Monday, 16 April 2018

Shqiptari në Maltë.




Mes tablove të shumta të Romantizmit Europian që pasqyrojnë vende dhe popullsi egzotike spikasin dhe tablotë të viseve shqiptare dhe të personazheve me veshje shqiptare. Gjeografia e vendeve të pasqyruara në këto tablo është e larmishme që nga brigjet e Nilit, shkretëtirat arabike, Turqi, Greqi, Principatat e Vllahisë dhe Moldovës dhe deri në ishullin e Maltës. Malta është një nga pozicionet gjeografik kyç i detit Mesdhe. Prania shqiptare aty ka qenë e hershme që nga Mesjeta kur reparte të ndryshme arbëreshësh mbronin ishullin nga invazionet osmane.
Siç dëshmon Noel Malcom në librin e tij “Agjentët Perandorakë”, një nga përfaqësuesit e familjes Bruti-Bruni nga Ulqini arriti të shpallej dhe Kalores i Urdhrit të Shën Gjonit që qeverisnin ishullin.  Nga ajo kohë ka mbetur edhe shprehja fluturake Malta Yok-Nuk ka Maltë që i dedikohet kryeadmiralit Osman të Sultan Ibrahim të çmendur i cili pas një sulmi që pësoi një anije pelegrinësh myslimanë që shkonin për Hadj(haxh) në Mekë nga Kalorësit e Maltës, udhëroi sulmin ndaj ishullit të Maltës. Gjithësesi, kryeadmirali i flotës osmane duke pasur frikë se nuk do ta pushtonte dot ishullin e Maltës , vendosi një qiri mbi hartën e tij detare  dhe lejoi dyllin e qiririt të pikonte mbi shenjën që tregonte ishullin e vogël, derisa dylli e mbuloi krejtësisht. Më pas ai u deklaroi adjudantëve të vet, “Malta yok-nuk ka Maltë” dhe lundroi të sulmonte venecianët në ishullin e Kretës. Rrethimi i Kretës vazhdoi përreth 24 vjet, ku tre vjet më vonë Sulltan Ibrahimi vdiq dhe venecianët u dorëzuan disa vite më vonë më 1669.
Tabloja e mëposhtëme është e vonshme. Ajo daton në vitin 1808 , ku reparte shqiptarësh shërbenin sa në ushtritë e Francës në Ishujt Jonianë sa në atë të Britanisë së Madhe apo dhe në Mbretërinë e Napolit. Autori i portretit nuk njihet por ka gjasa që të jetë britanik.Malta në atë vit ndodhej nën dominimin britanik dhe një vit me vonë më 1809, kur Lord Byron dhe Hobhouse u vendosën dhe qëndruan përreth dy javë në ishull, dëshmojnë se dëgjuan për herë të parë për Shqipërinë dhe liderin karizmatik të Pashallëkut të Janinës, Ali Pasha Tepelenën. Përpos kësaj tregtarë të ndryshëm shqiptarë vendoseshin vazhdimisht në Maltë pasi ajo pas pushtimit britanik u kthye me bankën e vet, në një bankë të sigurtë ku mund të depozitoje flori dhe gurë të çmuar. Britanikët në vitin 1821 kur Ali Pasha Tepelena u kërkoi ndihmë për të përballuar Perandorinë Osmane pasi i mohuan mundësinë për tu përfshirë në konflikt i propozuan se mund të vendosej me gjithë thesarin e tij dhe të dy djemtë në Maltë. Këtë propozim Ali Pasha Tepelena nuk e pranoi pasi ndjente se mund të tradhëtohej nga Britania e Madhe për interesa më të mëdha gjeostrategjike.Udhëtimi përmes Maltës për në Ishujt Jonianë dhe në Prevezë dhe anasjelltas u kthye në një udhëtim që anijet britanike e bënin shpesh siç e dëshmon dhe Disraeli në 1832, në letrën që i nis të atit nga Malta dhe nga Preveza.
Veshja e luftëtarit shqiptar përveçse egzotike për sytë e udhëtarëve perëndimorë duket që është ceremoniale pasi ai pozon qetë duke dëshmuar një harmoni të plotë të veshjes me karakterin. Fustanella, brezi, armët, guna e hedhur mënjanë dhe fesi i kuq që një dekade e gjysmë më vonë do ktheheshin në simbolet e revolucionit ballkanik antiosman në Greqi, janë elementët e njohura të veshjes tradicionale shqiptare që u kthyen në modë nga udhëtarët e huaj.
Fustanella tërhoqi që në fillim vëmendjen e udhëtarëve të huaj dhe shpesh herë ata  bënin një lidhje me kiltin e skozezëve apo dhe me veshjet e ushtarëve romakë. Lord Byron-i do të shkruante se “Arnautët ose Shqiptarët më kanë bërë shumë përshtypje për ngjasimin që kanë me malësorët e Skocisë, në veshjen, pamjen dhe mënyrën e jetesës... Kilti ( fustanella) megjithëse i bardhë ,... të folurit e tyre keltik në tingull si dhe zakonet e tyre të ashpra, gjithcka më conte larg në Morven.”.[1]Ndërsa Dr Henry Holland do të shkruante se fshatari apo ushtari shqiptar, fjalë të cilat në këtë vend dukej se janë pothuaj sinonime, shihet këtu në gjithë karakterin dhe kostumin e tij. Përgjithësisht burrnor në personin e tij, me tipare që e tregojnë të panënshtruar ndaj poshtërimit të skllavërisë, me dinjitet e madhështi në të ecurit dhe në qëndrimin e tij, mënyra sesi vishet ia shton këto veçanti dhe e bën figurën e tij më të spikatur dhe piktoreske se çdo tjetër nga sa kam njohur”.[2] Por jo vetëm fustanella do të tërhiqte vëmendjen e udhëtarëve britanikë. Guna apo kapota si një element i veshjes shqiptare do të përshkruhej nga Hobhause, bashkëshoqëruesi i Lord Byron-it në udhëtimin e tij në Shqipërinë e jugut në vitin 1809. Ai shkruan: Veshja e burrave është shumë mirë e adaptuar për jetën  e një njeriu që rri maleve. Më pas bën një panoramë të gunës shqiptare.  Kjo kapotë është e leshtë e me thekë, e bardhë ose e zezë, ka shumë mundësi që ajo të jetë një veshje e posaçme e këtij populli sepse – sikurse ma shtiri në mënd miku im( Bajroni,) poeti ynë Spenser i ka dhënë njërit prej personazheve të tij, “ një gunë të madhe të modës shqiptare”[3].
Brezi i quajtur silah dhe që zakonisht kishte një ngjyrë që dominohej nga ngjyra e kuqe për të bërë konstrast me fustanellën e bardhë  përdorej për të mbajtur armët të cilat kryesisht ishin thika , shpata të llojit jatagan ose sabre dhe armë brezi të disa tipave. Jatagani ishte pjesë e pajisjes luftarake të burrit shqiptar. Doreza zbukurohej me argjend ose me fildish. Përveç funksionit estetik, zbukurimi bënte edhe lidhjen e dorezës me pjesën e tehut të saj. Zbukurimi i dorezës bëhej me punim rrogoz dhe paftë. Mbi të viheshin lule dhjetëpetalëshe. Tehu i jataganit ishte prej çeliku. Në njërën anë bëheshin incizime me motive gjeometrike e bimore. Krahas motiveve gjeometrike e bimore, në faqet e tyre të bronzta a të argjendta, kishte edhe dekore me subjekte epike dhe mitologjike, ku spikasin figura kalorësish të armatosur a përleshje midis kuçedrës dhe dragoit.
 Mes armëve të brezit dallonin koburet që emërtohen me emra të ndryshëm: calinë, kalemtushe, cubë, teke, egzalina etj.Calina punohej në vend. Në Shqipërinë Veriore njihej me emrin calinë, celinë dhe gjarpënushe. Quhej gjarpënushe për arsye të kokës së gjarprit në fundin e dorezës. Në Shqipërinë e Mesme, në Elbasan quhej verdhë, ndërsa në Tiranë quhej latune vendi. Calinat kanë qenë shumë të përhapura, sepse shiteshin lirë. Koburet serme punoheshin nga armëtarët dhe argjendarët shkodranë. Dorezën e kishin si kokë gjarpri, të veshur me pafta argjendi. Ato qenë skalitur me motive bimore të stilizuara, në reliev. Tyta dhe çarku bëheshin prej hekuri. Gjatësia e tyre arrinte rreth 59 cm, ndërsa kalibri 20 mm. Koburet serme qenë prodhim i viteve 1780-1800. Ato janë përdorur si armë brezi nga suljotët.
Romantizmi Europian në letërsi dhe arte figurative i gjeti shumë egzotike tematikën shqiptare dhe pasqyrimi i këtyre motiveve në mënyrë të tërthortë ndikoi në pasqyrimin e imazhit të shqiptarëve në Europë, që edhe pse nuk kishin një literaturë shumë të pasur me tekste përmes kulurës së tyre materiale dhe etnografike gjetën mënyrën për të afirmuar identitetin e tyre kulturor dhe kombëtar.





[1] Byron,  G. Notes to Child Harold, London, 1935, fq.  840 .
[2] Holland, Henry. Travels in Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia &c.During 1812-1813 , London 1815, fq. 68
[3] Hobhause, J.C. A journay through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia to Constantinople, during the years  1809-and 1810 second edition, Vol I,London 1812, printed for James Cawthorn.





No comments: