Thursday, 26 July 2012

Te Rrapi që s'është më në Mashkullorë



Që sot e tutje nuk do të ketë më rrap të Mashkullorës, simbol të qendresës kombëtare pasi një erë e fortë shiu dhe me rrebesh e ka vithisur dhe flakur tutje rrapin 200 vjeçar që kish përballluar shumë të tilla por nuk mund të përballonte më grykësinë e njerëzve për beton që i shkatërruan habitatin e tij natyral. Sigurisht që rrapi do të jetë prezent gjithmonë në këngën e famshme të Çerçizit që i kuq ei bën me bojë të gjithë ata që si lëne djemtë e tij të shkojnë, por nuk do të jetë më si një monument natyre që përkujtonte një ngjarje të shënuar për etninë tonë dhe do i shtohet listës së gjatë të monumenteve të tjera të natyrës të prishura dhe shkatërruara tashmë si froni i pashait, një masiv shkëmbor që përmend Mithat Frashëri si vendi ku rrinte Ali Pasha Tepelena e sodiste perëndimin e diellit në Vjosë në buzat e Tepelenës apo dhe lisi tashmë i prerë para Akademisë së Arteve të mbjellë nga Ethem Beu më 1789.
Rrapet si drurë të shenjtë që nga antikiteti përveçse i kanë shërbyer komunitetit për hije natyrore shumë të mirë kanë qenë dhe vende mbledhjesh e kuvendesh ku janë marrë vendime të rëndësishme për fatet e vendit. Mjafon të përmendim rrapin e Mesaplikut ku u mbajt Besëlidhja Shqiptare më 1828 një nga kuvendet më të rëndësishëm kombëtarë dhe ku krerët e Shqipërisë së Jugut formuluan një program politik të tyre përkundrejt Portës së Lartë që dëshironte ti përdorte si mish për top për të shtypur Revolucionin grek.
 Lista e gjithë këtyre monumenteve natyrore mund të jetë e shumtë në Shqipëri dhe çdo krahinë mund të fillojë të ndërtojë hartën e tyre por problemi qendron se shumë prej tyre janë drejt rrënimit të plotë dhe makutëria e njërëzve për të përfituar në kurriz të natyrës është kaq e madhe sa ska një Zot që ta ndalë. Mund të flasim nga mëngjesi në darkë për ruajtje të trashëgimisë kulturore por po nuk pati një përforcim të pushtetit lokal dhe një ndërgjegjësim të komunitetit çdo gjë do të jetë e kotë. Shkatërrimi do të vazhdojë ca nga natyra ca nga dora e njeriut dhe këngë të mbrekullueshme të gjyshërve tanë si te Rrapi në Mashkullorë vetëm  do të këndohet por sdo të ketë asnjë shenjë të ngjarjes që ka ndodhur. Jo shumë larg prej nesh në një ishull të Greqisë, në Rodos vendasit ruajnë me fanatizëm një rrap që thuhet që është që nga koha e Hipokratit dhe një det turistësh e vizitojnë çdo vit duke i shtuar një vlerë kulturore Greqisë. Po shqiptarët kur do fillojnë të kuptojnë se historia e tyre vlen dhe se e meriton të ruhet dhe mbrohet jo vetëm nga shteti por nga të gjithë.




Te rrapi në Mashkullorë


        Doli Shkurti hyri Marsi 
Ne Gjirokaster u vra bimbashi 

          Te vrane bimbash te vrane 
           Hitoja me Bajramne 

           Doli Shkurti hyri Marsi 
           Ne Gjirokaster u vra bimbashi 

            Nga Janina vjen Mazapi 
            Ne Mashkullore te rrapi 

            Te rrapi ne Mashkullore 
            Foli Cercizi me goje 

            Mylazim largo taborre 
            leri djemt e mij te shkojne 

            leri djemt e mij te shkojne 
            se do t'ju kuq t'ju bej me boje 

            do t'ju kuq t'ju bej me boje 
            se ashtu e kam zakone 





No comments: