Në datën 17 Gusht, shteti i ri i Kosovës mbushi plot gjashtë muaj nga data e shpalljes së pavarësisë. Në harkun kohor të këtyre jashtë muajve, shteti më i ri në Evropë i paraqitur dhe simbolikisht nga statuja në qendër të Prishtinës “Newborn” u njoh nga 45 shtete. Në pamje të parë ky numër shtetesh mund të përkthehet si një sukses por kur shikon se lista e shteteve të pavarura në O.K.B është 192, atëherë konstaton se ky numër nuk është as një e katërta e tyre. Megjithëse numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë mbetet thelbësor pasi shteti më i ri i Evropës është njohur nga shtetet më të rëndësishëm të atyre që quhen faktorë ndërkombëtarë, ky numër mund të kishte qenë më i madh nëse të 57 shtetet e Konferencës Islamike do të kishin njohur “en block” pavarësinë e Kosovës. Vetëm katër vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga kjo organizatë ku spikat Turqia për nga pesha diplomatike, kurse 53 të tjera i janë përgjigjur ose negativisht ose në mënyrë evazive.
Konferenca
e zhvilluar para disa ditësh në Prishtinë me vendet arabe të cilat përbëjnë
pothuajse gjysmën e Konferencës Islamike dhe vendet me peshën më të madhe
specifike në të , përveçse shprehjes së dëshirës së mirë për të zhvilluar
marrëdhënie ekonomike-kulturore nuk solli asnjë gjë të re në horizont. Edhe
kësaj radhe vendet arabe zhgënjyen shpresat e shumta të shtetit më të ri të
Evropës dhe shtuan skepticizmin rreth politikave të tyre.Komente të ndryshme
janë shkruar këto ditë në faqet e shtypit të përditshëm ku kritikohet
diplomacia e shtetit shqiptar dhe atij kosovar si mëveshëta dhe të paafta për
të lobuar dhe marrë votat e kësaj organizate të tillë fuqishme. Deri në një
farë vendi këto gjykime janë të drejta, por zakonisht kritikat kanë nisur nga
një premisë e gabuar.
Është besuar gjithnjë se meqenëse Kosova
ka nga përqindjet më të larta të popullsisë myslimane në rajon, shtetet arabe
do të ishin nga të parat që do njihnin pavarësinë e saj. Duke besuar kështu,
diplomacia shqiptare ka rënë në kurthin e zakonshëm të imazhit universialist
islam që këto shtete kanë krijuar për veten e tyre në arenën e politikës
botërore.Shtetet arabe janë përgjithësisht shtete të reja të krijuara në valën
e nacionalizmit që shpërtheu në Evropë në fillimet e shekullit të kaluar. Aktin
e tyre të parë të shtetformimit vendet e Gjirit Persik e kanë filluar pikërisht
me një revoltë kundër universalizmit islam duke goditur mbrapa krahëve ushtrinë
turke që ishte përfshirë në luftën e parë botërore në Evropë.Si të gjitha
shtetet komb, shtetet arabe kanë zhvilluar një ndjenjë të lartë të patriotizmit
lokal dhe zhvillimet globale i kanë parë në optikën e interesave të tyre
kombëtare. Kjo gjë vërehet lehtë në konfliktet territoriale që kanë me
njëra-tjetrën si dhe në qëndrimin e tyre ndaj problemit çeçen. Duke qenë sërish
një popullsi myslimane por jo arabe, Çeçenia është braktisur në fatin e vet nga
vendet arabe, të cilat miqësinë me Rusinë e konsiderojnë të një rëndësie të
veçantë për të zgjidhur problemet e tyre territoriale dhe problemin e
Palestinës.Gjatë gjithë konfliktit Ruso-Çeçen në asnjë kryeqytet të vendeve
arabe nuk janë zhvilluar protesta masive siç janë zhvilluar p.sh ndaj
ndërhyrjes amerikane në Irak edhe pse skenat e dhunës ruse kanë qenë aq të
ashpra saqë mund të tronditnin çdo qytetar të botës.
Në këtë kontekst këmbëngulja për ti
thërritur sërish universalizmit islam si instrument dobiprurës për njohjen e
pavarësisë së Kosovës tingëllon i pakuptimtë dhe diplomacia shqiptare duhet të
gjejë mënyra të tjera për të afruar këto shtete me qëndrimin tonë rreth njohjes
së pavarësisë së Kosovës.Një mënyrë e dobishme do të ishte rritja e prezencës
dhe profilit diplomatik të Shqipërisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku
fatkeqësisht Shqipëria përfaqësohet vetëm me dy ambasada, një në Kajro dhe
tjetra në Riad. Shqipëria duke qenë së shpejti një vend anëtar i NATO-s dhe
vend kandidat për të hyrë në B.E do të mund të luante rolin e një “ure
diplomatike” midis dy qytetërimeve duke qenë se ka lidhje të forta
historiko-kulturore me vendet arabe dhe mund ta kuptoje Orientin më mirë se çdo
tjetër aleat tjetër i strukturave euro-atlantike.Intensifikimi i marrëdhënieve
dypalëshe qoftë dhe me vizita të nivelit të lartë ku do të kërkohej një
mbështetje politike më e madhe, të paktën e krahasueshme me atë ekonomike që
herë pas here vendet arabe i kanë dhënë Kosovës do të krijonte kuadrin e nevojshëm
për hapa të tillë decizivë nga ana e botës arabe. Është për të ardhur keq që
kredencialet e Shqipërisë dhe Kosovës në botën arabe janë të një niveli më të
ulët se të Serbisë dhe kjo jo vetëm për faj të nostalgjive të vendeve të
paangazhuara ku Jugosllavia e Titos ishte një vend udhëheqës dhe ku aderonin
shumica e vendeve arabe por edhe për shkak të drojës politike që Shqipëria dhe
Kosova kanë pasur për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta diplomatike me
këto vende.
A besojmë vallë se duke “injoruar”
marrëdhëniet me botën arabe, ne i shpëtojmë paragjykimit që një sërë qarqesh
evropiane kanë për Shqipërinë dhe Kosovën si vende me një popullsi myslimane?
Jo, kurrsesi jo pasi shpeshherë është parë se këto paragjykime janë përdorur si
instrumente politike sesa i përgjigjen realitetit. Shqipëria duke pasur
tolerancën e vet fetare si një thesar në botën e vet shpirtërore nuk duhet të
ketë kompleks për të zhvilluar marrëdhënie me cilindo vend të botës që i
shërben interesave të saj kombëtare dhe në të njëjtën kohë nuk mund të pranojë
asnjë rekomandim për të ndryshuar këtë fiziomoni të çmuar të saj në arenën
ndërkombëtare. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe aderimi i Shqipërisë në
organizatë 10 vjet më vonë tregojnë se qendrat e politikbërjes botërore i kanë
kapërcyer prej kohësh të tilla paragjykime për shqiptarët dhe ne nuk kemi se të
jemi robër të tyre. “Politika është arti i së pamundurës” thotë diku Bismarku
dhe tash është koha që diplomacia shqiptare e të dyja shteteve shqiptare në
rajon të bëjë të pamundurën për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe me votat e
botës arabe që natyrisht janë të çmuara dhe jo të pakta.
Gazeta
Standart 29.08.2009
No comments:
Post a Comment