Saturday 23 June 2018

Mendimi i elitës shqiptare të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë për Ali Pasha Tepelenën.



Pyetje të shumta kanë shoqëruar vlerësimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe rolit të tij në historinë moderne të Shqipërisë. Njerëz të ndryshëm të letrave, historianë, përkthyes, por edhe shpesh herë amatorë të historisë, duke iu referuar folklorit, gojëdhënave dhe leximit të veprave të udhëtarëve të huaj, kanë krijuar tashmë një fabul të një njeriu orientalist, të egër, mizor që kur veçohet fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit, për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Nuk mungojnë këtu edhe penelatat e fuqishme, madje me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historia e Frosinës, që paraqesin një figurë të degjeneruar dhe epshore të Ali Pashës, që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Portreti më i mirë, për këtë perceptim orientalist të figurës së Ali Pashës, nga ana e elitës evropiane të kohës, që vizitoi Pashallëkun e tij, por edhe nga shfrytëzimi me mjeshtëri nga vet Pashai i këtyre motiveve është trajtuar gjerësisht nga studiuesja Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur “Bonaparti Mysliman”, çka e ka lehtësuar shumë terrenin metodologjik, për trajtimin e kësaj figure kontraverse në historinë e afërt të Epirit, Shqipërisë dhe Greqisë. Studime dhe vlerësime të ndryshme për Ali Pashë Tepelenën kanë dhënë edhe mendimtarë dhe aktivistë kulturorë të Rilindjes Kombëtare ku spikat Sami Frashëri, Gavril Dara i Riu, Elena Gjika , Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. 


Monday 18 June 2018

Valë europianizimi në rajon.




Rruga e integrimit evropian dhe bashkëjetesa e nesërme në Evropë ka marrë një komfirmim të rëndësishëm me nënshkrimin e marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë në takimin e djeshëm në Prespë. Kjo marrëveshjë krijon shumë premisa që në bazë të kritereve të Kopenhagës dhe traktateve të tjera të B.E e gjithë problematika midis dy vendeve të sheshohet duke krijuar një bashkëpunim më të mirë dhe aderimin e Maqedonisë në NATO dhe B.E. Po përse u zgjodh Prespa si një vend i nënshkrimit të marrëveshjes?


Sunday 17 June 2018

Koburja serme e Ali Pashë Tepelenës




Muzeologjia shqiptare është e varfër me sende personale të Ali pashë Tepelenës. Shumica e objekteve personale të tij gjenden jashtë Shqipërisë. Ky numër i madh objektesh i shpërndarë në muzeume dhe dyqane antikuarësh tregon për rëndësinë që ka pasur figura e tij historike pavarësisht gjykimeve kontraverse rreth jetës, aktivitetit dhe rolit të tij në histori. Një objekt origjinal i Ali pashë Tepelenës është një kobure brezi që gjendet në Turqi, në librarinë me antikuarë e harta të vjetra, Denizler Kitabevi, në rrugën Istiklal Caddesi, fare pranë sheshit Taksim. Pistoleta është në gjendje shumë të mirë, e zbukuruar me argjend dhe me emrin e Ali Pashës të shkruar në osmanisht. Ky është objekti i dytë personal që njohim nga armët e zjarrit të Ali Pashë Tepelenës. Njëra armë, një pushkë e llojit karajfile gjendet në Muzeun e Ali Pashë Tepelenës në ishullin e liqenit të Janinës, dhe ka të shkruar në greqisht: Ali Pasha 1804. Në tetor 2015, Muzeu i Ali Pashës në ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali Pashë Tepelenës, e cila është e larë në ar. Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të vjetër fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë. Në fund të jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia dhuronte Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të kishte marrë oferta nga shumë muze të botës. Arma e ekspozuar tashmë në muzeun e Ali Pashës në Janinë është e tipit karajfile. Ndërsa arma që gjendet në librarinë e antikuarëve Denizler Kitabevi është e llojit kobure brezi e punuar me filigran, por nuk kemi të dhëna sesi ka përfunduar në duart e koleksionistëve turq.


Saturday 9 June 2018

Katër tablo studim për shqiptarët nga piktori francez Charles Bargue




Charles Bargue (1826/1827 – 6 prill, 1883) është një piktor dhe litograf francez i njohur dhe  për hartimin e një kursi të rëndësishëm vizatimi. Ai e hartoi këtë kurs vizatimi sëbashku me piktorin tjetër të njohur, mjeshtrin e njohur Leon Gerome. Ky kurs u botua nga viti 1866-1871, i përbërë nga 197 litografi të printuara si fletë të veçanta . Litografitë e tij u përdorën si modele të realizmit klasik. Duke qenë mik i ngushtë i Leon Gereome, i njohur si piktor që realizoi disa tablo nga jeta e shqiptarëve në Egjipt gjatë mbretërimit të Khedivit, edhe Bargue realizoi disa tablo të për shqiptarët apo arnautët si thërriteshin në Egjipt.  Egjipti u qeveris për mëse 147 vjet nga familja shqiptare që e kish origjinën nga Mehmet Ali Pasha dhe pasardhësit e tij.