Sesioni parlamentar i vitit 2012-2013 është një sesion
vendimtar për krijimin e një klime
politike të qetë që do të bënte të mundur që dhe zgjedhjet e përgjithshme vitit
2013 të zhvilloheshin si një triumf i demokracisë dhe jo të kontestoheshin që në
momentin e nxjerrjes së rezultatit të tyre. Mirëpo për të arritur në këtë
moment që përbën dhe një qëllim në vetvete besoj dhe të forcave politike në
Shqipëri, kërkohen që përveç vullnetit politik të realizohen dhe disa hapa teknikë
që do ta përmirësonin ndjeshëm situatën. Aspekti më i rëndësishëm i këtyre
hapave teknikë është miratimi me konsensus i një kodi të ri elektoral që do të
bënte të mundur shuarjen e kontradiktave midis dy palëve të politikës.
Kodi elektoral vazhdon të mbetet thembra e Akilit
të çdo procesi zgjedhor në Shqipëri dhe si i tillë ai duhet të kalojë përmes një
procesi të vështirë por jo dhe të parealizueshëm të hartimit të tij, sigurisht
duke u përshtatur ndryshimeve të mundshme dhe lëshimeve që do të bëjnë në
momentin final të dy partitë e mëdha shqiptare. Themi të vështirë jo sepse ka vështirësi
teknike që do të sillnin moszbatimin e tij, por sepse si e ka treguar koha më vështirë
është që të dy palët të cenojnë nga interesat e tyre partiake sesa të demonstrojnë
një kulturë shtetformuese të arritjes së standardeve zgjedhore. Paradoksi qëndron
në faktin se ndërsa të dy palët bien dakord për të ulur në tryezën e bisedimeve
deri më tash kur ka mbetur dhe një javë nga afati i vendosur për mbylljen e
saj, asnjë gjë konkrete nuk ka dalë në dritë për të treguar se ka dritë në fund
të tunelit për të arritur një marrëveshje. Mesa duket sërish po zhvillohet loja
e zakonshme për t’ia faturuar dështimin palës tjetër dhe njëra palë të bëjë
viktimizimin. Kjo lloj sjellje në dukje foshnjore nga të dy partitë politike,
ka detyruar disa eksponentë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri që
ta ngrenë zërin e tyre për mënyrën sesi po veprohet por dhe për të marrë
garanci se çdo gjë do eci sipas dëshirës dhe planit që tyre , që korrespondon në
fakt edhe me dëshirën e partive politike, por mbi të gjitha të elektorateve që
ato përfaqësojnë.
Shqipëria dhe populli në masë shqiptar është tepër
i lodhur nga konfliktet e egra politike që jo vetëm turbullojnë jetën sociale në
vend por nuk arrijnë që të përmbushin standardet e një sjellje të zakonshme
politike ashtu si në vendet e tjera. Kjo pamjaftueshmëri demokratike dhe lodhje
e njerëzve nga politika ka rezultuar fatale për fatet e demokracisë në Shqipëri,
pasi pjesëmarrja e njerëzve në votime nuk i kalon më shumë së 50% të zgjedhësve
por dhe ka krijuar një klimë konflikti të vazhdueshëm që ka spiralet e veta
pothuajse gjithmonë në ngjitje e sipër. Po kështu koncepti i llogaridhënies
pothuajse nuk ekziston pasi pjesëmarrja e vogël në votime, duke llogaritur që
gjysma e atyre që votojë janë dhe punonjës të administratës publike nuk krijon shumë mundësi për një pjesëmarrje
të gjerë dhe aktive të popullsisë në demokracinë
e drejtë për së drejtë. Parë në këtë këndvështrim çdo përpjekje për ta
ndryshuar këtë realitet dhe çdo veprim ç’tensionimi për të kapërcyer këtë ngërç
të përhershëm të politikës shqiptare është për tu përshëndetur dhe meriton vëmendje
të veçantë. Para disa ditësh kryeministri u tregua i gatshëm të takohej me
shefin e opozitës për të diskutuar në detaje rreth reformës zgjedhore dhe kodit
elektoral, por deklarata e tij mbeti vetëm në kufijtë e një dëshire, pa
specifikuar se do të merrte parasysh pretendimet e opozitës. Për më tepër z
Berisha nuk kurseu dhe fjalët pozitive për Kryetarin e KQZ, gjë që bie ndesh në
mënyrë flagrante me perceptimin popullor në Shqipëri por dhe kritikat e
komunitetit ndërkombëtar të bërë ndaj këtij Institucioni. Nuk mund të ketë
debat dhe takim konstruktiv kur këmbëngulet për të ruajtur të gjitha qëndrimet
e vjetra dhe për të imponuar një kinse debat teknik, ku faktori njerëzor ka
qenë përgjegjës për shtrembërimin e qëllimshëm të ligjeve.
Deklarata e kryeministrit erdhi menjëherë pas deklaratave
të disa ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë që i kërkuan partive politike
shqiptare që ta mbyllnin reformën elektorale brenda afatit duke iu rikujtuar
dhe njëherë se është një 12 nga pikat që Shqipëria duhet të plotësojë për të
marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë. Ky presion i tyre vjen në kohën e
duhur dhe jo vetëm që nuk është bezdisës por sigurisht që duhet vështruar me
kujdes për të zbuluar nëse do të ndiqet
dhe nga qëndrime të tjera të tyre apo dhe dilemës sesi do të reagojë opozita
ndaj ftesës së kryeministrit Berisha për të pasur një takim kokë më kokë me
kreun e saj. Përzgjedhja e drejtë e një kodi elektoral duke braktisur
mentalitetin e shprehjes së njohur më mirë një “vezë sot sesa një pulë mot” do
të çlironte energji të reja mes njerëzve dhe vendi do të fillonte të ecte mbarë
drejt zgjedhjeve të pakontestueshme dhe krijimit ë një klime besimi mes palëve.
Të gjitha çështjet
mes tyre si riformatimi i KQZ-së apo dhe shkarkimi i kryetarit ë saj, janë çështje që mund të përfundojnë
brenda një ore me vullnetin e mirë të të dy palëve, ndaj është i nevojshëm çfarëdolloj
aksioni politik që mund të sjellë këtë paqe të sinqertë dhe shumë të kërkuar
mes palëve. Shqipëria e vitit 2012 nuk është Shqipëria e disa viteve më parë
kur vullneti politik mund të merrej peng dhe qytetarët ndiheshin të pafuqishëm
për të parandaluar çfarëdolloj abuzimi mbi ta. Demokracia liberale ka në thelb
të saj pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në të
dhe lojën e drejtë përmes zgjedhjeve si i vetmi mekanizëm legjitim që
mund të garantojë vazhdimësinë politike dhe shoqërore të sistemit. Si shikohet
reforma zgjedhore përfshin një pjesë të madhe të sfidave që has demokracia në Shqipëri, ndaj partitë politike s’kanë më
se ç’presin nëse dëshirojnë të presin një biletë për trenin e radhës në
Bruksel. Stacioni ku do hipin është në të njëjtin vend prej nga janë nisur dhe
vende të tjera , vetëm se na duhet që biletën ta presim vetë kësaj radhe, pa
ndihmën e askujt për të treguar se dhe
ne jemi të aftë ti bashakangjitemi Evropës.
Gazeta Shqip 11.07.2012
Gazeta Shqip 11.07.2012
No comments:
Post a Comment