Charles Bargue (1826/1827 – 6 prill, 1883) është një piktor dhe
litograf francez i njohur dhe për
hartimin e një kursi të rëndësishëm vizatimi. Ai e hartoi këtë kurs vizatimi
sëbashku me piktorin tjetër të njohur, mjeshtrin e njohur Leon Gerome. Ky kurs
u botua nga viti 1866-1871, i përbërë nga 197 litografi të printuara si fletë
të veçanta . Litografitë e tij u përdorën si modele të realizmit klasik. Duke
qenë mik i ngushtë i Leon Gereome, i njohur si piktor që realizoi disa tablo
nga jeta e shqiptarëve në Egjipt gjatë mbretërimit të Khedivit, edhe Bargue
realizoi disa tablo të për shqiptarët apo arnautët si thërriteshin në Egjipt. Egjipti u qeveris për mëse 147 vjet nga
familja shqiptare që e kish origjinën nga Mehmet Ali Pasha dhe pasardhësit e
tij.
Mehmet Aliu lindi në vitin 1769 në një familje shqiptare nga
Kavalla (Thesali). Zbarkimi i Napoelonit në Egjipt në 1799 do të trazonte jetën
dhe fatin e Mehmet Aliut nga Kavalla. Egjipti
u përfshi në konflikte , të cilat edhe pas tërheqjes së francezëve vazhduan. Ai
ishte një ushtar i thjeshtë, kur më 1801 u dërgua në Egjypt për të marrë pjesë
në shtypjen e revoltave të mamlukëve, zotër të vendit që prej shek. XIII. Më
1804, në krye të jeniçerëve shqiptarë, ai i dëboi mamelukët nga Kajro e u
shpall governator. Brenda viteve 1820-1840 ushtria dhe flota e Mehmed Aliut,
nën komandën e djalit të tij po aq të shquar, Ibrahim Pashës, u shfaqën sa në
Kretë e Peloponez, aq edhe në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar vetë kryeqëndrën
e Perandorisë. Në 1831-2 Ibrahim Pasha pushtoi tërë Palestinën, Libanin si dhe
provincën e Damaskut. Sulltani dërgoi për të shtypur shqiptarin rebel, vezirin
e madh, Mehmet Reshit Pashën, i cili vetëm ndonjë vit më parë kishte masakruar
në Manastir ajkën e parisë kryengritëse shqiptare (1830). Por Ibrahim Pasha i
shpartalloi forcat osmane dhe e vazhdoi kundërmësymjen drejt zëmrës së Anadollit,
ku mori Konjën, Qytahjan dhe Bursën. Vitet 1833-1840 ishin vendimtare për të
përforcuar dhe konsiliduar pushtetin e Mehemet Aliut në Egjipt. Pas intrigave
dhe lojrave të shumta diplomatike midis Fuqive të Mëdha për të ndarë influencën
dhe pushtetin në Mesdheun Lindor u arrit një marrëveshje midis tyre dhe
Perandorisë Osmane. Në marrëveshjen e arritur në 15 korrik 1840 mes Fuqive të
Mëdha, Egjipti kthehej në gjendjen e një province të Perandorisë Osmane, paçka
se me status të veçantë. Në fakt, Mehmet Aliut iu njoh e drejta e pushtetit të
trashëguar me titullin Kediv, që e veçonte atë nga governatorët e provincave të
tjera. Fillon kështu historia e dinastisë sunduese shqiptare të Egjiptit, që u
mbyll me shfronëzimin e mbretit Faruk, më 1956.
Dy nga tablotë e Barger janë shumë interesante, pikërisht nga
koha e qeverisjes së Egjiptit nga Khedivët shqiptarë, të titulluara “roja e
patrullës shqiptare”, 1860, dhe 1870, ku shquajnë një shqiptar me qylaf në
kokë, ndoshta nga Shqipëria e jugut dhe një tjetër i veshur me fustanellë. Bie
në sy veshja shqiptare si tipar i pandarë i shqiptarëve dhe në Afrikën e
Veriut. Fustanella në këtë kohë jo vetëm ishte e përhapur në Kajro, Aleksandri
dhe Ismailia por edhe në provincat më të largëta të Egjiptit të poshtëm, Sudanit
e burimeve të Nilit ku kishte shkelur ushtria e Khedivëve shqiptarë. Udhëtari
anglez Georg Schëeinfurth, një natyralist i njohur dhe që njihte gjuhët e
afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt
Khartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqeneve të Çadit,
mespërmes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai për udhëtimet e tij (1868-1875)
mes të tjerash ai kishte takuar atje “pigmetë” dhe mbretin e tribusë Mambutos,
i cili ndiqej nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd
es Semate”. Ky i fundit sikurse e përshkruan Schëeinfurth, “mbante uniformën e
bukur të një prijësi të trupave shqiptare”( -Rama, L (2006). Arnauti Mehmet Ali
Pasha “Napoloni Mysliman” parathënie e librit Gilber Sinoue “Faraoni i fundit”
Globus R.: Tiranë, faqe 12).
Tabloja tjetër “Studim për arnautët”, pavarësisht që atribuhoet
një shqiptari , në fakt dukët më tepër si një vendas i veshur me një fest ë kuq
që e mbanin të krishterët shqiptarë. Këtë fes e gjejmë dhe tek piktura Gjergji
Kokali e Edward Lear. Personazhi i përngjan më tepër popullsisë vendase
egjiptiane ose popullsisë arape që shërbenin pranë pashallarëve shqiptarë me
origjinë nga Afrika. Zakonisht njerëzit nga popullsia zezake shërbenin pranë
pashallarëve të fuqishëm shqiptarë dhe ishin objekt kurioziteti mes
shqiptarëve. Ata ishin robër lufte apo dhe ushtarë që kishin marrë pjesë në
fushatat e mëdha osmane për të nënshtruar territore afrikane, si ishte rasti i
pushtimit të Sudanit nga fuqitë e Mehmet Ali Pashës. Në këtë fushatë morën
pjesë shumë forca mercenare shqiptare, prijësit e të cilëve kur u kthyen në
Shqipëri, sollën me vete edhe robër zezakë apo dhe ushtarë të rekretuar që u
shërbenin besnikërisht.
Ushtria dhe
policia e Khedivëve përbëheshin kryesisht prej mercenarëve shqiptarë që vinin
nga vendi i tyre për të shërbyer në Egjipt. Barger ashtu si dhe Gerome u ndikuan shumë nga Orientalizmi dhe
miti i orientit në tablotë e tyre duke pasqyryuar një botë joshëse , gjithë
ngjyra por edhe ideale. Larshmëriae kostumeve dhe ngjyrat e ambjentit janë në
kombinim me idealin e bukurisë antike mashkullore ku roja e patrullës shqiptare
ngjan si një model i stilit të Davidit të Mikelanxhelos që pozon për Barger. E
gjithë atmosfera në pamje paqësore e një përhumbje shikimi të ushtarëve të rinj
shqiptarë është e ngarkuar me armët e ndryshme të ngjeshura në brez që
dëshmojnë për një tipar që të kujton poemat bajroniane dhe ilustrimet e
Delacroix të këtyre poemave.
Romantizmi në
letërsi dhe realizmi klasik në artet
figurative në fillimet e mesin e shekullit të XIX promovuan imazhin e
shqiptarëve luftëtarë në beteja, shesh luftimi apo pushimi duke nxjerrë në pah
koloritin e veshjeve të tyre dhe tiparet e një popullsie energjike të
kudogjendur në pellgun e Mesdheut. Studimi i kësaj trashëgimie botërore
kulturore në artet figurative mund të hedhi dritë mbi zhvillimet e ndryshme
kulturore të imazhit tonë në Europë, të identifikimit shqiptarëve por dhe
përceptimeve kulturore që prodhuan më vonë stereotipet orientaliste në
diskursin europian përkarshi shqiptarëve.
No comments:
Post a Comment