fjalësh. Por po të lexohen me vëmendje tekstet, sidomos ato që janë shkruar prej personash bilingë e monolingë që e njohin në një farë mase greqishten, vërehet se shqipja i ngjan një lumi të nëndheshëm, që rrjedh në një shtrat të çelur prej kohësh.[3] Interesant në dokumentin 235 është përdorimi i fjalës mëngore, një veshje tipike shqiptare me një përhapje të madhe jo vetëm në rrafshin ballkanik, por deri larg në Angli. Konica në veprën e vet Shqipëria një shkëmb i Europës Juglindore shkruan se në veshjen shqiptare ajo ka një të çarë të lirë të mëngët, për të lënë të kaloj krahu, ndërsa mëngët, të qepura vetëm në pjesën e sipërme të supeve, hidhen prapa. Ato edhe mund të përdoren, por përgjithësisht u futen krahët. Ndërsa grekët gjithmonë i fusin duart dhe nuk e kanë vënë re se nuk e kanë kuptuar këtë tipar që, nga koha e mbretërimit të mbretëreshës Elisabeta, ka tërhequr vëmendjen e një poeti të madh anglez. Në veprën e tij “Farfe Queene” (Mbretëresha e Vendit të Magjepsur”,III,kr.XV,10) Edmund Spenseri flet për mëngët që u vareshin si të shqiptarëve[4]. Konica me të drejtë e quan një pjesë organike të fustanellës dhe e vërën se ky tipar mungon në veshjen kombëtare greke të adoptuar nga shqiptarët.
Kontaktet  gjuhësore  për sa i përket ndikimit të gjuhës shqipe mbi gjuhën greke shtrihen në rrafshin fonetik dhe morfosintaksor. Aspekti i parë është rrafshi fonetik ku vërehet një prirje e desonarizimit të bashkëtingëlloreve të zëshme si influencë e gjuhës shqipe mbi dialektin greqisht që flitej në Epir. Kështu p.sh, emri i fshatit Dragot të Tepelenës, në këto dokumente del si Tragoti, begi për bej, Praçe për Braçe (emër njeriu, shkurtim i emrit Ibrahim). Sidoqoftë kjo është një dukuri që nuk haset shumë në trup të fjalës, kështu që kemi të bëjmë më shumë me një desonarizim grafematik[5]. Influenca e shqipes në të folurën greqisht të Epirit gjatë kësaj kohe e evidentuar kryesisht në tekstet e “helefonisë shqiptare”, tekstet e autorëve shqiptarë të shkruar në greqisht, bie në sy te shndërrimi u në o në trup të fjalëve të greqishtes[6]. Po kështu në rrafshin morfosintaksor vërehen një sërë dukurish që lidhen me bilingulalizmin shqiptaro-grek. Njëra prej tyre është përdorimi i gabuar i nyjës shquese në greqisht, pasojë e intereferencave të shqipes. Në dokumentin 218 gjejmë i psomi në vend të to psomi dhe këtu nyja e gjinisë femërore shpjegohet me faktin se emri bukë i shqipes i takon po kësaj gjinie.[7] Aspekti i dytë është në rrafshin leksikor. Në këtë rrafsh huazimet e greqishtes nga gjuha shqipe janë më të shpeshta sesa influenca në rrafshin fonetik.
Kështu në dokumentet e Arkivit të Ali Pashës hasim huazimet semantike na plino kai go to alaxhaqi mou ku folja pleno ka marrë kuptimin shlyej një detyrim. Po kështu ka shprehje të cilat janë fjalë për fjalë përkthime të shprehjeve së shqipes si për shembull: simera ja simera për sot për sot(dokumenti .705), as tou parun to kako për i marrshin të keqen(dok.437, botuesi shënon shprehje e vështirë për t’u kuptuar), na mu zisis e na su eko për më rrofsh e të paça(Dok.408), stekese me to miti për më rri me hundë(Dok.421, botuesi nuk e kupton shprehjen dhe vendos ?), na grafi apo rama ke os veloni për të shkruhet me hodhësi krahaso me shqipen pe e gjilpërë (Dok.389. Tepelenë)[8] Bashkëjetesa për një periudhë të gjatë në një formacion politik e ushtarak të përbashkët si ishte Pashallëku i Janinës i popullsive shqiptare dhe greke do të sillte pashmangshmërisht edhe influencat e ndërsjella mbi njëra-tjetrën. Në rastin e popullsisë shqiptare, kjo influencë u shfaq në aspektin ushtarak e të artit të luftës ku shqiptarët prej kohësh ishin trupa elite në rajon, mjafton të sjellim ndërmend formacionet e suksesshme të stratiotëve në Mesjetë kaq të famshme në Itali, Spanjë, Flandër, France e Angli, por edhe në trupat jeniçere të Perandorisë Otomane ku ata sërish përbënin elitën.
E lidhur ngushtë me këtë faktor ishte dhe veshja shqiptare e fustanellës dhe e mëngëve të varura që ndoshta përbëjnë influencën më të dukshme dhe akoma të pranishme të shqiptarëve në rajon. Qeverisja për një kohë të gjatë e Pashallëkut të Janinës nga elita ushtarake dhe politike shqiptare influencoi dhe në aspektin gjuhësor e kulturor duke shërbyer edhe në promovimin e dhimotikis si ishte rasti i “Ali Pashaidës”, por edhe në influenca të drejtpërdrejta në rrafshet fonetike dhe morfosintaksore. Pashallëku i Janinës si një formacion i suksesshëm politik e administrativ la një gjurmë të pashlyeshme në memorien e popullsive që banonin në territoret e tij. Hapësira që zinte dikur ky pashallëk ka qenë dhe vazhdon të jetë një kryqëzim gjuhësh e kulturash, që marrin e japin, që pasurojnë e pasurohen në rrjedhë të kohës, ndaj vlerësimi dhe studimi i kësaj kohe[9] dhe epoke mund të hedhë dritë më tepër në aspekte identitare në rajon.

[1]M.Gjoka. EPIGRAFI I NJË POETI-Vilara apo Psalidha ?  Tribuna, Athinë. – 26 nëntor, 2004, f. 17

[2]Kyriazis.S.D. Kontakte gjuhësore në Pashallëkun e Janinës, përmes dokumenteve të Arkivit të Ali Pashë Tepelenës, faqe23

[3]Kyriazis.S.D. Kontakte gjuhësore në Pashallëkun e Janinës, përmes dokumenteve të Arkivit të Ali Pashë Tepelenës, faqe 25

[4]Faik Konica. Vepra 2. Shqipëria një shkëmb i Evropës Juglindore, Tiranë:Dudaj, faqe 261-262

[5]Shih për më tepër Kyriazis.S.D. Kontakte gjuhësore në Pashallëkun e Janinës, përmes dokumenteve të Arkivit të Ali Pashë Tepelenës, faqe 27

[6]Po aty, faqe 27

[7]Po aty, faqe 28

[8]Kyriazis.S.D. Kontakte gjuhësore në Pashallëkun e Janinës, përmes dokumenteve të Arkivit të Ali Pashë Tepelenës,faqe 28


[9]Kyriazis.S.D. Kontakte gjuhësore në Pashallëkun e Janinës, përmes dokumenteve të Arkivit të Ali Pashë Tepelenës,faqe 35

Gazeta Shqip, 25.10.2015, fq 19


Sunday 25 October 2015

Tregimi “Kërxhaliu” i Pushkinit dhe kontaktet ruso-shqiptare në Besarabi. Tregimi "Kërxhaliu" në shqip



Njohja  dhe  rizbulimi i shqiptarëve dhe kulturës së tyre në fillim të shekullit të XIX, është një proces që erdhi gradualisht duke ndërthurrur në vetvete shumë faktorë. Së pari, territoret shqiptare në luftërat Napoloniane u gjendën në mes të interesave të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat interesin e tyre politiko-ushtarak e përkthyen shumë shpejt dhe në interes kulturor.


Sunday 11 October 2015

Sfidat e kronologjisë së fillesave të nacionalizmit në Shqipëri




Studimi i nacionalizmit ndër shqiptarët paraqet vazhdimisht sfida. Pikëpyetje të mëdha ngrihen përsa i përket përqafimit të tij nga popullata shqiptare pasi asnjë nga skemat e njohura të studiuesve nuk u përshtatet zhvillimeve kulturore dhe politike të zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Pothuajse në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm.


Tuesday 6 October 2015

Moral i ri politik dhe jo mballoma politikash të vjetra


“Politika nuk ka moral, çdo gjë në të është e lejueshme”. Kjo është shprehja lapidare që dëgjon lart e poshtë, sa herë ndihet në ajër që prishen aleanca të vjetra dhe krijohen të reja, tradhtohen ideale dhe përqafohen kauza të dyshimta. Përforcimi i kësaj bindjeje të vjen ndërmend sidomos në kohëra të ngarkuara me ngjarje dhe rrjedhimisht me tension politik. Në kohë të tilla, ashtu si jemi mësuar rëndom deri tani, fillojnë dhe pazarllëqet e mëdha që shiten si konsensuse të mëdha apo fillojnë braktisjet e mëdha dhe përzgjedhja e ofertës politike më të mirë për ata që janë në politikë, por që për qytetarët e thjeshtë përkthehet si tradhti e idealeve të tyre.


Friday 2 October 2015

Strehimi i grave te bukuria-Art dhe Trashëgimi Kulturore



Sikur t’u thuhej grave shqiptare të mesit të shekullit të XIX se vlerat dhe normat shoqërore mbi të cilat do të gjykoheshin do të ishin sesa të shkolluara, të kulturuara dhe ç’mendim do të jepnin për jetën shoqërore në vend, do të mbeteshin të habitura dhe do ta quanin një lajthitje “alla frënga” të ardhur nga matanë detit.
Realiteti në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare nuk linte shumë për të shpresuar për një zhvillim të tillë në këtë drejtim.