Shtatori shënon hapjen e sesionit të ri të Parlamentit, dhe për rrjedhojë pritet që dhe konflikti politik të rikthehet sërish me forcën dhe shtrirjen që ka pasur gjatë gjithë këtyre dy vjetëve marrëdhënieje krize midis palëve. Duke mos dashur që të jemi pesimist për dialogun politik ndërmjet palëve, ky konstatim vjen më shumë si një pritshmëri e atyre çka është bërë publike në media dhe jo se është një parashikim profan i asaj se ç’mund të ndodhë me të vërtetë. Partia Socialiste ka deklaruar se do të rikthehet në Parlament dhe se atje do ta ketë tashmë fushën e betejës për gjithë problematikën që atë e shqetëson në lidhje me zgjedhjet, por dhe me një sërë problemesh që ajo mendon se duhen debatuar. Për të thënë të vërtetën, ky është një hap shumë i mirë, pasi Parlamenti mbetet tribuna e vetme ku mund të debatohet dhe jepen ide të ndryshme për çështje kryesore që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste mund ta rifitojë kohën e humbur me bojkot përreth dy vjet dhe të kontribuojë drejtpërsëdrejti në jetën politike të vendit. Në fakt, ky hap i ndërmarrë, duke pasur parasysh që të dyja palët vijnë pas një “armëpushimi” të vendosur si rezultat i pushimeve, dhe toni relativisht të butë të deklaratave të shpërndara më tepër për çështje dytësore sesa për çështje themelore, do të qetësonte në masë dhe jetën politike në vend, duke i dhënë prioritet reformave elektorale dhe ekonomike të cilat janë të nevojshëm për ecjen përpara drejt planit me 12 pika që Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë për t’u plotësuar. Ky aksion politik bëhet dhe më imediat po të kihet parasysh se vendi, popullsia, biznesi dhe gjithë jeta shoqërore në vend janë të lodhur nga konflikti i vazhdueshëm e bllokues i reformave dhe në fund të fundit, jorezultativ për asnjë palë. Ndaj, ashtu si na është këshilluar edhe nga miqtë ndërkombëtarë, por dhe si nevojë e brendshme e shoqërisë shqiptare, e mira do të ishte që të dyja palët të hynin në stinën e re parlamentare me një axhendë bashkëpunimi për çështjet më imediate që i nevojitet stabilitetit makro-financiar të vendit dhe integrimit të tij në Europë.
Një pikë nevralgjike ku bashkohen, por dhe cenohen interesat e të dyja palëve është zgjedhja e Presidentit të Republikës në vitin 2012. Ndryshimet kushtetuese të miratuara në konsensus midis dy palëve më 2009 bëjnë të mundur që ai mund të zgjidhet me 70+1 vota, duke mos dashur më një shumicë të cilësuar. Kjo gjë bën të mundur që Presidenti mund të jetë një emër i propozuar nga mazhoranca, pasi edhe pse që nga fitorja e zgjedhjeve në 2009 mund të ketë pasur zëra që ta kenë cilësuar mazhorancën si të brishtë, votimet e shumta e të njëpasnjëshme në Parlament kanë treguar se ajo, në të kundërt, ka qenë shumë solide. Ndërkohë, një opinion i përhapur në media nga njerëz afër opozitës këmbëngulin se Bashkimi Europian me negociatorët e tij të krizës nuk do të lejojë kësaj radhe që Presidentin ta ketë sërish pozita, por ai do të zgjidhet edhe me vullnetin e opozitës. Nuk di se sa i vërtetë mund të jetë ky lajm, por që opozita po mendon seriozisht për të pasur mundësinë që të zgjedhë nga radhët e saj Presidentin, mund të analizohet edhe nga komentet e ndryshme që ka bërë kreu i opozitës për këtë çështje, i cili kur ka kërkuar sërish ndryshimin e Kushtetutës, ka përfshirë në këto ndryshime edhe zgjedhjen delikate të Presidentit nga 70+1 vota në një shumicë të cilësuar 84 vota.
Natyrisht që është e drejtë politike e gjithë partive politike që të dëshirojnë përfaqësimin në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, por eksperienca e treguar deri më tani në zgjedhjet e tyre ka rezultuar jo pozitive. Vlen të kujtojmë këtu se të gjithë presidentët e zgjedhur që nga viti 1997, qoftë kandidatë nga pozita, Mejdani 1997 dhe Topi 2007 apo konsensualë, Moisiu 2002 kanë pasur konflikte me ata që i zgjodhën. Kjo gjë, natyrisht, nuk ka ardhur vetëm sepse presidentët kanë dëshiruar që të zbatojnë shtetin ligjor duke mos iu bindur urdhrave politikë, siç mund t’i dëgjosh në intervista të ndryshme apo të lexosh në kujtimet e tyre, por sepse duke qenë pjesë të sistemeve dhe partive politike kur janë zgjedhur, ka rezultuar shumë herë që ata kanë vazhduar lojërat e tyre personale politike edhe kur janë zgjedhur presidentë. Këto realitete kanë sjellë një zhgënjim si për mazhorancat që i kanë zgjedhur, por dhe për elektoratin e thjeshtë, i cili papritur ka zbuluar “heroin” e vet negativ dhe pozitiv në atë që më parë kanë adhuruar apo nëmur. Po kështu, politizimi i skajshëm i jetës në vend duke zgjedhur sërish një person politik partiak nuk do të hiqte mënjanë renë e tensionit, por do të shkarkonte shumë më tepër elektricitet politik duke na e rritur dozën së tepërmi.
Në këto kushte, zgjedhja si President e një figure civile nga diaspora shqiptare në botë, që mbart në vetvete kulturën e dialogut të fituar në Perëndim dhe nuk është ingranazh i lojërave politike në vend dhe me autoritetin e tij influencon në ecjen përpara të reformave, do të ishte një zgjidhje që do i çlironte politikës shqiptare energji të reja dhe do influenconte drejtpërsëdrejti në çtensionimin e situatës. Shqipëria nuk do të ishte vendi i parë që do i drejtohej diasporës për të pasur një zgjedhje të tillë. Në momente kritike, edhe kombe të tjerë të Ballkanit i janë drejtuar diasporave të tyre për të emëruar funksionarë të lartë, siç ishte rasti i biznesmenit serb në SHBA, Milan Panic më 1993 në postin e kryeministrit, që brenda një kohe të shkurtër arriti të ndryshojë imazhin e Serbisë, pavarësisht faktit se klika e Millosheviçit nuk mund ta duronte këtë fakt dhe bëri ç’është e mundur për ta shkarkuar apo zgjedhja e ish-mbretit Simon si kryeministër në Bullgari në 2001, gjë që bëri të mundur që Bullgaria të realizonte pjesën më të madhe të reformave për t’u anëtarësuar më 2004 në NATO dhe tre vjet më vonë, më 2007, në Bashkimin Europian. Diaspora shqiptare ka shumë emra të tillë që mund të afrojë dhe që mund realisht të kontribuojnë për të bërë hapat e mëdhenj drejt integrimit të vendit. Në fund të fundit, atë që po kërkojmë është një president për të gjithë, larg pasioneve politike dhe interesave ekonomike tona dhe një pikë bashkuese në unitetin e kombit. Aq më tepër që zgjedhja e një personi të tillë do të inkuadronte dhe diasporën shqiptare për të kontribuar në problemet e vendit e në të njëjtën kohë, do të shërbente si një pikë e mirë referimi për gjithë brezat e diasporës. Për sa i përket Kushtetutës, që nënvizon se Presidenti duhet të jetë një shtetas shqiptar, kjo gjë besoj se është zgjidhur prej kohësh me mundësinë e dynënshtetësisë që gëzojnë prej kohësh shqiptarët e diasporës. Në mitologjinë e lashtë greke ka një mit, që kur qytetarët e një vendi nuk zgjidhnin dot mbretin, perënditë u dërgonin një të tillë me një shenjë që orakujt e lexonin dhe pastaj të gjithë e pranonin apriori. Ne nuk jemi në gjendje që të zgjedhim një president të paanshëm këtu në Shqipëri, por dhe në të njëjtën kohë s’mundemi vazhdimisht të pranojmë kandidatura të mbështetura nga orakujt modern – ambasadorët e akredituar në Tiranë - ndaj për të dëshmuar një pjekuri politike kombëtare, përderisa nuk e zgjedhim dot këtu brenda, le ta zgjedhim sërish një njeriun tonë, kësaj radhe nga jashtë, por shqiptar nga diaspora për të na përfaqësuar të tërëve. Konsensusi për një emër dhe një personalitet të tillë do të ishte fillimi më i mirë i legjislaturës së re të Parlamentit shqiptar.
Gazeta Shqip 30.08.2011
No comments:
Post a Comment