Rruga e integrimit evropian dhe bashkëjetesa e nesërme në
Evropë ka marrë një komfirmim të rëndësishëm me nënshkrimin e marrëveshjes
midis Greqisë dhe Maqedonisë në takimin e djeshëm në Prespë. Kjo marrëveshjë
krijon shumë premisa që në bazë të kritereve të Kopenhagës dhe traktateve të
tjera të B.E e gjithë problematika midis dy vendeve të sheshohet duke krijuar
një bashkëpunim më të mirë dhe aderimin e Maqedonisë në NATO dhe B.E. Po përse
u zgjodh Prespa si një vend i nënshkrimit të marrëveshjes?
Historia në Ballkan
si gjithmonë nuk mund të anashkalohet. Gjithçka shkon mbrapa në kohë në fillimet
e Luftës Civile greke ku territori i Maqedonisë së sotme dhe kufiri
maqedonas-grek i sotëm u shndrrua në një teatër luftimesh midis forcave të
djathta dhe të majta, forcave qeveritare greke dhe atyre të partizanëve
komunistë grekë. Duke marrë
parasysh pikërisht ndihmën e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, gjenerali Markos,
komandanti i ushtrisë komuniste greke, e
vendosi shtabin e tij afër liqenit të Prespës, aty ku takohen kufijtë e
Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Kjo zonë e cila ishte e lehtë për t’u
mbrojtur dhe e vështirë për t’u pushtuar u quajt, “qoshja kufitare”. Gjatë
dimrit të viteve 1946-1947, Jugosllavia
dhe Shqipëria i dhanë UDG-s ushqime, municione, eksploziv, armë të vogla, disa
mortaja dhe lehtësi stërvitore. Kështu, në mars të vitit 1947, Markos
dispononte 13.000 ushtarë të armatosur e të stërvitur në mënyrë të mjaftueshme.[1]
Mirëpo gjithë kjo ushtri e armatosur dhe e stërvitur në mënyrë të mjaftueshme
dhe ndihma e dhënë nga Vendet Ballkanike u panë nga Bashkimi Sovjetik si një
rast i mirë presioni dhe shantazhi kundër Perëndimit. Edhe Jugosllavia i dha
rëndësi të veçantë kësaj ushtrie, pasi ajo ishte ende në traktativa me
Perëndimin për të përfituar territoret sllovene e kroate, që kishin qenë nën
administrimin e Italisë, por edhe sepse ekzistenca e saj fare afër me
Jugosllavinë i jepte kësaj së fundit më shumë mundësi për të predominuar në
Maqedoninë Greke, - një territor lidhës me Bullgarinë aleate dhe shtet
pjesëmarrës të Federatës së ardhme. Për këto arsye nga pranvera e vitit 1947,
shtabi i përgjithshëm jugosllav u kushtoi kujdes të madh veprimeve dhe organizimit të UDG-së dhe gjenerali
jugosllav Dapçeviç, me staf të vogël, iu atashua shtabit të përgjithshëm grek.[2]
Në të njëjtën kohë, gjatë ofensivës ekonomike të
Perëndimit nëpërmjet Planit Marshall që Bashkimi Sovjetik dhe vendet satelite
të tij e refuzuan, Stalini e aprovoi krijimin e UDG-së dhe i kërkoi Jugosllavisë dhe Bullgarisë t’i jepnin
asaj ndihmë dhe mbështetje klandestine. Ai premtoi gjithashtu njëfarë ndihme,
por prej Bashkimi Sovjetik në këtë kohë nuk erdhën furnizime ose armë për
UDG-në, ndërsa Shqipëria dha një ndihmë të vogël. [3]
Përveç ndihmave materiale dhe në armatime, kontributi më i madh i Shqipërisë që
nga fazat e para të fillimit të Luftës Civile Greke ishte ofrimi i territorit
shqiptar si vend stërvitjeje, të paktën, në dy kampe, - në Rubik dhe Nikolicë,
por edhe duke u dhënë liri të pakufizuar gueriljeve komuniste për të hyrë në
territorin shqiptar sa herë që ndiheshin të kërcënuara nga forcat e Ushtrisë Kombëtare
të Greqisë. Këto veprime e komprometuan rëndë asnjanësinë e pretenduar të qeverisë
shqiptare dhe Shqipëria u rrezikua të
përfshihej në konfliktin civil grek.
Të dyja vendet dje triumfuan mbi ethet e nacionalizmit
etnik dhe po ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të rajonit nën diskursin e ri të
patriotizmit kushtetues të shoqërive post moderne. Patriotizmi
kushtetues mbështetet tek parimet e drejtësisë dhe të demokracisë. Sipas
Habermas , ky nocion do të transformojë idenë e një Bashkimi Evropian
federalist(të përbërë nga qytetarët evropianë dhe jo qytetarë të kombit), në
një koncept politikisht të zbatueshëm. Habermas argumenton që bashkimi politik
i kombeve evropianë nuk mund të mbështetet tek tradita, kultura dhe gjuha e
përbashkët që karakterizojnë komb-shtetet e suksesshëm. Përkundër qytetaria
evropiane mund të varet nga një patriotizëm kushtetues “paskombëtar”, që duhet
krijuar në vijim.
Sfida në vazhdim është një rrugë e
gjatë për tu bërë. për të pasur një afrim të sinqertë dhe sa më pak problematik
për të ardhmen. Për fat të mirë që e gjithë problematika midis dy vendeve të
sheshohet duke krijuar një bashkëpunim më të mirë jo vetëm në atë qeveritar që
për hir të së vërtetës nuk ka munguar por një afrim midis dy popujve nën shembullin
e miqësisë franko-gjermane. Në fakt , më tepër se një integrim ekonomik dhe
politik i gjithë Ballkanit në B.E , krijimi i një bashkëpunimi si ai
franko-gjerman midis popujve të tij mbetet sfida më e madhe në Ballkan.
[1] Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar 1939-1949,
Tiranë: Qendra e Studimeve Albanalogjike, Instituti i Historisë, 2012, f. 272.
[2] Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar 1939-1949,
Tiranë: Qendra e Studimeve Albanalogjike, Instituti i Historisë, 2012, f. 270.
[3] E.O.Ballance, The Greek Civil War…, f.121; cituar
sipas Beqir Meta, Tensioni Greko-Shqiptar
1939-1949, Tiranë: Qendra e Studimeve Albanalogjike, Instituti i Historisë,
2012, f. 270.
No comments:
Post a Comment