Sunday, 27 May 2012

Kujtesa historike e një përvjetori



Memoria dhe kujtesa historike është një nga komponentët më të fuqishme në krijimin e një identiteti të qëndrueshëm kombëtar. Si i tillë ajo ka kohë që zënë një vend të veçantë në krijimin dhe forcimin e konceptit të shtetit-komb që përbën dhe formulën e njohur shtetformuese të mesit të shekullit të XIX dhe në vazhdimësi. Luajtja e këtij roli të rëndësishëm në krijimin e shtetit është dhe një nga arsyet që të gjithë shtetet modernë edhe pse kanë hyrë në epokën e Globalizmit ku nocione të tilla si kombi, identiteti e përkatësia kombëtare tentojnë të dobësohen, gjithsesi po përpiqen të mbijetojnë duke respektuar formulën klasike të formimit të tyre. Pyetja që shtrohet në këtë rast është nëse ky zhvillim është një zhvillim regresiv apo konservatorizëm i panevojshëm? Rasti i Francës, Gjermanisë dhe tani së fundmi i Anglisë që po e braktisin hapur multikulturializmin dhe po përpiqen të forcojnë rrënjët e identitetit të tyre kombëtar e ilustrojnë më së miri prirjen dhe tendencën në fillimet e shekullit të XXI.
Shqipëria si një nga shtet më të rinj në Evropë, nuk bën përjashtim nga kjo tendencë gjithëpërfshirëse që ashtu si ka përqafuar kohë më parë pothuajse të gjitha lëvizjet dhe rrymat e mendimit që kanë ardhur nga Evropa po përqafon dhe këtë tendencë pas një pështjellimi të panevojshëm mohues të identitetit kombëtar disa vjeçar në historinë e saj të afërt të tranzicionit. Përgatitjet për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë janë një dëshmi që kujtesa historike po rikthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik, tashmë jo më në formën e një kritike vetëshkatërruese e shprehur kjo dhe në debate shterpë të disa vite më parë nëpër mediet tona mbi identitetin kombëtar por si një domosdoshmëri e forcimit dhe të përgjegjësisë dhe ndërgjegjes shtetërore. Serioziteti dhe angazhimi i qeverisë dhe elitave shqiptare për ta shprehur këtë vullnet të ri nuk janë vetëm përgatitjet për festimet në Shqipëri  në kuadër të njëqindvjetorit të popullsisë por dhe organizmi dhe përkujtimi i ngjarjeve të tjera madhore si ishte ai i njëqindvjetorit të themelimit të Vatrës në SH.B.A. Shoqëria “Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizmit të shqiptarëve përgjatë këtij shekulli. E lindur dhe e organizuar si një kopje e shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar. Për më tepër Shoqëria “Vatra” është fiksuar në memorien shtet formuese shqiptare si shprehësja e parë e konceptit të vullnetarizmit pasi ishte pothuajse shoqëria e vetme shqiptare në botë që vazhdimisht u bë promotore e ngjarjeve në Shqipëri nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtë për së drejtë të vullnetarëve të saj në ngjarjet e mëdha të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, Luftës së Vlorës apo dhe ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në periudhën 1920-1924. Aq i madh, i njohur dhe i pranuar gjerësisht  ishte ky kontribut i “Vatrës” sa ajo ishte e vetmja shoqëri patriotike që u lejua të përfaqësohej me një deputet të saj në parlamentin shqiptar 1921-1924.
Ndaj duke parë këtë kontribut dhe vullnetarizëm të pashoq të shoqërisë “Vatra” në jetën politike dhe shoqërore shqiptare të tingëllojnë të çuditshme kundërvëniet e shprehura aty-këtu nëpër medie të ndryshme për keqpërdorim politik të festimeve të njëqind vjetorit të saj dhe akoma më tepër zënia në gojë e një fondi modest që qeveria shqiptare i akreditoi shoqërisë për të organizuar darkën përkujtimore të themelimit të saj. Në se shoqëria “Vatra” ndodhet sot e rrudhur dhe jo më gjithëpërfshirëse dhe aktive ashtu si ishte në fillimet e shekullit , kjo gjë nuk i dedikohet indiferentizmit të shqiptarëve për të qenë bashkë ashtu si shpesh herë përpiqen ta shpjegojnë eksponentë të ndryshëm të politikave të emigracionit, por një pune të mbrapshtë dhe përçarëse që ndoqën të gjitha përfaqësitë shqiptare gjatë kohës së diktaturës pranë misionit të Shqipërisë në O.K.B. Duke jetuar në SH.B.A një shtet tipik anti-komunist , popullsia me origjinë shqiptare e mbledhur rreth “Vatrës” u bë pjesë e intrigave dhe përçarjeve nga më të ndryshmet për të mos pasur më një zë të fuqishëm kritikues ndaj Tiranës zyrtare të asaj kohe, ndaj është në nderin e të gjitha qeverive shqiptare të pas viteve 90’ që të përpiqen të ndërtojnë sërish urat e bashkimit midis shqiptarëve në SH.B.A por dhe shqiptaro-amerikanëve me vendin amë.
Rreth katër vjet më parë në kuadër të festimeve të njëqindvjetorit të Kongresit të Manastirit, shteti shqiptar nuk ia doli mbanë të krijonte një atmosferë të tillë festuese dhe bashkimi të shqiptarëve si po e realizon këtë vit duke ia lënë pothuajse në mënyrë të veçantë në përgjegjësinë e shtetit maqedonas, i cili natyrisht që nuk e ndjente si pjesë të rëndësishme të identitetit të vet ndaj dhe organizmi ishte i dobët dhe kaloi pa lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve. Këtë vit gjërat duken shumë më ndryshe ndaj para se të fillojmë të kritikojmë çdo përpjekje në këtë drejtim, është mirë që të zhvishemi nga çdo pasion politik dhe përllogaritje elektorale për arsyen e thjeshtë se politikat dhe partitë politike mund të ikin dhe vijnë por identiteti kombëtar dhe Shqipëria gjithmonë do të mbeten. Themelimi i “Vatrës” ishte një ngjarje e shënuar për historinë e Shqipërisë dhe një provë gjenerale se ç’mund të bëjë vullneti i bashkuar i shqiptarëve qoftë dhe në një vend të largët si ishte Amerika. Njëqind vjet më vonë ceremonia e themelimit të saj vazhdon të jetë një provë gjenerale e ngjarjes më të madhe, të njëqindvjetorit të pavarësisë.

Gazeta Dielli 25.05.2012


No comments: