Sunday, 25 October 2015

Tregimi “Kërxhaliu” i Pushkinit dhe kontaktet ruso-shqiptare në Besarabi. Tregimi "Kërxhaliu" në shqip



Njohja  dhe  rizbulimi i shqiptarëve dhe kulturës së tyre në fillim të shekullit të XIX, është një proces që erdhi gradualisht duke ndërthurrur në vetvete shumë faktorë. Së pari, territoret shqiptare në luftërat Napoloniane u gjendën në mes të interesave të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat interesin e tyre politiko-ushtarak e përkthyen shumë shpejt dhe në interes kulturor.
Egzistenca e Pashallëkëve shqiptare gjysëm autonome në jug dhe në veri të të vendit dhe përfshirja e tyre në lojën diplomatike në rajon i ktheu shumë shpejt ato në vende të vizitueshme dhe të admirueshme ku nuk shikohej vetëm interesi gjeostrategjik por filloi të studjohej dhe kultura, gjuha dhe traditat zakonore që mbarte popullsia e tyre. Pas vitit 1809 , vit që shënon  vizitën e Bajronit dhe mikut të vet Hobhouse në Prevezë, Janinë dhe Tepelenë, territoret shqiptare nisën të jenë pjesë e turit të madh kulturor anglez që zhvillonin të rinjtë aristokratë anglezë që prej shekullit të XVI .
Një numër i madh udhëtarësh, diplomatësh, tregtarësh pasuan vizitën e famshme të lordëve anglezë  për t’u njohur me Ali Pashën e famshëm që ishte memorizuar si personazh letrar tek poema romantike “Shtegtimet e Child Haroldi”-it, por në të njëjtën kohë u njohën gjatë udhëtimeve të tyre dhe me shqiptarët dhe kulturën e tyre. E bukura, piktoreskja dhe sublimja nën efektin e Romantizmit , rrymës më të  re letrare që kish filluar të përshkronte letrat evropiane si një rrymë mendimi dhe shpërthimesh lirike po aq dhe revolucionare filloi të lërë gjurmët e veta në këtë rizbulim kulturor të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga elita evropiane e kohës. Mirëpo ky proces nuk do të ecte paralelisht si në perëndim, po ashtu dhe në lindje. Nëse gjatë kësaj kohe shikojmë një seri veprash të botuara të autorëve anglezë dhe francezë të cilat krijojnë dhe prezantojnë në Europë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjejmë shumë më pak fragmente të pranisë së tyre në letërsinë dhe literaturën e  udhëtimit ruse.
Në këtë drejtim nuk është se ka influencuar largësia gjeografike si mund të mendohet në pamje të parë,  pasi të paktën që nga vitet e luftës Ruso-Turke 1768-1774 dhe ekspeditës së Orlovit në More në 1770-1771, prania ruse në Mesdhe sa vjen dhe rritet. Përveçse luftës tjetër Ruso-Otomane 1787-1792 dhe dërgimit ë vazhdueshëm të agjentëve për të rekretuar popullsinë luftarake të Epirit, prania ruse do kulmojë me themelimin e Republikës së Shtatë Ishujve Jonianë në 1800-1807, tashmë si aleatë me Perandorinë Otomane. Për shtatë vjet rusët do të qeverisin të vetëm nga Korfuzi, Republikën e Shtatë ishujve por do të kenë dhe kontakt të ngushtë me popullsinë e bregut shqiptar, si dhe me suliotët pasi nën asistencën e tyre do të krijohet Regjimenti Shqiptar që do shërbente për mbrojtjen e ishujve dhe për të mbajtur larg synimet ekspansioniste të Ali Pashë Tepelenës. Nga e gjithë kjo periudhë qeverisje në fakt kemi vetëm raporte diplomatike, shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për gjendjen politike dhe administrative të Pashallëkut të Janinës, por mungojnë vepra kulturore si shënimet e udhëtimit të William Martin Leake, Dr Henri Holland, Francois Pouqeuville etj. Çuditërisht, prania dhe imazhi i shqiptarëve në letërsinë e kultivuar ruse do të vinte jo nga administrata e shtatë ishujve, por nga prania e shqiptarëve si pjesë e Regjimentit të shenjtë të krijuar nga Aleksandër Ipsilanti në prag të shpërthimit të Revolucionit Grek në provincat Danubiane.
Shkrimtari i madh romantik Pushkin,  i ndodhur në internim në Besarabi, në Kishinev (sot Kishinau – kryeqyteti i Republikës së Moldavisë), do të jetë dëshmitar i shpërthimit të kryengritjes së Aleksandër Ipsilantit dhe të luftimeve me forcat otomane. Mes forcave të “Filiki Eterisë”, merrnin pjesë shumë shqiptarë, përshkrimi piktoresk i të cilëve do të jetë i pranishëm në tregimin “Kërxhaliu”, botuar për herë të parë në 1836. Tregimi është një jehonë jo vetëm i kujtimeve të drejtë për së drejta të Pushkinit ndaj shpërthimit të revolucionit grek por edhe një ilustrim i motive romantike të karektereve të fortë dhe piktoreskë nga Ballkani. Kërxhaliu dhe luftëtarët shqiptarë të përshkruar në tregim të kujtojnë personazhet e Bajronit në “Turkish Tales”. Ky përshkrim i shqiptarëve fiton dhe një rëndësi historike pasi është jo vetëm një komfirmim i pjesëmarrjes së tyre në fillimet e luftimeve të  Revolucionit Grek, por në tregim kemi dhe një numër të saktë të 600 vetave.
Pikëtakimet e Pushkinit me Bajronin janë shumë të njohura për studiusit e letërsisë, sidomos në formën e romanit në vargje “Eugen Oneigini”, ku ndihet influenca e heroit tipik bajronian. Gjithësesi duhet pranuar se Romantizmi si rrymë letrare me adhurimin e vet ndaj së bukurës sublime, heronjve të veçantë krenarë, humor prishur, cinikë, rebelë, të trishtuar, përbuzës, hakmarrës të  paepur, por prapë së prapë të aftë për të ndjerë një dhembshuri të thellë e të fortë, bën të mundur që autorët të ngjajnë mes tyre dhe jo domosdoshmërisht të influencoheshin nga njëri-tjetri. “Turkish Tales” të Bajronit dhe “Kerxhaliu” i Pushkinit kanë të përbashkët sfondin kulturor ku mbizotëron kostumi tradicional i shqiptarëve dhe veshja e tyre fustanella, ndaj nëse në fillimet e shekullit të XIX mund të flasim për një tipar karekteristik të shqiptarëve nga Adriatiku deri në Besarabi e Det të Zi , padyshim do të reshtonin të parën dhe si më përfaqësuese fustanellën. Me të vërtetë fillimi i shekullit të XIX ishte koha e revolucioneve dhe e fustanellës.




Kërxhaliu[1]

Përktheu nga rusishtja:Stela Koçi

Kërxhaliu ishte një komit me origjinë bullgare. Kërxhali në gjuhën turke do të thotë trim dhe i guximshëm. Emrin e tij i vërtet nuk e di sesi e kishte. Kërxhaliu me grabitjet dhe  plaçkitjet e tij kish ngjallur frikë e tmerr në gjithë Moldavinë. Që t’ju krijoj një farë ideje për të,  do t’ju tregoj një nga trimëritë të tij. Një natë, ai dhe arnauti Mihallaq sulmuan të dy sëbashku një fshat bullgar. I vunë zjarrin nga të dyja anët, dhe filluan të hidhen sa nga njëra shtëpi tek tjetra. Kërxhaliu vriste e priste mbi fshatarët, kurse Mihallaqi mblidhte prenë dhe plaçkat . Të dy ulërisnin për të tromaksur njerëzinë: Kërxhali! Kërxhali! Të gjithë banorët e fshatit morën arratinë nga tmerri.
Kur Aleksander Ipsilanti[2] shpalli luftën dhe filloi të mblidhte ushtrinë, Kërxhaliu solli disa nga shokët e tij të vjetër për t’iu bashkuar ushtrisë së Ipsilantit. Ata s’para e kuptonin qëllimin e vërtet të revoltës, por lufta ishte një mundësi pasurimi në kurriz të turqve, ose ndoshta dhe moldavëve, dhe kjo ishte një arsye e mjaftueshme për ta.
Aleksandër Ipsilanti për vete ishte trim, por ai nuk zotëronte aftësitë të nevojshme për rolin që e kish marr me kaq vrull dhe kaq mendjelehtësi përsipër. Ai nuk dinte si ta mbante në fre njerëzit që duhej t’i drejtonte.Ata nuk kishin as respekt as besim tek personaliteti i tij. Pas betejës fatkeqe, ku vdiq lulja e rinisë greke, Jordaq Olimbioti[3] e këshilloi të largohej, dhe ai vetë mori komandën. Ipsilanti u largua drejt kufinjëve të Austrisë, dhe nga andej dërgonte mallkime njerëzve, që i quante  tradhtarë, frikacakë dhe horra të poshtër. Mirëpo ata djem që ai i konsideronte si horra dhe frikacakë , në fakt, në shumicën e tyre, kishin vdekur brënda mureve të manastirit Seku[4] ose në brigjet e Prutit[5], duke u mbrojtur nga armiku që ishte dhjetë herë më i fuqishëm se ta.
Kërxhaliu merrte pjesë në ushtrinë e Gjergj Kantakuzinos[6], për të cilin mund të thuhej se kishte një prerje si Ipsilanti. Në prag të luftës afër Skuleni[7], Kantakuzinoi i kërkoi autoriteteve ruse  lejen që të futej në territoret tona. Regjimenti luftarak mbeti pa udhëheqës; por Kërxhaliu, Safianos, Koçandoni dhe të tjerët  nuk kishin  nevojë për udhëheqës.
Beteja afër Skulenit, siç duket, nuk u përshkrua nga asnjë  me gjithë të vertetën e saj ngjethëse. Imagjinoni 700 burra- arnautë, shqiptarë, grekë, bullgarë dhe fundërrina të çdo lloji, që s’kishin  idenë më të vogël për artin ushtarak, duke u prapsur nën vështrimin e pesëmbedhjetë mijë kalorësve turq.
Ky repart u mbështet pas bregut të Prutit, dhe nxorri përballë tij dy topa të vegjël, të gjetur në Jashi në oborrin e Governatorit me të cilat, ndodhte që qëllonin gjatë drekave kur kishte  festa. Turqit do të  ishin të lumtur të përdornin  shrapnelat e tyre, por nuk guxonin pa lejen e autoriteteve ruse:  sepse fishekët , me domosdo do të fluturonin deri tek bregu ynë. Komandanti i repartit tonë (tashmë i vdekur), kish dyzet vjetë që kish  sherbyer në ushtri dhe kurrën e kurrës s’kish dëgjuar vërshëllimat e plumbave nëpër veshë, por ja që  Perëndia i dha mundësinë t’i dëgjonte. Disa nga ta, vërshëlluan pranë veshëve të tij. Komandanti plak u zemërua shumë, dhe i foli ashpër majorit të regjimentit të këmbësorisë  të Okhotskut,  që ndodhej në rreshtat tanë. Majori, duke mos ditur së çfarë të bënte, vrapoi tek lumi, përtej të cilit dukeshin kokat e  kryengritësve, dhë i kërcenoi me gisht. Kryengritësit, duke parë këtë gjest, u kthyen dhe u lëshuan galop përpara, dhe mbas tyre u lëshua i gjithë tabori turk. Majori, që kërcenoi me gisht, quhei Khorchevski. Nuk e di çfarë u bë më vonë  me të.
Ditën tjetër, megjithatë, turqit i  sulmuan Etiristët[8]. Duke mos guxuar të përdornin as plumba, as gjyle topi, ata vendosën, në kundërshtim me zakonin e tyre, të sulmojnë me armë të ftohta. Beteja qe e ashpër.Po priteshin e therreshin me jataganë. Turqit kishin mbërthyer heshtat dhe ushtat , të cilat nuk ishin përdorur nga ta deri më tani; këto ushta ishin ruse: Nekrasovistët[9] po mbaheshin në radhët e tyre. Heteristët, me lejen e  Perandorit tonë, mundën të kalonin Prutin, dhe të fshiheshin në garnizonin tonë. Ata filluan të hidheshin përtej bregut. Koçandoni dhe Sofjanosi qëndruan të fundit në bregun e lumit që u përkiste turqve. Kërxhaliu, i cili qe  plagosur një mbremje më parë, qendronte i shtrirë në kazermën tonë. Sofjanosi u vra.Koçandoni, një burrë shumë i fortë,  ishte plagosur me heshtë në bark. Me një dorë ai kish ngritur shpatën, me tjetrën kish kapur  heshtën,  e kish ngulur më thellë brenda vetes, në  mënyrë që të mundej të godiste me shpatë armikun e tij, dhe sëbashku me të,  kish rrënë për tokë.
Çdo gjë mbaroi përnjëherësh.Turqit mbetën fitimtarë në fushë të betejës.Moldavia u spastrua nga bandat kryengritëse. Rreth gjashtë qind arnautë u shpërndanë nëpër gjithë Basarabinë; pavarësisht se nuk dinin sesi të mbijetonin, ata i ishin  mirënjohës Rusisë për mbrojtjen e dhënë duke i lejuar të kalojnë në bregun tonë. Ata bënin një jetë të plogët, por jo të shthurrur. Mund t’i shikoje gjithmonë  nëper kafenetë alla turke të Basarabisë, duke tymosur me nargjile të gjata e  rufitur  gllënkë pas gllënke  llumin e kafes në filxhane të vegjël. Mëngoret e tyre plot qëndisma dhe opingat majëmprehta me xhufkat e kuqe sipër kishin filluar  të griseshin, por  festet e tyre me  xhufkë vazhdonin ti mbanin ende në  kokë,ndërsa  pistoletat dhe jataganët u dilnin sipër silaheve të gjera. Asnjëri nuk ankohej për ta dhe as që nuk mund tu vinte mendja, që këta burra të urtë e paqësorë ishin të famshmit  kryengritës të Moldavisë, miqtë e Kërxhaliut të frikshëm, dhe akoma më tepër që ai vetë ndodhej mes tyre.
Pashai osman që qeveriste në Jash, e mori vesh  që Kërxhaliu fshihej mes kryengritësve, dhe në bazë të dispozitave të traktateve të nënshkruara  , iu kërkoj autoriteteve ruse që t’ua dorëzonin.
Policia filloi kërkimin.Ata e zbuluan që Kërxhaliu, në të vertetë ndodhej në Kishinev[10].E  gjetën në shtëpinë e një murgu të arratisur, në mbrëmje, kur po hante darkën, duke qendruar në errësirë  me shtatë shokët e vet.
 Kërxhaliun e  vunë nën arrest. Ai nuk u përpoq ta fshinte të se kush ishte, dhe e pohoi , që ai ishte dora vet,  Kërxhaliu.
«Por, – shtoi ai, – qëkur, kam kaluar Prutin, nuk kam prekur asnjë qime floku të pronës të  asnjë njëriu dhe nuk kam rënë në qafë as evgjitit më të përhumbur këtu. Turqit, Moldavët, dhe Vllahët, më njohin për hajdut, por për rusët unë jam mysafir në tokën e tyre. Kur Safianosi, pasi i kish harxhuar të gjithë gjylet e topit , erdhi në gazermën tonë, dhe mblodhi nga të  plagosurit për të shtënën e fundit të gjithë pullat, gozhdët, zinxhirët e orëve  dhe dorezat e jataganëve, unë i dhashë njëzet beshlik[11], dhe ngela pa asnjë të hollë në xhep. Zoti, lart në qiell e di që unë, Kërxhaliu deri më tani, kam jetuar me lëmoshë! Kur jam katandisur në këtë pikë të hallit, pse duhet  të më dorëzoni tek armiqtë e  mi?» Pas këtyre fjalëve, Kërxhaliu heshti dhe në qetësi po priste vendimin që do të caktonte fatin e tij.
Nuk është se priti shumë, pasi autoritetet gjyqësore, të bindur për korrektesinë e kërkesës osmane e që sigurisht nuk ishin të detyruar t’i shikonin hajdutët me sy romantik, urdhëruan ta dërgonin Kërxhaliun te Pashai osman, në Jash.
Një burrë i përzemërt dhe i urtë , që në atë kohë ishte një zyrtar akoma ri e i panjohur, por tashmë ka në një pozicion shumë të rëndesishëm në administratën shtetërore, më  rrëfeu më vonë  gjithë gjallëri dorëzimin  e Kërxhaliut te autoritetet osmane , matanë lumit.
Te dyert e burgut qendronte një karruca… (Ndoshta ju nuk e dini se çfarë është karruca. Kjo është një karro e ulët dhe e  thurrur , në të cilen deri pak kohë më parë  mbreheshin zakonisht gjashtë osë tetë kuaj gërdalla. Një burrë moldav me mustaqe dhe me kapuç të endur me lesh dashi në kokë, qendronte sipër njerës prej tyre, dhe thërriste pa pushim duke i fshikëlluar me kamzhik kuajt gërdalla që nga frika e goditjet vraponin trokthi.Nëse njëri nga ta dilte nga rruga, karrocieri e zgjidhte nga karroca e gjithë të sharra e të shfryra  e linte në rrugë, pa u shqetësuar fare për fatin e tij. Në të kthyer ai ishte i bindur ta gjente në të njëjtin vend, duke kullotur në stepën e gjelbër. Jo rallë ndodhte që një udhëtar që nisej nga një stacion me tetë kuaj, arrinte në tjetrin vetëm me një palë kuaj të tjerë. Kështu ishte gjendja e udhëtimeve përafërsisht pesëmbedhjetë vite më parë. Aktualisht, në Basarabinë e rusifikuar  kanë adoptuar takëmet dhe telegat[12] ruse).
Një karrucë e tillë po qëndronte te portat e burgut në vitin 1821, në një nga ditët e fundit të muajit shtator. Rreth saj mund të shihje hebrenjtë, me mëngët e lëshuara dhe me pantoflat e veshura në këmbë, arnautët me veshjet e tyre piktoreske të grisura, gratë moldave, elegante me sy të zeza dhe me fëmijet e tyre në duar. Burrat rrinin në heshtje, ndërsa gratë, me ankth po prisnin diçka.
Portat u hapën, dhe disa oficere të policisë dolën jashtë; pas tyre vinin dy ushtarë që tërhiqnin Kërxhaliun të lidhur me pranga.
Kërxhaliu dukej të kishte nja tridhjetë vjet.Tiparet e fytyrës së zeshkët ishin të rregullta dhe të ashpra. Ishte i gjatë, me shpatulla të gjera, dhe në përgjegjësi shprehte një fuqi fizike të pazakontë. Një çallmë e  larmë i mbulonte kokën, një rrip i gjerë i shtrëngonte mesin e hollë; një dollma prej copë blu të trashë, këmisha me rrudhat e gjera, që i binin lart gjunjëve, dhe këpucet e bukura përbënin pjesën e mbetur të kostumit të tij.  Nga pamja dukej krenar dhe i qetë.
Një nga funksionaret, plak me fytyrë të kuqe, me uniformë të vjetëruar, në të cilen tre kopsa  vareshin në erë, me syzet  prej kallaji që i rrinin mbi një gungë të kuqe, që mesa duket duhet të ishte hunda, shpalosi letrën, dhe duke folur si me hundë, filloi të lexonte në gjuhën moldave. Herë pas here, i hidhte sytë në menyrë arrogante tek Kërxhaliu që ishte i lidhur, dhe ndaj cilit, siç duket  referohej letra. Kërxhaliu po e dëgjonte me vëmendje. Funksionari mbaroi leximin, palosi letrën, dhe bërtiti egërsisht, duke  urdhëruar turmën që të prapset – dhe që karruca të afrohet. Ateherë Kërxhaliu iu drejtua, dhe i tha disa fjalë në gjuhën moldave; zëri i tij po dridhej, fytyra iu ndryshua; ai filloi të qante dhe rra tek këmbet e funksionarit të policisë, duke bërë zhurmë me zinxhiret e tij. Funksionari  i policisë, u trëmb, dhe u hodh mënjanë; ushtarët donin ta ngrinin Kërxhaliun, por ai u ngrit vetë, mblodhi prangat e tij, u fut në karruca dhe bërtiti:  Nisu! Xhandari u ul afër tij, karrocieri moldav fshikëlliu kamzhikun, dhe karruca u rrukullis tatëposhtë me potere.
– Çfarë ju tha Kërxhaliu? –pyeti zyrtari i ri oficerin e policisë.
–          Ai më kërkoi, – tha, duke buzëqeshur, oficeri i policisë, – që unë të kujdesem për gruan dhe fëmijën e tij, që jetojnë afër Kilia-së[13] në një fshat bullgar – ai ka frikë, se mos e pësojnë për shkakun e tij. Turma është e marrë, kurrë nuk di se ç’bën.
Tregimi i funksionarit të rri më preku shumë. Më vinte keq për Kërxhaliun. Për shumë kohë nuk dëgjova asgjë për fatin e tij.Disa vite më vonë, takova  zyrtarin e ri. Filluam të shkëmbejmë dy llafe e të flasim për të kaluarën.
– Por shoku juaj Kërxhaliu? – pyeta unë, – mos dini gjë çfarë ndodhi me të?
– Të jem i sinqertë , e di, – u përgjigj ai, dhe më rrëfeu si më poshtë:
Kërxhaliu, pasi e sollën në Jash,  paraqitën tek Pashai, i cili e dënoi me ngulje në hu. Ekzekutimin e anulluan për shkak të një feste dhe përkohësisht e  burgosën.
Të burgosurin e rruanin shtatë turq (njerëz të thjeshtë, dhe në shpirtin e tyre njëlloj hajdutë si Kërxhaliu vetë); ata e respektonin, dhe, siç janë njerëzit e Orientit, ia dëgjonin gjithë kërshëri, historitë e tij të çuditshme.
Midis rojeve dhe të burgosurit u krijua një lidhje e fortë. Një herë Kërxhaliu u tha: Vëllëzër! Ora ime është e afërt. Asnjëri nuk mund ta shmangë fatin e tij. Së shpejti unë do ndahem nga ju. Do doja t’ju lë diçka si kujtim.
Turqit dëgjonin gjithë sy e  veshë.
– Vëllëzër, – vazhdoi Kërxhaliu, – tre vjet më parë, kur plaçkitja bashkë me të ndjerin Mihallaqi, kemi fshehur në një gropë, në stepë jo larg Jashit[14],  një qyp me florinj. Siç duken bathët, as unë, as ai nuk do ta përdorim kurrë këtë thesar. Çti bësh, kështu paska qenë e thënë: merreni ju  dhe ndaheni mes jush barabar.
Turqve për pak u iku mendja. Puna tani ishte sesi ta gjenin vendin e bekuar? Vranë mendjen dhe përfundimisht vendosën që vet Kërxhaliu t’i çonte te vendi.
U ngrys. Turqit i liruan prangat nga këmbët e të burgosurit, ia lidhën duart me litar, dhe bashkë me të u nisën nga qyteti drejt stepës.
Kërxhaliu i udhëhoqi, duke mbajtur një drejtim, nga një kodrinë tek tjetra. Po ecnin e ecnin pa mbarim . Më në fund,  Kërxhaliu ndaloi afër një guri të madh, numëroi njëzet hapa drejt jugut, ndaloi dhe tha: “Këtu”.
Turqit filluan të përgatiten për të gërmuar. Katër nga ata nxorrën jataganët e tyre dhe filluan të gërmojnë dheun.Tre nga ta, bënin roje. Kërxhaliu  u ul mbi gur dhe filloi të ndiqte punën e tyre.
– He pra? Akoma? –  pyeste ai, – s’arritët të gjeni gjë?
– Jo akoma, – iu përgjigjën turqit, dhe vazhduan të punonin me kaq vrull, sa djersa ju shkonte çurg.
Kërxhaliu filloi të humbte durimin.
– Ç’njerëz që jeni? – po thoshte ai. – As dheun të gërmoni mirë nuk dini. Unë do ta kisha mbaruar këtë punë për dy minuta! Më zgjidhni duart dhe më jepni një jatagan.
Turqit menduan pak dhe filluan të këshillohen mes tyre. – Edhe nëse do t’i zgjidhim duart, e do t’i japim jataganin, çfarë do na bëjë? Ai është një, dhe ne jemi shtatë. – Dhe turqit i zgjidhën duart dhe ja dhanë jataganin.
Më në fund Kërxhaliu ishte i lirë dhe i armatosur.Mere me mend sesi duhet të ndihej ai në atë moment!.. Filloi të gërmonte dheun me shpejtësi, rrojat e ndihmohnin… Papritur ai  nguli jataganin në një nga ta dhe, duke e lënë jataganin ngulur në gjoksin e tij, morri nga brezi i tij dy pistoleta.
Gjashtë të tjerët, duke e parë Kërxhaliun të armatosur dhe me dy pistoleta, ia mbathën me të katra.
Kërxhaliu tashmë po merret me hajdutëri nëpër rrethinat e Jashit. Pak kohë më parë ai i shkruajti qeveritarit, dhe i kërkoi  pesë mijë lej[15],  duke e kërcënuar që, në rast mospranimi,do t’i vinte zjarrin Jashit derisa zjarri të  arrinte deri tek vet godinat e qeveritarit. Të pesë mijë leit iu dhanë menjëherë.
E pra, ky,  është Kërxhaliu!

Suplementi "Rilindësi" 25.10.2015, fq 19-20









                                                              






[1] Gjatë shekullit të XVIII kështu quheshin forcat e parregullta osmane të cilët përdornin qytetin Kirca Ali në Bullgari si një vend strehimi dhe furnizimi prej nga terrorizonin gjithë Ballkanin. Njësitë më të mira të këtyre forcave udhëhiqeshin nga Osman Pazvantoğlu Pasha, i cili sundoi pjesën më të madhe të verilindjes territoreve bullgare dhe deltës së Danubit deri në 1807.  Në Shqipëri ka mbijetuar si mbiemër në formën Kërxhaliu( kujto emrin e një Heroi të Popullit nga Luma e Kukësit Hasan Kërxhaliu, 1902 - 1946 ) 
[2] Udhëheqës i Revolucionit Grek. (12 December 1792 – 31 January 1828). Ipsilanti ishte anëtar i një familje të shquar greke nga lagjia Fanar i Konstandinopojës, princ i pincipatave rumune në Danub, oficer kryesor i kavalerisë ruse gjatë luftërave Napoliane  dhe udhëheqës I Filiki Eterisë-Shoqëria e Miqve, organizatës sekrete që kordinoi fillimin e revolucionit grek.
[3] Udhëheqës i Revolucionit Grek(1772-1821) Ai u shqua për aktivitetet e tij në Principtatat Danubiane ku gjeti dhe vdekjen në Manstirin Secu.
[4] Manastir në Rumani që shërbeu si fortesë për forcat e eteristëve kur shpërtheu revolta në principatat danubiane
[5] Lum i madh që përshkon mes për mes territoret rumune. Ka shërbeyer si një kufi etnografik e kulturor midis krahinave rumune të Vllahisë dhe Moldavisë.
[6] Udhëheqës i revolucionit grek, princ i principatave rumune nga lagjia Fanar i Konstandinopojës.
[7] Beteja e Skulenit u zhvillua në 29 qershor në fshatin Skuleni pranë brigjeve të Prutit në Moldavi, midis forcave osmane të Sulltan Mahmudit II dhe forcave të Filiki Eterisë të udhëhequra nga princi George Catakouzenos . Beteja ndodhi si rezultat i masave ndërshkimore të ndërmarra nga otomanët pas dështimit të ekspeditës së Aleksandër Ipsilantit në dy principatat e Danubit dhe vinte menjëherë pas  batejës së Dragoshanit.
[8] Forcat e Filiki Eterisë-Shoqërisë së Miqve në të cilat bënin pjesë shumë etni nga Ballkani, mes tyre dhe shqiptarë.
[9] Forcat kozake, që quheshin kështu sipas të parit të tyre Ignant Nekrasov të lokalizuar rreth Kubanit në Rusi. Pas konflikteve me autoritetet ruse një pjesë e madhe e tyre rreth 5000 u vendosën në deltën e Danubit të kontrolluar nga osmanët. Në konfliktin dhe revoltën e udhëhequr nga Ipsilanti, kazakët iu shërbyen osmanëve.
[10] Qytet kryesor në Principatën e Moldavisë, tashmë kryeqytet i Republikës së Moldovës me emrin Kishinau
[11] Monellë otomane. Në fillim të shekullit bronxi që përdorej për të prodhuar gjylet për topa importohej nga Anglia. Për këtë arsye shumë herë feudalët vendas mblidhin bronz nga banorët, për t’I shkrirë e bërë gjyle topi.
[12] Karrocat e postës
[13] Një fshat bullgar i lokalizuar në deltën e Danubit.
[14] Kryeqyteti i Principatës së Moldavisë, tashmë një nga qytetet më të mëdhenj në Rumani.
[15] Monedhë rumune.


No comments: