Një nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja
në Shqipëri ishin disa poezi të tij një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë
“E di një fjalë prej guri” në vitin 1971 Përmbledhja poetike ishte një
antologji e poetëve më të mirë kosovarë duke filluar nga Esat Mekuli, Azem
Shkreli, Din Mehmeti etj që sillnin një aromë të re modernizmi në poezinë
shqipe që dhe vetë po përjetonte një periudhë të tillë por që shumë shpejt do
të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën presionet e artit të Realizmit Socialist. Titulli
i përmbledhjes qe zgjedhur nga një poezi e Azem Shkrelit, por e gjithë përmbledhja shprehte forcën
përfaqësuese të poezisë dhe artit të tyre. Hierarkia e artistike dhe e vlerave
është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që
koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të
Realizmit Socialist në Shqipëri që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të
zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë përmes poemave të
Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe. Kosova
në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë , në nivel artistik përmes vargjeve të poetëve
të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e
saj në përpjekjet për të formësuar dhe ruajtur identitetin e veçantë mes
federalizmit të sllavëve të jugut. Përmes dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të
ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e poetëve të saj ishin sa vargje për
bukurinë krenare të viseve shqiptare po aq dhe vajtime për fatin e shqiptarit
modern kosovar të ngujuar mes dy ideologjive kinse të afërta bazuar në
internacionalizimin proletar por që në thelb po i bluanin identitetin e
shqiptarit të Kosovës si dy mokra mulliri.
Filozofi i lashtë Platoni në veprën e tij “Republika”,
një traktat filozofik për mënyrën sesi duhet ndërtuar shteti i përjashtoi
poetët nga të gjitha funksionet drejtuese duke pretenduar se me artin e tyre
dobësojnë shpirtin luftarak të qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar
të jetë një nga më të gabuarat e tij pasi imagjinoni se çdo të ishte arti antik
grek pa epopetë homerike të Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë
një art frymëzues i ringjalljes shpirtërore të Evropës. Po kështu ringjallja
shpirtërore e Kosovës shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura
për pavarësi erdhën përmes vargjeve të poetëve të saj ku mes tyre shquante
poezia e Podrimes “Unë biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në
gëzimet dhe pikëllimet e popullit të vet martir si një libër i hapur për
cilindo që dëshironte të njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg
fanfarave dhe dritave që poetët diletantë shpesh herë na mërzisin dhe
bombardojnë nëpërmjet medieve por arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më
tepër jetë nëpërmjet zërit të butë dhe meliodoz të tij. I gjithë brezi im i
mësuar me një fotografi bardhë e zi të
zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve 80 , fotografi që sipas të
gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të
treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet
90 kur e pa për herë të parë poetin e famshëm
me trupin e pakët dhe sytë e drojtuar por me fjalën zjarr. Tek Podrimja
dukej sikur qëllimisht fjala shqip kish zgjedhur një njeri me trup të pakët për
të mos trembur njeri sepse kumtet shqiptare të fund shekullit të XX ishin të
tilla që nuk mund të linin asnjë njeri të civilizuar pa u prekur.
Fjala shqip kish dy dekada që përmes artit të
Podrimes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e
një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të
dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë
besuar se poetët janë yje që shuhen dhe fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët
mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë atë që ai kish kënduar që në 1981
për Parisin se mbrapa do i lëmë pas shpine netët ballkanike, vallet , këngët
, baladat dhe vetëm fyellin do marrim ti biem
sa herë që do na rrokë malli . Rrugëtimi i kombit të tij për në
Evropë pat filluar që herët nga poezia e tij me trajektoren moderne të
përcaktuar qartë se pas do i lëmë mëritë ballkanike por kurrë s’do harrojmë
identitetin tonë nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell që për shqiptarët
është instrument magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i
Moxartit por ai i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.
Lamtumirë
poeti ynë që sa ishe gjallë na i kumtove të gjitha e tash e tutje sa herë duam
të njohim vetveten do rikthemi sërish te arti yt sepse aty do gjejmë vetveten
dhe të ardhmen. Në lajmin e fundit nga Podrimja u tha se shkaku i vdekjes ishte
dehidratimi, por unë s’besoj se poetët vdesin nga mungesa e ujit sepse ata janë
det fjalësh ku mund të lundrojë një komb i tërë, por poetët vdesin nga ëndrrat
e paralizuara dhe për këtë gjë nëse duam ta nderojmë deri në çastin e fundit le
ta bëjmë Shqipërinë e Kosovën se ky është amaneti i tij ashtu si kanë qenë amanetet e poetëve tanë që nga Naimi e Fishta
e me radhë.
Gazeta Shqip 29.07.2012
No comments:
Post a Comment