Sunday, 22 July 2012

Të huaj në vendin e vet



Në këto ditë të nxehta e të thata të verës, trafiku dhe infrastruktura e plazheve rëndohen jo vetëm nga rendja e njerëzve drejt vendeve relaksuese dhe resorteve turistike, por edhe pse vendi përjeton një valë të kthimit në atdhe të emigrantëve, të cilët vijnë për të takuar të afërmit e familjarët e tyre. Shqipëria është një nga vendet me një numër të madh emigrantësh në rajon, aq sa shifra të marra nga eurobarometri numërojnë deri në 1 000 000 shqiptarë që banojnë në vendet e BE-së. Për më se dy dekada, puna dhe djersa e tyre e materializuar në dërgesat financiare drejt familjeve të tyre është kthyer në një faktor që ka ndihmuar në mënyrë thelbësore rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, duke u shndërruar në të njëjtën kohë në një vektor që ka përcaktuar edhe ngritjen ekonomike konstante që ka pasur Shqipëria në gjithë këta vjet. Duke parë këtë kontribut kaq të madh të tyre në jetën ekonomike të vendit që natyrisht ka dhënë impakt dhe në fusha të tjera të zhvillimit, mund të mendosh se emigrantët kanë arritur dhe një përfaqësim të denjë në shoqërinë shqiptare dhe se përbëjnë një shtresë të respektueshme të saj. Mirëpo me një vështrim të shpejtë mund të kuptosh se realiteti në fakt është komplet i kundërt. Së pari, në perceptimin e mediave, sidomos asaj të shkruar, ka kohë që ka bërë vend një opinion se rritja e aksidenteve rrugore dhe e kriminalitetit në stinën e verës i dedikohet ardhjes së emigrantëve në atdhe, a thua se sinjalistika rrugore në Shqipëri në 9 muajt e tjerë është e përsosur apo se problemet sociale që lindin krimin lulëzojnë vetëm mes emigrantëve. Kjo përqasje amatore ndaj rritjes së këtyre fenomeneve në Shqipëri gjatë periudhës së verës ngjan edhe më qesharake, kur mendon se emigrantët prej shumë kohësh janë qytetarë të vendeve të BE-së, ku respektimi i ligjeve dhe i kodeve janë norma morali që mbizotërojnë në shoqërinë e këtyre vendeve. Gjithsesi, ashtu si është provuar gjerësisht në Shqipëri, media mund të ketë apo dhe të formojë stereotipa të çuditshëm, si është dhe rasti i mësipërm ndaj emigrantëve, por politika zyrtare, ajo që përfaqëson të gjithë qytetarët, duhet jo vetëm të dalë mbi këta stereotipa, por dhe t’u japë vendin e merituar të gjitha shtresave të shoqërisë. Nuk mund të mohohet fakti se politika shqiptare vazhdimisht me deklaratat e saj apo dhe vizitat që bën herë pas here në vendet e Bashkimit Europian për të siguruar mbështetje në takime me emigrantët e ka përmendur rëndësinë e dërgesave të tyre ekonomike në atdhe apo dhe i ka thurur himne rolit të tyre në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por këto vlerësime kanë mbetur vetëm në nivele deklaratash dhe asgjë nuk është bërë që ata të ndihen qytetarë të vlerësuar të vendit të tyre. Sot, pas një zhvillimi ekonomik, kulturor dhe administrativ prej 20 vjetësh të demokracisë liberale në Shqipëri, emigrantët tanë ende nuk kanë mundësi të votojnë në vendet ku jetojnë, një të drejtë që disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik me demokraci ende hibride dhe të tronditura prej konflikteve etnike kanë kohë që iu kanë siguruar qytetarëve të tyre që rrojnë si emigrantë në vende të ndryshme të BE-së. Arsyet se emigrantët nuk paguajnë taksa në Shqipëri dhe rrjedhimisht nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet në Shqipëri, nuk qëndrojnë, pasi nëpërmjet dërgesave monetare drejt familjeve të tyre, tërthorazi marrin pjesë në jetën ekonomike të vendit. Për më tepër ndaj tyre, nga ana e politikës, vihet re një qasje në kufijtë e një përfitimi maksimal për sa i përket mbështetjes politike që dëshiron prej tyre, por mbështetja që u jep për të zgjidhur hallet e përditshme në vendet ku jetojnë është minimale. Emigrantët shqiptarë shumicën e të drejtave të tyre e kanë përfituar nga legjislacioni që afron Bashkimi Europian për emigracionin sesa nga kërkesat dhe aftësitë negociuese të qeverive shqiptare ndaj qeverive të vendeve ku banojnë emigrantët tanë. Kjo lloj përqasjeje po shikohet pothuajse përditë në ditët e sotme, ku emigracioni ynë pas një stabilizimi dhjetëvjeçar për sa u përket të ardhurave të tyre dhe pajisjes me dokumentacionin e duhur, po përjeton tronditje sërish në këto aspekte që reflektojnë krizën ekonomike që ka përfshirë Europën mbarë. Tashmë në vizitat e shumta të politikanëve tanë për të siguruar fonde dhe mbështetje politike ata nuk kanë nevojë vetëm për t’u bërë thirrje për të ardhur e votuar masivisht në zgjedhje, por dhe për t’u ndihmuar që ligjet e Bashkimit Europian të zbatohen rigorozisht ndaj tyre dhe të mos bëhen pre e shkurtimeve buxhetore për të dalë vendi mikpritës nga kriza. Emigrantët shqiptarë në Greqi po përballen me faktin se për të siguruar një vit qëndrimi, u duhet të blejnë sigurime shoqërore në vlerën e 2300 eurove, por pa u shënuar si sigurime në kartelat e tyre të sigurimeve shoqërore! Çfarë është kjo lloj llogarie poshtëruese? Një biletë për “parajsën” greke apo një shuplakë politikanëve tanë që flasin nga mëngjesi në darkë për bashkëpunim rajonal?
Politika zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Jashtme dhe ambasadës sonë hesht për këtë problem dhe të tjera si këto, lideri i opozitës që bëri takim me emigrantët në Selanik hesht, ku do t’i gjejnë të drejtat emigrantët tanë? Çfarë problemi u zgjidhet nëse ftohen të votojnë, kur problemeve që hasin në vendet ku jetojnë s’u del njëri për zot? Mospjesëmarrja e tyre në votime ka qenë dhe mbetet një defekt i madh i përfaqësimit të interesave të tyre, pasi askush më mirë se ata e di se ku “u pikon çatia”, por krahas plotësimit të kësaj të drejte plotësisht të merituar politika zyrtare duhet të jetë më e ndjeshme ndaj problemeve të tyre të përditshme për të mos i lënë “jetimë” nëpër botë dhe të huaj në vendin e vet, pasi statusi i një politike moderne është që të përmbledhë dhe të realizojë të gjitha dëshirat e atyre që e votojnë, përfshi këtu dhe një nga pjesët më vitale të kombit, emigracionin shqiptar.
 Gazeta Shqip 19.07.2012


No comments: