“Politika nuk ka moral,çdo gjë në të është e
lejueshme”. Kjo është shprehja lapidare që dëgjon lart e poshtë sa herë ndihet
në ajër që prishen aleanca të vjetra e krijohen të reja, tradhtohen ideale dhe
përqafohen kauza të dyshimta. Përforcimi i kësaj bindje të vjen ndërmend
sidomos në kohëra të ngarkuara me ngjarje dhe rrjedhimisht me tension politik
si është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Në kohë të tilla ashtu si jemi
mësuar rëndom deri tani fillojnë dhe pazarllëqet e mëdha që shiten si konsensuse
të mëdha apo fillojnë braktisjet e mëdha dhe përzgjedhja e ofertës politike më
të mirë për ata që janë në politikë por që për qytetarët e thjeshtë përkthehet
si tradhti e idealeve të tyre.
Duke
parë tablonë e politikës shqiptare në gjithë këto vite në përgjakjet dhe
ndarjet e saj të mëdha por dhe në bashkimet dhe aleancat e papritura të bie në
sy një tipar sociologjik që meriton vëmendje. Në dallim nga politikat e
brendshme të shteteve të tjera në Ballkan, politika shqiptare karakterizohet
nga mos mbajtja e fjalës mes vedi dhe prishja e pakteve politike të nënshkruar
mes palëve duke i zëvendësuar marrëveshjet zyrtare në paçavure pa rëndësi . E
gjithë kjo situatë që nuk është e re për qytetarët shqiptarë zhvillohet mes një
paradoksi të madh që në vetvete shpreh dhe një defekt të madh të qytetërimit
tonë. Demokracia si një sistem qeverisësja si komponent kryesor të tij
ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e shtetit ligjor. Mes këtij
respektimi dhe praktikimi të shtetit të së drejtës një vend kryesor zë kontrata
si një element bazë i tij. Politika shqiptare ka dy lloj kontratash të lidhura
me popullin, njëra është ajo morale për një politikë sa më të drejtë dhe
transparente dhe tjetra është ajo institucionale që synon që besimin e fituar
ta përkthejë në sukses qeverisje. Mirëpo edhe pse këto dy koncepte janë shumë
të njohura për klasën politike duken se ato nuk respektohen, jo vetëm për
faktin se kërkojnë të përfitojnë nga situatat si mund të dëgjohet rëndom por
besoj sepse mungon dhe kultura institucionale për ta konfirmuar këtë vullnet.
Historia
jonë moderne e ndërtimit të të parit përpjekje serioze për të pasur shtet
fillon me një falsifikim fermani. Skënderbeu për të marrë Krujën e zotërimeve
atërore të pushtuar nga otomanët përdor një ferman të rremë, veprim i cili mund
të duket shpëtimtar për të vënë një drejtësi në vend, por në fakt reflekton
përbuzjen e një autoriteti hyjnor si besohej që ishin në mesjetë bulat
perandorake apo dhe fermanët. Këtë shkollë politike të mosrespektimit të
kontratës apo dhe falsifikimit të saj Skënderbeu e mësoi sigurisht në Lindje
pasi në Arbëri si tregojnë burimet historike kushdo që të ishin pushtuesit e
territoreve i respektonin bulat perandorëve bizantinë apo dekretet e dozhëve të
Venedikut. Otomanët ishin mjeshtër të mëdhenj të nxjerrjes së fermanëve të
rremë viktima të së cilëve binin shumë nga kundërshtarët e saj që njëherë
dukeshin se faleshin me një të tillë pastaj kapeshin dhe ekzekutoheshin me një
ferman të dytë që pretendohej se tashmë ishte i vërteti. Viktima të kësaj loje
me drejtësinë janë të shumë gjatë historisë së gjatë të shqiptarëve në
Perandorinë Otomane, por më i gjatë duket dhe efekti që ka lënë në kulturën
tonë shtetformuese pasi në pothuajse çdo etapë vendimtare për shtetin shqiptar,
klasa politike ka luajtur të njëjtat lojëra mohimi dhe ripranimi marrëveshjesh
që kanë rezultuar me pasoja fatale për shansin tonë historik.
Loja
që po luhet sot mes pozitës dhe opozitës për Presidentin duket se është një
lojë kukafshehtazi ku duket ai që do ti mbajë sytë për një moment mbyllur më
shumë se tjetri do ta pësojë. Në thelb nuk po synohet konsensusi i gjerë por
hiletë dhe dredhitë teknike neneve të Kushtetutës a thua se atë që do zgjedhin do
jetë një epruvetë eksperimentale e teknikës administrative dhe jo personaliteti
që do përfaqësojë unitetin e popullit. Interesi i përgjithshëm i shqiptarëve
dëshiron që Presidenti i Republikës të zgjidhet që në raundet e para dhe mbi 84
vota për ti treguar familjes evropiane ku dëshirojmë të integroheni se ne jemi
të aftë që të ndërtojmë një marrëveshje konsensusi për të mirën tonë edhe
brenda një kohe të shkurtër. Pas një rrugëtimi të gjatë nëpër labirintet e
shtetit të së drejtës, tashmë ka ardhur koha që të ndjekim fillin e Arianës për
të dalë në dritë. Për t’ia arritur kësaj s’ka ndonjë filozofi të madhe sesa
braktisja e sindromës së fermanit të rremë dhe përqafimi i respektueshmërisë së
shtetit ligjor dhe frymës të bashkëpunimit të gurit themeltar të tij,
Kushtetutës së vendit.
Politika
e ka një moral dhe kjo është loja e drejtë si partnerë me kundërshtarin ku dhe
humbja dinjitoze është vlerë, në të kundërt sërish do prodhojmë gjerenatore
konflikti dhe vonesë të pajustifikueshme drejt integrimit .Faji në politikën
shqiptare s’duhet të mbetet më jetim por përfaqësuesit e saj të bëhen prindër
të mirë dhe këtë fëmijë trazovaç ta pagëzojnë konsensus me kumbar Bashkimin
Evropian dhe aleatin strategjik SH.B.A
Gazeta Idea 9.06.2012
No comments:
Post a Comment