Revolucioni
industrial, përparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit
nga gjysma e dytë e shekullit të XIX krijuan premisat që udhëtimet edhe në
distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, shumë të
lodhshëm dhe të vështirë. Si rezultat i
këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve britanikë që vazhduan të vizitojnë
Ballkanin vazhdoi të rritej ndjeshëm veçse shtysa për ta vizituar atë dhe
qëndrimi ndaj tij fillon të ndryshojë. Nëse në gjysmën e parë të shekullit të
XIX , Filohelenizmi dhe romanticizmi ishin kauza që sollën shumë udhëtarë
britanikë në rajon, tashmë shtysat dhe
qëndrimi ndaj tij përcaktohet nga udhëtimi në vetvete duke e zgjeruar hartën
dhe me vendet e tjera të Ballkanit, si Serbi, Mali i Zi, Bullgari e Rumani dhe
politika britanike porsa i përket Çështjes Lindore. Për herë të parë kemi dhe
dukurinë e femrave udhëtare , gjë që dëshmon se tashmë udhëtimi ishte bërë një
fenomen i stabilizuar mirë në kulturën britanike, sidomos në atë Eduardiane.
Në mes
udhëtarëve që vizitojnë Ballkanin dhe që ka lënë gjurmë ende në viset që ajo
përshkoi është Mery Edith Durham(1863-1944). Ajo ishte 37 vjeç kur ndërmori
udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt
të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit.
Së pari që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe për 14 vjet me
radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj
intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Së dyti përvoja dhe
materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbejnë ndoshta koleksionin më të
pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhura nga ndonjë udhëtar i huaj
gjatë kësaj kohe. Por përveç kësaj Durham ishte një grua udhëtare me interesa
të gjera dhe e përfshirë në shumë aktivitete të ndryshme. Edhe pse ajo njihet
më mirë si një etnografe, ajo ishte gjithashtu një gazetare korrespondente ,
punonjëse sociale dhe aktiviste politike.[1]Edhe
pse interesi i saj për Ballkanin e thënë me fjalët e saj nisi nga dëshira
“vetëm për të udhëtuar dhe për një ndryshim”[2]ka
të ngjarë se duke qenë një artist mund të jetë inspiruar nga ditari i Edward
Lear, “Journal of a Landscape Painter in Albania”.[3]
Edith
Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale dhe artikujsh për historinë, etnografinë,
intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit. Historianët e mëvonshëm të
Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj ku sipas Noel
Malcom ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të
ngjarjeve”[4].
Veprat e saj sipas rendit kronologjik janë: “Through
the Lands of the Serb” (1904), “The burden of the Balkans “(1905) ,”High Albania“(1909) ,”The struggle for Scutari” (1914) ,”Twenty Years of Balkan
Tangle “(1920) ,”The Sarajevo
Crime (1925) dhe “Some Tribal
Origins, Laws and Customs of the Balkans” (1928).
Në
shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin fillon e merr jetë
një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë qartë nga
qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është nga të parët
udhëtarë që njeh dhe bën të qartë p.sh dallimin midis otomanëve dhe shqiptarëve
myslimanë si një kombësi e veçantë. Po kështu në veprat e saj shqiptarët nuk
thirren me emërtimin e gjuhës turke-arnaut , por me emrin që popullsia e
identifikon veten si Shkypitiar[5].
Kjo gjë ndodh pasi Durham nuk ishte e ngarkuar emocionalisht me një kulturë
të antike dhe rrjedhimisht nuk është e influencuar nga Filohelenizmi, gjë që
mund ti sillte paragjykimin për të kërkuar dhe emërtuar çdo gjë në greqisht në
rajon si Leake rreth një shekull më parë. Për më tepër ajo nuk ishte e
përfshirë politikisht në shërbimin diplomatik si ky i fundit dhe as kish ndonjë
qëllim si Edward Lear(1812-1888) për të
pikturuar peizazhe mbresëlënëse ndaj kur vizitoi në Ballkanin e gjeti aty Çështjen Lindore dhe zgjodhi si
qëllim të udhëtimeve të veta njohjen sa më mirë të Ballkanit dhe paraqitjen sa
më të drejtë të problemeve politike në
rajon. Udhëtimet e saj mund të ndahen në dy periudha. Në periudhën e parë
1900-1908 ajo mësoi shumë gjëra për popujt, gjeografinë dhe historinë e
rajonit. [6]Është
kjo koha kur ajo bën vëzhgimet më të thella për rajonin dhe mundohet tu japë
përgjigje shumë nga intrigave ballkanike lidhur me pretendimet territoriale pas
tërheqjes së mundshme të otomanëve nga Ballkani. Durham edhe kur bie viktimë e
këtyre intrigave si është rasti kur në librin e saj të parë “Through the Lands of the Serb” shkruan se “Shkodra nuk është vetëm një vend
interesant për tu vizituar nga Cetina; por i përket me të drejtë historisë
serbe”[7]
duke sugjeruar saktë se kujt duhet ti përkasë qyteti pas tërheqjes së otomanëve
por nuk mënon që “dhjetë vjet më vonë” -si pasojë e udhëtimeve
dhe njohjes më të mirë të realitetit-“ti protestojë komunitetit ndërkombëtar
kundër sulmit malazez dhe serb ndaj Shkodrës, duke konsideruar se i gjithë
vilajeti i Shkodrës ishte me kombësi shqiptare.”[8]
Është po kjo koha kur ajo i kushtoi një vëmendje të veçantë grupeve etnike dhe
fetare të Ballkanit dhe mënyrës sesi ato konkurronin për të fituar njohje
ndërkombëtare në periudhën kur e zgjimit të ndjenjave kombëtare[9]duke
u munduar të japë një pasqyrim sa më të saktë të tyre. Edhe pse ajo udhëtoi në
Serbi, Bosnje dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Malin e Zi, Durham
pjesën më të madhe të shkrimeve të veta ia kushtoi Shqipërisë. Në fakt ka
autorë që e akuzuan se për njëanshmëri kur ajo mbronte kauzën e shqiptarëve,
por duke vëzhguar realitetin në Ballkan , shqiptarët në fakt ishin më të
pambrojturit pasi kombet e tjera të Ballkanit i kishin krijuar shtetet e tyre
nacionale, kurse ata ishin ende nën Perandorinë Otomane. Në pazaret që bëheshin
në Çështjen Lindore shqiptarët dhe territoret e tyre lakmoheshin nga të gjithë
fqinjët ballkanikë. Durham, duke qenë në mes të këtyre intrigave ishte në
dijeni të tyre prandaj dhe denoncimi i saj merr një vlerë të madhe historike.
Durham në kundërshtim me udhëtarët e tjerë britanikë , nuk ka paragjykime ndaj
popullsive në Ballkan dhe as kompleksin e superioritetit kulturor ndaj
kulturave ballkanike. Kështu p.sh. ajo nuk ngurron të denoncojë dhe
keqadministrimin e Bosnjës nga Austro-Hungaria më (1906), kur shumica e
udhëtarëve britanikë e lavdëronin atë.[10]
apo të denoncojë dhe pushtetin kolonial anglez kur viziton Egjiptin më 1911
duke shkruar se “unë nuk mund të dëshiroja të isha një vendas nën sundimin britanik me asnjë
lloj çmimi.”[11]Ajo
nuk kishte asnjë paragjykim kundër ndonjë besimi të veçantë fetar, dhe nëse ajo
e gjeti Ballkanin të çuditshëm dhe të ri ajo në të njëjtën kohë ishte shumë e predispozuar për të treguar
ngjashmëri midis fiseve të Shqipërisë së veriut dhe atyre të vendlindjes së saj
Londrës së veriore. Nëse fiset shqiptare parashikonin të ardhmen nga eshtrat e
gjoksit të pulave , anglezët e parashikonin atë nëpërmjet fallit në dorë dhe
spiritualizmit[12].
Kjo lloj përqasje ndaj Ballkanit, origjinaliteti i prezantimeve dhe përshkrimeve të gjalla të aventurave të
saj i siguruan jo vetëm lexues të shumtë
në Britani por dhe njohje si autoritet i veçantë në fushën e etnologjisë
dhe antropologjisë.
Periudha e dytë e udhëtimeve të saj (1910-1914)
karakterizohet kryesisht nga përfshirja e saj në aktivitetin politik të
shqiptarëve dhe asistencën sociale ndaj popullatës së keqtrajtuar nga otomanët
pas kryengritjeve të shqiptarëve më 1909-1910 e sidomos asaj të 1911. Që në
udhëtimin e saj të parë Durham do të tregojë interesim politik për fatet e
këtyre popullsive , por kjo periudhë është momenti kur diskursi i saj do të
fitoj dhe një qëndrim të qartë politik. Nëse sërish gjithë udhëtarët britanikë
të kësaj kohe, ishin konform politikës pro otomane që ndiqte Britania në rajon
në kuadër të Çështjes Lindore, Durham është kundër kësaj politike dhe qartazi
sulmon administratën turke për mënyrën sesi qeveriste popullsitë e krishtera.
“Unë isha rritur duke i konsideruar turkun si një individ të virtytshëm. Tani
asnjëherë nuk e kaloj kufirin e tij pa shpresuar se shumë shpejt do mund të
behesha dëshmitar i tërheqjes së tij nga Evropa”.[13]Ajo
kishte marrëdhënie të ngushta me shumë figura të rëndësishme të politikës
malazeze dhe shqiptare dhe shpesh herë u bë zëdhënësja e ngjarjeve politike të
Ballkanit në shtypin evropian. Durham punoi si korrespondente e disa gazetave
kryesore britanike si “The Manchester Guardian”, “Pall Mall Gazette"dhe
“Times”, në të cilat ajo përcolli gjithë dinamizmin, intrigat dhe
tensionin e Ballkanit. Në ketë sens artikujt e saj përveç se shërbejnë si dëshmi të momenteve të ndryshme
politike që kaloi Ballkani, si kryengritjet shqiptare dhe luftërat ballkanike,
janë përgjegjëse dhe për krijimin e imazhit të dhunshëm të Ballkanit në
Britani. Tmerret dhe masakrat e luftërave ballkanike u përcollën drejt për së
drejtë tek publiku britanik, duke e bërë këtë fundit të meditojë dhe reflektojë
për këtë cep të largët të Evropës. Është pikërisht ky moment kur sipas
Todorovës në gjuhët evropiane hyn kuptimi i fjalës to “balkanize”- i
cila do të thotë të ndahet apo të fragmentohet[14].Natyrisht
që Durham nuk ishte e ndërgjegjshme se po ndikonte në krijimin e një etike
kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për të ishte
emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të
nacionalizmit të pafre të serbëve ,malazezve,grekëve dhe bullgarëve shpesh herë
u interpretua si ekzagjerim i tepruar i saj dhe se shkaqet e këtyre luftërave
ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi përsëritja e
ngjarjeve në vitet 90’ në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e saj ishin të
sakta dhe shumë studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar sërish
rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga gjithë udhëtarët
e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të quhet kthimi
tjetër i saj në Ballkan gjë që si ka ndodhur asnjë udhëtari tjetër britanik.
Bibliografi:
1-
Andre
Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel
Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004)
2-
Christian
Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal
September 1995
3-
John
Hodgoson “Edith Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey
Falcons: Women Travellers in the Balkans
edited by John B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press
4- Maria Todorova.
“Ballkani imagjinar” Instituti
I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004
6-
Noel
Malcolm. Bosnia, A Short History. London: MacMillan London Limited, 1994
[1] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans
1900-1914. McGill University , Montreal
September 1995, faqe 136
[3] Po aty faqe 9
[4] Noel Malcolm , Bosnia , A Short History, London : MacMillan London Limited, 1994, faqe
140
[5] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans
1900-1914. McGill University , Montreal
September 1995, faqe 15
[6] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans
1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe136
[8] Christian Medawar. Mary
Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill
University , Montreal September 1995, faqe 20
[9] Po aty faqe 19
[10] Shih
për më tepër Andre Hammond. The uses of
Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The
Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 601-624
[11] Christian Medawar. Mary
Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill
University , Montreal September 1995, faqe 53
[12] John Hodgoson “Edith
Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey Falcons: Women
Travellers in the Balkans edited by John
B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press, faqe 8
[14]Shih për
më tepër Maria Todorova. “Ballkani
imagjinar” Instituti I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004
Gazeta Shqip.30.10.2012
Gazeta Shqip.30.10.2012
No comments:
Post a Comment