Shtegtimi
i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.
I
Udhëtimi
The East is a career- Lindja është një karrierë
Benjamin
Disraeli, Tancred[1]
Fundi
i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor,
për afrimet midis Perëndimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit, e ndërmarrë nga
gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit
ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe
kulturat e saj.
Në të njëjtën kohë në Evropë si rezultat i ndikimit të
shkëlqyer të Rilindjes dhe Iluminizmit u shtua interesi për trashëgiminë
greko-romake, dhe influencat e saj në kulturën evropiane. Këta dy faktorë do të
kontribuonin në lindjen e Filohelenizmit dhe Orientalizmit dy rrymave të
fuqishme në mendimin evropian të shekujve në vazhdim.
Në
fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një
ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në
Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të perandorisë Otomane u bënë
të modës. Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe
kulturore.[2] Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të
thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do
përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku
kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. Zhgënjimi nga gjendja
kulturore e grekëve të asaj kohe, i cili përshkruhet shumë herë në veprat e
udhëtarëve anglezë është i përkohshëm dhe bashkëjeton me besimin që çlirimi i
kombit grek është i mundur dhe është një ndërmarrje e nevojshme që të shkëlqejë
prapë qytetërimi.[3] Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave
dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime
të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë
Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij[4]. Bajroni si një i ri
aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në
fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do
vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain
karizmatik.
Kjo
pleksje e veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me
orientalizmin e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në
jetën e Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të
mëvonshme letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e
Romantizmit që posa kish lindur.
Emocionet,
mbresat dhe përshtypjet e kësaj vizite, tashmë janë të njohura botërisht
nëpërmjet poemës “Child Harold”-një nga kryeveprat e letërsisë angleze. Si mund
të vihet re me një vështrim të parë, në poemë përveçse motiveve romantike,
ndjen dhe afinitetin e veçantë të poetit me Ballkanin. Mund të themi pa hezitim
se ky udhëtim pati një efekt të dyfishtë, jo vetëm në krijimtarinë e Bajronit
që pas botimit të poemës do të shkruante “u zgjova në mëngjes dhe e gjeta veten
të famshëm”[5]por dhe në mjediset intelektuale në Greqi dhe Shqipëri.
II
Krijimi
i mitit shqiptar të Bajronit.
Vepra
e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të
poetit , por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre
nacionalist. Bajroni është një nga udhëtarët më të hershëm angleze që vizituan
Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Bajronit numri i udhëtarëve, me apo pa
misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët
u shtua shumë,veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë.[6]Ky aspekt i njohjes së
veprës së Bajronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së
tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më
tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për
virtytet dhe karakteristikat e tyre.
Njohja
e Bajronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek
Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga
gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të
quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Bajroni
vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe
i lirisë, si poet e luftëtar hero”[7] Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e
viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet
profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.
Secila
nga këto etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat
e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek
Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit.
Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së
tepërmi.[8]Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe,
trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit.[9] Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të
ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të
përkthente Këngën e parë të poemës
“Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843.[10]
Edhe
periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon
të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Bajronit për të nxjerrë në pah
cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve. Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky
fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e studimeve bajroniane në mendimin intelektual
shqiptar të mëvonshëm. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena
Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë që flet
Bajroni tek “Child Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon
aty.[11]Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas
Kullurioti nga mërgata e Arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se
Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe
trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë.[12]
Periudha
e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist
shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë këtë
tendencë. Është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha
mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet
etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes
shtetformuese tek shqiptarët. “Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët
ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare,
ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”.[13] Ndaj në dallim nga veprat e tjera
të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të
madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes
kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në
mendimin intelektual shqiptar.
Të
kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të
“enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioner-i në faqet e
gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”,
më 1897 ai boton në frëngjisht “Le
voyage de Lord Byron en Albanie” . Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton
të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i
Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij
Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në
gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti
i madh flet për Shqipërinë[14].
III
Farkëtimi
i Mitit të Bajronit
Vitet
20’ përkojnë me përpjekjet e shqiptarëve për të stabilizuar pavarësinë dhe për
të rikonfirmuar shtetin e tyre. Në këtë sens bajronistët shqiptarë do ta
rimarrin nga epoka e mëparshme mitin e Bajronit dhe nëpërmjet studimeve më
profesionale dhe të hollësishme do kontribuojnë jo vetëm në propagandimin dhe
studimin e veprës së poetit të madh por dhe në farkëtimin e mitit të tij. Kësaj
tendence nuk do t’i shmangej as Zef Harapi, bajronisti i parë i mirëfilltë
shqiptar, i cili do të shkruante se do të dëshironte të realizonte përkthimin e
veprës jo vetëm për ti shtuar diçka literaturës sonë “por pse kemi në atë vepër
vjersha qi flasin dhe lëvdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve”[15]
Konferenca
e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiuesi i njohur Stavro Skëndi
më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës
“Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës
së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar Stavro Skëndi, mund të konsiderohet
si “Bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”.[16]
Periudha
e katërt i përket viteve 50 të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e
veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar
poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në
Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të
mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij.
Përkthimi i parë i plotë i ‘Child Harold” do
të realizohet nga Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e
letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me
botimin e përkthimit të “Child Haroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën
më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim.
Impakti
dhe influenca e Bajronit nuk do të kufizohej vetëm në Shqipëri por do të ishte
i madh dhe në popullatën shqiptare në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente
talentin dhe përkushtimin e Dr Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa
shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të
përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në
hapësirat shqiptare. Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të
përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe Shqiptarët”, “Mbi
shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e
Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së
Prishtinës.
Në
vitin 1987, i cili do të shënojë një vit të rëndësishëm për studimet bajroniane
në Shqipëri botohet monografia e parë për Bajronin nga Prof. Dr Afrim
Karagjozi. Libri ishte fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe pasioni të
pashtershëm. Do të ishte ky pasion që do të bënte të mundur që menjëherë pas
lejimit të krijimit të shoqatave kulturore në 1991, një nga të parat shoqata që
do të themeloheshin do të ishte Shoqata
Shqiptare e Bajronit. Kjo shoqatë do të kthehej në një promotor të të gjithave
aktiviteteve rreth figurës së poetit të madh si dhe studimeve të kontaktit të
tij me shqiptarët.
Ripërkthimi
i Child Haroldit nga Napolon Tasi si dhe përkthimi i “Gjaurit”, për herë të
parë në shqip si dhe një përmbledhje me vjersha të zgjedhura të Bajronit tregon
se vepra e poetit vazhdon të intrigojë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë.
Miti i Bajronit i krijuar diku aty rreth fundit të shekullit të XIX dhe
fillimit të shekullit të XX vazhdon të jetë i freskët dhe të vazhdojë të
lëshojë sytha.
IV
Leximi
kontekstual i Bajronit.
Një
nga bajronistët e parë shqiptarë, eruditi Faik Konica në veprën e vet mjerisht
të pambaruar “Shqipëria ,një kopsht i Evropës Juglindore”, do të përdorë shumë
nga vargjet e “Child Harold” për të ilustruar karakterin psikologjik të
shqiptarit. Konica nuk lë vogëlsi pa përmendur, mjaft që ajo t’i shërbente
prezantimit sa më interesant e sa më të bukur të Shqipërisë. Pa dyshim ndër më
kryesorët është Xhorxh Bajroni e bashkudhëtari Xhon Kam Hobhauzi. Kësisoj, ai
mitizim shqiptar i Bajronit(kryesisht) dhe i pas udhëtarëve të tjerë, tashmë
kishte marrë formë të plotë, në një vepër të plotë.[17]Por Konica si një
studiues i letërsisë dhe kritik arti që ishte nuk do të vëzhgojë hollësisht një
mospërputhje që kish në idealet romantike të shkruajtjes së “Child Haroldit”
dhe idealeve nacionaliste të intelektualëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare
dhe së periudhave të mëvonshme. Kjo “lajthitje” e kritikut të shquar do të vijë
vallë ngaqë ai nuk kishte aftësinë e duhur për ta evidentuar apo ngaqë ai vetë
është një nga farkëtuesit e identitetit shqiptar dhe e anashkalon këtë
mospërputhje me vetëdije. Si do qoftë të ketë qenë arsyeja tashmë ka ardhur
koha për evidentimin e kësaj kontradikte dhe për një lexim ndryshe të “Child Haroldit” Bajronit.
Kontradikta të cilën Konica por dhe
bajronistët e mëvonshëm shqiptarë nuk e evidentojnë me përjashtim të Prof. Dr
Afrim Karagjozit në librin e vet “Miti shqiptar për Bajronin”, i cili prek si
fenomen por nuk e trajton hollësisht, qëndron në faktin se kur Bajroni shkroi
“Child Haroldin” , nuk u nis nga premisat e mitizimit të Shqipërisë tok me
shqiptarët kaqë sa Evropa munt të çuditet kur të shfaqen pasketaj, sepse gjer
tani kanë qenë të fshehura dhe të pakuptuara prej njeriu...[18], por nga
idealet e veta romantike. Si një dishepull i Romantizmit, Bajroni u influencua
nga dy kulte në portretizimin e shqiptarëve: primitivizmi ose kulti i “the
Noble Savage” dhe kulti oriental. Referencat bazuar në mitin e primitivizmit
janë të shumta në Këngën e Dytë, ku Shqipëria thirret “nurse of savage
men”[19]. Natyra e saj përshkruhet me ngjyrime të ashpra,... here roams the
wolf the eagle whets his beak/Birds,beasts of prey and wilder men appear...[20]
kurse vetë shqiptarët përshkruhen si ‘wild”[21] dhe “fiercy”[22], ndërsa gratë
shqiptare “tamed in their cave”[23]- një figuracion që vështirë ti përshtatet
natyrës së butë femërore.
Është interesant fakti se qoftë Konica apo më
vonë dhe Luarasi të cilët ndjekin shkollën e përkthimit kreativ dhe jo të
drejtë për së drejtë ashtu si bën Tasi pjesërisht në 2002, fjalët “savage”,
“fierce” dhe “wild” i përkthejnë si të rreptë, kur kuptimi i tyre i parë në
anglisht është “violent and aggressive ”[24]-i dhunshëm dhe agresivë.
Gjithsesi
duhet shënuar se miti i primitivizmit në Këngën e Dytë nuk është ai i besimit
në mirësinë natyrale të njeriut dhe në pashmangshmërinë e denegjerimit të
qytetërimit njerëzor por është një jehonë e ndikimit romantik me theksimin e
kultit të Natyrës, lirisë dhe njeriut[25]. Veçse ky kult në poemë nuk qëndron
më vete por është i lidhur ngushtë me kultin tjetër, atë të Orientit. Ky i
fundit ka influencuar në mënyrën e pavetëdijshme të perceptimit të tjetrit.
Themi të pavetëdijshëm pasi Bajroni në letrën e dërguar nënës së vet shkruan se
“i dua shqiptarët shumë”[26] por kjo nuk e pengon që në poemën vet ti
portretizojë shqiptarët sipas klisheve të orientalizmit. Sepse siç thekson
Edward Said, “orientalizmi është një shpërndarje e shqetësimit gjeopolitik në
tekste estetike, shkollore, ekonomike, sociologjike, historike dhe filologjike”.[27].Në
këtë rast poema Child Harold” mund të trajtohet si një tekst i tillë. Për
rrjedhojë, shqiptarët dhe klasa udhëheqëse e tyre parë me sytë e Bajronit,nuk
kanë vetëm veti pozitive të trimërisë dhe bujarisë por dhe në ato të egërsisë,
mizorisë, dinakërisë dhe epshit oriental. Studiuesja Katherine Flemming ka vërejtur me të drejtë, kur perifrazon
strofën 62 se Lord Bajroni , në poemën epike “Child Harold” shkruan se fytyra e
Aliut( Pashë Tepelenës) ishte veçanërisht e ëmbël, aq sa të maskonte dhunën.[28]Po
kështu bën përshtypje referenca rreth divanit i cili në çfarëdolloj vendi
tjetër mund të ishte divan, por tek Ali Pasha duhej të ishte
voluptuous-epshndjellës.
Vëzhgimet e mësipërme bëhen më e dukshme nëse
bëhet një krahasim i thjeshtë midis vargjeve ku flitet për Shqipërinë dhe
shqiptarët dhe asaj ku flitet për Greqinë dhe grekët. Në këtë të fundit, poeti
edhe pse shpesh herë në letrat e veta private është i zhgënjyer nga realiteti i
grekëve të sotëm, në poemë ai i portretizon me mbiemra pozitivë duke ju
drejtuar qysh në fillim si “Fair Greece”[29] dhe spirit of the freedom[30] e më
vonë vajton humbjen e lirisë së Greqisë”[31]. Është e qartë që poeti nën
influencën e Filo-Helenizmit dhe në një territor si Epiri që banohej nga të
dyja popullsitë na transmeton dy paradigma të kundërta kur shumë studiues kanë
vërejtur se në realitet nuk kishte ndonjë ndryshim të madh midis tyre përveç
përkatësisë fetare. Ndoshta ky tipar i fundit, influencon në krijimin e kësaj
“përshtypje të përgjithshme”.Tokat e qeverisura nga Aliu shiheshin njëherazi si
evropiane dhe orientale, si të krishtera dhe myslimane.[32]Kjo situatë
familjare me Lindjen e Afërme përshkruhet në vargjet .. here the red cross(for
still the cross is here,though saddly scoff’d at by circumcised[33]-Kryqi
këtu(se kryq ka prapë, megjithatë e tallin synetlinjtë. Dallimin midis dy
botëve nuk e bën natyrisht kryqi, por synetlinjtë, një tjetër imazh ekzotik
orientalist. Pikërisht tek ky perceptim i veçantë i të qenit të huaj dhe
familjar njëherazi, Saidi ka identifikuar njërën nga karakteristikat kryesore
të vizionit orientalist.[34]Ky vizion, ku “orentiali duhet patjetër të sillet
si oriental” ndan si me “spatë” klasën politike të shqiptarëve dhe shqiptarët
në “orientalë” dhe grekët në “oksidentalë”.
V
Perspektiva
e studimeve Bajroniane në Shqipëri.
Rikthimi
i Bajronit në kulturën shqiptare, edhe pse i kushtëzuar nga zgjimi nacionalist i shqiptarëve dhe
ndërtimit të identitetit shqiptar, ka qenë një rikthim dinjitoz falë
përkushtimit profesional dhe dashurisë së madhe të bajronistëve shqiptarë ndaj
tij. Ata kanë mundur të krijojnë një
frymë të vërtetë studimore, e cila e ka bërë të njohur Bajronin për të
gjitha grupmoshat jo vetëm si një poet të madh të Romantizmit Anglez, por mbi
të gjitha si një mik të shqiptarëve.
Analiza kontekstuale në dritën e Orientalizmit
dhe Postkolonializmit të “Child Haroldit” mbetet një sprovë dhe
ndoshta një drejtim i ri i studimit të veprës së poetit. Ajo synon të bëjë një
analizë tekstuale të më shumë se një rrafshi, siç është ai estetik, por edhe
një analizë të detajuar historike dhe sociologjike të veprës. Për më tepër ai
ka vite që në kritikën botërore po lexohet në këtë mënyrë, dhe besoj se është
koha që dhe ne ta fillojmë ta lexojmë pak më ndryshe sesa jemi mësuar deri
tani. Mesazhin na e jep vet poeti me heroin e vet Bajronist aq “krenar, humor
prishur, cinik, rebel, i trishtuar, përbuzës, hakmarrës i paepur, por prapë së
prapë të aftë për të ndjerë një dhembshuri të thellë e të fortë”[35]. Kjo
“dhembshuri e thellë dhe e fortë” duhet
të mbetet kimia dhe alkimia e veçantë që të na drejtojë sa herë që e studiojmë
veprën e tij.
Bibliografi
1. Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për
Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002
2. Edward Said. “Orientalism” Penguine, 1995.
3. George Gordon Byron. Child Harold, Kanto II,
stanza LXXIII at http://www.geocities.com/Athens/Delphi/7086/chp2.htm
4. Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of
the Greek revival”. Routledge London and New York:1990
5. Jup kastrati” Jeronim De Rada”( Jeta dhe
vepra), Tiranë,1979
6. Katherine E Flemming.”Bonaparti
Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002
7. Napoelon Tasi. “Child
Harold”.Tiranë.Toena:2002
8. The Oxford Companion to English
Literature, six edition edited by Margaret Drabble, Oxford University Press
2000
9. Oxford English Dictionary
Paperback,edited by Catherine Soanes,
Oxford University Press:2002
10.
Vasili Kardhashi, Istorika, Udhëtimi: Fenomeni, Eleftherotypia. Athens:2000
[1]
Edward Said. “Orientalism” Penguine, 1995.
[2]
Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London
and New York:1990,faqe 1
[3]
-Vasili Kardhashi, Istorika, Udhëtimi: Fenomeni, Athens 14 Gusht 2000,faqe 6
[4]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 5
[5]
The Oxford Companion to English Literature, six edition edited by Margaret
Drabble, Oxford University Press 2000, page 196
[6]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 23
[7] -Po aty, faqe 14
[8]
Jup kastrati” Jeronim De Rada”( Jeta dhe vepra), Tiranë,1979,faqe 25
[9]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 19
[10]
Po aty, faqe 15
[11]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 16
[12]
Po aty, faqe 17
[13] -Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për
Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 13
[14]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 34,36
[15]
Po aty, faqe 47
[16]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 53
[17]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002, faqe 40
[18]
Po aty, faqe 35
[19]
Napoelon Tasi. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 122-nënë e ashpër e
burrave të rreptë
[20]
Po aty faqe 127
[21]
Po aty,faqe 136
[22]
Po aty faqe 140
[23]
Po aty, faqe 138
[24]
Oxford English Dictionary Paperback,edited
by Catherine Soanes, Oxford University Press:2002, faqe 103
8
The Oxford Companion to English Literature, six edition edited by Margaret
Drabble, Oxford University Press 2000, page 816
[26]
Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 39
[27]
Edward Said.”Orientalism” Penguine, 1995, faqe 12
[28]
Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 188
[29]
George Gordon Byron. Child Harold, Kanto II, stanza LXXIII at
http://www.geocities.com/Athens/Delphi/7086/chp2.htm
[30]
Po aty, stanza LXXIV
[31]
Oxford English Dictionary Paperback,edited
by Catherine Soanes, Oxford University Press:2002, faqe 103
[32]
Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 165
[33]
Napoelon Tasi. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 127
[34]
Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 16
[35]
- The Oxford Companion to English Literature, six edition edited by Margaret
Drabble, Oxford University Press 2000, page 158
No comments:
Post a Comment