Muzeologjia shqiptare është e varfër me sende personale
të Ali pashë Tepelenës. Shumica e objekteve personale të tij gjenden jashtë
Shqipërisë. Ky numër i madh objektesh i shpërndarë në muzeume dhe dyqane
antikuarësh tregon për rëndësinë që ka pasur figura e tij historike pavarësisht
gjykimeve kontraverse rreth jetës, aktivitetit dhe rolit të tij në histori. Një
objekt origjinal i Ali pashë Tepelenës është një kobure brezi që gjendet në
Turqi, në librarinë me antikuarë e harta të vjetra, Denizler Kitabevi, në
rrugën Istiklal Caddesi, fare pranë sheshit Taksim. Pistoleta është në gjendje
shumë të mirë, e zbukuruar me argjend dhe me emrin e Ali Pashës të shkruar në
osmanisht. Ky është objekti i dytë personal që njohim nga armët e zjarrit të
Ali Pashë Tepelenës. Njëra armë, një pushkë e llojit karajfile gjendet në
Muzeun e Ali Pashë Tepelenës në ishullin e liqenit të Janinës, dhe ka të
shkruar në greqisht: Ali Pasha 1804. Në tetor 2015, Muzeu i Ali Pashës në
ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali Pashë Tepelenës,
e cila është e larë në ar. Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të
vjetër fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë. Në fund
të jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia
dhuronte Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të
kishte marrë oferta nga shumë muze të botës. Arma e ekspozuar tashmë në muzeun
e Ali Pashës në Janinë është e tipit karajfile. Ndërsa arma që gjendet në
librarinë e antikuarëve Denizler Kitabevi është e llojit kobure brezi e punuar
me filigran, por nuk kemi të dhëna sesi ka përfunduar në duart e koleksionistëve
turq.
Në disa prej
tablove ku pasqyrohet Ali Pasha Tepelena e shikojmë me armë brezi, çka ishte në
fakt një pjesë e veshjes zyrtare të tij. Kështu p.sh e shikojmë në tablonë e
njohur nga Luis Dypre, “Ali Pasha në gjueti në liqen”, 1825, ku edhe pse është
për gjueti në liqenin e Butrintit , ai mban në brez një kobure dhe një kamë,
apo në litografinë e njohur sërish të
vitit 1825 nga piktori francez i neoklasiçizmit, Jean Baptiste Mauzzaise.
Përdorimi i osmanishtes në Pashallëkun e Janinës shtrihej kryesisht në
administratë dhe në korrospodencën me Stambollin. Një pjesë e madhe e
dokumentacionit për Ali Pashë Tepelenën është në osmanisht dhe gjendet në
Arkivin Qendror të Stambollit. Gjuha e Aliut ishte shqipja dhe shumë dëshmitarë
tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij
personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe
që përdorte në alfabetin që njihte më mirë. ( Katherine
Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe 88-89).Mbishkrimi në
kobure mund të jetë gdhëndur nga mjeshtra esnafë shqiptarë të armëve të brezit
pasi osmanishtja në disa qendra qytetare njihej dhe zotërohej mirë. Ajo mësohej
në mejtepet dhe medresetë që ishin hapur nga osmanët në qytetet shqiptare.
Udhëtari osman Evlija Çelebi, në librin e vet “Udhëtimet” dëshmon për vitet 1660-1670
se në pothuajse çdo qytet të madh shqiptar ishin ngritur krahas
institucioneve të kultit edhe biblioteka
dhe medrese, në të cilat studionin
gjuhën arabe , persishte dhe osmane si dhe mësim feje. Koburja serme e Ali
Pashë Tepelenës,përveçse rëndësisë së saj si objekt personal i Pashait
Tepelenas,dëshmon edhe për zhvillimin e zejes së prodhimit të armëve në
Shqipëri. Armët e brezit kanë qenë një traditë e kosiliduar në
territoret shqiptare dhe ato bënin pjesë në armatimet personale të burrave
shqiptarë.
Armatimi vetjak i luftëtarit shqiptar ishte : pushka e gjatë
(karajfilja), koburja, jatagani, vezmet, palcorja, thupra (harbia) dhe silahu
(brez lëkure që shërbente për të mbajtur armët dhe pajimet), por edhe i çdo
personi të armatosur në shek. XVII-XIX. Koburja e Ali Pashës që gjendet në dyqanin
antikuar të Turqisë duket se është e llojit kobure serme si ato që mbanin dhe
suliotët. Mbishkrimi i saj në osmanisht “Ali Pasha Tepedenli” por pa vit të
përcaktuar, jo si në rastin e pushkës karajfile, e bën të vështirë
identifikimin se ku mund të jetë prodhuar. Shqipëria në fakt ishte shumë e
pasur me punishte të ndryshme armësh të shtrira në të gjitha qendrat zejtare të
vendit si Shkodër, Prizren, Dibër, Berat, Elbasan dhe Janinë. Në Elbasan janë
prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Udhëtari turk, Evlia Çelebi, në
shënimet, që ka mbajtur gjatë udhëtimeve të tij, thotë se, armët punoheshin me
mjeshtëri dhe elegancë. Njoftime më të sakta gjejmë në një kodik të esnafit të
kondakçinjve, sipas të cilit në Elbasan ka pasur rreth 18-20 dyqane armëtarësh.
Pranë tyre qenë dyqanet e argjendarëve dhe të saraçëve. Armët e zbukuruara me
argjend kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht nga shtresat e pasura.
Armët e brezit quheshin dhe kobure dhe emërtoheshin me emra të
ndryshëm si calinë, kalemtushe, cubë, teke, egzalina etj. Calina punohej në vend. Në Shqipërinë Veriore njihej me emrin calinë, celinë dhe gjarpënushe.
Quhej gjarpënushe për arsye të kokës së gjarprit në fundin e dorezës. Në
Shqipërinë e Mesme, në Elbasan quhej verdhë,
ndërsa në Tiranë quhej latune vendi.
Calinat kanë qenë shumë të përhapura, sepse shiteshin lirë.Kalemtusha ishte kobure që prodhohej në vend. Quhej kalemtushe për arsye se ishte e
zbukuruar hijshëm nga dora e argjendarit. Gjatësia e kobures ishte 27 cm. Kokën
e dorezës e kishte të rrumbullakët. Kalemtushet shiteshin shtrenjtë, prandaj
mund të bliheshin vetëm nga shtresat e pasura.
Cubja ose dunga ka qenë një lloj kobureje, që parapëlqehej nga të rinjtë. Në
Shkodër njihej me emrin cube, që do
të thotë armë me tytë të shkurtër;
ndërsa në Elbasan njihej me emrin dungë.
Doreza e tyre ka qenë e rrumbullakët si kokërr qepe. Karbëresha nuk ndryshonte shumë nga calina ose verdha. Ajo stolisej
me shije nga argjendarët e Beratit. Dorezën dhe trupin e kishte më të gjatë se
calina, kalemtusha dhe cubja. Punime të bukura të kësaj lloj arme janë bërë
edhe nga argjendarët e Lezhës. Koburet e stolisura prej tyre quheshin lezhiane. Lezhianet dalloheshin nga qafa
e dorezës, e cila vinte më e shtrirë dhe kishte dy koka - njërën si kokë
gjarpri dhe tjetrën, si kokërr arre. Koburet
serme punoheshin nga armëtarët dhe argjendarët shkodranë. Dorezën e kishin
si kokë gjarpri, të veshur me pafta argjendi. Ato qenë skalitur me motive
bimore të stilizuara, në reliev. Tyta dhe çarku bëheshin prej hekuri. Gjatësia
e tyre arrinte rreth 59 cm, ndërsa kalibri 20 mm. Koburet serme qenë prodhim i
viteve 1780-1800. Ato janë përdorur si armë brezi nga suljotët. Teket punoheshin nga armëtarët e
Tiranës. Ato hapeshin duke shtypur urëzën. Ngrihej pjesa e prapme lart, ndërsa
tyta ulej pak poshtë. Ato mbusheshin me një fishek. Në pjesën e sipërme të
tytës kishin thepin dhe shtjekëzën me prerje. Dorezën e kishin prej druri dhe
trupin me vija të thelluara. Gjatësia e tyre ishte 22 cm dhe kalibri 12 mm.
Teket nuk qenë të zbukuruara.
Në rritjen e interesit për trashëgimë kulturore të Ali Pashë Tepelenës
gjurmimi dhe vlerësimi i kësaj trashëgimie si asaj që ndodhet brenda Shqipërisë
por edhe asaj jashtë saj, krijon mundësitë për ta rivlerësuar jo vetëm
periudhën historike por edhe traditën e pasur të artizanatit shqiptar. Kjo
traditë mund të rigjallërohet për tu shndrruar në një industri fitimprurëse për
qendrat e mëdha qytetare si Shkodra, Elbasani,
Berati, Vlora e Gjirokastra por edhe për Delvinën, Libohovën dhe Tepelenën që
ruajnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në monumente të
epokës së Ali pashë Tepelenës.
2 comments:
Askun nuk ka mundësi që të shihen të gjitha fotot e kobureve të cilat u përmendën në tekst e që në të gjitha tekste të cilat i kam hulumtu mu për kët kam problem se si duken këto kobure si dhe pushka bërshan të cilën gjithashtu shum koh nuk po kam mundësi që ta shiqoj formën e saj. Pastaj kam problem me terminologjin e emërtimit të thikave shqipëtare.
Sikurse që është rasti me thikën cila është kama??? pinjall????? fëndyllë???? sojak??? hanxhar???? qaki????? brisk??? këllëq??? thika shqipëtare jatagan për të cilën nuk pajtohem se është turke (shqipëtarët të fes islame tek ne jan njohur me shprehjen "ata turkët" sikurse që kemi shprehjen "SHAVELL" shqipëtarët ortodoks të cilët janë humbur në historin shqipëtare të cilëve janë veshur palla "SHCAVIONE") e shumë gjëra të tjera, me të cilat po kam problem në përpilimin e materialit të doktratit tim.
Post a Comment