Tuesday 16 October 2012

Mbyllja e një epoke



Java që kaloi rezervoi një surprizë për opinionin publik. Themi surprizë pasi dhe mediet e informimit publik dhe shoqëria mësoi papritur që në mëngjes herët të së premtes vdiq ish udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia. Asnjë lajmërim i mëparshëm apo njoftim i shpërndarë në media nuk tregonte që ish kreu komunist ishte në gjendje të vështirë për jetën, një fakt që duket pak në kundërshtim me gjithë mitologjinë që është ndërtuar rreth rolit të tij në pluralizëm. Ramiz Alia përpos gjithë funksioneve të tjera që njihet gjerësisht në Shqipëri, si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste dhe më vonë udhëheqës komunist , anëtar i byrosë politike  dhe në fund në vitin 1985 i emëruar si pasardhësi i diktatorit Hoxha, prej kohësh i ishte atribuuar edhe funksione të tjera të fshehta dhe okulte si “arkitekti i ndërrimit të sistemeve”, “hartuesi i variantit shqiptar të Katovicës”, “mjeshtri i madh që tërhiqte gjithë fijet e politikës shqiptare” etj. Këto emërime të fundit përpos që i jepnin një aeurolë disi mistike , në fakt ndihmojnë që të hedhësh më shumë dritë në marrëdhëniet e pushtetit të dikurshëm me shoqërinë e sotme shqiptare dhe të shikosh më thellë në tunelin e një epoke që me vdekjen e Ramiz Alisë merr fund për shoqërinë shqiptare.
Mirëpo Ramiz Alia në karrierën e tij të gjatë politike arriti që me votat e PPSH, paraardhëses të Partisë Socialiste së sotme të zgjidhej dhe Presidenti i parë i vendit i dalë nga një parlament për të zgjedhjen e të cilit u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri pas 46 vjetësh diktaturë komuniste. Kështu që në të njëjtën kohë sipas kushtetutës dhe ndryshimeve të ndryshme ligjore edhe pse ai ishte tërhequr pas një viti nga ai post, në fakt gëzonte të gjitha atributet e trajtimit të një ish presidenti. Fakt ky i mjaftueshëm për të gjithë,  për të mos u gjetur në befasi shteti dhe shoqëria se ç’të bënin me vdekjen e tij e aq më tepër me ceremoninë e funeralit të tij. Gjithsesi pavarësisht këtij fakti të njohur, mëngjesi i së shtunës ishte i shurllër përsa i përket ceremonisë mortore dhe pothuajse e gjithë elita politike mundohej të shmangej si “djalli nga temjani” ndonjë prononcimi të mundshëm mediatik. Përjashtim bëri vetëm kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili në kuadër të një tradite të formuar personale edhe për ngjarje dhe figura të tjera që lidhen me të majtën shqiptare, i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes të së ndjerit qysh ditën e premte. Mesazhi i tij i ngushëllimit ishte në kontrast të thellë me heshtjen e shurllër të Partisë Socialiste në të cilën për hir të së vërtetës militojnë shumë ish funksionarë të shtetit të dikurshëm të Ramiz Alisë por dhe shumë bij “shokësh armësh”të Ramiz Alisë gjatë luftës së dytë botërore. Ndaj në respekt dhe të memories historike apo dhe solidaritetit njerëzor, Partia Socialiste duhej të dërgonte një mesazh ngushëllimi familjes ose dhe të pyeste qeverinë për ti organizuar një ceremoni mortore si ish-president i këtij vendi. Frika dhe paranoja se mos një interesim i tillë do ta lidhte atë ngushtë me regjimin e kaluar tregon se Partia Socialiste vazhdon të vuajë akoma nga komplekset e së kaluarës. Është një gjë  fëminore nëse udhëheqja e Partisë Socialiste mendon se një veprim i tillë do ta komprementonte atë para opinionit publik, pasi pas 20 vjetësh tranzicion ajo gjë që shqetëson shoqërinë shqiptare nuk është më lufta kundër kalit të ngordhur të komunizmit por aftësitë dhe kapacitet qeverisëse të një force politike. Sjellja e fundit ndaj respektimit të vdekjes së një ish presidenti që vinte nga trashëgimia e vet politike  tregoi se Partia Socialiste e humbi sharmin e instuticionalizmit si forcë politike  aq të nevojshëm për një parti që pretendon të vijë në pushtet. Të kuptohemi, Ramiz Alia mund të ketë një mijë e një të zeza si udhëheqësi i fundit komunist, votuesi dhe penguesi reformave demokratike në vend, urdhëruesi dhe mbajtësi i strukturave të frikshme të ish Sigurimit të shtetit deri në momentet e fundit të ndërrimit të pushteteve, funksione dhe detyra për të cilat do ta gjykojë historia por në të njëjtën kohë ai ishte një funksionar i lartë i këtij shteti , njëqind vjetorin e të cilit e festojmë pas një vit i ndaj dhe në respekt të traditës sonë shtetformuese nuk duhej hezituar në këtë farë mënyre për të organizuar një ceremoni të thjeshtë mortore që e kanë pasur dhe shumë ish figura të tjera të regjimit të kaluar.
Vdekja e Ramiz Alisë shënon dhe fundin e një epoke dhe të një brezi protagonist që u mundua me grykën e pushkës të çlironte atdheun por që e përdori prapë këtë pushkë kundër popullit të vet për të ruajtur pushtetin për 45 vjet me radhë. Në këtë luftë të tyre Ramiz Alia me shokë shkaktuan shumë dhimbje dhe terror sa të gjithëve na ka bërë përshtypje fisnikëria e ish të përndjekurve politikë që ndoshta pinin kafe në të njëjtën lokal aty ku dhe Ramiz Alia gjerbte çdo mëngjes kafenë e vet, por asnjëherë nuk u dëgjua që atij ti kish ndodhur ndonjë incident fyerje apo poshtërimi prej tyre. Sot kur ne përpiqemi të gjykojmë epokën që lamë pas, jemi më të ftohtë dhe më pak pasionantë përsa i përket gjykimit të saj dhe kjo fisnikëri e ish të burgosurve politikë duhet të na vijë ndërmend dhe duke bërë për vete parimin “Jepi Cezarit atë që i përket Cezarit” të mundohemi të shkruajmë historinë tonë moderne të një periudhe nga më të dhimbshmet në historinë tonë të gjatë si komb.

8/10/2011


No comments: