Monday, 9 July 2012

Një ftesë për Rexhep Qosen



Në jetën publike shqiptare ka një zakon që është përforcuar shumë kohët e fundit. Nëse diçka nuk ecën mirë apo ka ndonjë gjë që është gabim, faji i  vishet menjëherë politikës dhe përgjegjësitë kërkohen tek ajo. Nuk e vë në diskutim se politika është një nga  shprehjet më të larta të aktivitetit njerëzor dhe me fuksionimin e drejtë ose të gabuar të saj influencon shumë  në jetën e qytetarëve, por për fat të mirë ajo nuk është e vetmja fushë që e ka këtë ekskluzivitet, çka në të vërtetë e bën më dinamike aktivitetin njerëzor.Kultura, historia, gjeografia, antropologjia dhe një sërë disiplinash të tjera shkencore influencojnë po aq sa dhe politika në jetën e përditshme të njerëzve. Nisur nga kjo përqasje është e lehtë të kuptosh se dhe ngjashmëritë midis politikës dhe tyre janë të shumta, dhe për më tepër të nxjerrësh përfundimin se dhe konkurrenca e individëve në mes të tyre është po aq e ashpër sa dhe në politikë. Duke pasur parasysh këtë argument të fundit mund të gjykohet lehtë dhe një lajm që bëri jehonë në hapësirën shqiptare rreth ftesës që nuk i është bërë ende akademikut nga Kosova Rexhep Qosja për festimet e njëqindvjetorit të pavarësisë.Shumë medie të shtypit të shkruar dhe ato vizive komentuan menjëherë se kjo ishte një harresë e qëllimshme nga ana e komisionit organizator të festës e madje e trajtuan si dhe hakmarrje primitive e kryeministrit Berisha ndaj tij. Fakti që marrëdheniet midis ish-Presidentit dhe kryeministrit aktual Berisha dhe akademikut Qosja nuk janë të mira nuk përbën ndonjë zbulim e aq më tepër nuk është ndonjë sekret, por përpjekja për tia faturuar gjithë fajin për harrimin e tij politikës për të mbuluar luftën e bërrylave në lëmin e kulturës dhe historisë është një fenomen që meriton vëmendje.
Kryeministri Berisha gjatë gjithë karrierës së tij politike mund të ketë krijuar shumë simpati dhe antipati pasi të jesh protagonist në politikë për mëse 22 vjet nuk mund të jesh gjithmonë i pacënueshëm nga opinionet e ndryshme të njerëzve dhe figurave politike e kulturore bashkëkohore por që veprimi i fundit ndaj Qoses të jetë i ideuar nga ai, tingëllon i çuditshëm. Shumë figura politike të cilat kanë qenë shumë më të ashpër me të, si Neritan Ceka, Arben Imami, Ilir Meta etj apo dhe opozitarë të drejtë për së drejtë të tij do të jenë të pranishëm në festime dhe do të mbajnë një fjalë përshendesëse ndaj emri apo jo i Qoses aty, nuk do të përbënte një problem për të.Pavarësisht se figurat e mësipërme janë miq dhe aleatë në politikë me Kryeministrin Berisha dhe kjo mund të jetë arsye që sot ata të jenë të pëlqyeshëm, figura e  Qoses si një figurë opozitare ka vite që ka fituar sharmin e një zëri ndryshe që nuk prish aurolën e asnjë feste.  Nisur nga ky fakt, ardhja dhe prania e Qoses në Vlorë nuk shkakton ndonjë problem te Berisha por tek figura të ndryshme kulturore që kanë kohë që janë në konflikt të hapur me të për çështje të ndryshme identitare. Është mirë që cilido që e mendon se duke i bërë shërbim njeri apo tjetrit duke përjashtuar Qosen nga festimet kombëtare të heqë dorë sa më parë nga ky mendim i mbrapshtë pasi të mos ftosh Qosen në Vlorë është njësoj sikur ti mohoje të drejtën Hasan Prishtinës për të mos marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 1912. Hierarkia e vlerave kulturore të një vendi nuk mund të krijohen nga përjashtimet e njëri apo tjetrit figurë kulturore nga të tilla ngjarje,por nga një vlerësim i drejtë i veprimtarisë së tyre kulturore. Kontributi i Qoses në kulturën shqiptare është i pazevendësueshëm pasi ai prej kohëh ka krijuar një tipologji kulturore të veçantë në letrat shqipe dhe me studimet e tij historike dhe gjuhësore të letërsisë së krahasuar  ka themeluar një shkollë të vërtetë kritike në gjithë hapësirat shqiptare në Ballkan. Përpos të tjerash me zërin e tij të fuqishëm intelektual dhe kurajon civile që e ka karekterizuar akademiku Qosja ka luajtur një rol të fuqishëm në formëzimin e ndërgjegjes kombëtare në Kosovë dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve aty, nën regjimin famëkeq të Millosheviçit.
Një nga meritat më të mëdha të demokracisë liberale është dhe dëgjimi dhe respektimi i mendimit ndryshe dhe jo përjashtimi i atyre që nuk jnë dakort me të gjithë  sepse kështu rrezikojmë të rikthemi sërish në reminishencat e së kaluarës. Ndaj sa jemi në kohë dhe kur festimet e pavarësisë janë ende duke u afruar, do të ishte mirë që ky gabim që po i faturohet me pa të drejtë politikës të përmirësohet. Ftesa duhet të jetë e hapur dhe e drejtë për së drejtë për korifeun e kulturës kombëtare shqiptare në Kosovë. Bashkimi kulturor gjithmonë i ka paraprirë bashkimit kombëtar, ndaj pa u realizuar kjo ftesë ,çdo retorikë kombëtare në Vlorë në nëntor të këtij viti do të jetë boshe. Jepi Çezarit, çfarë i takon Çezarit thonë latinët dhe për vlerat e vërteta kombëtare dhe kulturore që Rexhep Qosja përfaqëson duhet të jetë i pranishëm në këtë njëqindvjetor në Vlorë.



No comments: