Sunday, 15 July 2012

“Kodra e Rilindësve” dhe Memoriali i dhunuar i tyre



Foto e viteve 70' qe deshmon formen origjinale te Memorialit.

Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen”  sërish për ti shërbyer interesave kombëtare. Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për ti mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve. Në Shqipëri për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e Ballkanit por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë , ndaj dhe njerëzit dhe shoqëria janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo mohimi apo denigrimi të atyre që janë pranuar prej kohësh si vlera të mirëfillta kombëtare dhe personazhe të rëndësishëm që kanë mbizotëruar historinë e vendit. Sigurisht që në këtë qasje shqiptare ka vend dhe për korrigjim apo dhe një ç’mitizim që shpesh herë është vënë re në trajtimin e çështjeve dhe ngjarjeve të ndryshme historike, por pavarësisht faktit që kohët e fundit ka shumë përpjekje për rivlerësim apo rebalancim të këtyre vlerave duke u përpjekur për të rishkruar historinë, besoj se gjithsecili nuk mund të bjerë dakord me forma ekstreme të përdhosjes së atyre që janë nderuar dhe do të vazhdojnë të nderohen nga pjesa më e madhe e shqiptarëve si baballarët e kombit. Qasja ka të bëjë më tepër me përmbajtjen sesa me shkatërrimin barbar të formave që i përfaqësojnë këto vlera, si po ndodh për fat të keq në Shqipëri. Një rast që ilustron shumë mirë se mund të bëjë fjala akademike e lëshuar pa doganë drejt figurave të kombit por dhe se në çfarë krize neglizhence identitare kemi arritur është gjendja e memorialit të Rilindësve në Gjirokastër.
Në mes të verës, në datën 15 korrik , shqiptarët përkujtojnë ditën e vrasjes të heroit kombëtar Çerciz Topulli dhe aktivistit kulturor dhe gazetarit Muço Qulli në Shkodër nga forcat malazeze të pushtimit, të denoncuar si patriotë shqiptarë nga konsulli grek që ua njihte shumë mirë aktivitetin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Eshtrat e Çerciz Topullit u morën në vitin 1936 dhe u rivarrosën në Gjirokastër sëbashku me vëllain e tij Bajo Topullin në një kodër paksa jashtë qytetit, vend i cili u kthye në një vend peligranazhi për çdo shqiptar që vizitonte Gjirokastrën dhe e ndjente veten të lidhur me idenë kombëtare. Në vitin 1964 u kthyen në atdhe nga Kajro eshtrat e poetit dhe veprimtarit të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare, Andon Zako Çajupi dhe me këtë rast shteti komunist i kohës ndërtoi memorialin e famshëm të kohës me shqiponjën dykrenore të derdhur në bronz që qëndronte sipër një obelisku dhe në këmbët e obeliskut preheshin varret e vëllezërve Topulli, A.Z.Çajupit, Koto Hoxhit-pionierit të arsimit shqip në Lunxhëri dhe Pandeli Sotirit-drejtorit të parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë 1887. Kodra prej asaj kohe u quajt kodra e Rilindësve dhe ishte vend ku çdo 7 mars, 28 nëntor apo dhe përvjetorësh të atyre që preheshin atje, vizitoheshin nga nxënës shkollash dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë për të nderuar dhe kujtuar veprën e tyre. Memoriali ishte i veçantë dhe i vetëm i llojit të vet në Shqipëri pasi asnjë qytet tjetër nuk kishte një monument për të përkujtuar figurat e veta të shquara të këtyre përmasave apo si një panteon të vogël nëse mund ta quajmë në këtë llojin mënyre. Ekzistenca e tij nuk i prishte punë asnjë njeriu as ishte i mbushur me ideologji që përfaqësonte fitoren e njërit krah gjatë Luftës së Dytë Botërore që të pësonte shkatërrimin që pësoi pas viteve 90’.

Varret u përdhosën duke u thyer, shkronjat e emrave u fshinë , gurët dhe pllakat rrethuese u vollën dhe u thyen, shqiponja u qëllua me plumba gjatë trazirave të 97’ duke i këputur kokën dhe shpuar gjithandej sa me të drejtë dikush që  kish vizituar Gjirokastrën më parë dhe do të rikthehej sërish në ditët e sotme do mendonte se aty kanë kaluar barbarët ose ndonjë hordhi e huaj që nuk kish asnjë lidhje shpirtërore me ata pesë burra të famshëm që preheshin aty. Një iniciativë e disa të rinjve të Gjirokastrës për të restauruar memorialin e shkatërruar hasi në fillim në indiferencën e pushtetit lokal dhe të degës të institutit të monumenteve kulturore që nuk zgjidhnin mes tyre se përgjegjësi e kujt ishte për të filluar punimet dhe për pasojë Memoriali vuajti për disa muaj nga ky debat administrativ ku të gjithë i donin të tyret Çercizin e Bajon me shokë por asnjëri nuk mendohej që të vinte dorën në xhep për ti dhënë statusin e merituar memorialit të tyre. Në prag të zgjedhjeve lokale 2011, presioni i shoqërisë civile në Gjirokastër dhe Tiranë u rrit dhe kjo çështje u bë një çështje e mirënjohur nëpërmjet shumë kronikave televizive por dhe një emisioni special në Top Shoë ku trajtohej lënia në mëshirë të fatit të këtij Memoriali. Bashkia e Gjirokastrës  më së fundi reagoi duke çelur një fond për restaurimin e memorialit mirëpo, gjërat në Shqipëri edhe kur ka dëshirë për t’iu përgjigjur presioneve që bën shoqëria civile duket që nuk funksion si në të gjitha vendet. Fondi që u çel shpejt e shpejt shërbeu për të restauruar memorialin sipas shijes së atyre që po merreshin me të duke i përngjarë disa varreve publikë me mermerin e zakonshëm dhe asnjë rregullim tjetër territori dhe jo duke ndjekur logjikën e kthimit në identitet të tyre sipas planit arkitekturor që ishte ndërtuar. Në vitin 1964 ishte ndërtuar një lloj guri gëlqeror me pika të zeza për varret e tyre që ishte në harmoni me ngjyrën e bronzit të shqiponjës, e cila ishte gdhendur mjeshtërisht për ti përngjarë një shqiponje gati për fluturim dhe jo një shqiponje statike çka po mundohen sot të bëjnë restauruesit. Është e kuptueshme që nuk mund të riparohen gjërat që kanë kosto shumë të lartë, si p.sh dy pallate që kanë kërcyer si përbindësha atje duke mos bërë të mundur që memoriali të shikohet më nga rruga kombëtare Kakavijë-Gjirokastër por plani urbanistik dhe arkitekturor i Memorialit ekziston në arkiva , ndaj çdo ndërhyrje atje duhej të shoqërohej nga konsultimi me të  duke realizuar kështu kthimin në identitet të këtij monumenti. Çdo dëshirë dhe akt i mirë duhet të shoqërohet me hapat e duhur për të marrë vlerësimin e duhur në komunitet dhe të vjen keq kur kjo ekspertizë që ekziston nuk merret parasysh, dhe akoma më keq dhe kur Memorialin e përdor vetëm për qëllime elektorale dhe sot në datën e vrasjes së pabesë të  “Luanit të Gjirokastrës” nuk lexon asnjë rresht në shtypin e shkruar dhe asnjë veprimtari përkujtimore nuk organizohet. Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh mbi shumëkombësinë, një modeli që Evropa po e braktis për veten e saj, ndaj për këtë arsye dhe për qindra arsye të tjera të ekzistencës së idesë kombëtare të shqiptarëve vlerat dhe idealet e atyre burrave të Memorialit duhen përjetësuar në një vend të denjë prehje për ta, ashtu si populli e emërtoi “Kodra e Rilindësve”

Revista Fenix 13.07.2013


No comments: