Tuesday, 17 April 2012

Rrugëtimi i Idesë Evropiane


Ideja evropiane ka kohë që gjallon në Shqipëri. Në mendimin politik dhe kulturor shqiptar ai vjen i shprehur që nga fillesat rizgjimit të tij në  Rilindjen Evropiane, ku humanistë shqiptarë si Barleti e Marin Beçikemi promovonin Evropën dhe vlerat e saj e deri tek brezi i Rilindësve si Naim dhe Sami Frashëri që e shihnin të ardhmen e vendit të tyre në Evropë. Kjo dëshirë e elitës politike të shqiptare të të gjitha kohërave rezulton të jetë një trajektore në ngritje, që në mënyrë konstante përvijohet pothuajse gjatë gjithë etapave historike nëpërmjet të cilave ka kaluar Shqipëria. Gjithsesi historia e përafrimit të Shqipërisë në Evropë nuk rezulton të jetë vetëm një histori “dashurie” nga të dyja palët por në të ka dhe një sërë keqkuptimesh që kanë errësuar këtë marrëdhënie. Konferenca e Londrës në vitin 1913 dhe vendimet e saj kanë lënë një shije shumë të hidhur te shqiptarët, ngjarje që ka lënë gjurmët e saj në kulturën politike të vendit. Por pavarësisht këtyre keqkuptimeve  ia vlen të theksohet fakti se fryma pro evropiane ka vazhduar të gjallojë në Shqipëri dhe kushtet e reja të pas viteve 90’ kur Shqipëria iu bashkëngjit botës demokratike një nga parullat që ishte dominante në atë kohë ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Nisja e procesit integrues të Shqipërisë ka pasur një efekt të veçantë për të përqasur institucionet dhe jetën politike në vend me ato të Evropës. Për më tepër disa ngjarje që shënojnë dhe kanë një ngarkesë të veçantë historike përsa i përket përafrimit të Shqipërisë drejt Evropës e kanë përforcuar idenë evropiane në Shqipëri. Një ngjarje e tillë p.sh është vendimi për të liberalizuar vizat me Shqipërinë nga ana e Bashkimit Evropian, më 8 nëntor 2010, vendim që shënoi fundin e një kalvari të dhimbshëm të rrugëtimit të shqiptarëve drejt Evropës si dhe fundin e një politike nga ana e Bashkimit Evropian që mund ta kthente Shqipërinë në një nga getot e Evropës. Ky vendim i dha fund jo vetëm një odiseje të gjatë përpjekjeve të qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar në Evropë por ishte dhe një sinjal i mirë për Shqipërinë që tregonte se ajo shumë shpejt do të mund t’i bashkëngjitej  familjes evropiane. Vendimit të Bashkimit Evropian i korrospodonte një shifër shumë e lartë dhe entuziaste e qytetarëve shqiptarë që ishin pro hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shifër kjo shumë e ndryshme se e gjithë vendeve të tjera të ish Evropës Lindore kur kanë hyrë në Bashkimin Evropian. Në mendjen dhe penën e disa analistëve ky entuziazëm i qytetarëve shqiptarë është jo racional dhe vjen nga padija pasi në logjikën e tyre mendojnë se qytetarët shqiptarë rendin emocionalisht drejt idesë evropiane sepse kujtojnë sepse “kështu do bëhen të pasur”, kurse në të vërtetë ajo që ndodh është një mishërim i eksperiencës së mijërave e mijërave shqiptarëve që në kushte shumë të vështira kanë mundur të emigrojnë në Evropë dhe kanë arritur të kuptojnë mirë mekanizmin solidarizues dhe financues evropian.
Mirëpo kësaj pjekurie dhe orientimi të drejtë të qytetarëve shqiptarë përsa i përket idesë së tyre evropiane nuk po i përgjigjet jo vetëm sensi i gabuar i kritikës të disa analistëve në kritikat e tyre rreth dëshirës së qytetarëve shqiptarë për ta parë vendin e tyre në Evropë, por mbi të gjitha po e zhgënjen dhe klasa e vet politike, e cila që nga viti 2009 vazhdon të jetë në një konflikt të hapur me vetveten. Kjo situatë është ndoshta nga më paradoksalet krahasuar me ato të  vendeve të ish lindjes komuniste në momentin kur ato kanë qenë në prag të hyrjes së tyre në Bashkimin Evropian, pasi mbështetja  e qytetarëve të tyre nuk kanë pasur këto kuota të larta mbështetje sa ka aderimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nga qytetarët shqiptarë ,por mbi të gjitha dhe për kushtet dhe konditat që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë një vend kandidat nuk janë të njëjtat me ato të vendeve të tjera. Për cilindo që merret me studimin e Bashkimit Evropian si organizëm në transformim e sipër e ka të lehtë të kuptoj se shumë nga kriteret ekonomike që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë vend anëtar janë të vështira krahasuar me kapacitet ekonomike që vendi zotëron dhe po zhvillon. Teoritë e integrimit evropian në përgjithësi janë teori evoluimi përsa i përket dhe përmirësimit të standardeve hyrëse në komunitet. Kështu perfomanca ekonomike e Shqipërisë në momentin që do aderojë në komunitet nuk do të matet me ekonominë e vendit më të dobët në të por me një të mesme të përpjesshme të tre vendeve që kanë një zhvillim mesatar. Për shkak se ekonomitë e vendeve të tjera nuk qëndrojnë në vend, por përkundrazi duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian ato janë bërë dhe pjesë e zhvillimit dinamik të ekonomisë evropiane, Shqipërisë i duhet një perfomancë shumë më e mirë ekonomike dhe administrative për ta arritur nivelin e dëshiruar. Në këtë kuptim klasa politike shqiptare ka humbur shumë kohë në konfliktet e veta shkatërruese përsa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
 E vetmja “arritje” e politikes shqiptare ka qenë në mbjelljen e një fryme pro evropiane në vend. Ndoshta këtu ka vend për kritikë pasi që nga rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2002 e deri më tash qytetari shqiptar është “bombarduar” mediatikisht nga klasa politike se integrimi i vendit është çështje shumë e afërt. Kurse në të vërtetë , klasa politike  është nga të parët  që e di më mirë se të gjithë, se vendi nuk ishte i përgatitur as në 2002, as në 2005,2009 dhe për më tepër tani. Kjo mosgatishmëri e vendit, natyrisht nuk ka lidhje me vullnetin e qytetarëve për tu integruar , vullnet i cili në shifra mund të jetë nga më të mëdhenjtë në rajon, por me mungesën e infrastrukturës funksionale të demokracisë. Ndaj dhe Komisioni dhe Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian  duke parë këtë mosfunksionim të vërtetë të demokracisë në Shqipëri i kanë vendosur asaj një plan prej 12 pikash për tu plotësuar, plan që në thelb nuk është aspak një mënyrë për të larë duart nga çështja e integrimit të  Shqipërisë por përforcimi i disa tipareve të demokracisë liberale, një kusht i domosdoshëm për të plotësuar, po të kemi parasysh këtu rëndësinë që zë respektimi i demokracisë liberale në kriteret e Kopenhagenit.
Nga ana tjetër kjo ngecje e Shqipërisë drejt integrimit krahasuar me vendet e tjera ka një rrezikshmëri përsa i përket frymës pro evropiane në vend pasi aty-këtu ndihet tashmë në opinion një farë viktimizimi i fatit të Shqipërisë që lidhet ngushtë dhe me të shkuarën historike që zë fill që nga Konferenca e Londrës më 1913. E thënë ndryshe një pjesë e opinionit e sheh me dyshim afrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian pasi mendon se për disa vende ka standarde të tjera dhe qëndrime të tjera nga ato që zbatohen drejt Shqipërisë. Shqipëria për hir të së vërtetës ka një perfomancë të mirë ekonomike pothuajse si e atyre të  vendeve të tjera në rajon dhe si e tregon eksperienca e mëparshme e vendeve të tjera të pranuar në B.E , një pjesë të kritereve ekonomike janë anashkaluar nga Bashkimi Evropian duke u dhënë më shumë rëndësi  kritereve politike. Në 12 pikat që i kërkohen Shqipërisë të përmbushë , dy prej tyre kanë një peshë specifike të veçantë, reforma elektorale dhe reforma parlamentare pasi të tjerat mund të plotësohen me një vullnet të përbashkët brenda një seance votimi. Ky vullnet i përbashkët për të bashkëpunuar është një pikë më vete ku Shqipërisë i kërkohet që klasa e vet politike të nisë dialogun politik për të arritur në një konsensus mes vetes.
Por a mundet që këto kushte dhe kondita politike të mbajnë peng dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve për t’iu bashkangjitur familjes evropiane? Eksperienca dhe përvoja e ka treguar se Bashkimi Evropian është konsistent në kërkesat e tij, ashtu si ka treguar se kur ka një konsensus politik në vend, Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë vendime të kënaqshme për Shqipërinë. Një i tillë ishte vendimi i liberalizmit të vizave, ku si pasojë e tij brenda vitit të parë rreth 400.000 shqiptarë udhëtuan në hapësirën Shengen. Ata u treguan qytetarë të denjë evropianë duke mos shkaktuar as dhe një incident të vetëm apo kërkesa masive për azil politik, duke “zhgënjyer” në këtë mënyrë për fat të mirë dhe disa politikanë apo analistë që profetizuan se ky vend do të zbrazej i tëri. Qytetarët shqiptarë i kanë dëshmuar në këtë farë mënyre Bashkimit Evropian se janë seriozë në angazhimet e tyre dhe të njëjtën gjë presin që të tregojë dhe klasa e tyre politike ndaj tyre. Rikthimi i opozitës në parlament dhe fjalët e shprehura nëpërmjet liderit të saj se do të punohet për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë një votim të cilësuar janë sinjale të mira që gjërat më në fund po fillojnë të ecin mirë.
Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, përveçse anës estetike fsheh dhe një të vërtetë praktike brenda tij . Evropa diti të mbahej në kurrizin e demit sepse përveçse dashurisë dinte ta kapte “demin prej brirësh” si thotë një fjalë e urtë shqiptare. Po Shqipëria a do ta dijë tashmë të udhëtojë drejt “tokës së premtuar” ashtu si Evropa në mitin e vjetër? Dymbëdhjetë  rekomandimet e Bashkimit Evropian janë një busull e mirë drejtimi dhe aq më tepër në këtë rrugë nuk jemi të parët.

Gazeta Shqip 17.04.2012


No comments: