Nga “Ali Pashaida” e Haxhi
Shehretit tek “Shkodra e Rrethueme” e Ndoc Nikaj (1913)
Ballkani është një trevë e Europës, që mbart në
ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e
mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara
nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar
një kaledoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë
kulturorë të ndryshëm. Kultura është pashmangërisht e lidhur me historinë.
Herodoti, historiani i parë dhe nga më të shquarit në
historinë e njerëzimit para se të jetë një raportues dhe mbledhës faktesh është
një kulturolog i madh, që në udhëtimet e veta përshkruan vende, popuj, zakone e
rite të tyre. Kjo traditë herodiane u bë baza për gjithë etnografinë europiane
në vijim.[1]
Edhe pse përshkrimi i Herodotit në vazhdim ka hasur në kritika të ndryshme,
larshmëria e popujve në Ballkan dhe raporti i tyre me pushtetin otoman ka
krijuar paradigma dikotomie të përshkruara dhe në letërsitë përkatëse. Herodoti
përfaqëson, pra në një këndvështrim kulturor, që mund të përkufizohet si “para
orientalist” në kuptimin e zhvilluar nga orientalisti amerikan Edëard Ë. Said
si një dallim ontologjik dhe epistomologjik i bërë midis Lindjes dhe
Perëndimit.[2]
Këto tipare, të nisur që herët në
kulturën e rajonit janë pasqyruar dhe në letërsitë e Ballkanit. Ligjërimi
historik i trajtimit të së shkuarës otomane
të Ballkanit është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe
zhvillimet historike kulturore të marëdhenieve të popullsisë ballkanike me Perandorinë
Otomane, por edhe identifikimin e prototipeve letrare, që kanë pasur një ndikim
të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Zhanri i romanit historik,
duket se është zhanri letrar, që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë
së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në romane historike. Në
fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirfilltë. Edhe
ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa
kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar.[3]
Ky proces, që në Europë fillon me romanet e William Scotit, nuk mund të rri pa
influencuar shkrimtarët e Ballkanit, kur ata pwrfshihen nw proceset
shtetformuese tw shteteteve tyre kombëtarë. Shkrimtarët e Ballkanit në mëyrë të
pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të vendeve
të tyre në romane historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të
shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben
si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si
vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.[4]
Paradigma
historike letrare, që krijoi Herodoti në vetvete ka lënë një shenjë të
rëndësishme në qytetërimin europian pasi është krijoi një shkollë historike
letrare të quajtur shkollë herodiane, ku janë të përfshirë shkrimtarët, të cilët kanë
në vetveten e tyre sa hulumtimin, sa njohjen e një bote tjetër, po aq edhe rrëfimin
e tyre artistik të lidhur ngushtë me historinë. E para vepër historike, që na vjen si një lloj
memorie kolektive kulturore, por edhe si një vepër e botuar është poema “Ali
Pashaida” e shkruar nga Haxhi Sherreti. Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon
deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000
vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e
vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është
dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e
Janinës. “Alipashaida”, e shkruar sipas modelit të poemave të gjata epike, i
njihet autori, çka e bën më të plotë atë, nga dy poemat e tjera të gjetura deri
më tani për Ali Pashën. Të dhënat biografike për Haxhi Shehretin janë të pakta,
kryesisht dëshmi të tërthorta, që vijnë nga veprat e udhëtarëve të huaj,
bashkëkohës të tij dhe disa dokumente administrative të Pashallëkut. Ai lindi në Delvinë dhe ishte
bashkëmoshatar dhe i njohur me Aliun, që
në rininë e tij. Shërbeu për vite me radhë pranë oborrit të Pashait, derisa dha
grahmën e fundit. Mbi shpatullat e tij
patën rënduar hallet e një familjeje prej dymbëdhjetë fëmijësh dhe mjerisht
vdiq i verbër dhe në varfëri të plotë. Në një pasazh të historianit grek S.
Aravantino mësojmë se poeti është varrosur në vendlindjen e tij, në Delvinë (Koçollari. I (1997) Alipashaida e Haxhi
Shehretit. Tiranë: Onufri, faqe 15). Vlen të përmendet këtu, që historianët më
të famshëm grek, të cilët shkruajtën jetën dhe veprën e Ali Pashë Tepelenës i
referohen shpesh herë si një pjesë e vërtetë e një ngjarjeje, që ka ndodhur në
atë kohë. Nëpërmjet teknikave të reja të
dokumentacionit, që janë të njohura tashmë për historianët nëpërmjet arkivit të
Ali Pashë Tepelenës është arritur, që të identifikohet se sa pjesë të vërteta
ka, sidomos në historikun e ngjarjeve të njëpasnjëshme dhe kronologjinë.
Sigurisht, që nuk duhet të biem në
kurthin për të besuar se çdo gjë, që thuhej aty është e vërtetë pasi të gjitha
ato çfarë mund të jenë ditirambe të ndryshme poetike përsa i përket jetës dhe
veprës së Ali Pashë Tepelenës duhet të lihen mënjanë, por thelbi i ngjarjeve
historike është i atillë që bën të mundur për të sjellë tek lexuesit këtë lloj
narative historike, që na vjen nëpërmjet këtij rrëfimi letrar, poetik të kohës.
Në fakt, “Ali Pashaida” është një nga
veprat shumë pak të njohura në Shqipëri. Ajo është përkthyer në vitin 1997 dhe
nuk ka botime të tjera. Një pjesë e
rëndësishme e kësaj trashëgimie kulturore edhe pse në gjuhë të huaj ka humbur
dhe kërkohet të shpluhuroset për të dalë në dritë.
Vitet e mëvonshme
në narrativën historike- letrare, në letërsinë shqipe shfaqen dy poetë të
mëdhenj, njëri është Jeronim De Rada me “Këngët e Milosaos” më 1836, që shënon
dhe fillimet e romantizmit shqiptar dhe tjetri është Gavril Dara i Riu me poemën “Kënga e Sprapme
e Balës”. Sigurisht që tek “Këngët e
Milosaos” kemi të bëjmë më një poemë, e cila në vetvete rikujtohet dhe rivjen
ndër ata që e lexojnë si një kujtesë kolektive e një bashkësie të vogël, siç
qenë arbëreshët në Iitali, por ka të ndërthurur në të dhe një pjesë të
rëndësishme të një elementi historik. Ky element historik tashmë vjen i përmendur
përmes rrëfimit letrar romantik. Kjo
përqasje e letërsisë së kultivuar me
poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill i yni, por një nga
elementët themelorë të botkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin.
Për të krijimatria e mirfilltë poetike, por edhe puna e mbledhësit të folklorit
ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar. Të dyja këto përmasa, poezia e
kultivuar që i atribuhohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia
popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të
shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt që romantikët
gjermanë e quanin “Volksgeist”, ndërsa letërsia globale, që do dilte nga kjo shkrirje,
duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e
politike të tij. (Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të
Millosaut. Tiranë;2014, fq. 26)
Romantizmi, rryma
letrare dhe politike të përhapur kudo në Europë krijonte heronjtë e vet.
Karekteristikë e rëndësishme e heroit romantik është fakti që ai është hero në
jetën e tij të përditshme i mbytur nga rrethanat dhe sentimentalizmi. Ashtu është
në të njëjtën kohë dhe një hero ndaj
fatit të atdheut. Këto dy tipologji karekteristikash do të jenë përcaktuese për
veprat e tjera të mëvonshme të romantizmit shqiptar-arbëresh. Ajo çka mund të
themi me plot gojën është fakti që me krijimtarinë e De Radës krijohet një
shkollë e përceptimit të naracionit letrar nëpërmjet historisë. Milosao,
sigurisht që nuk ka koordinata të caktuara dhe të drejtpërdrejta historike për
t’u identifikuar si personazh historik, por epoka ku vepron ka elementë të
rëndësishëm siç është konflikti arbër-osman, një konflikt shumë i madh, i cili
ndihet kudo në poemë. Në letërsinë arbëreshe
nuk do të linimin pa përmendur një poemë shumë të rëndësishme, siç është
“Kënga e sprasme” e Gavril Darës, e cila është në të njëjtën frymë si ajo e De
Radës, por në vetvete përmban dhe ka një narrativë tjetër. Ashtu si De Rada, të dyja janë komplet imagjinare, janë
pjesë të kujtimeve të një bashkësie kolektive dhe janë pjesë, të cilat nuk i
përshtaten drejtpërdrejt realitetit historik siç është “Ali Pashaida” e
Sherretit, por bëjnë të mundur, që në një
kontekst më të gjerë europian dhe ballkanik të sjellim para lexuesit gjithë
detajet dhe atmosferën e madhe të konfliktit me osmanët. Ne, si lexues jemi të
dashuruar me personazhet e këtyre poemave, qoftë me Milosaon, qoftë me Rinën,
qoftë me vajzën e Lalës, apo me toponime,
që janë të rëndësishmë dhe që ndonjëherë vijnë nëpërmjet kujtesës kolektive siç
është Moreja, vende të ndryshme të shqiptarëve arvanitas në Greqi, por kurrsesi
nuk mund të biem në kurthin e marrjes së një narrative letrare si një e vërtetë
historike e drejtpërdrejtë. Përse e them këtë? Sepse duke e lidhur me kohët e
sotme, shpesh herë edhe me tezat e reja që qarkullojnë dhe riqarkullojnë për
origjinën e lashtë të popullit shqiptar merren si të vërteta historike
ndonjëherë edhe ato që janë drejpërdrejt trille fantastike apo fiction të vetë poetëve dhe që jo
domosdoshmërisht shprehin të vërtetën historike sipas dokumentacionit. Duhet ta
kuptojmë që epoka e romantizmit dhe mënyrës se si tentohej të shkruhej historia
dhe letërsia, duke rikujtuar të kaluarën e lavdishme të popullit e duke krijuar
heronj romantikë, jo shpesh herë i
përgjigjej realitetit drejtpërdrejtë historik dhe kronologjisë së ngjarjeve
historike. Në këtë drejtim Milosao dhe Plaku Balë janë frut i fantazisë dhe trille
letrare të mbështetura mbi kujtesën kolektive arbëre rreth konfliktit arbëro-osman
të sheullit XV. Pikërisht nga gjiri i
këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme të
iluminizmit, luftrave napoloniane dhe romantizmit do të lindte dhe do të merrte
udhë sendërtimi i një identiteti të
veçantë kulturor e kombëtar, që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë
skënderbejane të shekullit XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër
përtej detit. Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kësaj elite arbëreshe
është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e tij, jo vetëm pati
meritën që hapi siparin e romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij
“Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një
komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studimi dhe analizat e
ndryshme letrare, që ia janë bërë “Këngëve të Milosaos”, që nga botimi i parë e
deri më sot, përpos faktit që kanë pasuruar leximet e ndryshme të saj, kanë
lënë disi në hije kontekstin historik e gjeografik të pasqyrimit të kohës historike, në të cilën
De Rada vendos ngjarjet, toponiminë e vendeve të përmendura në poemë dhe
simboleve kulturore të veçanta. Në të njëjtat gjurmë të De Radës do të ecte dhe
Gavril Dara i Riu në krijimin e heronjve të vet Plakun Balë, Nik Petën dhe Pal
Golemin.
Gjithsesi ky
konstatim vlen përsa i përket letërsisë
së kultivuar, sepse me të drejtë siç mund tw vwrhet lehtw tek “Bleta shqiptare” (1878) botuar nga Thimi Mitko në Kajro, është disi e çuditshme
se si në këngët popullore të mbledhura të kemi një varg, që reflekton një të
kaluar historike shumë të afërt siç janë kryengritjet e mëdha të Labërisë të vitit 1847 dhe që shpreh një koine shpirtërore,
kulturore, politike dhe administrative të shqiptarëve si komb. Vargu katër rrokësh që në të vërtetë përbën habi
për atë që mund të quhet bashkim shpirtëror dhe historik i shqiptarëve është:
U trete Gjolekë, u
trete
Sos për mua,
sos për vete
Por për katër
vilajete.
Këto vargje në të
vërtetë nënkuptojnë, një territor të parcaktuar qartë, që ishte tërësia
territoriale e shtrirjes së shqiptarëve
në atë kohë dhe që çuditërisht në vargjet e këtij këngëtari popullor, të
mbledhur nëpërmjet Mitkos, na vjen e drejtpërdrejtë si pjesë e një realiteti
historik. Ky konstatim përmes këtyre vargjeve është krejt e kundërt përsa i
përket realiteve historike nëse e krahasojmë me narativën historike që kanë
“Këngët e Milosaos” apo dhe “Kënga e sprasme e Balës”, të cilat janë të ngarkuara me motive të drejtpërdrejta letrare, por që
nuk i referohen gjithmonë të vërtetës.
Një vepër shumë e
rëndësishme e rrëfimit historik-letrar në letërsinë shqipe është poema “Istori e
Skënderbeut” e Naim Frashërit, (1898), e botuar dy vjet para se të vdiste Poeti
Kombëtar. Nuk mund të mungonte Frashëlliu i madh pa i kushtuar edhe poemë
Heroit tonë Kombëtar. Në këtë mënyrë ajo (historia) e ruan të kaluarën dhe ua
kujton breznive të ardhshme që ta njohin dhe të marrin mësim prej saj.
Megjithatë, ajo është vetëm dëshmitare. Kohët dhe njerëzit që mbesin në fletët
e saj janë përjetë të ngurëzuara. Poetët besojnë me të drejtë se periudhat dhe
shëmbëlltyrat historike mund të shihen më thellësisht vetëm me anën e artit,
prandaj, faktet historike i fisnikërojnë me imagjinatën krijuese. (Rexhep
Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 8-9).
Ku mund ta ketë
gjendur Naim Frashëri burimin historik të veprës së vet? “Historia e Skënderbeut”,
në fakt është një poemë, e cila mund të jetë
mbështetur në leximet e ndryshme të Naim Frashërit për Skënderbeun, qoftë të
Barletit të përkthyer në frëngjisht, në gjuhën që ai lexonte shumë mirë apo dhe burime të tjera në
gjuhët europiane. “Istori e Skënderbeut”, është një lloj testamenti politik, me
të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja
bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një
idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit turk. Ajo u
lexua dhe u mësua përmendësh nga breza të tërë shqiptarësh, duke u kthyer në
një tekst të preferuar edhe për faktin se ishte shkruar në tetërrokëshin e
njohur popullor. Poema të tjera të bashkëkohësve të Naimit nuk patën të njëjtin
fat dhe adhurim mes popullsisë shqiptare.
Përse e them këtë
gjë? Sepse pati tentativa të mëparshme për të shkruar një histori të
Skënderbeut nga autorë të tjerë, siç
është një tentativë pak e njohur e Jani Vretos e shkruajtur në gjuhën greke,
por që nuk ka arriti të mbizotëronte dhe asimilohej nga publiku i pakët
shqiptar i asaj kohe. Kjo për arsyen e thjeshtë se poema e Naimit në rradhë të
parë ishte në gjuhën shqipe dhe tingëllonte në gjuhën e nënës. Në rradhë të
dytë ndiqte një rrëfim të drejtpërdrejtë në vargje të historisë së Skënderbeut,
të asaj se çfarë kishte ndodhur dhe brenda saj kishte dhe kumte për të shkuarën
e Shqipërisë, por sigurisht edhe për të
ardhmen e saj. Naimi në vetvete i largohet qëllimisht ndonjëherë faktit historik e krijon edhe
personazhe, të cilët nuk janë personazhe historikë. Nëse kur e lexojmë veprën
“Historia e Skënderbeut” për herë të parë e presim, që të gjejmë një histori e
kronologji historike , lexuesi edhe mund të zhgënjehet, pasi Naimi krijon edhe personazhe, të cilët nuk janë historikë si është
rasti i Kamanit. Personazhi Kaman ka mbetur ende i padefshifruar se kujt i përket
, ndonëse shpesh herë është menduar e gjykuar se në vetvete ai përfaqëson vetë poetin. Kamani duket të jetë dhe të luajë rolin e korit antik,
njëlloj si tragjeditë e vjetra greke, ku roli i tij është të kumtojë të vërtetat që mendon Naimi dhe duhet të dinë
lexuesit.
Pra, Naimi në fund të shek. XIX dhe fillim
shek. XX nuk është aspak i penduar për aksionin e Skënderbeut kundër osmanëve siç
mund të shikojmë sot për fat të keq disa historianë apo njerëz të letrave, të
cilët e vënë në dyshim aksionin e Skënderbeut dhe përpjekjen e tij kundër otomanëve nëse ia
vlejti apo jo për të mirën e etnosit arbër. Naimi përmes Kamanit i jep
përgjigje kësaj mëdyshje me vargjet monumentale thënë dërgatës osmane kur ata kërkojnë
që tu dorëzohet Kruja.
Jo nuk vdiq Shqipëria
Nuk vdiq por është gjallë
Tjatër përgjigjie Turqia
Nuk do përveç me pallë
Mesazhi i Naim
Frashërit është i qartë. Lufta e armatosur e drejtpërdrejtë ndaj osmanëve çka përkon
dhe me aksionin e Skënderbeut, që kishte mbetur gjallë në memorien e kolektive
të shqiptarëve e që vazhdon të jetë edhe sot pjesë e memories sonë kolektive.
Marrëveshje me osmanët për një popullsi shumë të vogël siç ishin Arbërit do të
thoshte dënim me vdekje dhe në fakt ashtu siç shfaqet në narrativën historike
letrare të mëvonshme të shkrimtarit tonë
Ismail Kadare tek romani “Kështjella” në bisedën midis dy kronistëve turq,
kryeveqilharxhit dhe kronikanit turk. Kryeveqilharxhi, i cili në roman përfaqëson
botën intelektuale osmane e kohës thotë diku që “Thuhet se Skënderbeu, e ka
braktisur emrin e tij Skënderbe dhe mban vetëm emrin Gjergj Kastrioti dhe po
lufton për të ardhmen”. Pra, nuk po lufton më për të sotmen por për të ardhmen.
Kronikani Mevlan Çelebi, sigurisht që është i habitur, i thotë: “Si ndodh kjo
gjë? Njeriu lufton për të sotmen, nuk lufton për të ardhmen”, dhe ai i thotë:
“jo, ai raportin e ka me të ardhmen, nuk e ka me të sotmen, prandaj ne duhet ta
mposhtim që sot”. Pra, në një farë mënyre kjo lloj trajektore historike, e cila
tek Ismail Kadareja vjen pasi ai e di historinë dhe jo drejtpërsëdrejti në
kohën e Skënderbeut, na shërben për të kuptuar dhe për të nxjerrë një narativë
tjetër e cila shfaqet në shek. XX në letërsinë shqipe po fillojnë refleksionet
historike të drejtpërsëdrejta përsa i përket të shkuarës.
Romani më i
rëndësishëm në narrativën
historike-letrare është “Shkodër e rrethueme” e Ndoc Nikaj në vitin 1913, i
cili është një përshkrim i ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë në
luftrat ballkanike. Rrëfimi ngjan më tepër si pjesë e një reportazhi të një
lufte dhe në të njëjtën kohë ka dhe
histori të mirfilltë të Shkodrës dhe rrethinave të saj. Nëpërmjet rrëfimit të narrativës
historike të Ndoc Nikaj, që është edhe shkrimtar, por edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë
i ngjarjeve, duket që krijohet një lloj përqasje e re letrare historike në
letrat shqipe. N. Nikaj së bashku me Stefë Curanin mbahen si hedhësit e
themeleve të historiografisë shqiptare. (Aurel Plasari , Gjinaj M.; Mele M.;
Elmazi M., "Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës
Kombëtare", Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 185).
Për fat të keq në
kohët e sotme romani historik konsiderohet një roman demode, një roman që nuk
tërheq një audiencë të madhe. Sigurisht, që letërsia ka ligjet e zhvillimit të
saj, por ajo që unë dëshiroj të theksoj është se rrëfimi letrar përmes historisë nuk duhet të
humbasë dhe duhet inkurajuar për historianët shkrimtarë. Pavarësisht faktit se ndonjëherë krijon
heronj të idealizuar si Milosao apo Nik Peta, në fakt kjo lloj letërsie shërben
për të memoralizuar ngjarje të rëndësishme kombit, dhe nëse ne duam të kemi një kujtesë kolektive
të vazhdueshme, atëherë kjo nuk mund të mbijetojë pa rrëfimin letrar përmes
historisë.
*Autori është
Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Artikulli është leksioni i hapur i mbajtur në
skenën multimediale në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të
Festivalit “Ditënetët e librit”, 16-20
maj 2018
[1]Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve
kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, fq , 94
[2]Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve
kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, fq 96-97
[3] Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identitevekombëtarë.Evropa
e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, f fq 162
[4]Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i
identitevekombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, , fq 163
No comments:
Post a Comment