Shekulli i XIX, ishte
fillimi i zbulimit të Greqisë nga udhëtarët, pejsazhistët e diplomatët
europianë.Mes entuziazmit të
njohjes së kulturës antike dhe shkeljes së trojeve në të cilat shumë nga
ngjarjet që kishin lexuar në libra kishin ndodhur, udhëtarët dhe poetët
romantikë evropianë kërkonin në të tashmen e Greqisë, gjurmët e së shkuarës. Natyrisht që në këtë
përqasje të tyre kishte në vetvete gjurmë të një kolonializmi kulturor ku synohej
historia dhe kultura e një territori të përvetësohej duke pretenduar shpesh
herë se banorët e sotëm ishin vetëm “hije të së shkuarës” dhe rrjedhimisht nuk
meritonin që të banonin aty .Gjithsesi ky mendim edhe pse i shprehur shpesh
herë ironikisht siç ishte rasti i Shatobrianit-poetit të shquar francez, i cili
kur një zyrtar otoman e pyeti se përse kish ardhur në Greqi, u përgjigj “Të
shikoj njerëzit dhe sidomos grekët që kanë vdekur”, nuk mbizotëroi në gjykimet
e evropianëve rreth Greqisë. Në të kundërt, krahasimi i gjendjes së mjerueshme
kulturore të popullsisë greke të re me atë të Greqisë antike ngjalli mëshirën
dhe dëshirën që Greqia të rifitonte sërish lavdinë e dikurshme. Kjo ndjenjë
keqardhje, revolucioni grek dhe vdekja tragjike e Lord Bajronit krijuan një nga
rrymat më të fuqishme në kulturën dhe gjeo politikën e shekullit të XIX-Filo
Helenizmin.
Si rezultat i kësaj këmbëngulje të filohelenistëve për të restauruar
Greqinë e vjetër heronjtë me fustanella e çaruqe të revolucionit grek u
shpallën si Leonidhat dhe Epimanondat e rinj. Por si dishepuj të kulturës
antike që ishin dhe rrjedhimisht skrupulozë ndaj së vërtetës filohelenistët nuk
mënuan të theksojnë dhe të dëshmojnë origjinën etnike të shumicës së këtyre heronjve
si dhe dëshirat e tyre që gjuha që flisnin të fiksohej hap pas hapi në analet e
shtetit të ri që po krijohej siç është statuti i parë i flotës detare greke apo
përpjekja për një shtet të përbashkët me sivëllezërit e tyre në Shqipëri.
Natyrisht që bëhet fjalë për shumë të përfolurit popullsi arvanitase të Greqisë
por jo vetëm për ta. Në një letër që kryetari i shtetit të atëhershëm grek,
Dhimitër K. Ipsillanti më 23 gusht 1821, i dërgonte “burrave aleatë trimave
besnikë komandantëve Ago Vasjari, Ceno Bej, Myrto Çalit, Tahir Abazit, Sulejman
Metos dhe toskëve të tjerë” pasi u kujtonte origjinën e tyre të lavdishme që
nuk vinte nga “shpirtvegjlit e lindjes dhe as nga Skithët”, i shpallte
pasardhës të drejtë për së drejtë të “heronjve tanë paraardhës dhe të bashkuar
me ne në luftimet për liri” i konsideronte akoma më tepër si “vëllezër”.
Në rrënojat dhe
tempujt e lashtë të Atikës baresnin banorët vendas të veshur me fustanellë ,
fes të kuq e çaruqe. Femrat arvanitase të veshura me jelekë e funde të gjatë tërhiqnin
vëmendjen për bukurinë e hijshme të tyre, larg të qenit të grave ideale të
skulpturave të Praksitelesit, por gjithë dritë e shkëlqim përfaqësonin një
bukuri pastorale. Arkadia e lashtë fliste shqip dhe në rrënojat e qytetërimit
antik flirtohej edhe shqip. Në një dokument të ministrit të jashtëm të Greqisë,
Kumundero, të vitit 1881, dërguar Mbretërisë gjermane për ndihmë, ndër të
tjera, thuhet se “edhe pas pesëdhjetë vitesh të shtetit të pavarur grek, një
pjesë e madhe e popullsisë në More, që është shumë e njësishme etnikisht, nuk
heq dorë prej qënësisë së saj shqiptare”. Më tej ai vëren se “edhe në vetë
Athinën, ashtu si në More (Peloponez), mbi 70 mijë vetë flasin vetëm gjuhën
shqipe, pa ditur asnjë fjalë greqisht”, duke pohuar më tej se “është fjala për
një etnicitet homogjen që i tillë njihet sëpaku për dhjetë shekuj në këtë
hapësirë të lartpërmendur”. Për
më tepër edhe pse elitat arvanitase ishin inkorporuar në sferat më të larta të
shtetit kombëtar grek, sërish në momente decizive të vendosjes së aleancave
politike në Ballkan, këto elita bashkëpunimin e kërkonin me popullsinë
shqiptare ndaj të cilës ndiheshin shumë afër etnikisht si ishte rasti i vitit
1899 ku Greqia fill pashumbjes në luftën Greko-Turke të vitit 1897 kërkonte të
vendoste aleanca të fuqishme në rajon. Në vitin 1899, revista greke “Helenizmi”
boton një shpallje të nënshkruar nga zotërinjtë: Shehu, Boçari e Xhavella, ku
ndër të tjera shkruhej “Në luftën e 1821 që bëri Greqia kundër Turqisë luftoi
dhe raca jonë, raca shqiptare, dhe me ndihmën tonë u çlirua edhe Greqia. Midis
kaq heronjve kujtojmë edhe ata të Hidrës, Species dhe Kranidhit. Heronjtë më të
shumtë të steresë ishin shqiptarët e Sulit të Himarës, të Athinës, Tebës,
Livadhjasë, Korintit, dhe nga shumë vende të Moresë që flasin edhe sot shqip.
Përveç shqiptarëve të krishterë, ishin edhe 3500 shqiptarë muslimanë që
luftonin bashkë me grekët kundër turqve... S’kemi për të thënë ndonjë
gënjeshtër, vëllezër, po të pohojmë se shqiptarët e çliruan Greqinë”. Gjithësesi pavarësisht këtyre
fakteve shumë domethënës të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të
shekullit të XX, influenca e nacionalizmit etnik grek dhe një tradite
bashkëjetese prej mëse 170 vjetësh në shtetin kombëtar grek ku elementi
arvanitas kish hyrë në një proces asimilimi nuk mund të bënte të mundur që këto
demonstrime të ishin të një përmase të madhe. Në ditët e sotme problemi dhe
statusi i popullsisë arvanitase në Greqi vazhdon të jetë i mjegullt dhe disa
ngjarje kulturore që kanë ndodhur brenda komunitetit arvanitas mundtë
konsiderohen si ngjarje që ringjallën një çështje të harruar dhe që nën
tendencat unifikuese të Globalizmit kishte tendenca për tu harruar. Nën procesin e vazhdueshëm të
helenizmit të nxitur dhe nga shteti kombëtar grek, përpjekja për të shkruar
dialektin e tyre shqip u minimalizua deri sa në në vitet 80-të të shekullit të
XX kemi një rigjallërim të këtyre përpjekjeve me botimin e revistës “Besa”, ku
në të 34 numrat e saj përveçse artikujve shkencorë rreth kulturës arvanitase në
greqisht u botuan dhe artikuj në gjuhën shqip por me alfabetin grek. Që prej
viteve 1980-te, ka patur nje krijim te shoqerive kulturore arvanitase edhe
botimeve te nje reviste edhe disa librave mbi kulturen arvanitase (megjithese
shume pak te botuara ne ate gjuhe). Ne disa zona, Ungjilli i Pashkeve lexohet
ne Arvanitika (Gerou, 1994a). Ndoshta ndermarrja me domethenese - per publikun
e gjere - eshte nxjerrja e CD - me nje librushke te bashkangjitur shpjegimi -
Arvanitic Songs (FM Records, 1994)
Një nga tekstet më
të njohura arvanitase të kësaj përmbledhje është kënga “Ra kambana e Papandisë”
e kënduar nga Thanasis Moraitis. Ajo nuk përfshihet në tekstet e “Netëve
Pellazgjike”(1855) të Reynoldit, por na vjen deri në ditët e sotme
e kënduar nga arvanitasit në ditë festash të tyre.
“Ra kambana e
Papandisë”
Ra kambana e
Papandisë,
gru vajzo të vesh
ndë klishë.
Ra kambana di tri
herë,
gru Mari të pres
te derë.
Ea të të puth një
herë,
nani që kam pirë
verë.
Ea nani kata nani,
ç’është mëma ga
ljuvadhi.»
Po çfarë është
fjala shqip Papandia që përmendet në këngë? Papandia është festa fetare kryesore
e mëmësisë së nënës së Krishtit në besimin ortodoks ku festohet çuarja për herë
të parë e Krishtit në tempull nga nëna e tij Maria dhe babai i adoptuar Jozefi,
dyzetë ditë më pas lindjes së tij. Kjo ishte një traditë që respektohej për
djemtë e parë të lindur në një familje të cilën e respektonin kujdestarët e
Jezusit si besimtarë hebrenj që ishin. Analogjia e sotme që ka mbetur në
besimin ortodoks është festa e dyzet ditëshit që nënat çojnë për herë të parë fëmijët
në kishë. Festimi i Papandisë i përket ciklit të 12 festave më të rëndësishme të
Kishës. Festimi i saj fillon në datën 15 janar , më vonë pas marrjes së zjarrit
të shenjtë(14 janar) dhe arrin kulmin në festimin e saj në datën 2 shkurt.
Tesksti i këngës
edhe pse ka në qendër një festë fetare është laik. Në të pasqyrohet një skenë e
zakonshme flirti e dashurie në një katun arvanitas, atmosferë që na kujton
vargjet e de Radës te Këngët e Milosaos. Një fakt tjetër interesant është përdorimi
i fjalës shqip Papandia për festën fetare që në greqisht është Υπαπαντή(Ipapandi),
me karakteristikën e gjuhës shqipe të humbjes së zanoreve përpara bashkëtingëlloreve
për huazimet nga greqishtja.Dialekti arvanitas, trashëgimia kulturore dhe
folklori arvanitas ende jo të studiuar mirë nga albanologjia shqiptare janë
thesar i rallë për të qëmtuar dhe studiuar forma të vjetra të shqipes dhe
zakone e tradita të rëndësishme.
No comments:
Post a Comment