Sunday 20 October 2019

Shtegtimi i formësimit të identitetit shqiptar.




Ndryshimet e identitetit kolektiv të shqiptarëve nga periudha e fundit e sovranitetit  osman mbi Shqipërinë, në atë të mbretërisë shqiptare dhe në periudhën e komunizmit janë të trajtuar sipërfaqshëm duke i dhënë rëndësi një faktori social ose një tjetri dhe jo duke i trajtuar si një tërësi faktorësh të rëndësishëm socialë që krijuan sinergjinë e nevojshme për të gdhëndur identitetin kulturor e kombëtar shqiptar. Mjafton të përmendim faktin se identitetit fetar të shqiptarëve i është dhënë një rëndësi më e madhe duke analizuar detaje të ndryshme kulturore të lidhur me të dhe duke vendosur Shqipërinë e shqiptarët në harta imagjinare të ndarjeve sipas diskursit orientalist. Sëbashku me me analizat e identitetit fetar janë marrë apriori dhe karakteristikat e përshkrimit të qytetërimit oriental për Shqipërin dhe shqiptarët nga tekste klasike të lëtërsisë së udhëtimit të prodhuara nga udhëtarë e diplomatë të huaj aktivë në rajon. Këto tekste janë analizuar qartë nga Edward Said në veprën e tij “Orientalizmi”(1978), Maria Todorova në “Imagining the Balkans” (1998) dhe Vesna Goldsworth në “Imaging Ruritania.The Imperialism of the Imagination”(1998)  si tekste që kanë  prodhur imazh dhe perceptime të gabuara përsa i përket realititetit dhe situatws kulturore e etnike në terren.


Friday 4 October 2019

Sixhadeja me portretin e patritotit Demo Eminit në fondet e Muzeut Historik Kombëtar.


Në Muzeun Historik Kombëtar është një sixhade e përdorur nga Demo Emini. Sixhadja ka përmasat 1630 x 1270 cm dhe numër inventari Nr. 561. Ajo ka qenë pronë e familjes Nivica dhe më 03.12.1982 i është dorëzuar Muzeut Historik Kombëtar nga koleksionisti Novruz Shehu nga Memaliaj. Në këtë sixhade është punuar portreti i patriotit Adem bej Nivica, i cili njihet me emrin Demo Emini. Sixhadja është punuar në vitin 1913 dhe mesa thuhet është portreti i fundit i Demo Eminit para vdekjes. Sixhadeja është përdorur si element dekorativ i varur në mur nga të afërmit e tij. Në të dyja anët e saj ajo është e dekoruar me motive floreale por në mmes të tyre gjejmë dy shqiponja dykrenore çka e bëjnë atë të veçantë. Sjellim ndërmend se flamuri i Skënderbeut dhe ai kombëtar i miratuar në Kuvendin e Vlorës në në 28 nëntor 1912 ende nuk njiheshin mirë nga e gjithë popullsia shqiptare. Në sixhade gjithashtu mbizotërojnë ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar çka përforcon idenë se endësit e kësaj sixhadeje i njihnin mirë simbolet kombëtare. Ky është një nga objektet e radha që ka në koleksionin e vet Muzeu Historik Kombëtar që i dihet saktësisht origjina dhe që dëshmon në të njëjtën kohë përveçse një figurë historike edhe punim të lartë artistik me tezgjah në  krahinën e Labërisë. Po kush ishte Demo Emini? Përshkrimin më të mirë të aktivitetit të tij patriotik e jep Namik Delvina në artikullin kushtuar kësaj figure patriotike botuar në Revistën “Minerva” në vitet 30’.