Tuesday, 1 May 2018

Si përfundoi kostumi shqiptar i Bajronit në Muzeumin e veshjeve në Bath të Anglisë?




Vizita e Lord Bajronit dhe John Cam Hobhouse në Shqipëri gjatë vjeshtës së dytë të vitit 1809 hapi siparin e një sërë vizitash të tjera diplomatike, turistike e kulturore në kuadër të Grand Tourit anglez. Zbulimi i  një bote të re, të panjohur dhe po kaq të afërt me zakone dhe tradita midis Lindjes dhe Perëndimit, ndolli emocione të veçanta në shpirtin poetik të Bajronit. Poema e njohur romantike “Shtegtimet e Çhilde Harold, motivet e Kantos II, janë pasqyrimi i drejtë për së drejtë i këtyre emocioneve dhe përmendja e parë dinjitoze në një kryevepër të letërsisë botërore të motiveve shqiptare. Por, nuk do të ishte vetëm  ndikimi i natyrës piktoreske dhe njerëzve të ashpër që do të frymëzonin poetin e ri romatik anglez, por edhe koloriti i veshjeve tradicionale shqiptare. Gjatë vizitës së Lord Bajronit në Janinë, në jug të Shqipërisë më 1809, ai bleu një kostum tradicional shqiptar, me të cilin pozoi për piktorin e shquar të portreteve Thomas Phillips, në verën e vitit 1813. Veshjet shqiptare, sidomos fustanella do të përshkrueshin dhe në vargjet e poemës dhe në letrën që do i dërgonte së ëmës nga Preveza, kur përshkruan hyrjen e tij në Tepelenë.  Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët[1].


Portreti, në të cilin Lord Bajroni, pasqyrohet  me një gjatësi-bust, deri tek gjuri, i titullohet ''Portreti i një fisniku me veshjen e një Shqiptari" e paraqet atë,  të veshur me një xhaketë kadife me ngjyrë floriri dhe të kuqe të thellë gati në të purpurt, një shall me ngjyrë floriri, të kuqe dhe me vija të gjelbërta të lidhur rreth kokës si një turban, me një këmishë të bardhë me një karficë me një gur të çmuar të madh ngjyrë të zezë afër fytit, dhe duke mbajtur me kujdes në krahët e tij një jatagan ose shpatë me dorezë të ngjyrosur lehtë në ngjyrë të purpurt. Ky kostum popullor shqiptar është kostumi që Bajroni përmend në letrën dërguar së ëmës kur shkruan në Post Scriptum :  Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea.[2]
Në atë kohë piktura u ekspozua në Akademinë Mbretërore, ndërsa tani ndodhet në Ambasadën Britanike në Athinë.

Më 1835 dhe 1840, Phillips pikturoi edhe dy kopje të tjera të portretit. I pari, me gjatësi deri tek beli ose ndryshe nga mesi e sipër, ju dhurua Galerisë Kombëtare të Portretit në Londër nga vetë i biri i artistit më vitin 1862, ku vazhdon të jetë i ekspozuar edhe në ditët e sotme; i dyti, i cili ishte porositur nga botuesi i Bajronit, Xhon Murej, mbahet në godinën e firmës së botimeve të librave të Bajronit në rrugën Albermarle në Londër.

Por çfarë u bë me kostumin ? Për një kohë të gjatë në opinionin shqiptar është heshtur për fatin e këtij kostumi duke shprehur vetëm admirimin e poetit romantik ndaj kostumit shqiptar, por jo fatin e tij dhe çfarë bëri me të Bajroni. Lord  Bajroni pati një flirtim në korrespondencë me Margaret Merker Elfinston, të bijën e Lord Keit, dhe më 1814 ai i dhuroi asaj kostumin shqiptar duke i sugjeruar ta përdorte si veshje për ballo. Më pas, kostumi kaloi ne pronësi të familjes Lendsdaun dhe u rizbulua në vitin 1962 kur një studiuese e Bajronit, Doris Langlej Mur[3], shkoi në shtëpinë e familjes Lendsdaun në Bowood House në Uilltshir për të zgjedhur sende nga koleksioni i familjes për një muze kostumesh që ajo po ndërtonte në Bath të Anglisë.

Në një artikull të publikuar në gazetën “Shoqëria e Veshjeve” më 1971, studiuesja dhe muzeologia angleze, Doris Langley Moore përshkruan entuziazmin e saj kur rastësisht gjeti një xhaketë kadife ngjyrë të kuqe të thellë dhe një jelek. Ajo e njohu atë menjëherë,  si veshjen shqiptare të Bajronit. Pasi qëndroi i ekspozuar në Muzeun e Kostumit në Bath, kostumi shqiptar u kthye më vonë për t’u ekspozuar në Bowood.[4] Në mënyrë të përshtatshme, aty pranë, në një mur, janë ekspozuar dy mezotinte[5] Margaret Merker Elfinston, së cilës iu dhurua kostumi shqiptar  nga Bajroni , duke ruajtur kështu,  një lidhje të dukshme midis Bajronit dhe Shqipërisë. Më poshtë po botojmë letrën e e Bajronit dërguar Merker Elfinston disa fletë nga ditari i shoqëruesit të  Lord Bajronit në Shqipëri, John Cam Hobhouse( 1786 – 1869) ku përmendet kostumi dhe fati i mëtejshëm i tij.

Më 3 maj, 1814, Lord Bajroni i shkruan Merker Elfinston dhe i jep asaj kostumin shqiptar.

Po të dërgoj ty veshjet Arnaute, të cilat sëbashku bëjnë një kostum të adhurueshëm për një oficer kalorësie . The Camesa ose fustanella (duke folur në gjuhën Skoceze) që do të të duket shumë e gjatë, është veshja simbol e një rangu më të lartë që bejlerët dhe  fisnikët e mbajnë të veshur deri tek kyçi i këmbës. Nuk e di përse është kaq e gjatë por kështu është,ndërsa shumica e popullsisë e shkurtoi atë deri te gjuri, gjë që është më antike dhe i përshtatet kështu të paktën atyre që kanë këmbët dhe tendencën për t'i ekspozuar ato. Unë kam dërguar vetëm një fustanellë, tjetrën do e nis kur të ketë kaluar procesin e larjes. Aty ka parzmore për këmbët, janë dy jelekë , njëri mbi xhaketë, manteli, një brez, një shall i shkurtër dhe kësule dhe një palë llastik çorapesh (diçka nga traditat e Malësisë) me një shpatë që mund të presësh gishtat nëse nuk tregon kujdes, dhe mbi brez ndodhet një rrip lëkure me një togëz në mes. Ai hiqet dhe vishet në disa minuta, nëse të pëlqen veshja mbaje. Unë do gëzohesha shumë që ta hiqja qafe duke qenë se më kujton një apo dy gjëra që do doja të mos i kujtoja.
Për ta bërë kostumin më të pranueshëm, po të them që e kam veshur shumë pak dhe kurrë në Angli përveçse gjysmë ore te Phillips....

Gjithmonë i yti, shumë sinqerisht.[6]

Pjesë nga ditari i John Cam Hobhouse


1 Korrik 1814: Ballo për Dukën e Uellingtonit


Më 1 korrik 1814, Klubi i Bardhë luksoz organizon një ballo në nder të Dukës së Uellingtonit e cila u mbajt në Shtëpinë Burlington. Aty janë afërsisht 1,700 persona që marrin pjesë. Xhon Kam Hobhauz mban veshje Shqiptare. Lord Bajroni është veshur si një murg. Lejdi Karolajn Lemb, si zakonisht, është thjeshtë e vështirë. Hobhauz shkruan në ditarin e tij për mbrëmjen.

Në orën 9 vesha rrobat e mia Shqiptare dhe shkova me Bajronin te maskarada e shkëlqyer e organizuar nga Klubi i Uatierit në nder të Lordit Uellington në Shtëpinë Burlington. Supozoj se darka në dhomën e përkohshme në të cilën qëndruan lehtësisht 1,700 persona ishte gjëja më madhështore e llojit që është parë ndonjëherë. Veshja ishte shumë e admiruar, Bajroni si murg dukej shumë mirë. Mis Raudon më tha "A nuk duket i bukur ai?" Duka i Uellingtonit ishte aty me shumë humor të mirë në dukje dhe jo i forcuar në kulm. Lejdi Karolajn Lemb luajti dredhitë më të jashtëzakonshme, bëri Skefingtonin të heqë pallton e tij mbrojtëse të kuqe, më shoqëroi mua sipër në dhomat private etj. Një pjesëmarrës i maskaradës më irritoi shumë kur më tha " A është kjo veshja jote për fushatën zgjedhore?" Ai ishte një nga pjesëtarët e brendshëm të Zonjushës.

U ktheva në shtëpi më këmbë rreth orës gjashtë dhe shtatë.














[1] Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin”
[2] Po aty
[3] Doris Langley Moore (1902-1989) e njohur edhe si Doris Langley-Levy Moore, ishte një nga historianet e para të rëndësishme të modës së femrave. Ajo themeloi Muzeun Moda, Bath (si Muzeum dhe kostum) në vitin 1963. Ajo ishte gjithashtu një shkollare e respektuar e veprës së  Lord Bajronit, dhe autore e një balet I në 1940, të quajtue Quest. Si rezultat i këtyre interesave të gjera, ajo kishte shumë njohje brenda qarqeve të modes dhe qarqeve intelektuale, artistike dhe teatrore.
[4] Doris Langley Moore, “Byronic Dress,” Costume: The Journal of the Costume Society 5 (1971): 8
[5] Një printim I bërë nga një gravurë në bakër ose në hekur ose pjatë hekuri në të cilën sipërfaqja është ashpërsuar për hije dhe  dhe pjesërisht të punuar butë , duke dhënë pjesë me ndriçim. Kjo teknikë është përdorur shumë në shekullin e XVII, XVIII dhe në fillimin e shekullit të XIX për riprodhimin e pikturave


[6] L. Marchand, Wedlock’s the Devil: Byron’s Letters and Journals (London: John Murray, 1975), 4:113



No comments: