Friday 12 October 2012

Qiriri



Skicë filozofike

Qiriri ndriçon zbehtë dhomën. Objektet dhe njerëzit që janë në të duken si në mjegull , jo për arsyen se nuk ka dritë të mjaftueshme, porse qiriri është një qiri i dobët i bërë me dhjamë kafshësh të buta, të keqtrajtuara keq skutave të shtëpisë. Ai është një qiri i përftuar në mënyrë artizanale, sepse industrializimi ka ardhur shumë vonë këtyre anëve. Por jo vetëm industrializimi, por edhe shumë gjëra të tjera. P.sh këtu nuk me njohin konceptin e mbajtjes mirë të kafshëve, larjes apo kashaisjes së tyre. Këtë privilegj, në fakt e kanë vetëm kafshët e punës sepse ne gjërat i ndajmë thjesht në gjëra të dobishme që na sjellin lekë dhe në ato të padobishme që sna sjellin lekë. Qentë e rrugëve i trajtojmë pa mëshirë, kur i gjejmë buzë rrugëve për tiu ngopur ndonjë shkelm barkut ose kur rendim pas tyre me makinë për tu shkelur putrat. Po kështu po është se shohim ndonjë mace në kazanë të plehrave fillojmë dhe u gjuajmë me gurë pa mëshirë derisa të japin grahmën e fundit. Na pëlqejnë ti bëjmë të tjerët rreth nesh të vuajnë edhe pse shpesh herë e fshehim sadizmin tonë me një interesim të shtirë. Këtë gjë duket sikur e kanë marrë vesh  edhe fluturat që sillen rreth flakës së qiririt, që sdi se prej ku kanë ardhur nuk janë si fluturat e zakonshme, gjithe ngjyra e delikate. Në të kundërt flatrat e tyre u përngjajnë atyre flatrave të fluturave të bardha që përshkruan Darvini te “Origjina e Llojeve”, që u bënë me flatra të zeza pas hapjes së disa fabrikave në rajon. Çtë ketë influencuar vallë? Ambienti që qelbet përditë nga cinizmi ynë nëse fluturat kanë të drejtë të digjen apo jo rreth flakës të qiririt? Indiferentizmi ynë që shijomë ashtu si një paraardhësi ynë i largët Neroni, ti biem violinës ndërsa Roma digjej? Vetkënaqësia e derrit të kënaqur, me 15 ditë pushime në verë në një resort egzotik, një makinë dhe dreka e darka të kaluara jashtë të shtunave dhe të dielave?
Sido që të jenë arsyet ato s’mund të ndalojnë dot asgjë, se fluturat e stërmunduara nga lodhja me shumë vështirësi do sillen rreth flakës së qiririt dhe atje ku ne s’do ta pandehim do tju digjen flatrat si për të na kujtuar se sdo të arrijnë kurrë të kthehen në krimba për të prodhuar mëndafsh. Eh mëndafshi! Këndej nga ne s’ka kaluar kurrë rruga e mëndafshit, por jemi mjaftuar me shajakë që shpesh herë e kemi përftuar nga lëkurët e paregjura të kafshëve të vrara mizorisht. Shajak, shajak dhe dajak! Kohë e vështirë dhe truall i vështirë për fluturat...


No comments: