Monday, 29 October 2012

Shqipëria e Edith Durhamit


Revolucioni industrial, përparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit të XIX krijuan premisat që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, shumë të lodhshëm  dhe të vështirë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve britanikë që vazhduan të vizitojnë Ballkanin vazhdoi të rritej ndjeshëm veçse shtysa për ta vizituar atë dhe qëndrimi ndaj tij fillon të ndryshojë. Nëse në gjysmën e parë të shekullit të XIX , Filohelenizmi dhe romanticizmi ishin kauza që sollën shumë udhëtarë britanikë  në rajon, tashmë shtysat dhe qëndrimi ndaj tij përcaktohet nga udhëtimi në vetvete duke e zgjeruar hartën dhe me vendet e tjera të Ballkanit, si Serbi, Mali i Zi, Bullgari e Rumani dhe politika britanike porsa i përket Çështjes Lindore. Për herë të parë kemi dhe dukurinë e femrave udhëtare , gjë që dëshmon se tashmë udhëtimi ishte bërë një fenomen i stabilizuar mirë në kulturën britanike, sidomos në atë Eduardiane.
Në mes udhëtarëve që vizitojnë Ballkanin dhe që ka lënë gjurmë ende në viset që ajo përshkoi është Mery Edith Durham(1863-1944). Ajo ishte 37 vjeç kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit. Së pari që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Së dyti përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbejnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhura nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Por përveç kësaj Durham ishte një grua udhëtare me interesa të gjera dhe e përfshirë në shumë aktivitete të ndryshme. Edhe pse ajo njihet më mirë si një etnografe, ajo ishte gjithashtu një gazetare korrespondente , punonjëse sociale dhe aktiviste politike.[1]Edhe pse interesi i saj për Ballkanin e thënë me fjalët e saj nisi nga dëshira “vetëm për të udhëtuar dhe për një ndryshim”[2]ka të ngjarë se duke qenë një artist mund të jetë inspiruar nga ditari i Edward Lear, “Journal of a Landscape Painter in Albania”.[3]
Edith Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale  dhe artikujsh për historinë, etnografinë, intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit. Historianët e mëvonshëm të Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj ku sipas Noel Malcom ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”[4]. Veprat e saj sipas rendit kronologjik janë: “Through the Lands of the Serb (1904), “The burden of the Balkans “(1905) ,”High Albania“(1909) ,”The struggle for Scutari” (1914) ,”Twenty Years of Balkan Tangle “(1920) ,”The Sarajevo Crime (1925) dhe  “Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans” (1928).
Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është nga të parët udhëtarë që njeh dhe bën të qartë p.sh dallimin midis otomanëve dhe shqiptarëve myslimanë si një kombësi e veçantë. Po kështu në veprat e saj shqiptarët nuk thirren me emërtimin e gjuhës turke-arnaut , por me emrin që popullsia e identifikon veten si Shkypitiar[5]. Kjo gjë ndodh pasi Durham nuk ishte e ngarkuar emocionalisht me një kulturë të antike dhe rrjedhimisht nuk është e influencuar nga Filohelenizmi, gjë që mund ti sillte paragjykimin për të kërkuar dhe emërtuar çdo gjë në greqisht në rajon si Leake rreth një shekull më parë. Për më tepër ajo nuk ishte e përfshirë politikisht në shërbimin diplomatik si ky i fundit dhe as kish ndonjë qëllim si Edward  Lear(1812-1888) për të pikturuar peizazhe mbresëlënëse ndaj kur vizitoi në Ballkanin e  gjeti aty Çështjen Lindore dhe zgjodhi si qëllim të udhëtimeve të veta njohjen sa më mirë të Ballkanit dhe paraqitjen sa më të  drejtë të problemeve politike në rajon. Udhëtimet e saj mund të ndahen në dy periudha. Në periudhën e parë 1900-1908 ajo mësoi shumë gjëra për popujt, gjeografinë dhe historinë e rajonit. [6]Është kjo koha kur ajo bën vëzhgimet më të thella për rajonin dhe mundohet tu japë përgjigje shumë nga intrigave ballkanike lidhur me pretendimet territoriale pas tërheqjes së mundshme të otomanëve nga Ballkani. Durham edhe kur bie viktimë e këtyre intrigave si është rasti kur në librin e saj të parë “Through the Lands of the Serb” shkruan se “Shkodra nuk është vetëm një vend interesant për tu vizituar nga Cetina; por i përket me të drejtë historisë serbe”[7] duke sugjeruar saktë se kujt duhet ti përkasë qyteti pas tërheqjes së otomanëve por  nuk mënon që  “dhjetë vjet më vonë” -si pasojë e udhëtimeve dhe njohjes më të mirë të realitetit-“ti protestojë komunitetit ndërkombëtar kundër sulmit malazez dhe serb ndaj Shkodrës, duke konsideruar se i gjithë vilajeti i Shkodrës ishte me kombësi shqiptare.”[8] Është po kjo koha kur ajo i kushtoi një vëmendje të veçantë grupeve etnike dhe fetare të Ballkanit dhe mënyrës sesi ato konkurronin për të fituar njohje ndërkombëtare në periudhën kur e zgjimit të ndjenjave kombëtare[9]duke u munduar të japë një pasqyrim sa më të saktë të tyre. Edhe pse ajo udhëtoi në Serbi, Bosnje dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Malin e Zi, Durham pjesën më të madhe të shkrimeve të veta ia kushtoi Shqipërisë. Në fakt ka autorë që e akuzuan se për njëanshmëri kur ajo mbronte kauzën e shqiptarëve, por duke vëzhguar realitetin në Ballkan , shqiptarët në fakt ishin më të pambrojturit pasi kombet e tjera të Ballkanit i kishin krijuar shtetet e tyre nacionale, kurse ata ishin ende nën Perandorinë Otomane. Në pazaret që bëheshin në Çështjen Lindore shqiptarët dhe territoret e tyre lakmoheshin nga të gjithë fqinjët ballkanikë. Durham, duke qenë në mes të këtyre intrigave ishte në dijeni të tyre prandaj dhe denoncimi i saj merr një vlerë të madhe historike. Durham në kundërshtim me udhëtarët e tjerë britanikë , nuk ka paragjykime ndaj popullsive në Ballkan dhe as kompleksin e superioritetit kulturor ndaj kulturave ballkanike. Kështu p.sh. ajo nuk ngurron të denoncojë dhe keqadministrimin e Bosnjës nga Austro-Hungaria më (1906), kur shumica e udhëtarëve britanikë e lavdëronin atë.[10] apo të denoncojë dhe pushtetin kolonial anglez kur viziton Egjiptin më 1911 duke shkruar se “unë nuk mund të dëshiroja të isha  një vendas nën sundimin britanik me asnjë lloj çmimi.”[11]Ajo nuk kishte asnjë paragjykim kundër ndonjë besimi të veçantë fetar, dhe nëse ajo e gjeti Ballkanin të çuditshëm dhe të ri ajo në të njëjtën kohë ishte  shumë e predispozuar për të treguar ngjashmëri midis fiseve të Shqipërisë së veriut dhe atyre të vendlindjes së saj Londrës së veriore. Nëse fiset shqiptare parashikonin të ardhmen nga eshtrat e gjoksit të pulave , anglezët e parashikonin atë nëpërmjet fallit në dorë dhe spiritualizmit[12]. Kjo lloj përqasje ndaj Ballkanit, origjinaliteti i prezantimeve  dhe përshkrimeve të gjalla të aventurave të saj i siguruan jo vetëm lexues të shumtë  në Britani por dhe njohje si autoritet i veçantë në fushën e etnologjisë dhe antropologjisë.
Periudha e dytë e udhëtimeve të saj (1910-1914) karakterizohet kryesisht nga përfshirja e saj në aktivitetin politik të shqiptarëve dhe asistencën sociale ndaj popullatës së keqtrajtuar nga otomanët pas kryengritjeve të shqiptarëve më 1909-1910 e sidomos asaj të 1911. Që në udhëtimin e saj të parë Durham do të tregojë interesim politik për fatet e këtyre popullsive , por kjo periudhë është momenti kur diskursi i saj do të fitoj dhe një qëndrim të qartë politik. Nëse sërish gjithë udhëtarët britanikë të kësaj kohe, ishin konform politikës pro otomane që ndiqte Britania në rajon në kuadër të Çështjes Lindore, Durham është kundër kësaj politike dhe qartazi sulmon administratën turke për mënyrën sesi qeveriste popullsitë e krishtera. “Unë isha rritur duke i konsideruar turkun si një individ të virtytshëm. Tani asnjëherë nuk e kaloj kufirin e tij pa shpresuar se shumë shpejt do mund të behesha dëshmitar i tërheqjes së tij nga Evropa”.[13]Ajo kishte marrëdhënie të ngushta me shumë figura të rëndësishme të politikës malazeze dhe shqiptare dhe shpesh herë u bë zëdhënësja e ngjarjeve politike të Ballkanit në shtypin evropian. Durham punoi si korrespondente e disa gazetave kryesore britanike si “The Manchester Guardian”, “Pall Mall Gazette"dhe “Times”, në të cilat ajo përcolli gjithë dinamizmin, intrigat dhe tensionin e Ballkanit. Në ketë sens artikujt e saj përveç se  shërbejnë si dëshmi të momenteve të ndryshme politike që kaloi Ballkani, si kryengritjet shqiptare dhe luftërat ballkanike, janë përgjegjëse dhe për krijimin e imazhit të dhunshëm të Ballkanit në Britani. Tmerret dhe masakrat e luftërave ballkanike u përcollën drejt për së drejtë tek publiku britanik, duke e bërë këtë fundit të meditojë dhe reflektojë për këtë cep të largët të Evropës. Është pikërisht ky moment kur sipas Todorovës në gjuhët evropiane hyn kuptimi i fjalës to “balkanize”- i cila do të thotë të ndahet apo të fragmentohet[14].Natyrisht që Durham nuk ishte e ndërgjegjshme se po ndikonte në krijimin e një etike kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për të ishte emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve ,malazezve,grekëve dhe bullgarëve shpesh herë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i saj dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi përsëritja e ngjarjeve në vitet 90’ në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e saj ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga gjithë udhëtarët e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të quhet kthimi tjetër i saj në Ballkan gjë që si ka ndodhur asnjë udhëtari tjetër britanik.

Bibliografi:

1-    Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004)
2-    Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill                     University, Montreal September 1995
3-    John Hodgoson “Edith Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey Falcons: Women Travellers in the Balkans  edited by John B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press
4-    Maria Todorova.  “Ballkani imagjinar” Instituti I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004

5-    Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904
6-    Noel Malcolm. Bosnia, A Short History. London: MacMillan London Limited, 1994




[1] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 136
[2] Po aty faqe 9
[3] Po aty faqe 9
[4] Noel Malcolm, Bosnia, A Short History, London: MacMillan London Limited, 1994, faqe 140
[5] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 15
[6] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe136
[7]  Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904, faqe 96
[8] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 20
[9] Po aty faqe 19
[10] Shih për më tepër Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 601-624
[11] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 53
[12] John Hodgoson “Edith Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey Falcons: Women Travellers in the Balkans  edited by John B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press, faqe 8
[13] Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904, faqe 96
[14]Shih për më tepër Maria Todorova.  “Ballkani imagjinar” Instituti I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004


Gazeta Shqip.30.10.2012


Sunday, 28 October 2012

Partneritet dhe miqësi




Njëzet vjet më parë, në datën 2 tetor 1991, pas një absurditeti të pakuptimtë edhe për vetë botën komuniste (pasi të gjitha vendet e ish- kampit socialist në Europë kishin marrëdhënie diplomatike me SHBA-të), absurditet që zgjati 45 vjet me radhë, në Shqipëri u rihap ambasada amerikane, pas rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike më 21 mars 1991. 


Friday, 26 October 2012

Fjalimi i Ismail Qemalit i mbajtur me 28 nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë me rastin e ngritjes së flamurit.




Oh!  Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë. 
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!

28.11.1912



Thursday, 25 October 2012

Fjalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në 1924




Kryetari M. Motta: Para se të kërkoj leje t'i flas Asamblesë, Folësi i fundit Imzot Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë, mar nderin ta përshëndosh si kryeministër dhe kryetar të qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Svicra, është një shtet i vogël, dhe përfitoj nga khjo rasje të shtoj se tërë shtetet anëtarë të Lidhjes së Kombeve janë të njëshmë para ligjit. (Duartrokitje).Imzot Fan S. Noli (Shqipëria). Duke Rishikuar punën që ka mbaruar Lidhja e Kombeve në këto pesë vjetët e jetës së sajë, kam frikë se edhe unë i nxehti paqedashës do t'i ngrehë duart përpjetë në dëshpërim dhe do të thresë: "Më mirë të kemi luftë se sa fjalë të mërzitshme për paqe". Ç'kemi bërë për paqe? Ç'po bëjmë tani në këtë Asamble? Ajo që është bërë në të pesë vjetët Çlodhet në paqe, në paqe të përjetshme e kyçur në dosjet e vjetra të sekretariatit dhe ruhet me kujdes prej atijë të mirit gentleman, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë se lidhja ka bërë disa shërbime të vogëla për paqën përgjithësisht, dhe veçanërisht e shpëtoi Shqipërinë prej copëtimit, duke shiguruar kështu paqe dhe urdhër në Ballkan.Si e dini Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për të thyer dhe m'e rëndë për ta ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi të mbetet atje ku është të njomet lirisht në detin Adriatik. Po thuamëni zoti Sekretar i Përgjithshëm përse refuzoni t'i jepni Shqipërisë një hua me të cilën të mund të ngrihet në këmbë? Tuntni kokën? Shumë thoni?


Mirë do të zbres me elegancë në shumën e matur prej 200.000.000 frangash. Tundni kokën? Ahere jam gati të hyj në marëveshje për një shumë më të vogël, thuaj 100.000.000 franga. Kërkoj ndjesë. Doni të thuani që nuk më takuat kurrë në jetën tuaj dhe që nuk do të muntni të më huani një dhjetësh? Ahere merrni kërkesën t'ime për një hua dhe verreni në dosjet e vdekura të Sekretariatit dhe kyçeni mirë, po mbyteni sigurisht para se ta varosni në nekropolin t'uaj se munt të ngjallet prej të vdekunëve.Nofta Sekretari i Përgjithshëm kish në mend të thotë që nuk kish dëshoron të hyjë në marveshje për hua me një guvernë kryengritëse, pa një parlament si atë që kryesohet prek të përunjurit prift. Po e dini se ç'është parlamenti? Pa fjalë e dini. Po do të kuptohet më mirë kur tju yjem, se çmendoj për të. Parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shport që bënë prova operate në trupin e gjallë të racës së vetë. Një sallë plotë me gaz të helmuar. Gazi mbytës, gazi që sjell lot, qeshje tangoje dhe gjithë gazet e tjerë me të cilët u lëftua luft e fundit që t'u jepte fund tërë luftrave dhe të vendoste paqë, paqen për të cilën bëjmë fjalë.Po, e që shkelni këmbë, jemi gati të bëhmë zgjedhje të ra, dhe ta bthresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë superticje të mallkuar parlamentin pas dy ose tre vjetësh qeverimi atëror. Do të kini mirësinë atëherë zoti Sekretar i Përgjithshëm, pas tre vjetësh të më jepni huan prej 400 000 000 frangash të cilën m'u zotuat disa minuta më parë? Thuani "jo"? Përse? E dinja.Ahere, mirë, le të flasim për paqe. Më duket se nuk lemi asgjë më të keqe se sa të bëjmë këtë. Thom "Më duket" se dua që të gjithë juve të dini që kam qenë shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet diku në Irrlandë plot me 0' Connors dhe 0' connelis dshe fitzgeralds. Të gjithë folës të mirë, folës fort të mirë, të cilët bashkë me Irrlandezë të tjerë prej qytetesh të tjerë të Irrlandës bëjnë të tërë të folurit në fushata elektorale t'Amerikës. Do të dëshironja që sivëllezërit e nderuar të Republikës Irrlandeze të kishin sjellë këtu ca nga këta folës trima të flisnin e të flisnin për vdekje për punën e paqes.Nuk është për të çuditur që Amerikanë, gjermanë dhe Rusë nuk janë të paduruar të hyjnë në Lidaje. Duket që nuk çmojnë fjalët tona. Donë më mirë për bemërin e Perëndisë zoti Kryetar. Pse nuk pushoni këtë të folur dhe të më jipni atë huan prej 500 000 000 frangash që mu zotuat para se të nis të flas.Tani që ju përgjigja në pyetjen e parë "Ç'ka bërë Lidhja e Kombeve në pesë vjetët e fundit?". Munt të vij në çështjen e dytë dhe të fundit: Ç'po bëjmë tani në këtë asamble? Përgjigja është fare e lehtë. Do ta gjeni te Shekspeare-i. "Fjalë, fjalë, fjalë" domethënë në inglishten popullore erë të nxehtë. Kjo është gjithë puna. O është një përrallë e thënë prej një idioti plot me bujë dhe tërbim pa kurrfarë kuptimi".Ç'është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençme e të thella mi çarmatimin dhe traktate arbitrazhi? Çështjet ju referian një komisioni, o co; o ju referoj një nënkomisionit i cili do ta raportojë në komisjon. Dhe ky përfundimet do tja paraqitë ndonjë konference që do të mbahet ndo një herë në të pritmen. Kjo konferencë do tja raportojë këtë çështje përsëri një komisioni . Ky do ta referojë në nënkomision. Ky përsëri në Komision Dhe ky me radhë e me radhë në Konferencën. Konferenca do ta pasojë me një votë të njëzëshme e cila do ti referohet Këshillës së Lidhjes së kombeve e cila do të shfaqë një lutje të përbashkët në i Madhi Perëndi në qiell. Pasi të shkojnë çështjet përmes këtij rrotullimi poetik të konferencave dhe kundër-konferencave, të raporteve dhe kundër raporteve dhe këshillave, më në fund do ti referohet Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes i cili do t'i kyçë me kujdes në dosjet e pashpirt të Sekretariatit dhe do t'i mbajë këto për brezat e arthmë.Kështu e tërë puna do të mbarojë si mbarojnë gjithë flluskat prej sapuni. Dhe of! Fjalët e bukura dhe fjalët e gjëmuara dhe stërgjëmuara, të cilat do ti shoqërojnë këto rezoluta dhe ato lutje! I dua, i dua, "Si erën e pellgut dhe si të kërmave të të vdekurve të pambuluar që molepsin erën". Për këtë arsye po jap këtë fjalë sot.Nër kohë që po mendojmë për fuska le të më jipet leje të bëj disa vërejtje për mi fuskën më kolosale që prodhoj historinë moderrne: Kuptoj pallatin e Dwes-it. Po është pikërisht një fuskë? Jo është një lidhje fuskash, e mërzitur, e koklavitur, diabolike, dhe infernale. Është më tepër se një fuskë, është një superfuskë. Po nuk duhet të trembeni nga kjo. Do të mbarojë si dhe fuskat e tjera që ngjallëm këtu. Është fort e koklavitur kjo punë. Mund ti shigurojë ndo një fron nënkryetari auktorit të shënuar po kam frikë se do të sjellë vetëm disa miliardë çpagime për Francën dhe për Belgjikën. Këta të dy shtete shpresojnë të nxierrin me anën e tij disa miliardë dhe miliardë. Unë uroj që të munden t'i marrin, po është një fatalitet. Ajo superfuska e gjeneralit Dawes s'ka veç të referohet Lidhja e Kombeve.
I dashuri im Sekretar i Përgjithshëm, Ju lutem gatuani një vënt të thatë, fort të thatë, në dosjet t'uaj të vdekura se si dini, mr Dawes është Amerikan dhe Amerika është një vend i thatë (pa të pira) qoftë se prej kohe në kohë, me mënyra të nëndheshme, njomet, njomet me të vërtet shumë, vetëm me shaka… . Me përpjekjet mirëdashëse të çizme sjellësve (kontrabandistëve).Duke folur për fuska përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar 600 000 000 për të cilat kryetari i nderuar i kësaj Asambleje dhe Sekretari i Përgjithshëm i dashur m'u zotuan të më japin për Shqipërinë disa minuta më parë. Tani kjo hua është një fuskë paqeje, një fuskë paqeje fort e shëndoshë. Jo nuk është fuskë aspak. Atë që desha të thosha ish: Do të forcojë paqen në Ballkan. Mund të gatisë udhën për të realizuar Konfederatën Ballkanike, Po nuk ka një dobi të flasim për të. Zoti Sekretar i Përgjithshëm, merre në dosjet e pashpirt të mekropolit t'uaj.Pasi u përgjigja të dy pyetjeve që më ishin bërë më mbetet tani të nxjerr përfundimin të cilin do ta bisedoj në formën e dy pyetjeve të reja. Pikësëpari, nga çkoqitjet që u dhanë më parë, a e vlen barra qeranë që të kemi një shoqëri të kombeve? E dyta, në rast që e vlen, cila do të jetë methoda për t'i arrirë qëllimit që është paq e përbotshme? Pyetjes së parë do ti përgjigjem: Po. Edhe Shoqëria e Kombeve të jetë një ëndër, një utopi që i bën skeptikët të buzëqeshin dhe të shtrembërojnë buzët, kjo (Shoqëria e Kombeve) duhet të qëndrojë atje si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Kjo duhet të qëndrojë atje si një vërtetim solemn i dëshirës së përbotshme për paqe. Kjo duhet të qëndrojë atje gjer sa bukuria e sajë, fisnikëria e sajë, shpirita njerëzore e sajë, nevoja e domosdoshme e qënies së sajë të kuptohen nga gjithë bota. Pse fundi i fundit me gjithë mungesat që ka sot për sot, kjo meriton të pritet me këto fjalë."Verreite Doch. Du bist so choen!" Oh! Qëndro, ti je kaq e bukur!Pse të jemi kaq pesimistë? Aspirata për paqe, janë kudo, kjo është e padyshimshme, ndryshe nuk do të kishim komedin e fuskave dhe superfuskave të paqes që na kanë mbuluar. Kjo vjen nga shkaku që popujt dëshirojnë paqen. Që burrat e shtetit, politikanët e servirin kohë pas kohe, fuska arbitrazhi, fuska çarmatimi, fuska sigurimi dhe superfuska shpërblimi."Po paqia nuk do të vijë prej traktateve, këto janë të destinuara të hidhen shpejt a von në shportë. Paia do vijë nga shkollat. Duhet t'u mësojmë fëmijve që vrasja toptan është po ashtu një gjë kriminale sa edhe vrasja e veçantë. Duhet t'u mësojmë se perënditë t'ona të bajrakeve janë burimi i gjithë të këqijave, të cilat shekuj me radhë po e mundojnë njerëzinë. Duhet tu mësojmë se ka veç një perëndi të vërtetë, që duhet ti shërbejmë. Perëndia e njerëzisë, Perëndia e të gjitha tribuve. Duhet tu mësojmë të bëhen anëtarë të nderçmë të super-shtetit që duhet të përmbledhë të gjitha tributë. Të bëhen qytetarë fisnikë të federatës së përbotshme e cila është në realizim e sipër, e cila do të realizohet me doemos. Kur djemtë tanë do të kenë mësuar këto të vërteta, atëhere do të kemi vetëm çarmatosjen morale e cila duhet të bëhet më parë nga çarmatosja matëriale, po do të kemi bashkëpunimin e vërtetë e të gjithë fiseve të botës për paqen, përparimin dhe mbarë vajtjen ndërkombëtare, të cilat s'janë tjetër veç sende që vijnë rrotull subjektit."Po para se të vijnë atje, le ta njohim një herë se jemi që të gjithë bajrak të egër sa kohë që i bëjmë kurbane njerëzish Moloh-ut të tribusë. Oh! I vritni, i varni. Ndiqini në të katër anët e botës këto perëndira barbare dhe anthropofage që kanë mbushur historinë e njerëzisë me kaq vuaje, me kaq urrejtje, me kaq rrënime, me kaq tmerr, me kaq gjak me kaq frikë. Ah! Do ti kapim gjakatëratë e vjetër! Vështroni sytë e njerëzisë që vuan pas rrënimeve të luftës së përbotshme. S'ka dhimbje mbi dhimbjen e sajë, asnjë theori nuk do të ishte tepër e madhe për të shpëtuar djemtë tanë nga luftra të reja dhe lot të reja."Përpara o shokët e mij, bota është gati për ungjillin e ri. Flamuri i Shoqërisë së Kombeve është më fisniku që është ngritur gjer më sot! Ushtarët e sajë janë më trimat që ka nxjerrë bota gjer tani. Qëllimi i sajë është maja e përparimit të njerëzisë. Shpirti i Willsonit, ati dhe profeti i sajë na udhëhiq. Mundimet janë të mëdha, po shtrini kurajën t'uaj gjer në pikën e fundit dhe nuk do të venë mundimet kot".



Flamuri i melankolisë




Sivjet të gjithë deklamatohen hapur
me një gëzim fals që u lodron në fytyrë,
duke ngritur lart flamujt e haresë
për tiu  gëzuar një feste
që një njëqind vjetor u kujton.
Krejt e huaj për mua kjo butafori
arlekinash
që ndjell zhurmë e gaz mediokër
të tregtarëve të flamujve
shkakton arratisje në vende e kohë të tjera
ku ideale dhe ëndrra presin të realizohen
e deri në mungesë të tyre
shpirti i nënshtrohet  qetësisht, në paqe
flamurit të trishtë të melankolisë sime.

Tiranë 24.10.2012


Tuesday, 23 October 2012

Shkishërimi i prapambetjes




Para disa ditësh , një term pothuajse i  harruar dhe jo shumë në përdorim iu bashkëngjit fjalorit të përditshëm të gjuhës shqipe. Ai tingëlloi si ardhur nga mesjeta e largët dhe ndoshta për shumë nga bashkëqytetarët tanë  dhe i pakuptueshëm. Në një vendim të paprecedentë më parë Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Mitropolia e Shkodrës dhe e Lezhës ndërmorën hapin e nxjerrjes së një dekreti që shkishëron çdo njëri që ushtron dhe vret për gjakmarrje. Për shumë shqiptarë fjala shkishërim(mallkim) u kujtonte konfliktin midis klerikëve grekë dhe popullsisë shqiptare ortodokse në shekullin e XIX,  për mësimin e gjuhës shqipe të prezantuar në filmin “Mësontorja” ndaj përmendja e këtij termi mund të kenë krijuar një përshtypje të gabuar. Dekreti i shkishërimit i nxjerrë nga Kisha Katolike Shqiptare nuk bën fjalë për konflikt midis shqiptarëve dhe të huajve , por për një plagë vrastare që po gjallon prej kaq kohësh mes shqiptarëve-gjakmarrjen.
Shkishërimi(mallkimi) kësaj radhe do u jepet të gjithë atyre që vrasin duke tentuar që përveçse një gjykimi nga ana e gjykatave civile të kenë edhe një dënim hyjnor nga Kisha. Mirëpo për shumë vetë dhe disa intelektualë dhe analistë ky dekret u quajt i nxituar dhe se ndërhynte në jetën tonë publike pasi ne jemi një shtet laik, i ndarë tërësisht nga fetë. Propozimi i tyre është një prezencë më e fortë e shtetit në rrethet problematike, por asnjëri nuk sugjeron sesi duhet të shfaqet kjo prezencë më e fuqishme e tij. Duke rritur praninë policore? Po a nuk rrezikojmë kështu që ta kthejmë pjesën e territorit të një vendi në një territor gjysëm policor dhe kur në një vend fillon e vepron në një logjikë e tillë, vetëm një hap të ndan nga shkelja e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të tjerë që nuk janë të përfshirë në gjakmarrje dhe rrjedhimisht nuk e pëlqejnë këtë gjendje shtetrrethimi. Të integrojmë elitat e këtyre vendeve nëpërmjet një sistemi më të hapur rekrutimi të burimeve njerëzore? Patjetër kjo është një gjë shumë e mirë, por si t’ia bëjmë që nepotizmi dhe klientelizmi partiak janë shtuar këmbëkryq këtyre anëve tona dhe s’ka Zot që ti shkulë. Të forcojmë më tepër institucionet kulturore si shkolla dhe qendra kulturore në këto vende? Shumë, shumë mirë por veçse ka një problem. Nëse më parë shteti komunist investonte në këtë drejtim duke hapur shkolla në qendrat më të largët, duke organizuar një jetë sociale solidariteti përmes vatrave të kulturës, tashmë këtë gjë ne e kemi braktisur si ide sepse kemi buxhet të limitizuar dhe si neoliberalë që e shpallim veten, besojmë shumë tek forca magjike e privatit dhe e tregut. Tregu është e vërtetë që na ka rregulluar shumë gjëra, por me logjikën kapitaliste smithiane se për fat të keq ky lloj kapitalizmi ushtrohet tek ne, nuk e gjen të arsyeshme të investojë në këto territore të largëta. Logjika e tij është e thjeshtë, shesim por nuk investojmë për përmirësim dhe mbrojtjen e jetës. Atë duhet ta bëjë shteti, duke i zhgënjyer shumë me këtë arsyetim neoliberalët tanë.
Sigurisht në respekt të mendimit të lirë mund të pranohen opinione dhe kundër opinione  nga më të ndryshmet,  por e vërteta është se problemi i gjakmarrjes në Shqipëri për një kohë shumë të gjatë nuk ka qenë e mundur që të administrohet vetë nga sfera publike dhe mekanizmi i shtetit, ndaj kërkon pjesëmarrjen e sa më shumë aktorëve për të bërë të mundur që ky fenomen primitiv  të neutralizohet dhe dalë nga dalë të zhduket. Në këtë sens iniciativa e ndërmarrë nga Kisha Katolike duhet përshëndetur pasi sërish është ajo si dhe në të kaluarën,  që mundohet të përçojë mesazhe të forta për mbarëvajtjen e jetës sonë sociale. Dikush mund të thotë se përjashtimi nga sakrementet dhe shërbesat fetare në një popullsi me tendenca laike si është popullsia shqiptare nuk do të përbëjë ndonjë efekt frenues, prandaj përpjekja mund të jetë e mirë por është e padobishme. Në fakt edhe pse brenda këtij pohimi mund të ketë pjesë të së vërtetës, realiteti është se popullsia katolike shqiptare mbi të cilën do të ketë efekt ky dekret është një nga pjesët e popullsive më religjiziose në Shqipëri dhe për këtë arsye ky dekret nuk mund të kalojë me indiferentizëm. Kjo ndërthurje e mbështetjes së Kishës, shoqërisë civile dhe shtetit mund të rezultojë të jetë trinomi i artë për të filluar numërimi mbrapsht i fenomenit të gjakmarrjes. Jo shumë kohë më parë në vitin 1991 në Kosovë, një personalitet si Anton Çetta ia doli mbanë që nëpërmjet kuvendeve të pajtimit ta neutralizonte këtë plagë shekullore të shqiptarëve, ndaj perspektiva e efektit të këtij trinomi në shoqërinë shqiptare është pozitive.
Sigurisht që efektet e këtij bashkëpunimi trepalësh nuk mund të jenë të menjëhershme pasi nëse do të ishte kështu të gjithë do të ishim të lumtur, por që ky bashkëpunim mund të jetë shumë efektiv, besoj se është jashtë çdo diskutimi. Kisha Katolike me dekretin e saj shërben si katalizator për të lidhur sëbashku të gjitha fijet e shëndosha të reagimit qytetar, ndaj është një rast që duhet ndjekur dhe nga institucionet e larta të besimeve të tjera fetare në Shqipëri për të bërë të mundur që vakuumin që lë shteti me vështirësinë për zbatueshmërinë e ligjit ta plotësojnë institucione të tjera dinjitoze si janë institucionet e besimit fetar. Në shoqëri të tronditura nga tranzicioni si rasti i shoqërisë shqiptare ku vlerat morale janë tronditur dhe për fat të keq ndonjëherë janë ridimensionuar për keq, forca dhe arsyeja e  besimit mund të injektojnë energji pozitive për të modernizuar dhe bërë të mundur braktisjen e modeleve të vlerave të vjetra patriarkale e arkaike dhe fillim e një kapitulli të ri të vlerave të Shqipërisë Evropiane. Në këtë rast shkishërimi është parandalues ndaj së keqes dhe mbi të gjitha është shkishërimi i një prapambetje që Shqipëria duhet ta kish lënë mbrapa prej kohësh. 

Gazeta Shqip 24.10.2012


Sunday, 21 October 2012

Parabola e të verbërve



Parabolën e të verbërve
nuk mund ta ndalë askush.
Udhëtimi i tyre i çuditshëm
ka veçse një fund: Tokën e thatë.
Më të zgjuarit,
do kërkojnë krahë për të fluturuar
dhe kodin lakuriqëve të natës t’ua vjellin
por Ikarët janë të destinuar tu shkrihen krahët prej dylli,
kjo botë u përket Dedalëve që pareshtur eksperimentojnë.
Atëherë s’mbetet gjë tjetër
veçse një zvarritje pa start,
ku ai që do të arrijë i pari
s’i duhet vetëm të vrapojë shpejt,
por të dijë si tu vë shkopinj nën rrota të tjerëve
domethënë të fitojë një sy mes të verbërve
pa e ditur se diku larg, nga vende të tjera
Odiseja ka nisur shtegtimin drejt tij...

1995


Saturday, 20 October 2012

Fjalët e Qiririt






Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'u ap pakëzë dritë,
Natënë t'ua bënj ditë.

Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.

Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.

Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.

Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,

Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,

Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

Dua ta djek trupn' e kretë
Për atë zotn' e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,

Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë.

Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.

O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.

Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.

Gjithë tuajt' i kam parë,
Mëm' e at' e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.

Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer' e ndryshuar,

Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj' e balt' e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë

Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul' e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t'u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?



Thursday, 18 October 2012

Kabineti i pykave nga Fan Noli




Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundërshtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme.

E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.
Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira: Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët: qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit: qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti.Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.
Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrutshme), duke me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken - shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.

Nga padia prishën në vend që të ndërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta e tani nuk ekziston më.Një debojë (depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët.
Nga padia s´u japin asjnë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.


Cili është programi ynë

Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndërshmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet tëmirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t´i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me tru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arësimit.


Bujqësia

Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqësojmë duartë e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot. Për të zhvilluar pasurinë e tokës, Shqipëria duhet ndarë në gjashtë a shtatë zona bujqësore, me një ekspert agronom shetitës në krye të cilitdo, i cili t´i mësojë katundarët tanë si të mbjellin, si të plehërojmë, si të lërojnë, ç´të mbjellin, si të mbjellin, si të rriten e si të korrin. Me pak harxhe nga anë e shtetit, ndofta më pak se ato që harxhon sot degë e bujqësisë, vendi ynë mund të nxjerrë më shumë drithë, pemë e begëti se sa i duhen për konsumin e brendshëm e të eksportojë tepricën, kur sot pothuaj të gjithë prefekturat importojnë së jashtëmi një pjesë të madhë të ushqimit të tyre.

Shëndetësia
Raca shqiptare po degjenerohet e po shuhet nga malaria, nga sifilia dhe oftika, nga mosmbrojtja e nënave dhe vdekësia e tmerruar e foshnjave. Me pak harxhe mund të merren masa efektive për të lëftuar tretjen e ngadalshme të racës sonë. Duam që Shqipëria të ndahet në 6-7 zona shëndetësore me mjekë ekspertë për sëmundjet e sipërme. Cilado prej këtyre zonave shëndetësore duhet të ketë dy a tri mamira eksperte shëtitëse, të cilat të kujdesen për nënat me barrë e për shëndetin e foshnjave.


Arsimi
Që ta vëmë arësimin në udhë duhet ta mbushim kokën njëherë e mirë që për shkollat e mesme duhet të importojmë mësonj¨s të huaj, me anën e të cilëve të krijojmë mësonjës modernë për të nesërmen. Për këtë qëllim është absolutisht e nevojshme të fillohet një gjimnaz qendror i plotë, me një degë normale, një degë klasike, një degë teknike, një degë tregëtare, me mësonjës të huaj. Shtatë a tetë gjysmë gjimnaze pregatitëse duhen themeluar prapë me mësonjës të huaj nëpër qytete më me rëndësi për të ushqyer gjimnazin qendror. Veçanërisht duhet të importojmë mësonjës ekspertë të gjimnastikës e të muzikës, për të forcuar trupin, për të zbutur shpirtin e racës së re.

Nëpër katundet duhet adaptuar sistemi i mësonjësve shëtitës. Pastaj shkollat tona duhen frymëzuar me një mënyrë të atillë që të rriten njerëz për punë e qytetarë me karakter.
Problemet e sipërme e veçanërisht atë të arësimit s´mund ta zgjidhë një kabinet prej të paditurish dhe mediokrësh si i sotmi. Shërimi, pra, është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme. Po që të mundin zgjedhjet të japin përfundimin e dëshëruar duhet siguruar vota direkte dhe e fshehtë drejt për drejt prej tërë popullit. Kam besimin të plotë që populli ynë është mjaft i zgjuar sa të dijë si ta përdorë votën e tij; jam i sigurtë që populli ynë është mjaft trim sa të votojë ashtu si i thotë ndërgjegja. Populli ynë vojti mjaft prej kësaj guverne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara i cili ka thënë " Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën".


Botuar më 1923


Tuesday, 16 October 2012

Mbyllja e një epoke



Java që kaloi rezervoi një surprizë për opinionin publik. Themi surprizë pasi dhe mediet e informimit publik dhe shoqëria mësoi papritur që në mëngjes herët të së premtes vdiq ish udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia. Asnjë lajmërim i mëparshëm apo njoftim i shpërndarë në media nuk tregonte që ish kreu komunist ishte në gjendje të vështirë për jetën, një fakt që duket pak në kundërshtim me gjithë mitologjinë që është ndërtuar rreth rolit të tij në pluralizëm. Ramiz Alia përpos gjithë funksioneve të tjera që njihet gjerësisht në Shqipëri, si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste dhe më vonë udhëheqës komunist , anëtar i byrosë politike  dhe në fund në vitin 1985 i emëruar si pasardhësi i diktatorit Hoxha, prej kohësh i ishte atribuuar edhe funksione të tjera të fshehta dhe okulte si “arkitekti i ndërrimit të sistemeve”, “hartuesi i variantit shqiptar të Katovicës”, “mjeshtri i madh që tërhiqte gjithë fijet e politikës shqiptare” etj. Këto emërime të fundit përpos që i jepnin një aeurolë disi mistike , në fakt ndihmojnë që të hedhësh më shumë dritë në marrëdhëniet e pushtetit të dikurshëm me shoqërinë e sotme shqiptare dhe të shikosh më thellë në tunelin e një epoke që me vdekjen e Ramiz Alisë merr fund për shoqërinë shqiptare.
Mirëpo Ramiz Alia në karrierën e tij të gjatë politike arriti që me votat e PPSH, paraardhëses të Partisë Socialiste së sotme të zgjidhej dhe Presidenti i parë i vendit i dalë nga një parlament për të zgjedhjen e të cilit u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri pas 46 vjetësh diktaturë komuniste. Kështu që në të njëjtën kohë sipas kushtetutës dhe ndryshimeve të ndryshme ligjore edhe pse ai ishte tërhequr pas një viti nga ai post, në fakt gëzonte të gjitha atributet e trajtimit të një ish presidenti. Fakt ky i mjaftueshëm për të gjithë,  për të mos u gjetur në befasi shteti dhe shoqëria se ç’të bënin me vdekjen e tij e aq më tepër me ceremoninë e funeralit të tij. Gjithsesi pavarësisht këtij fakti të njohur, mëngjesi i së shtunës ishte i shurllër përsa i përket ceremonisë mortore dhe pothuajse e gjithë elita politike mundohej të shmangej si “djalli nga temjani” ndonjë prononcimi të mundshëm mediatik. Përjashtim bëri vetëm kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili në kuadër të një tradite të formuar personale edhe për ngjarje dhe figura të tjera që lidhen me të majtën shqiptare, i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes të së ndjerit qysh ditën e premte. Mesazhi i tij i ngushëllimit ishte në kontrast të thellë me heshtjen e shurllër të Partisë Socialiste në të cilën për hir të së vërtetës militojnë shumë ish funksionarë të shtetit të dikurshëm të Ramiz Alisë por dhe shumë bij “shokësh armësh”të Ramiz Alisë gjatë luftës së dytë botërore. Ndaj në respekt dhe të memories historike apo dhe solidaritetit njerëzor, Partia Socialiste duhej të dërgonte një mesazh ngushëllimi familjes ose dhe të pyeste qeverinë për ti organizuar një ceremoni mortore si ish-president i këtij vendi. Frika dhe paranoja se mos një interesim i tillë do ta lidhte atë ngushtë me regjimin e kaluar tregon se Partia Socialiste vazhdon të vuajë akoma nga komplekset e së kaluarës. Është një gjë  fëminore nëse udhëheqja e Partisë Socialiste mendon se një veprim i tillë do ta komprementonte atë para opinionit publik, pasi pas 20 vjetësh tranzicion ajo gjë që shqetëson shoqërinë shqiptare nuk është më lufta kundër kalit të ngordhur të komunizmit por aftësitë dhe kapacitet qeverisëse të një force politike. Sjellja e fundit ndaj respektimit të vdekjes së një ish presidenti që vinte nga trashëgimia e vet politike  tregoi se Partia Socialiste e humbi sharmin e instuticionalizmit si forcë politike  aq të nevojshëm për një parti që pretendon të vijë në pushtet. Të kuptohemi, Ramiz Alia mund të ketë një mijë e një të zeza si udhëheqësi i fundit komunist, votuesi dhe penguesi reformave demokratike në vend, urdhëruesi dhe mbajtësi i strukturave të frikshme të ish Sigurimit të shtetit deri në momentet e fundit të ndërrimit të pushteteve, funksione dhe detyra për të cilat do ta gjykojë historia por në të njëjtën kohë ai ishte një funksionar i lartë i këtij shteti , njëqind vjetorin e të cilit e festojmë pas një vit i ndaj dhe në respekt të traditës sonë shtetformuese nuk duhej hezituar në këtë farë mënyre për të organizuar një ceremoni të thjeshtë mortore që e kanë pasur dhe shumë ish figura të tjera të regjimit të kaluar.
Vdekja e Ramiz Alisë shënon dhe fundin e një epoke dhe të një brezi protagonist që u mundua me grykën e pushkës të çlironte atdheun por që e përdori prapë këtë pushkë kundër popullit të vet për të ruajtur pushtetin për 45 vjet me radhë. Në këtë luftë të tyre Ramiz Alia me shokë shkaktuan shumë dhimbje dhe terror sa të gjithëve na ka bërë përshtypje fisnikëria e ish të përndjekurve politikë që ndoshta pinin kafe në të njëjtën lokal aty ku dhe Ramiz Alia gjerbte çdo mëngjes kafenë e vet, por asnjëherë nuk u dëgjua që atij ti kish ndodhur ndonjë incident fyerje apo poshtërimi prej tyre. Sot kur ne përpiqemi të gjykojmë epokën që lamë pas, jemi më të ftohtë dhe më pak pasionantë përsa i përket gjykimit të saj dhe kjo fisnikëri e ish të burgosurve politikë duhet të na vijë ndërmend dhe duke bërë për vete parimin “Jepi Cezarit atë që i përket Cezarit” të mundohemi të shkruajmë historinë tonë moderne të një periudhe nga më të dhimbshmet në historinë tonë të gjatë si komb.

8/10/2011


Friday, 12 October 2012

Qiriri



Skicë filozofike

Qiriri ndriçon zbehtë dhomën. Objektet dhe njerëzit që janë në të duken si në mjegull , jo për arsyen se nuk ka dritë të mjaftueshme, porse qiriri është një qiri i dobët i bërë me dhjamë kafshësh të buta, të keqtrajtuara keq skutave të shtëpisë. Ai është një qiri i përftuar në mënyrë artizanale, sepse industrializimi ka ardhur shumë vonë këtyre anëve. Por jo vetëm industrializimi, por edhe shumë gjëra të tjera. P.sh këtu nuk me njohin konceptin e mbajtjes mirë të kafshëve, larjes apo kashaisjes së tyre. Këtë privilegj, në fakt e kanë vetëm kafshët e punës sepse ne gjërat i ndajmë thjesht në gjëra të dobishme që na sjellin lekë dhe në ato të padobishme që sna sjellin lekë. Qentë e rrugëve i trajtojmë pa mëshirë, kur i gjejmë buzë rrugëve për tiu ngopur ndonjë shkelm barkut ose kur rendim pas tyre me makinë për tu shkelur putrat. Po kështu po është se shohim ndonjë mace në kazanë të plehrave fillojmë dhe u gjuajmë me gurë pa mëshirë derisa të japin grahmën e fundit. Na pëlqejnë ti bëjmë të tjerët rreth nesh të vuajnë edhe pse shpesh herë e fshehim sadizmin tonë me një interesim të shtirë. Këtë gjë duket sikur e kanë marrë vesh  edhe fluturat që sillen rreth flakës së qiririt, që sdi se prej ku kanë ardhur nuk janë si fluturat e zakonshme, gjithe ngjyra e delikate. Në të kundërt flatrat e tyre u përngjajnë atyre flatrave të fluturave të bardha që përshkruan Darvini te “Origjina e Llojeve”, që u bënë me flatra të zeza pas hapjes së disa fabrikave në rajon. Çtë ketë influencuar vallë? Ambienti që qelbet përditë nga cinizmi ynë nëse fluturat kanë të drejtë të digjen apo jo rreth flakës të qiririt? Indiferentizmi ynë që shijomë ashtu si një paraardhësi ynë i largët Neroni, ti biem violinës ndërsa Roma digjej? Vetkënaqësia e derrit të kënaqur, me 15 ditë pushime në verë në një resort egzotik, një makinë dhe dreka e darka të kaluara jashtë të shtunave dhe të dielave?
Sido që të jenë arsyet ato s’mund të ndalojnë dot asgjë, se fluturat e stërmunduara nga lodhja me shumë vështirësi do sillen rreth flakës së qiririt dhe atje ku ne s’do ta pandehim do tju digjen flatrat si për të na kujtuar se sdo të arrijnë kurrë të kthehen në krimba për të prodhuar mëndafsh. Eh mëndafshi! Këndej nga ne s’ka kaluar kurrë rruga e mëndafshit, por jemi mjaftuar me shajakë që shpesh herë e kemi përftuar nga lëkurët e paregjura të kafshëve të vrara mizorisht. Shajak, shajak dhe dajak! Kohë e vështirë dhe truall i vështirë për fluturat...


Tuesday, 9 October 2012

Hasta la vista






Një lot,
mbjell dhimbje
në mermerët e bardhë të Atikës.

Një portokall,
pikon lëng jete
brigjeve të Ebros.

Një ulli,
shkrumbohet nga dhimbja
në brigjet e Jonit.

Një qiparis në Dhërmi,
pret horizonte të kithëta
duke shushuritur  Hasta la vista, hasta la vista …


Monday, 8 October 2012

Koha e shumimit të mizave

Fruit flies mating, source: Wikimedia Commons



Në kohën e shumimit të mizave,
E ndjen veten një shtrat bashkëshortor të tyre,
Kërcell që limfën ta përthajnë
për të prodhuar pështymë të neveritshme
për të dhjerë disa portrete të lodhura
që kanë kaq vite që shkaravitin horizontin.
Në kohën e shumimit të mizave,
mëson se gjenetika e kromozoneve bezdisës
shtohet sëbashku me ajrin e ndotur
të mosmirënjohjes e cinizmit
të mpakjes dhe mashtrimit
për të rritur një sharlatanizëm të mjerë
që nxjerr kryet gjithandej nëpër
fytyra deformimesh gaztare
që kllounat do ua kishin zili buzëqeshjen idiote.
Në kohën e shumimit të mizave,
larvohesh pa dashur nga pak dhe vet
e mes teje e të tjerëve
larvat e së keqes marrin jetë...