Nëse para disa vjetësh do të pyesje një qytetar të thjeshtë rus se ku bie Osetia e Jugut, pa vënë në dyshim formimin e përgjithshëm të marrë gjatë regjimit të kaluar ndoshta do të ngrinte supet. Sot, Osetia e Jugut është kthyer në kalin e betejës për të drejtat e njeriut së Rusisë së Madhe ndaj Gjeorgjisë së vogël dhe padyshim zë vendin e parë në gjithë diskursin politik ne Rusi. Madje jo me pak se disa ditë me parë, Rusia hapi një proces gjyqësor ndaj Gjeorgjisë për gjenocid ndaj qytetarëve të vet,duke vazhduar të mbrojë në këtë mënyrë ndërhyrjen e saj “të drejtë” në shtetin fqinj.
Jo shumë larg nga vendi i zhvillimit të ngjarjeve, ndodhet Çeçenia-një vend martir pothuajse komplet i harruar nga komuniteti botëror. Edhe aty, banorët vendas ashtu si ata të Osetisë Jugore kërkonin pavarësi nga Moska, dhe si përgjigje morën rrebeshin e bombave ruse. Pastaj forcat ruse , marshuan drejt Groznit duke zëvendësuar qeverinë e ligjshme çeçene me një qeveri besnike ndaj tyre. Një atmosferë terrori dhe pasigurie zotëron qysh atëherë për popullsinë vendase, e cila duhet t’i bindet kapricove dhe tekave të një presidenti të ri, merita e vetme politike që kish kur u zgjodh president , ishte qenia bir i presidentit kukull të vrarë në një atentat nga luftëtarët çeçenë.
Krejt ndryshe paraqitet gjendja për qarqet oligarko-financiare te Moskës. Me nënshtrimin e Çeçenisë , ato siguruan një stacion të rëndësishëm të rrugëve energjetike dhe u dhanë një sinjal të fortë popullsive të tjera kaukaziane brenda territorit të Federatës ruse se nuk do të toleronin asnjë lëvizje të këtij lloji.
Rusia mbetet e vetmja fuqi ish-koloniale që vazhdon të sundojë edhe politikisht kolonitë e saj. Përdorim termin koloni, sepse gazi natyror që nxirret nga Kaukazi eksportohet dhe shitet në Evropën Perëndimore dhe fitimet kolosale investohen në Moskë dhe rrethinat e saj, kurse rajoni i Kaukazit vazhdon të mbetet një nga rajonet më të varfra në Rusi. Kaukazi u pushtua në shekullin e XIX-të me zjarr e hekur dhe qysh atëherë rusët nuk u larguan më. Ndërsa Britania dhe Franca i dhanë fund sundimit të tyre kolonial në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, Rusia nën petkun e Bashkimit Sovjetik i mbajti nën thundrën e vet popullsitë çeçene, çerkeze, ingushetase, dagestane etj.
Kjo është një pjesë jo shumë e njohur e historisë dhe që rusët gjithmonë janë përpjekur ta fshehin në mënyrë të kujdesshme duke lënë jashtë çdo zgjidhje diplomatike popullsitë e rajonit, të cilat qysh prej shekullit të XIX i janë nënshtruar një procesi të gjatë asimilimi dhe rusifikimi. Sot popullsitë e këtyre vendeve megjithëse flasin gjuhët e tyre kombëtare e shkruajnë atë me alfabet cirilik, festojnë festat kombëtare të Rusisë dhe adhurojnë si heronj gjeneralët e trupave cariste që i pushtuan. Rasti më flagrant mbetet emri i kryeqytetit të Çeçenisë-Grozni, që rusisht do të thotë i “frikshëm” dhe që ishte emri i fortesës ushtarake që forcat ruse ndërtuan më 1818 kur vunë këmbën për herë të parë në territorin e Çeçenisë.
Të vetmet vende të rajonit që gëzojnë një pavarësi nga Moska janë tre ish-republikat sovjetike:Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani, ndaj të cilave Moska ka ndjekur politikën e sentencës së vjetër “Përça e sundo” .Duke qenë në dijeni të konflikteve etnike, Rusia si një fuqi rajonale jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për t’i zgjidhur ato, por ka bërë të pamundurën për ti mbajtur konflikte të ngrira me një statusquo si i vjen përshtat dhe për t’i përdorur kur i mendon të arsyeshme siç ishte rasti i Osetisë së Jugut dhe Abkahazisë.
Skenari i zotërimit të Kaukazit dhe zgjidhjes së kontradiktave që Rusia ka me shtetet në rajon sipas “modelit çeçen” është skenari që Moska do të dëshironte të ndjek dhe në Gjeorgji. Eksportimi i mënyrës së vet të “kuptuarit” të demokracisë liberale është kthyer në një objektiv të diplomacisë ruse, qysh kur ajo u rikthye fuqishëm në arenën ndërkombëtare në saj të burimeve energjetike që vendi disponon dhe indiferencës së Perëndimit përkarshi zgjimit të “ariut rus”. Që nga Bjellorusia e në republikat e Azisë Qendrore mbizotëron i njëjti model shtrembërimi i demokracisë ku elitat politike nuk ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve të lira por çimentohen nëpërmjet farsave elektorale si zgjedhjet e fundit parlamentare në Rusi.
Perëndimi është gjetur i papërgatitur përballë këtij agresioni të ri,duke iu kundërvënë shpesh me idealizmin e gjithfarë ekspertësh për triumfin e ekonomisë së tregut dhe fitores të së mirës ndaj së keqes. Dhënia e ndihmave ekonomike dhe retorika për të mos rënë në mentalitetin e “Luftës së Ftohtë” kanë rezultuar boshe sepse në fakt Lufta e Ftohtë mund të jetë zbehur por kurrë nuk është shuar. A mund të kujtojë njeri se kur Rusia ka dhënë konsensusin për zgjerimin e NATO-s ,kur ka ndaluar së prodhuari armë të shkatërrimit në masë apo kur ka përkrahur iniciativa për paqe afatgjata në rajone si Ballkani?
Politika e uljes së tensioneve dhe detantës ndoshta ishte efikase në mesin e shekullit të kaluar,por në realitetin e sotëm ajo ka rezultuar e padobishme sepse pas çdo krize politike që Moska ka nxitur, ka dalë më e fortë dhe nuk ka ndryshuar qëndrim. Sot askush nuk kujtohet më për Çeçeninë, dhe ndoshta nesër nuk do të kujtohen më dhe për Gjeorgjinë nëse Perëndimi vazhdon të jetë i përçarë siç ishte dje në Samitin e ministrave të jashtëm të NATO-s. “U mbars mali dhe polli një mi” u shpreh ambasadori rus pranë NATO-s për takimin e djeshëm, një fjali cinike që nuk e fshehu përçmimin dhe talljen për pafuqishmërinë e aleancës për të dalë me një vendim të përbashkët.
Rusia ka kohë që nuk e ka fshehur qëndrimin e saj për zëvendësimin e NATO-s si instrument paqe dhe stabiliteti në Evropë me OSBE-n ku Rusia është anëtar themelues i saj, marrëdhëniet me B.E-n preferon ti trajtojë si marrëdhënie dypalëshe me shtetet evropiane sesa si entitet përmbledhës që është B.E, nuk njeh kufijtë e saj me një seri vendesh fqinjë duke i mbajtur peng integrimin Euro-Atlantik të tyre siç është rasti i Ukrainës, Gjeorgjisë dhe duke mbajtur pezull konflikte siç është ai i Transdnistries në republikën e Moldavisë.
Propozimet e vazhdueshme të saj për të zgjidhur krizat rajonale janë që këto shtete të shpallin neutralitetin nga NATO dhe B.E në këmbim të zgjidhjes së statusit të provincave të diskutuara, por që fare lehtë ky neutralitet i tyre më vonë mund të përkthehet në influencë ruse siç është rasti i Bjellorusisë. Të njëjtin skenar dëshiron të ndjekë dhe në Ballkan ku dëshiron ta mbajë peng njohjen ndërkombëtare të Kosovës apo dhe me qëndrimin amfib ndaj çështjes së njohjes së emrit të Maqedonisë për të përfituar influencë dhe destabilitet në rajon.
A do të vazhdojë Perëndimi të vazhdojë të veprojë si struci në rërë që fsheh kokën për të mos parë rrezikun apo do të kundërveprojë denjësisht për ti treguar carëve të rinj të gazit dhe kërcënimeve se deri ku mund të vazhdojnë të dhunojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të ndërmarrin agresione si ai ndaj Gjeorgjisë?
Promovimi i vlerave demokratike dhe ndërtimi i ekonomisë së tregut nuk mund të bëhet vetëm duke shpresuar se efektet e tyre do të japin rezultat dhe do të ndryshojnë shoqërinë në vende me traditë autoritariste si Rusia, por duke ditur sesi t’i mbrosh ato nga shtrembërimi i pashembullt dhe sesi të reagosh kur këto vlera kërcënohen. Rusia nuk ndihmohet duke vazhduar t’i hapësh dyert e dialogut për të dalë fitimtare ndaj krizave të tilla ndërkombëtare, por duke bërë të ditur se hegjemonizmi është një vlerë e papranueshme në botën e sotme demokratike.
No comments:
Post a Comment