Tuesday, 6 October 2015

Moral i ri politik dhe jo mballoma politikash të vjetra


“Politika nuk ka moral, çdo gjë në të është e lejueshme”. Kjo është shprehja lapidare që dëgjon lart e poshtë, sa herë ndihet në ajër që prishen aleanca të vjetra dhe krijohen të reja, tradhtohen ideale dhe përqafohen kauza të dyshimta. Përforcimi i kësaj bindjeje të vjen ndërmend sidomos në kohëra të ngarkuara me ngjarje dhe rrjedhimisht me tension politik. Në kohë të tilla, ashtu si jemi mësuar rëndom deri tani, fillojnë dhe pazarllëqet e mëdha që shiten si konsensuse të mëdha apo fillojnë braktisjet e mëdha dhe përzgjedhja e ofertës politike më të mirë për ata që janë në politikë, por që për qytetarët e thjeshtë përkthehet si tradhti e idealeve të tyre.
Duke parë tablonë e politikës shqiptare në gjithë këto vite, në përgjakjet dhe ndarjet e saj të mëdha, por dhe në bashkimet dhe aleancat e papritura, të bie në sy një tipar sociologjik që meriton vëmendje. Në dallim nga politikat e brendshme të shteteve të tjera në Ballkan, politika shqiptare karakterizohet nga mosmbajtja e fjalës mes vedi dhe prishja e pakteve politike të nënshkruara mes palëve, duke i zëvendësuar marrëveshjet zyrtare në paçavure pa rëndësi.
E gjithë kjo situatë, që nuk është e re për qytetarët shqiptarë, zhvillohet mes një paradoksi të madh që në vetvete shpreh dhe një defekt të madh të qytetërimit tonë. Demokracia, si një sistem qeverisës ka si komponent kryesor të tij ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e shtetit ligjor. Mes këtij respektimi dhe praktikimi të shtetit të së drejtës një vend kryesor zë kontrata si një element bazë i tij. Politika shqiptare ka dy lloj kontratash të lidhura me popullin; njëra është ajo morale për një politikë sa më të drejtë e transparente dhe tjetra është ajo institucionale; kjo synon që besimin e fituar ta përkthejë në sukses qeverisjeje.
Mirëpo, edhe pse këto dy koncepte janë shumë të njohura për klasën politike duken se nuk respektohen, jo vetëm për faktin se kërkojnë të përfitojnë nga situatat si mund të dëgjohet zakonisht, por besoj ngaqë mungon edhe kultura institucionale për ta konfirmuar këtë vullnet.Loja që po luhet sot mes pozitës dhe opozitës për reformën në drejtësi duket se është një lojë kukafshehtazi, ku duket se do ta pësojë ai që do t’i mbajë sytë për një moment mbyllur më shumë se tjetri.
Në thelb nuk po synohet konsensusi i gjerë, por hiletë dhe dredhitë teknike ndaj neneve të Kushtetutës, a thua se reforma në drejtësi do të jetë një reformë e lindur në një epruvetë eksperimentale të teknikës administrative dhe jo një reformë që do përfaqësojë vullnetin e popullit që i ka votuar politikanët. Interesi i përgjithshëm i shqiptarëve dëshiron që reforma në drejtësi dhe të gjitha reformat e domosdoshme për modernizimin e shtetit të miratohen me një shumicë mazhoritare votash për t’i treguar familjes europiane ku dëshirojmë të integrohemi se ne jemi të aftë të ndërtojmë një marrëveshje konsensusi për të mirën tonë edhe brenda një kohe të shkurtër.Pas një rrugëtimi të gjatë nëpër labirintet e shtetit të së drejtës, tashmë ka ardhur koha të ndjekim fillin e Arianës për të dalë në dritë. Për t’ia arritur kësaj nuk ka ndonjë filozofi të madhe, sesa braktisja e mballomave të politikave të vjetra të përfitimit të skajshëm politik dhe përqafimi i respektimit të shtetit ligjor, po aq edhe frymës së bashkëpunimit të gurit themeltar të tij: Kushtetutës së vendit.
Politika e ka një moral dhe kjo është loja e drejtë si partnerë me kundërshtarin, ku dhe humbja dinjitoze është vlerë. Në të kundërt, sërish do të prodhojmë gjeneratorë konflikti dhe vonesë të pajustifikueshme drejt integrimit. Faji në politikën shqiptare nuk duhet të mbetet më jetim, por përfaqësuesit e saj të bëhen prindër të mirë dhe këtë fëmijë trazovaç ta pagëzojnë konsensusin, me kumbar Bashkimin Europian dhe aleatin strategjik, SHBA.

 Gazeta Shqip, 6.10.2015, faqe 9


No comments: