Emri i
një vendthi apo toponimi nuk mund të mbetet përjetësisht në memorie përmes
ngjarjeve më të bukura që ndodhin aty, por edhe me ngjarje që godasin fort e të
bëhen të shënuara në rrjedhën e kohës për ndërgjegjen e qytetarëve të të gjithë
vendit. E tillë ishte ngjarja e vrasjes në pritë të dy turistëve çekë në
fshatin Prekal në Dukagjin. Ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që emri i krahinës së
Dukagjinit është kthyer në një makth për turistët çekë, pasi aty ka gjasa që u
përsërit sërish një histori ende e pazbuluar e tre turistëve çekë që u
deklaruan të humbur në vitin 2001.
Historitë kur përsëriten, për fat të keq,
përsëriten në formën më të shëmtuar të tyre. Ndërsa Shqipëria ndodhet në kulm
të sezonit turistik dhe për disa vite me radhë është munduar shumë për të
përmirësuar imazhin e vet në botë, një pritë e ndyrë burracakësh që duket sikur
vjen nga tjetër kohë dhe epokë përvjellurazi na kthen në epokë tjetër.
Zona në fjalë është një nga bukuritë tona më të mëdha natyrore
dhe ndoshta një pasuri e vetë njerëzimit, prandaj si e tillë ka merituar dhe do
vazhdojë të meritojë vëmendjen e turistëve që dëshirojnë ta shohin e ta
vizitojnë, por që në Shqipëri ka nevojë urgjente për një përqasje tjetër ndaj
krimit dhe ngjarjeve të tilla, besoj se biem të gjithë dakord. Së pari, nuk
është vetëm çështje policie dhe hetimi në parandalimin e këtyre ngjarjeve të
shëmtuara (që s’kam dyshim që është duke u kryer në këto çaste që po
shkruajmë), por mbi të gjitha duhet të jetë edhe një përqasje kulturore në
trajtimin, ndalimin dhe zhdukjen e një krimi të tillë që na përbalt në
ndërgjegjen tonë shtetformuese. Dukagjini, Lazarati, periferitë urbane të
Tiranës më tepër se vendosje rendi me operacione policore kanë nevojë për një
përafrim dhe përqasje tjetër ndaj dukurisë së krimit që i ka mbërthyer prej
fyti.
Periferitë tona dhe njerëzit që banojnë në to, janë lënë në
mëshirë të fatit për sa u përket ndryshimeve sociale që kanë ndodhur në këtë
vend. Urbanizimi i shfrenuar allashqiptar me rrëmbime pronash e dhunime vendesh
të shenjta që ka sjellë në dritë dukurinë e banditëve lokalë që përkëdhelen
herë pas here nga elita politike e Tiranës për ato të “shkreta” vota,
emigracioni masiv që sjell ballafaqime kulturash, por çuditërisht edhe ruajtjen
fort si kërmilli guaskën, të zakoneve të vjetra të shpërfilljes së ligjit e të
shtetit e mbijetesës epike me cubni e hajnllëqe, uri seksuale dhe përçmim të
Tjetrit si të dobët e të pafuqishëm deri dhe në dukurinë e shëmtuar të
trafikimit të qenieve njerëzore apo dhe shpeshherë talljen e turistëve në
pagesa të kripura nëpër bujtinat e hotelet tona janë dukuri që dëshmojnë
mungesën e një kodi moral e etik dhe nevojën urgjente për të ndryshuar këtë “shajni”
që ia kemi borxh tranzicionit.
Turizmi, si një nga degët më fitimprurëse të ekonomisë së vendit
nuk mund të lihet në dorën e banorëve të zonës të paaftë për ta ushtruar, por
nga guida të licencuara dhe të trajnuara që do të mund t’u japin informacionin
e duhur të gjithë turistëve që vizitojnë vendin tonë. Mes njohurive që do të
përçojnë t’i lënë mënjanë magjitë romantike të besës e burrërisë, por në
bashkëpunim të fortë me strukturat e policisë dhe pushtetit lokal të shërbejnë
si pikë takimi për sigurinë e turistëve të huaj. Në vend ndodhen gjashtë
universitete me katedra të gjuhëve të huaja, diplomantët e të cilave më shumë i
gjen të punësuar në vende të tjera pune ose shpeshherë edhe pa punë sesa në
turizëm. Policia e Shtetit, programin e vet të përzgjedhjes së efektivave që
shërbejnë në këtë fushë duhet të zgjedhë jo vetëm ata që kanë mundësi të
tregojnë muskujt apo e gjejnë atë si një strehë punësimi pas një arsimimi
skandaloz, por përmes një ngritjeje të cilësishme të pagave në këtë sektor të
kthehet në një vend pune që përthith studentë elitarë që janë dinjitozë dhe nuk
kthehen në burim anekdotash të folklorit shqiptar. Shoqëria civile që po
përlotet me nga një qiri e një tufë lule për çdo ngjarje të tillë, aktivitetet
e saj të financuara nga taksat e taksapaguesve europianë t’i përfshijë në
programe që rrisin bashkëpunimin me policinë dhe mbjelljen e vlerave kulturore
në mënyrë të tillë që qytetarët europianë dhe ata shqiptarë të ndihen të sigurt
në këto vende, por as dhe të shokuar. Shfaqjet teatrale me arinj të lidhur me
zinxhirë për hunde plazheve të Shqipërisë, shitësit ambulantë që shesin si
“frëngu pulën” prodhime bujqësore shqiptare apo shfaqjet horror me therjet buzë
rrugëve të bagëtive ku gjaku dhe balta përzien bashkë, janë shfaqje që duhen
kursyer dhe atë që s’arrin dot ta bëjë shteti me dhunë të fillojë të
përshkruhet e katalogizohet në ndërgjegje si ngjarje e shëmtuar. Shoqëria
civile vullnetare mund të dalë edhe përtej Rognerit dhe Sheratonit, pasi ka
dorëzuar raportet e veta të suksesshme të evidentimit të ngjarjeve pa plan
veprimi për ta vënë në zbatim.
Sfidat e kalimit nga një shoqëri ku vidat e shtetit punonin të
gjitha përmes totalitarizmit që sundonte në Shqipëri, në kohën e anarkisë dhe
qafës së rrëmujës kur makina shtetërore u quajt e panevojshme dhe u nëm, dhe
kërkesës urgjente për të pasur shtet të fortë është kurba morale dhe etike që
ka lëvizur edhe ndërgjegjja e rrënuar e qytetarëve shqiptarë ku arsimimi,
kultura, ligji, feja duhet të fillojnë sërish të modelojnë qytetarin shqiptar.
Dallimet midis zonave dhe vendeve nuk mund të zhduken me një ndarje
administrative, ku një qytet i madh përfshin dhe periferinë, por me ndërtimin e
funksionimin e shtetit si një të tërë për të treguar forcën, por edhe ndihmën e
vet ndaj qytetarëve. Gjendemi në kufijtë e një epoke ku qytetarët shqiptarë
kanë treguar se dëshirojnë të kenë shtet të fortë përmes mbështetjes së dhënë
reformave qeveritare në pagesën e faturave energjetike dhe administrimit të
territorit, sfida e re po aq sa dhe e vjetër është beteja e përditshme me
ligjin dhe sundimin e tij gjithandej Shqipërisë. Kur të kemi filluar ta kemi
këtë aspekt si pjesë të ndërgjegjes sonë qytetare dhe shtetformuese, do të jemi
të sigurt që integrimi në BE do të jetë çështje muajsh e ditësh.
Gazeta Shqip , 7.07.2015, fq 9
No comments:
Post a Comment