Tuesday 23 October 2012

Shkishërimi i prapambetjes




Para disa ditësh , një term pothuajse i  harruar dhe jo shumë në përdorim iu bashkëngjit fjalorit të përditshëm të gjuhës shqipe. Ai tingëlloi si ardhur nga mesjeta e largët dhe ndoshta për shumë nga bashkëqytetarët tanë  dhe i pakuptueshëm. Në një vendim të paprecedentë më parë Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Mitropolia e Shkodrës dhe e Lezhës ndërmorën hapin e nxjerrjes së një dekreti që shkishëron çdo njëri që ushtron dhe vret për gjakmarrje. Për shumë shqiptarë fjala shkishërim(mallkim) u kujtonte konfliktin midis klerikëve grekë dhe popullsisë shqiptare ortodokse në shekullin e XIX,  për mësimin e gjuhës shqipe të prezantuar në filmin “Mësontorja” ndaj përmendja e këtij termi mund të kenë krijuar një përshtypje të gabuar. Dekreti i shkishërimit i nxjerrë nga Kisha Katolike Shqiptare nuk bën fjalë për konflikt midis shqiptarëve dhe të huajve , por për një plagë vrastare që po gjallon prej kaq kohësh mes shqiptarëve-gjakmarrjen.
Shkishërimi(mallkimi) kësaj radhe do u jepet të gjithë atyre që vrasin duke tentuar që përveçse një gjykimi nga ana e gjykatave civile të kenë edhe një dënim hyjnor nga Kisha. Mirëpo për shumë vetë dhe disa intelektualë dhe analistë ky dekret u quajt i nxituar dhe se ndërhynte në jetën tonë publike pasi ne jemi një shtet laik, i ndarë tërësisht nga fetë. Propozimi i tyre është një prezencë më e fortë e shtetit në rrethet problematike, por asnjëri nuk sugjeron sesi duhet të shfaqet kjo prezencë më e fuqishme e tij. Duke rritur praninë policore? Po a nuk rrezikojmë kështu që ta kthejmë pjesën e territorit të një vendi në një territor gjysëm policor dhe kur në një vend fillon e vepron në një logjikë e tillë, vetëm një hap të ndan nga shkelja e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të tjerë që nuk janë të përfshirë në gjakmarrje dhe rrjedhimisht nuk e pëlqejnë këtë gjendje shtetrrethimi. Të integrojmë elitat e këtyre vendeve nëpërmjet një sistemi më të hapur rekrutimi të burimeve njerëzore? Patjetër kjo është një gjë shumë e mirë, por si t’ia bëjmë që nepotizmi dhe klientelizmi partiak janë shtuar këmbëkryq këtyre anëve tona dhe s’ka Zot që ti shkulë. Të forcojmë më tepër institucionet kulturore si shkolla dhe qendra kulturore në këto vende? Shumë, shumë mirë por veçse ka një problem. Nëse më parë shteti komunist investonte në këtë drejtim duke hapur shkolla në qendrat më të largët, duke organizuar një jetë sociale solidariteti përmes vatrave të kulturës, tashmë këtë gjë ne e kemi braktisur si ide sepse kemi buxhet të limitizuar dhe si neoliberalë që e shpallim veten, besojmë shumë tek forca magjike e privatit dhe e tregut. Tregu është e vërtetë që na ka rregulluar shumë gjëra, por me logjikën kapitaliste smithiane se për fat të keq ky lloj kapitalizmi ushtrohet tek ne, nuk e gjen të arsyeshme të investojë në këto territore të largëta. Logjika e tij është e thjeshtë, shesim por nuk investojmë për përmirësim dhe mbrojtjen e jetës. Atë duhet ta bëjë shteti, duke i zhgënjyer shumë me këtë arsyetim neoliberalët tanë.
Sigurisht në respekt të mendimit të lirë mund të pranohen opinione dhe kundër opinione  nga më të ndryshmet,  por e vërteta është se problemi i gjakmarrjes në Shqipëri për një kohë shumë të gjatë nuk ka qenë e mundur që të administrohet vetë nga sfera publike dhe mekanizmi i shtetit, ndaj kërkon pjesëmarrjen e sa më shumë aktorëve për të bërë të mundur që ky fenomen primitiv  të neutralizohet dhe dalë nga dalë të zhduket. Në këtë sens iniciativa e ndërmarrë nga Kisha Katolike duhet përshëndetur pasi sërish është ajo si dhe në të kaluarën,  që mundohet të përçojë mesazhe të forta për mbarëvajtjen e jetës sonë sociale. Dikush mund të thotë se përjashtimi nga sakrementet dhe shërbesat fetare në një popullsi me tendenca laike si është popullsia shqiptare nuk do të përbëjë ndonjë efekt frenues, prandaj përpjekja mund të jetë e mirë por është e padobishme. Në fakt edhe pse brenda këtij pohimi mund të ketë pjesë të së vërtetës, realiteti është se popullsia katolike shqiptare mbi të cilën do të ketë efekt ky dekret është një nga pjesët e popullsive më religjiziose në Shqipëri dhe për këtë arsye ky dekret nuk mund të kalojë me indiferentizëm. Kjo ndërthurje e mbështetjes së Kishës, shoqërisë civile dhe shtetit mund të rezultojë të jetë trinomi i artë për të filluar numërimi mbrapsht i fenomenit të gjakmarrjes. Jo shumë kohë më parë në vitin 1991 në Kosovë, një personalitet si Anton Çetta ia doli mbanë që nëpërmjet kuvendeve të pajtimit ta neutralizonte këtë plagë shekullore të shqiptarëve, ndaj perspektiva e efektit të këtij trinomi në shoqërinë shqiptare është pozitive.
Sigurisht që efektet e këtij bashkëpunimi trepalësh nuk mund të jenë të menjëhershme pasi nëse do të ishte kështu të gjithë do të ishim të lumtur, por që ky bashkëpunim mund të jetë shumë efektiv, besoj se është jashtë çdo diskutimi. Kisha Katolike me dekretin e saj shërben si katalizator për të lidhur sëbashku të gjitha fijet e shëndosha të reagimit qytetar, ndaj është një rast që duhet ndjekur dhe nga institucionet e larta të besimeve të tjera fetare në Shqipëri për të bërë të mundur që vakuumin që lë shteti me vështirësinë për zbatueshmërinë e ligjit ta plotësojnë institucione të tjera dinjitoze si janë institucionet e besimit fetar. Në shoqëri të tronditura nga tranzicioni si rasti i shoqërisë shqiptare ku vlerat morale janë tronditur dhe për fat të keq ndonjëherë janë ridimensionuar për keq, forca dhe arsyeja e  besimit mund të injektojnë energji pozitive për të modernizuar dhe bërë të mundur braktisjen e modeleve të vlerave të vjetra patriarkale e arkaike dhe fillim e një kapitulli të ri të vlerave të Shqipërisë Evropiane. Në këtë rast shkishërimi është parandalues ndaj së keqes dhe mbi të gjitha është shkishërimi i një prapambetje që Shqipëria duhet ta kish lënë mbrapa prej kohësh. 

Gazeta Shqip 24.10.2012


No comments: